Shkruan: Florim Zeqa, 10.12.2023
Se kush është përgjegjës për themelimin e Asociacionit e dijmë të gjithë. Dhe të gjithë janë fajtorë pa dallim pushtet dhe opozitë! Edhe përkundër ndërrimit të roleve (pushtetit), fajësia bie njëjtë mbi të gjithë. Përderisa kundërshtuesit aktualë, opozita aktuale (PDK dhe LDK) janë nënshkruesit e parë të Marrëveshjes për Asociacionin, ata që deri dje e kundërshtonin si opozitarë, sot po e bëjnë realitet të njëjtën marrëveshje si pushtetarë!
M’rrove e t’rrova, brisku i berberit
Kundërshtimet sporadike apo thënë ndryshe, me dualizimin e veprimeve, pushtetarët aktualë qëllimin e kanë tek shpërndarja e përgjegjësisë politike. Këtë po e bëjnë duke e akuzuar opozitën për vënjen para aktit të kryer për Asociacionin dhe duke kërkuar ndihmë tek ndërkombëtarët me zbutjen e terminologjisë politike për të njëjtin produkt (2013-2015!
Shihet ashiqare, se ndërkombëtarët, përkatësisht SHBA dhe BE nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të arritura përgjatë viteve 2013-2015, andaj janë aq të përkushtuar për përafrim qëndrimesh mes pozitës dhe opozitës, dhe nëse të gjithë pajtohen, atëherë nuk do të ketë kundërshtime të mëdha dhe as përkeqësim të gjendjes e sigurisë.
Tendenca e ndarjes së përgjegjësisë politike rreth Asociacionit, për qëllim ka, që përgjegjësia individuale të kthehet në përgjegjësi kolektive, që i bie që të gjithë të bien ndesh me Kushtetutën e vendit dhe asgjë askujt sipas thënjes popullore “M’rrove t’rrova brisku i berberit”!
I njëjti brisk që ishte në dorën e Catherine Ashtonit ishte në dorën e Federica Mogherinit, dhe përseri i njëjti brisk është në dorën e Miroslav Lajçakut, Josep Borrellit dhe Gabriel Escobarit.
Presidentja e merr rolin e zjarrëfikëses
Takimi i ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani me krerët e partive politike opozitare, për qëllim ka ndarjen e përgjegjësisë politike për “Draft-Statutin e Asociacionit. Arritja eventuale e një konsensuesi politik do të ishte shpëtim për vendin dhe ndihmesë e madhe për Albin Kurtin, i cili karrierën politike e ka të lidhur ngusht Asociacionin.
Thënë ndryshe, fati dhe mbijetesa politike e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit janë të lidhura ngusht me Asociacionin e Komunave Serbe në Veri të Kosovës. Ndryshe, ekzistenca e tyre në skenën politike i ka ditët e numërura, jo për shkak të trysnisë opozitare, por për shkak të trysnisë ndërkombëtare, të cilët tashmë janë lodhur me politikanët kontravers kosovarë, të cilët ndryshe flasin e ndryshe veprojnë!
Mungesa e guximit politik e Albin Kurtit për ta zyrtarizuar Asociacionin, do t’i detyrojë ndërkombëtarët që të kërkojnë partner të rinj politik. Duke e nuhatur mirë situatën e krijuar politike, presidentja Osmani shpëtimin e vet poltik (jo të Albin Kurtit) po e kërkon tek opozita duke e luajtur rolin e zjarrëfikëses!
Në ditët në vijim të këtij fundviti të rëndë politik për Kosovën, pritet të zyrtarizohet ndarja e rrugëve mes krerëve shtetërorë dhe ndarja e përgjegjësisë kolektive me zyrtarizimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Veri! Na mbetët të shohim, në dorën e cilit “berber” do të mbetet brisku i rruarjes përfundimtare të Kosovës!