20.5 C
Tirana
E dielë, 25 Janar 2026
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)
Kreu Artikuj RRETH PROZËS “SHTJELLË FATESH” TË LLESH NDOJT

RRETH PROZËS “SHTJELLË FATESH” TË LLESH NDOJT

0
Llesh Ndoj - Shtjellë fatesh
Anton Nikë Berisha
Anton Nikë Berisha

Anton Nikë Berisha

Rrëfim që mund të lexohet si roman – kështu është nëntitulli i prozës “Shtjellë fatesh” të Llesh Ndojt. Ky titull të vë në përsiatje të shumta, të ballafaqon me mendime të ndryshme rreth prozës në përgjithësi dhe të romanit në veçanti.

Nëntitulli, nga një anë, të përkujton atë që thoshte Gustav Floberi: “Sa gjë e vështirë është proza. Kurrë nuk është e gatshme, gjithmonë mbetet diçka për t’u përpunuar. Prapë mendoj se mund t’i jepet fuqia e vargut. Fjalia e mirë në prozë duhet të jetë si ndonjë varg i mirë, e pandërrueshme, po ashtu ritmike, po ashtu tingëlluese”. Nga ana tjetër, nëntitulli të nxitë, për të mos thënë, të detyron të mendosh për zhvillimin e romanit si lloj letrar në rrjedhën historike, për pasurimin dhe ndryshimet që përjetoi e po përjeton.

Kush ka njohuri sado të pakta për romanin bëhet i vetëdijshëm se ai është një lloj letrar i ndërliqshëm. Kjo dëshmohet me të dhënën, sikur thotë Mihail Bahtini, se ai është zhanër që përherë e gjurmon dhe e studion veten, duke i rishqyrtuar trajtat e veta formale. Në të vërtetë, ndërlikueshmëria e këtij lloji letrar shfaqet nga se ai është kosmopolit për prirjen e tij (Vigari) dhe cilësohet me të shprehurit gjithëpërfshirës letrar.

Llesh Ndoj
Llesh Ndoj

Me pak fjalë, është njëri ndër zhanret letrare më të hapur dhe më të pakufishëm, ku rrënohen vijimisht modelet ekzistuese. Së këndejmi, nëse dëshirojmë ta rimarrim mendimin e Shkllovskit se – atë që e quajnë zhanër, përnjëmend është njësi konfliktesh (do shtuar dhe kundër konvencionale) – atëherë romani mund të shërbejë si nga më tipikët. Romani mund të jetë pasqyrë e realitetit jetësor dhe e përvojës së krijuesit, të ndërtohet rreth një ideje, një teme ose një objekti të caktuar, por ai mund të jetë pa objekt të mirëfilltë, larg formës dhe shtjellimit tradicional, të ngrihet mbi përfytyrimin dhe imagjinatën.

Gjithë kjo të kujton atë që thoshte Floberi: “Ajo që më duket e mrekullueshme, që dua të shkruaj, është një farë libri që nuk flet për asgjë, libër që nuk ka asnjë lidhje me realitetin e jashtëm, libër që do të qëndronte vetëm me fuqinë e brendshme të stilit, sikur toka që qëndron pezull dhe nuk e mban asgjë”. Kjo e përforcon edhe më tej shumësinë (polifoninë) romaneske, që kushtëzoi dhe kushtëzon mendime të ndryshme, shpesh kundërvënëse, për veçantitë e natyrës së tij, veçmas për transformimin që ai përjetoi prej kohës së lindjes e deri më sot.

Nga rrafshi i qasjes, i shtjellimit dhe i të shprehurit poetik, romani modern përballë atij tradicional del faktikisht si antiroman, përkatësisht zhanër që i kundërvihet vetes (në kuptimin e ndërrimeve – ndryshimeve). Në të vërtetë, romani modern dëshmon më së miri për mundësi të pakufishme shtjelluese dhe për cilësinë e gjithë përfshirjes dhe të gjithanësisë, që nuk e cilëson në këtë mënyrë asnjë lloj tjetër të artit të fjalës.

Çka dëshmon proza e Llesh Ndojt “Shtjellë fatesh”?

Në pjesën më të madhe kjo prozë frymon si roman: shtjellimi i tekstit dhe synimi që të rrëfejë për dukuri të shumta, që ndërlidhen në mënyra e në forma të ndryshme, qoftë për ngjarje nga e kaluara, qoftë për ato konkrete, ku veprimtaria e njerëzve ngjet në bazë të ligjeve të së drejtës zakonore të katundeve të Mirditës, me përqendrim ne katundin e Domgjonit. Edhe gërmimi dhe shpalimi i botës së brendshme të personazheve dhe të tundimeve të tyre në rrethana përkatëse jetësore e përligj këtë gjë. Në mënyrë të veçantë shtjella e fatit të njerëzve dhe ngatërresat midis tyre, të cilët janë zhytur në përditshmërinë, pra ballafaqohen me kundërshti dhe kundërthënie të dukshme.
Mirëpo, proza “Shtjellë” e Llesh Ndojt ka dhe një qëllim tjetër: njohjen dhe ndriçimin e dukurive në rrethana të caktuara të jetës së mirditorit si dhe të disa zakoneve e dokeve që kanë qenë pjesë e pandashme e frymëmarrjes dhe e veprimit të tij, po dhe vijojnë të jenë.

Kjo mënyrë e shqiptimit të botës e shmang atë nga proza poetike e mirëfilltë, ku porosia dhe karakteri i pandërmjetme njohës nuk është cilësi e artit.

Kjo nuk është mangësi e kësaj proze: ajo është pjesë e qëllimit të hartimit të saj nga autori. Pra, rrëfimi ngrihet mbi faktin konkret, real, po ky fakt synohet të thuhet, të shprehet bukur, të jetë një ballafaqim shumësor me marrësin, lexuesin, ku autori dëshmohet njohës i mirëfilltë i traditës, i marrëdhëniet shoqërore, i normave zakonore, pra i botës së mirditorit brenda besës, bujarisë, mikpritjes, po dhe të dramës dhe të vuajtjeve të tij.

Për këtë rrëfim të menduar e të ndërtuar me përkushtim, dëshmojnë shumë pjesë të tekstit të veprës, po, këtu po sjell vetëm dy shembuj:

E shkujdesur, por e harlisur dhe e gëzuar, Diellorja e vogël i bie si flutur krahëshkruar cep e n’cep lëndinës së bukur të mbushur me lule shumëngjyrëshe, aty rrëzë malit mitik të Munellës, ku kanë lindur dhe janë rritur plot bujari dhe trimëri të parët e saj. Sheh kedhat që kullosin dhe lodrojnë me shkathtësi dhe energji, dëgjon me kënaqësi blegërimat e tyre dhe herë – herë afrohet dhe e ledhaton ndonjërin prej tyre. I tërheq vëmendjen një dallëndyshe dhe vrapon si sorkadhe pas saj. Këmisha me fund të bardhë, jeleku i zbukuruar me rruaza dhe temina, shamia që ia mbulon kokën e gjysmën e fytyrës, e pengojnë, por ajo nuk bezdiset për hir të zakonit.

* * *

Rrezet e para të diellit e kishin vënë atë në shënjestër dhe ajo shfaqej, si në një defilim mode, me tërë bukurinë e saj. Ende e “mbante veshur” vellon e dimrit, në atë pjesë që vendasit i thoshin Guri, dhe që në fakt ishte pjesa e zhveshur apo kullota alpine e saj. Më poshtë kishte akoma, tek – tuk, lara dëbore, por që një sy i kujdesshëm dhe nevojtar vërente se ahishtet rreth saj kishin nisur me e zbardhë ngapak sythin e kranin, kështu quheshin degëzat e ahut në pragpranverë kur ende nuk kishte shpërthyer imshta, dhe që ishin ushqim i mirë për bagëtitë, sidomos për të imtat, por edhe për gjedhët. “Po kush do ta mbartte atë se?”- mendoi Tefa. Prapë e mbërthyen mëdyshjet, por e drejtoi shtatin ngadalë, ku iu duk se ndjeu t’i kërcasin vërtebrat një e nga një, njëlloj siç i kishin kërcitur rezët e derës të sapohapur; pa edhe njëherë nga Qyteza, si për t’iu lutur Kishës së Shmarramejt, e cila fshihej përtej saj dhe dredhoi trupin të futej brenda.

Ajo që këtë prozë e shmang nga kronika e rëndomtë, përveç të shprehurit poetik dhe gjuhës me të cilën ndërtohet pjesa e madhe e tekstit, është bota e përfytyrimit, e imagjinatës (si në ëndërr në Vjenë, ku ngjarja është e vendosur në një muze), ku kuptimi i tekstit degëzohet, pra shmanget kumti i thjeshtë, i pandërmjemë.

Po e mbyll këtë kumtesë me mendimin se proza “Shtjellë fatesh” është një lloj vazhdimësie, po dhe plotësim i punës dhe i synimit të autorit, Llesh Ndojt, për njohjen sa më mirëfilltë të Mirëditës dhe të botës së mirditorit, të gjurmuar e të dëshmuar në dy monografitë: Fani dhe fanasit: Kështjellë e pamposhtur” (2021) dhe Domgjoni. Në dokumente, gojëdhëna e histori. Botimi i dytë i ripunuar (2023).

Natyrisht se këtu bëhet me një mënyrë e me një gjuhë dhe të shprehur tjetër.

Prishtinë, janar 2026

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.