ROMANI “SHPELLA E SOKOLAVE” I SHKRIMTARIT NUHI POTOKU

0
Nuhi Potoku - Shpella e Sokolave

Zymer Mehani

Bosht i kompozicionit të romanit “Shpella e Sokolave” të shkrimtarit Nuhi Potoku është Shpella pa Emër, që ua ka imponuar realitetin e vet statik rrjedhave dinamike të ngjarjeve epiko-historike që janë zhvilluar brenda dhe rreth saj, si dhe ambienti që e rrethon dhe fatet e ndryshme njerëzore.

Shpellën pa Emër shkrimtari e vlerëson si një thesar, për të cilën ka dëgjuar që nga mosha e hershme e fëmijërisë tregime të njerëzve të vjetër mendjehollë, që është e vështirë për t’i dëgjuar gjithmonë ato gojëdhëna për atë shpellë, ku u zhvillua ajo dramë njerëzore e kryepersonazheve të romanit në fjalë, që në fund shndërrohet në tragjedi, pasi që dy të rinj vdesin aty, pa patur mundësi të dalin vetë, apo t’i nxjerrë dikush tjetër, në ato rrethana të jashtëzakonshme e të egra. (I huaji aty afër i var në litar edhe Lisin bashkë me të shoqen, si tentatorë për shpëtim të këtyre dy të rinjve).

Shkrimtari i ka zgjeruar rrjedhat epike të ngjarjeve pothuajse në tërë gjeografinë e etnisë shqiptar,e që nga Konica çame, pastaj në Gurbardh të Llapit, në Vushtrri, në Istog e në Junik, në Malësi të Gjakovës e deri te Molla e Kuqe.

Situata e jashtëzakonshme e jetës në shpellë e dy të rinjve, ndihmon që të shfaqet ajo që është më e mira në shpirtrat e njerëzve- solidariteti, që shqiptarët e trashigojnë brez pas brezi gjatë mugëtirash shekullore, në kuptimin e qëndrimit e jo të nënshtrimit ndaj çdo sunduesi, solidarizim që i afron dhe u jepj zemër njerëzve në fatkeqësi. Prandaj ajo shpellë e thellë, e ftohtë dhe e trishtë do të ngrohet, bashkë me Sokolin e Toplicën që i mban brenda prej njëfarë flake të kujdesit si virtyt e urti, ku shikohen dhe e njohin njëri-tjetrin njerëzit (kujdesi i Lisit me të shoqen).

Pjesa e brendshme e shpellës pasqyron karakterin e caktuar të njeriut dhe lidhet me virtytet e Sokolit e të Toplicës, duke shkruar një etapë të dramës individuale që zhvillohet dhe ashpërsohet. Por, fati i Sokolit e i Toplicës është edhe fati i tërë etnisë, të cilës i takojnë.

Kuptimin e këtij kontrasti shkrimtari e paraqet me përshkrimin e dy të rinjve, aty brenda shpellës, pa kushte, në atë ambient të errët, krahasuar me sarajet e sundimtarit K., në Vushtrri, ku mbizotëron pasuria dhe luksi.

Është përshtypja jonë se shkrimtari është shërbyer me lëndën e gojëdhënave, shënimeve e tregimeve të vjetra, duke i shfrytëzuar shpeshherë edhe fjalët e urta e filozofinë popullore. Ai fillimin e romanit (prologun) e ka nisur me vargje në frymën popullore, si shprehje spontane e mentalitetit dhe e frymës së vetë popullit e më pastaj do ta shtjellojë ngjarjen.
Sokoli dhe Toplica, kryeprotagonistët e romanit, nuk janë lënë vetëm dhe të braktisur, pa shpresë dhe pa përkrahje. Ata s’e pranuan joshjen, mashtrimin, as lakmuan në pasuri, edhe pse tradhtohen pabesisht.

Vetëm në raste të jashtëzakonshme njerëzit me karakter të fortë (Sokoli e Toplica) marrin guxim t’i mohojnë dhe t’i refuzojnë ofertat e pushtuesit, ashtu sikurse edhe sundimin e tij, duke i qëndruar besnik fjalës dhe besës shqiptare.

Personazhet e këtilla si Sokoli e Toplica, shpejt i merr fati i veçantë, edhe përkundër pësimit të tyre nga i ligu, ngase ata përkundër ndërprerjes së jetës së tyre pa të drejtë, mbeten për të jetuar në kujtesën e populli, të cilit i takojnë përmes këngësh dhe legjendash popullore.

Në pamjen melodramatike të mbytjes së Sundimtarit K., nga e bija e tij, Arbenita, ndihet tragjizmi i shtytjes njerëzore për t’u hakmarrë, në këtë rast, shtytjes së femrës që dëshiron të shpreh papajtueshmërinë e saj në lidhje me eleminimin fizik të dashnorit të saj, Sokolit (por që ai s’e dashuron atë) nga babai sundimtar.

Poetika e qëndresës në romanin “Shpella e Sokolave” të shkrimtarit Nuhi Potoku ndihet në kuptimin e rezistencës ndaj së keqes njerëzore, në këtë rast, ndaj së keqes që pushtuesi ushtron ndaj etnisë shqiptare. Kjo e keqe për shumë shekuj ne na mbajti të penguar e të robëruar.

Poetika e qëndresës mund të vërehet në mendimin e brendshëm të shkrimtarit, në intonacionin e ngritur lehtë të patosit epiko-historik dhe të meditacionit që e përshkon strukturën e romanit në tërësi. Kësofare, në shumë meditime të zhvilluara, autori na ofron konceptin e vet ose poetikën e qëndresës. Meqenëse të vëtetat e veta më të thella ai i harmonizon me ndjenjën e përvojave të popullit, me interesin për romanin e tij, që është “histori e vërtetë” e etnisë sonë, kështu që edhe idenë mbi fenomenin e jashtëzakonshëm të qendresës ai e vë në lidhje me karakterin dhe zakonet e shqiptarëve.

Struktura e brendshme e romanit “Shpella e Sokolave”, sado që në shikim të parë duket se është ndërtuar mbi idenë e humbjes tragjike të dy jetëve (Sokoli, Toplica) në Shpellën pa Emër, në atë burg të perandorisë së vjetër orientale, prapëseprapë na del se këtu nuk është dominante ideja e humbjes… apo e ndërprerjes së jetës, por dominante është ideja e përtëritjes, e vazhdimit të jetës (trenjakëtë e Sokolit e të Toplicës).

Struktura e brendshme e romanit ndërtohet në motivin e së keqes shoqërore-historike të sundimit osman, në labirintin e një mbretërie dhe të ligjeve të saj të vrazhda.

Mungesa e aspekteve të gjera të aksionit dhe e rrethanave në të cilat një karakter ngritet, ndryshohet a shkatërrohet i imponon shkrimtarit zgjidhje të reja të motivacioni,t si dhe të paraqitjes së fatit të njeriut. Këtë e themi, ngase e tërë ajo që paraqet në roman fatet individuale të personave, është edhe vetë fati i tërë një kolektiviteti, në këtë rast i etnisë shqiptare.

Përdersa në njërën anë, në Shpellën pa Emër zvogëlohet roli fabulativ, shtohet dinamika e ngjarjeve dhe përmbajtja letrare zgjerohet me gjendjet shpirtrore të protagonistëve.
Përveç ligjërimit të drejtpërdrejtë të vetë shkrimtarit, në strukturë të romanit veçohen edhe disa shtresa narrative apo disa forma dialogjik (në një të folme të vjetër të shqipes), që herë më shumë e herë më pak marrin rolin e tregimtarit. Këto elemente shfaqen në formë të gjuhës ligjërimore dhe të bisedave të përditshme të Sokolit e të Toplicës, por edhe gjatë takimeve të tyre me plakun Lis dhe me të shoqen e tij, para se gjithash në formë të dialogjeve.

Romani “Shpella e Sokolave” krijon te lexuesi një përshtypje të përgjithshme, se tërë ajo që ndodh, nuk është rrëfim i vetë autorit, por tregim i shumë njerëzve (xha Arifit, asimtare Afërditë, Sinan Gashit…) mbi atë se çfarë kanë dëgjuar e mësuar nga historia e popullit tonë për të kaluarën e largët, gjatë pushtimit osman.

Ky roman mund të quhet roman i veprimit dramatik, që ngritet gradualisht në të gjitha pjesët deri te konflikti dhe zgjidhja e tij (vdekja e protagonistëve: Sokolit dhe Toplicës dhe varja e Lisit dhe e plakës së tij).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.