Refleksione rreth librit “Për historinë, arsimin dhe vlerat humane” të autorit Ibrahim Kabili

2
Ibrahim Kabili - Për historinë, arsimin...

Autori i shkrimit, FRAN CARA

Ibrahim Kabili, një mësues vullnetmirë për më se katër dekada në zonën e Zall-Bastarit dhe i apasionuar pas historisë në tërësi, e asaj të vendlindjes dhe krahinës së Bendës, në veçanti, ka një prodhimtari të vlerësueshme për bashkëkohësit dhe për brezat që do të vijnë. Ai ka prekur, hulumtuar dhe shkruar për ngjarje, figura dhe personalitete të spikatura të historisë të shekujve të shkuar, edhe deri në ditët tona, nga shumë fusha, si: atdhetarisë, socialekonomike, të arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe etnokulturës, artit dhe sportit.

Unë që po hedh këto radhë në letër, dy herë jam ndjerë i dyzuar me vetveten në kalimin imtësisht të dy librave: “Atdhedashuria fillon nga vendlindja” dhe “Për historinë, arsimin dhe vlerat humane” (Refleksione nga jeta, profesioni dhe puna hulumtuese studimore). Isha dhe jam i dyzuar dhe të matesha 100 herë, para se të marr përsipër këtë punë disi të vështirë, për të shkruar rreth kësaj bote vlerash që Ai kishte krijuar.

Por ky libër të motivon, të nxit ta lexosh, të bën të mendosh dhe të thërret në kupë të qiellit të reflektosh. Një libër që i tund këmbanat për të godiur “në tru të njerëzisë” e për të kallëzuar: “Udhën e Zotit”: “O njeri i mirë, o shqiptar e bir shqiptari! Njihi rrënjët nga ke ardhur, vlerësoje realisht veten dhe shtro udhën tënde të së ardhmes. Unë po të flas”! Kështu na grish libri i mësuesit pasionant, drejtuesit të spikatur në arsim dhe hulumtuesit e studiuesit që na ndriçon shumëçka nga historia e krahinës së Bendës dhe zona e Zall-Bastarit… Dhe unë po vazhdoj.

Këto refleksione nuk kanë të bëjnë aspak me miqësinë tonë të krijuar në ata pesë muaj që unë punova si mësues nga klasa VI-IX në shkollën e mesme “Bahri Nela” në Zall-Bastar por, para së gjithash, kanë të bëjnë me vlerat hulumtuese dhe studimore të Ibrahim Kabilit për zonën e Zall-Bastarit dhe krahinën e Bendës e, mbi të gjitha, për mesazhet historike, intelektuale dhe njerëzore që përcjell përmes kësaj larmie shkrimesh.

Ky libër, së bashku edhe me dy librat e mëparshëm të tij, (njëri prej tyre me bashkëautor) përbëjnë një paraenciklopedi për zonën e Zall-Bastarit dhe Bendën. Për këtë meriton respekt e mirënjohje, prandaj shpresoj në mirëkuptimin e lexuesve për aq sa do të vazhdoj në këto mendime dhe refleksione vlerësuese.

Në këtë libër temat dhe problematikat e larmishme ndërthuren në dy drejtime: së pari; në të gjithë ngrehinën shkrimore të librit; së dyti; me autorin që ndoshta ka folur e shkruar më shumë e me zemër në pëllëmbë të dorës për zonën, historinë dhe njerëzit e saj të spikatur. Ky mësues vizionar dhe misionar, ndoshta si njëri nga të parët, sjell mirë, qartë e bukur shumëçka nga historia, arsimi dhe vlerat humane të kësaj zone duke i vlerësuar si një borxh që s’mund t’ua shlyej kurrë atyre.

Libri i Ibrahimit Kabilit është një krijim origjinal i një stili të gërshetuar publicistik me historinë, biografinë, ndjesitë dhe përjetimet vetiake, të lidhura ngushtësisht me atdhetarizmin dhe figurat e shquara historike, me vendlindjen dhe njerëzit e saj, me punën, profesionin dhe letërsinë. Nëpërmjet këti libri autori dëshmon se edhe tani në moshën e tretë, është plot energji krijuese dhe i urojmë: “Edhe të pashtershme”!

Në gjithë brendësinë e librit autori e udhëheq lexuesin e kultivuar dhe të interesuar drejt njohjes së vlerave historike kombëtare, të zonës ku e pohon vetë se i ka kushtuar vemendje të posaçme, dhe të krahinës së Bendës. Për të realizuar këtë mision historik, kulturor dhe atdhetar ndërmerr një udhëtim me plot sakrifica nëpër labirinte të jetës së personaliteteve më të shquar të historisë kombëtare dhe atyre të vendlindjes e të krahinës së tij.

Me vullnet dhe përkushtim, dhe me aftësinë e veçantë të hulumtuesit, ka ditur të gjurmojë, zbulojë, analizojë, përzgjedhë dhe të fiksojë në këto shkrime në mënyrë të koncentruar shumëçka që kishte në objektivin e tij. Përmes trajtimit të kësaj hapsire vlerash autori përcjell emocione e ndjesi të fuqishme dhe mendime motivuese për ta njohur botën që na rrethon edhe jasht pragut të shtëpisë, e cila ndikon për formimin dhe kultivimin e vetëdijes kombëtare dhe të identitetit tonë historik e kulturor.

Libri është konceptuar dhe strukturuar në pesë kapituj:

I. HISTORIA NË VITE MA FORCOI ATDHEDASHURINË

Këtu përmes 11 shkrimeve ka zgjedhur dhe trajtuar figurat më të shquara të historisë kombëtare me vlera të epërme atdhetarie, intelektuale dhe politike; që nga Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ismail Qemali, Fan S. Noli, Adem Jashari dhe familja e fisi i tij, Shota dhe Azem Galica, Hasan Prishtina, Bajram Curri, Ymer Ramhoxha si figurë e krahinës. Po kështu ka edhe tre shkrime analitike me arritje dhe dështime për periudhën e Ahmet Zogut, për atë të viteve 1945-1990 dhe demokracinë si formë qeverimi dhe sistem vlerash.

II. DISA NJERËZ TË PËRMENDUR DHE ME KONTRIBUTE

Ky kapitull është në vazhdën e figurave të tjera me kontribute intelektuale, arsimore e kulturore, mjeksore e ushtarake, të degëve të ndryshme të ekonomisë e të drejtuesve të këtyre fushave, të trajtuara në librin e tij paraardhës, “Atdhedashuria fillon nga vendlindja”. Këtu përmes 29 shkrimeve, përcillen kontributet dhe vlerat e 14 mësuesve, drejtues shkollash dhe artistë popullorë, 14 specialistëve të ndryshëm: të agronomisë, financave, mjekësisë, ushtrisë, deputetëve, drejtuesve të qeverisjes vendore dhe biznesmenëve të suksesshëm si dhe një shkrim për humanizmin si vlerë e njerëzve me zemër të madhe.

Do të ishte e udhës t’i përmend në mënyrë të koncentruar këto figura për vlerat më specifike të tyre, aq sa e lejon hapsira e këtij shkrimi: Sali Hida sillet në kujtesë si mëshirim i njeriut dhe mësuesit me vlera, si veteran i LANÇ dhe i arsimit; Ismet Tola ishte një intelektual dhe ushtarak model, me vlera dhe virtyte të rralla, me një bagazh të madh njohurish në shkencën ushtarake; Cen Hoxha, kryeplak i fshatit Beshë që fliste rrallë por fjala i zinte vend, që rrezatonte energji pozitive edhe si veprimtar në veprimtaritë kulturore e artistike; Selman Muça, i përkushtuar si mësues i CU, ku punoj për shumë vjet në fshatin Beshë, është dekoruar dy herë me Urdhërat “Naim Frashëri” i klasit të Parë dhe të Dytë;

Nuri Bumja, i dalluar si mësues në mbi 40 vjet në arsim, shtëpinë e kulturës, si kryetar këshilli dhe kryeplak i fshatit Vilëz; Prof. Dr. Seit Mansaku dhe Akademiku Beqir Meta sillen në libër si krenaria e krahinës duke analizuar në gjerësi dhe thellësi kontributin e tyre si pedagogë mësimdhënës në UT dhe në fushën e studimore akademike; Tahir Jamaku, si mësues i parë vendas në Bastar, i cili për 13 vite në arsim ka punuar në disa fshatra në zonën e tij duke lënë një emër të mirë në shkollat që ka dhënë mësim;

Bashkim Fejza, trajtohet si një njeri me zemër të madhe, i shkolluar për gjuhë arabe dhe teologji, dallohet për kontribute të spikatura humanitare, nëpërmjet shoqatave e fondacioneve të bamirësisë me ndihma ekonomike për familjet në nevojë, shkollimin e fëmijëve të zonës brenda e jasht vendit; Xheladin Halit Kaloshi, skalitet si njëri prej protagonistëve të kulturës në zonë, si valltar e instrumentist i mirë, i rrethuar nga shumë artistë të tjerë të zonës; Beqir Hidri, shënohet si mësues i parë vendas i Shëngjinit të Vogël, i përkushtuar dhe me rezultate të mira;

Selim Hysa, nënoficer, mësues i përkushtuar, i angazhuar në grupet artistike dhe me detyra shoqërore; Sali Hajdini, lahutar që bashkë me të iku dhe lahuta; Zija Muça, një mësues me vlera edhe përtej matematikës; Rami Nela, mësues dhe njeri model; Sulejman Hoxha, mësues i përkushtuar; Hafiz Sulajman Lila, teolog dhe pedagog me kulturë të gjerë; Nuri Sita, agronomi i parë vendas nga Bastari dhe me arritje në profesion; Baftjar Ademi, financier nga Zall-Mëneri me kontribute në ekonomi; Genc Sita, administrator i palodhur dhe me arritje në Zall-Bastar; Myslym Luca, financieri i parë vendas nga Bulçeshi dhe me arritje në profesion;

Besim Kuka, ish kryetar komune, biznesmen i suksesshëm, me kontribute për vendlindjen, sillet në një këndvështrim jashtë politikës; Nezir Fejza, komandant i Komandës së Vendit me kontribute të çmuara në LANÇ; Rexhep Beka, ushtarak, komisar, familje me kontribute të mëdha për luftën; Xhemal Qefalia, deputet me integritet dhe mendësi bashkëkohore, sillet në një rrëfim jashtë politikës; Ibrahim Zeneli, sillet si një biznesmen i suksesshëm dhe kontribues për vendlindjen e tij, etj.

III. KOSOVA DHE MBIQËNDRESA E SAJ

Ashtu siç e ka theksuar herë pas here vetë aitori, “Kosova është gjysma e tij më e mirë”, edhe në këtë libër ky postulat shërben si lajtmotiv për t’u përditësuar me shumëçka që ndodh në politikën e brendshme dhe të jashtme të saj, me arritjet dhe dështimet e qeverisjeve në shumë fusha socialekonomike dhe meritat e përgjegjësitë e dyshes Kurti- Osmani. Pikërisht kjo problematikë përbën gurin e themelit të 12 shkrimeve me interes që e motivojnë autorin t’ua përcjell lexuesve, ato që i ka përceptuar hap pas hapi gjatë këtyre zhvillimeve.

Ibrahim Kabili

Në këto shkrime, pas analizimit të fakteve dhe argumentimeve, mendimet e tij i përcjell si përfundime jo vetëm për klasën politike, por për çdo lexues dhe atdhetar duke theksuar se Kosovës i duhet dyshja Kurti-Osmani, se “Open Ballkanit” duhet thënë jo, por siç po luhet nga Diplomacia Ndërkombëtare dhe realitetet politike e gjeopolitike në Ballkan dhe Europë, dështimi i “Ballkanit të Hapur” është jo i largët, sepse nuk mund të funksionojë pa Kosovën.

Këtu trajtohen edhe probleme e shqetësime të autorit që lidhen me dialogun Kosovë-Serbi, pa asnjë lëshim dhe kompromis, pa asnjë ndjenjë inferioriteti; vetëm sipas parimit të reciprocitetit e, për këtë, apelohet për mbështetje të sinqertë e pa hile. Gjithashtu autori nuk mund të pajtohet kurrësesi me rehabilitimin e kolaboracionistit Xhaferr Deva apo me politikën destruktive të Abazoviçit si ish- Kryeministër i Malit të Zi.

IV. MENDIME, VLERËSIME DHE ANALIZA PËR REALITETIN

Në 10 shkrime të këtij kapitulli zhvillimet socialpsikologjike dhe socialpolitike, brenda dhe jasht vendit dhe ato ndërkombëtare, kthehen në një shqetësim që e trazon dita- ditës shpirtin e autorit. Ai u gëzohet arritjeve, të mirës njerëzore, humanizmit etj. por goditet në zemër kur sheh e dëgjon për veprime kriminale të monstrave dhe përbindshave me fytyrë njeriu; ai nuk mund të pajtohet me dhunën në tërësi në demokraci, e as me dhunën ndaj grave e fëmijëve dhe vdekjen e Mateos e quan përgjegjësi qytetare.

Në këtë syth (kapitull) trajtohen edhe probleme të mprehta aktuale kombëtare e ndërkombëtare që lidhen me pamjen shkatërrimore humane dhe ekonomike që solli për Ukrainën lufta e Carit të Rusisë, Putin por edhe pasojat e pritshme, tepër të rrezikshme, për Europën, Ballkanin e më gjerë.

Në vazhdim të këtyre shkrimeve, duke ndjekur pashkëpuetshmërisht shumëçka që ndodh në përplasjen e madhe dhe të provokuar që solli kjo luftë, autori bëhet edhe zëdhënës i vlerave tepër të spikatura të Presidentit të Ukrainës, Zelensky si një model udhëheqësi bashkëkohor në krye të popullit të tij atdhetar e heroik, i cili i dha shpresë Ukrainës dhe leksione botës perëndimore, si dhe duke përcjell mesazhin besimplotë se Putini do të thyjë hundët dhe do të dështojë në Ukrainë.

Në këtë kapitull nuk mund të anashkalohen dhe probleme të mëdha dhe të bujshme që kanë shqetësuar opinionin e shëndoshë mbarëkombëtar, e që lidhen me faljen e hapsirës detare nga qeveritarët dhe politikanët tanë me duart e tyre Greqisë, si dhe me shumë dukuri që shformojnë demokracinë e vërtetë dhe denigrojnë shqiptarët. Këtu autori, pasi analizon dhe argumenton mendimet e tij, të cilat janë në unison edhe me opinionin më të gjerë të përgjithshëm të shoqërisë, me guxim akuzon dhe i drejton gishtin politikës dhe politikanëve shqiptar të të gjithë krahëve, si përgjegjës të drejtpërdrejtë për rrënim vlerash ekonomike e socialkulturore në këto 32 vite të stërgjatura të tranzicionit pluralist.

Ibrahim Kabili, si njeri sa vizionar dhe misionar, i dhënë me mish e me shpirt pas zhvillimeve arsimore dhe intelektuale, me shpirt shpreh edhe mirënjohjen e protagonistit Mehdi Elmaz Hoxha që kontribuoi për botimin e gazetës “Benda” dhe njëherësh u bën apel pushtetit vendor, intelektualëve, biznesmenëve dhe specialistëve të fushës për ribotimin, dhe mbështetjen financiare e të vazhdimësisë së saj.

V. COPËZA JETE, OPINIONE, KUJTIME DHE MBRESA NGA PROTAGONISTËT

Jeta arsimore e personale e Ibrahim Kabilit dhe e zhvillimit të arsimit në shkollat e zonës së Zall-Bastarit janë një kopësht i begatë i selitur me shumë kujdes, përkushtim e dashuri prej tij, që kanë lënë mbresa të thella e të pashlyera jo vetëm te autori, por edhe te shumë kolegë e bashkëudhëtar të tij.

Përmes 26 shkrimeve shpalosen një begati mbresash, ndjenjash dhe vlerësimesh të autorit për armatën e mësuesve si misionarë të zhvillimit dhe të arritjeve në këtë mision sa fisnik, aq edhe të domosdoshëm për përparimin e jetës së vendit; e, padyshim, këtu përcillen me mirënjohje vlerësime dhe opinione edhe të kolegëve dhe ish-nxënësve për kontributin e brezave të mësuesve në vite për zhvillimin e arsimit në zonë, dhe njëkohësisht edhe për Ibrahim Kabilin, si njëri prej tyre, për kontributet e çmuara në udhëtimin e tij të gjatë në arsim dhe në prurje të vlerave studimore.

Këto mbresa e vlerësime jepen për shumë mësues të përkushtuar që kanë punuar në zonë, si: Dhimitër Xhoga nga Zavalani i Dangëllisë së Përmetit, Nexhip Murraj nga fshati Mërtij i Këlcyrës, Burhan Kaceli nga Tirana, Fran Cara nga Puka, etj.etj. Në këto shkrime për arsimin japin opinionin e tyre dhe sjellin mbresa e kujtime një numër i madh protagonistësh, shumë mësues dhe drejtues shkollash. Në këto pasqyrohen me shifra dhe fakte arritje të shkollave Zall-Dajt, Mojsit, Selitë e Malit, Zall-Bastar, Bastar i Mesëm, Bastar-Murrizë, Vilëz, Mëner i Epërm, Zall-Mëner dhe Bulçesh, duke evidentuar kontributet e drejtorëve të shkollave dhe shumë mësuesve si protagonistë të arritjeve të këtyre shkollave.

Në dhjetë shkrime të tjera trajtohen mbresa dhe kujtime që lidhen me udhëtimin në jetë dhe në punë të vetëautorit, pasionin e tij hulumtues e studiues, vlerësime për kontributin e pushtetit vendor për zhvillimin e arsimit, dy tekste poetike: “Këngë për mësuesin Ibrahim Kabili”, nga Haxhi Gjoni dhe “Për ty dija s’mbaron kurrë” nga nxënësja Sulltane Koçi (Kabili); si dhe vlerësime, mbresa, emocione e opinione me rastin e daljes në pension dhe 65 vjetorin e lindjes. Në vazhdim të kësaj trajtese dëshiroj t’u përcjell lexuesve edhe disa mendime, vlerësime, konceptime vetjake e veçori krijuese të autorit.

Ibrahim Kabili ka arritur të bëjë diferencimin në trajtimin e ngjarjeve historike të së shkuarës dhe ato aktuale, si dhe të protagonistëve të tyre, duke i paraqitur me të dy anët e medaljes, madje edhe duke përdorur edhe metodën e përball vënjes. Me plot ngjyra dhe pathos atdhetar paraqiten personalitetet e shquara kombëtare, si Gjergj Kastrioti, Ismail Qemali, Fan Noli, Isa Boletini, Adem Jashari dhe familja e tij, etj., etj.

Gjergj Kastrioti cilësohet si simbol i bashkimit të shqiptarëve, dhe figura të tilla të shquara kanë fituar pavdekësinë. Por autori ngrihet me forcë ndaj Jazexhinjëve, që s’lënë baltë pa hedhur që ta zvogëlojnë rolin e tij historik, deri dhe të ndërrojnë origjinën arbërore të tij. Duke argumentuar me fakte bindëse rolin dhe kontributin e tij për 25 vjet, si askush tjetër, në luftën kundër sundimit osman, del në pah figura më madhore e kombit, Skënderbeu.

Pavarësia e Shqipërisë mban vulën e Ismail Qemalit, thekson autori. Bazuar në burime dokumentare dhe të sistemuar në mënyrë konçize, përshkruan kontributin e tij të çmuar atdhetar deri në Shpalljen e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, dhe formimin e të Parës Qeveri Shqiptare të udhëhequr nga Ai.

Duke u bazuar në studiuesit më serioz të Fan Nolit, si Nasho Jorgaqi, Vehbi Bala, Alfred Uçi, Behar Shtylla, Eqerem Bej Vlora etj., të cilët dalin në një një emërues të përbashkët se Fan Noli ishte një personalitet i rrallë shumëdimensional i letrave shqipe, si: shkrimtar, poet, shqipërues, publicist, orator, politikan, filozof, teolog, muzikant, poliglot dhe një erudit i rrallë e me kontribute të çmuara diplomatike për çështjen e njohjes ndërkombëtare, nga Lidhja e Kombeve, autori del në përfundim se “Një Nol i dytë i duhet sot shqiptarisë”.

Përmes trajtimit të këtij personaliteti të shquar, ai përcjell mesazhin shumë aktual dhe domethënës si këmbanë që të bjeri në veshët e shurdhër të djajve të sotëm të politikës dhe qeverisjeve shqiptare, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me vlerat atdhetare, intelektuale, vizionare dhe misionare të Nolit të Madh…

Me veneracion vlerëson familjen epërsisht sakrifikuese për lirinë e Kosovës të Jasharëve dhe legjendën e UÇK-së, komandantin Adem Jashari, udhëheqësit e lavdishëm të kësaj Lufte që, me gjakun e tyre dhe mbështetjen e Perëndimit sollën lirinë e shumëpritur.

Një meritë e autorit është se ai di të evidentojë e të lidhë ngjarjet kulmore historike dhe protagonistët e tyre, nga më të hershmet e deri te ato të ditëve tona. E pikërisht kur flet për Jasharët, Drenicën dhe Prekazin si djep i atdhetarizmit, i qëndresës heroike, rendit gurët kilometrikë të kësaj historie të lavdishme; që nga Beteja e Fushë-Kosovës (1389); Kuvendi i mbajtur në kullën e Ahmet Delisë (1912), i udhëhequr nga Hasan Prishtina; luftërat e shumta; pjesmarrja aktive në aktin e ngritjes së flamurit në Vlorë (1912), etj.

Por krahas këtyre autori analizon edhe shkaqet e thyerjes së kryengritjeve dhe rezistencës antiserbe në disa prej tyre, si: mungesa e organizimit si duhej; mosshtrirja në gjithë territorin e Kosovës; mungesa e armëve; veprimtaria sabotuese e figurave që bashkëpunonin me serbët, etj.

Ibrahim Kabili e ka në natyrën e tij që gjërat t’i thotë troç e si antikonformist. Ai tregohet objektiv në trajtimin e figurës së Ahmet Zogut, të Xhaferr Devës dhe disa figurave të tjera të Kosovës. Nuk ngurron t’i japë ato me dritëhijet e tyre duke e ngritur zërin deri në akuza të pakundështueshme.

Një vlerë e shtuar e tij është gjetja e titujve konçizë dhe shumë domethënës që përputhen me brendinë e tyre e që i motivojnë lexuesit për t’u përqëndruar në to, si përshembull: “Hasan Prishtina që shkriu jetën dhe pasurinë e tij për çështjen kombëtare”; “Shota dhe Azem Galica u flijuan për lirinë e Kosovës”; “Bajram Curri – simbol i qëndresës atdhetare”; “Gjergj Kastrioti- simbol i bashkimit të shqiptarëve”; “Ymer Ramhoxha, patriot dhe atdhetar i flaktë”; “Pavarësia e Shqipërisë mban vulën e Ismail Qemalit”; “Humanizmi-vlerë e njerëzve me zemër të madhe”; “Kosova vatër e patriotizmit dhe e atdhedashurisë”; “Braktisja e “Open Ballkanit” është jetike për shqiptarët” etj., etj.

Në disa shkrime paraqitet edhe si njohës i letërsisë artistike duke na dhënë përshkrime të këndshme të bukurive që i ka falur natyra krahinës dhe fshatrave të saj. Këto gërshetohen me finesë me kronika ngjarjesh, elementë të reportazhit e deri në zbërthim mesazhesh e vlerash estetike të librave poetikë, si të një ore letrare në shkollën e mesme Zall-Bastar, në shkrimin “Mesazhe nga libri “Krahina e Bendës në vargjet e mia” të autorit Nuri Gjoni.

Këtu, Ibrahim Kabili, veçon poezi dhe vargje të bukura që i kushtohen dashurisë për vendlindjen. Ajo është e shenjtë ndaj duhet të kthehemi pranë saj, siç kthehen dallandyshet në pranverë. Me profesionalizëm ai zgjedh vargjet-lapidare, të cilat janë edhe vlerësuese për poetin… “Në agime mëngjesi dhe në orët e vona, Në vatrat tona, në zemrat tona, Te ju u mora dhe te ju i solla, Në ugare e sofra, fidanët mbolla”…

Në analizën e orës letrare ai shpalos njohuritë e tij në përceptimet që merr nga arti i fjalës poetike dhe përcjellja e mesazhit biblik që lidhet me dashurinë dhe nderimin e prindërve nga fëmijët e tyre: “Që të jetosh për shumë mbi dhe, ndero prindërit që t’kanë le”( lindur).

Ibrahim Kabili nuk njeh por as nuk pajtohet me hipokrizitë apo lakmitë, lëndimet, mohimet apo mashtrimet, përkundrazi, ai me gjithë fuqinë e shpirtit i lufton ato në jetë e, me shkrime, përmes librave të tij përcjell vlerësime, mirësi dhe mirënjohje për njerëz me vlera të spikatura atdhetare, arsimore, intelektuale, kulturore, po kështu edhe për njerëzit e thjeshtë që mbartin e rrezatojnë vlera.

Për të realizuar këtë libër, dhe sidomos në kapitullin e dytë dhe të pestë, autori ka ndjekur metodën e retrospektivës, pra të kthimit prapa në historinë e jetës së tyre përmes kujtimeve, mbresave personale dhe vlerësimit të bashkëkohësve dhe kolegëve. Dhe këtë rikthim pas në kohë, autori si zëdhënës i tyre, e etiketon me termin e shumë përsëritur “vite nostalgjike”.

Në këto kapituj është përqëndruar në rrëfime vetiake dhe reciproke për figurat e trajtuara; nga informacione të mbledhura nga disa burime: që nga shtypi i kohës, dokumente dhe libra historikë, monografi dhe studimorë, duke ndriçuar hapsira që, në të ardhmen jo shumë të largët, do t’i mbulonte errësira e harresës.

I pajisur me vullnet të rrallë, i udhëhequr nga lajtmotivi, se “atdhedashuria fillon nga vendlindja”, në këtë mision madhor dhe fisnik, i është dashur të përshkojë shumë herë fshatrat dhe shkollat e zonës, por edhe lagje e skaje të Tiranës e të trokasë në dyert e protagonistëve që i trajton në këtë libër. Dhe, si mision i ndërmarrë prej tij, të na i sjellë sa më të plota e sa më të gjalla shumëçka nga aspektet e historisë dhe të jetës.

Me këmbëngulje, patos e përkushtim të rrallë si atdhetar, me qytetari dhe dije në fushën e historisë, autori na ka dhënë një vepër me vlera historike, njohëse dhe edukuese, por edhe me vlera letrare, të kompozuar e të mbështetur në kritere të zgjedhura prej tij që i shkojnë më përshtat tipologjisë dhe zhanrrit që i përket ky libër.

Përdorimi i gjuhës së pasur e të pastër shqipe, leksiku i larmishëm dhe sintaksa e saktë dhe e qartë ia shtojnë vlerat librit dhe i japin tiparet e individualitetit krijues, tanimë të konsoliduar, të autorit.

Këtë veprimtari produktive Ibrahim Kabili e ka dhënë deri në detaje, të inlustruar me episode tërheqëse e interesante, me data, vende, ngjarje dhe personazhe që e përshkojnë librin në këtë fushë specifike për t’i dhënë vlera të konsiderueshme të një paraenciklopedie, si një ndihmues për mësuesit dhe nxënësit, ku mund të gjesh të dhëna për zonën e Zall-Bastarit dhe krahinën e Bendës.

Në këtë shkrim që shërben si “parathënje” e librit: “Për historinë, arsimin dhe vlerat humanë“, të autorit Ibrahim Kabili, ku me insistimin e Tij, desha të shpreh falenderimet më të sinqerta për drejtuesit e redaksive të gazetave: “Tetova sot”, “Zemra shqiptare”, “Një dritare e re”, dhe veçanërisht të gazetës “Fjala e LIRË” e Arben Çokaj, për publikimin e shumicës së shkrimeve të këtij libri!

Lexuesit në tërësi, dhe atij të kultivuar e të interesuar i urojmë lexim të këndshëm dhe autorit Kabili: “Na ardhsh edhe me libra të tjerë sa më të vlefshëm e cilësorë”!

TIRANË, më 07.01.2023

2 KOMENTE

  1. Ju pergezoj i nderuar Fran Cakaj per sintezen e sakte dhe shteruese te jetes dhe vepres se mesuesit te pa lodhur, shokut te kudogjendur, prindit te perkushtuar, te nderuarit Ibrahim Kabili. Ibrahimit i uroj jete te gjate e krijimrari te pandalshme deri ne frymen e fundit

  2. Faleminderit i nderuar “Pene TRINITRIN* i nderuari Frano Caka, njeheresh nje pasues sado me disa muaj Mesues, ne ate zonen me merite *Bendes, sot Zall-Bastari-pergjithesuar ate zone te rralle, te rrethit Tiranes, ne shume vleresime sa natyrore dhe NJERZORE – Mendimi juaj teper profesional, si mesues nje jete, qe une, sot 87 vjeçar, njohur permes shkrimeve tuaja, sa konsideratat marre ne ate zone, (une dhe nga tej oqeani mbi 20 vjet), shkuar e vizituar si dobesia imesa rrespekti per NJEREZIT sa KUADROT nje jete, njoh… Aty, nga zona e *TAMADHESE (Shengergjit) ne *BENDE* (ZalMner -Zall-Dajt) – *DIPLLOMUAR* *1964 -1973 nga Pergjegjes Kulture ne “Tamadhe*.drejtor shkolle ne Zall-Mner-Zall-Dajt(1964-73)e Katundi Ri-(73-81) shkolla e gjuheve te Huaja *Asim Vokshi*(81-85) sa seksion te Arsimit e Shtepine e mesuesit, si metodist, kryesisht per Muzeumet e Konviktet) 1991 dale ne pension-pa hequr PENEN nga dora dhesot 32 vjet rrugeve te emigracionit me aresimin e kulturen AKTIV – Faleminderit deri mediave-koresodent i tyrederi ne RT. sa nga Athina ne Toronto.

    *TRINITRINA* per mua nje jete – Mirenjohie. Mirenjohie dhe pwr autorin e Autorin e ketyre ROMANEVE, te mirin-Ibrahim Kabili – njohur nga Nxenes sa bere Bashkautor ne shkrimet per zonen, qe Ju – PENE ARTI Frano Caka, na e pershkruani me mjeshteri-profesionale… Ju faleminderit. Nga Toronto ju pershendes e Uroj-MBRODHESI.

    Faleminderit dhe stafit te Gazetes *Fjala e lire* për mbeshtetien e shkrimeve te mia, ne vite. Ju prifte e mbara. Sa festuar vitin e Ri 2023, shpresoj te kthehem shemdoshe ne Atdhe-drejt ne *Dangelline Naimjane* – jetim pa baba mbaruar shkollen fillore, ne Zavalanin-emer mbreselenes-Bijte dhe bijat e tij, nga 1948-ta ne Tirane – shkolluar e MESUES nje jete…

    Gezuar vitin e Ri 2023 me mbrodhesi – se pari – MBARE-ATDHEUT tone!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.