QENËSIA E PROZAVE POETIKE SI LLOJ LETRAR DHE SI KOMUNIKIM ARTISTIK

0
Prend Buzhala - Ujëvarë shpirtësie
Mikel Gojani
Mikel Gojani

Mikel Gojani

Prend Buzhala, Ujëvarë shpirtësie. Proza poetike – Zgjodhi dhe parathënien Anton Nikë Berisha, botoi SHB “Beqir Musliu”, Gjilan 2024.

Shkrimtari dhe studiuesi i shquar i letërsisë shqipe, Prend Buzhala, autor i mbi njëqind veprave të llojeve të ndryshme letrare dhe studimore, njihet për këmbëngulësinë e admirueshme për krijimin e vlerave të rëndësishme. Libri i ri i Buzhalës, i përgatitur dhe me parathënien e Anton Nikë Berishës, është një zbulim interesant i botës poetike të këtij autori.

Vepra me proza poetike “Ujëvarë shpirtësie” është fryt i punës së dy figurave të dalluara të letrave tona: autori i prozave, Prend Buzhala, dhe përzgjedhësi i prozave dhe hartuesi i vëllimit, Anton Nikë Berisha.

Anton Nikë Berisha është antologjist e përzgjedhës i shquar i veprave të shumë autorëve të letërsisë sonë, po dhe i disa poetëve italianë, mbase më i dalluari në këtë aspekt, meqë e zhvillon këtë formë veprimtarie letrare që një gjysmë shekulli.

Përzgjedhësi i zgjodhi dhe i renditi prozat që i përfshin në këtë vëllim, me qëllim që të krijojë një vepër tërësor sa më artistike që është në gjendje të ndikojë estetikisht në lexuesin. Kjo theksohet edhe në parathënien e A. N. Berishës, ku e kontekstualizon veprën dhe i jep lexuesit një pikëpamje më të thellë mbi krijimtarinë e autorit.

Do theksuar se ky vëllim ka marrë strukturim të ri krijimesh, të cilat këtu lexohen si tekste të reja në kontekstin e përzgjedhjes.

  1. Proza poetike që pushtojnë me artin e pasur

Në parathënien e tij me titull “Vepër që e pasuron prozën tonë poetike”, Anton Nikë Berisha thotë se Prend Buzhala ka vite që i krijon tregimin e shkurtër dhe prozën poetike: “Përcaktimi i tij t’i krijojë këto dy forma të shkurta të prozës nuk është i rastit nga se ato ofrojnë mundësi të jashtëzakonshme që me pak tekst të shprehen sa më shumë mendime dhe të mund të bëhet ndikim më i fuqishëm në marrësin”.

Në tekstin e parathënies së Anton Nikë Berishës me titull. Një tjetër ide e rëndësishme që shtrohet nëparathënie  është gërshetimi i prozës dhe poezisë, që ka ndodhur me kalimin e kohës, veçanërisht përmes prozës poetike. Ky gërshetim nuk është  veçori e veprave të autorëve të veçantë, por është një zhvillim i natyrshëm i artit të letërsisë, ku poezia dhe proza përpiqen të bashkëveprojnë dhe të krijojnë një shprehje më të thellë. Tregimi i shkurtër dhe proza poetike janë të ngjeshura si tekste krijuese dhe kërkojnë që mesazhi të përcillet në një formë të thuktë dhe të fortë. Të dyja format kërkojnë që çdo fjalë dhe çdo pjesë e tekstit të ketë rëndësinë e vet.

Në tregimin e shkurtër, përshkrimi është  më i thjeshtë dhe më i drejtpërdrejtë, ndërsa proza poetike gjakon artin; është më e hapur për interpretim, duke lënë më shumë hapësirë për reflektimin mbi dukuritë dhe ndikimin poetik që ajo bën. Autor i prozave poetike e ka krijuar një stil unik që lidhet ngushtë me mundësinë e krijimit të një realiteti poetik sa të veçantë, aq dhe funksional; krijohet një hapësirë që është përfytyruese, imagjinative, me elemente të përditshmërisë dhe i transformon ato në art, duke e krijuar një realitet të veçantë përmes gjuhës, të shprehurit poetik.

Vihet në pah se në prozën poetike të Prend Buzhalës, realiteti i ëndrrës luan një rol të rëndësishëm, pasi autori e përdor këtë dimension për të përftuar tablo poetike të pazakonta.

Krahas parathënies, Berisha ka vënë si tekst paralel edhe shkrimin eseistik të Buzhalës me titull “Përsiatje për tekstin poetik” (Nomina sacra)”, ku autori përsiat mbi natyrën e shkrimit dhe lidhjen e tij me shpirtin, jetën dhe amshimin.

  1. Reflektime të thella mbi përvojat personale dhe përvojat e realitetit jetësor

Prend Buzhala në këtë vëllim vjen me prozat poetike të shkruara në vite që më së pari sjellin autenticitetin e fjalës së tij, rrugën e evoluimit të letërsisë së tij, problematikën e shqetësimeve poetike dhe pasurinë dhe veçantinë e shqetësimeve të profilit të tij në krijimet letrare që janë shkruar dhe shkruhen sot. Kjo prozë ringjall shumëçka nga tradita e poezisë shqipe në figuracion, me të cilin ngjizet bota artistike:

sheh se si na bien në fytyrë, se si na pikojnë në shpirt, pikat e gjakut qiellor. Mu si ato pikat e Të Kryqëzuarit që na tingëllojnë në ndërgjegjen tonë të vrarë.

Mbylla sytë. U ula dhe qava në vete. Lotët nuk shiheshin. Rashë i përgjakur nga Maja e lartësisë më të madhe. Në pasqyrën e qiellit u duk lektyra e mësuar në paqe, për zbatimin e marrjes mizore të jetëve në kohë lufte… (Pikat e gjakut qiellor, f. 123).

Vepra hapet me ciklin “Në kërkim të vetvetes”. Prozat e këtij cikli janë reflektim i shpirtit të krijuesit që kërkon të depërtojë në natyrën e qenies njerëzore, ritmit të jetës dhe marrëdhënies së individit me botën e jashtme dhe brendshme. Çdo prozë është një meditim mbi përvojat personale dhe përvojat e realitetit jetësor, të cilat shprehen në formën e dyshimeve, kërkimeve dhe përpjekjeve për të kuptuar më shumë rreth ekzistencës, të bukurës dhe të vërtetës.

Secila nga këto proza, si “Ritme”, “Qetësia e ajrit” dhe “Dritarja sa një sy”, pavarësisht se përmbajnë dukuri e ide të ndryshme, bartin elemente të ngjashme, si introspekcionin dhe pasigurinë. Prozat ligjërojnë për tensionin e përjetuar mes dëshirës për kuptim dhe shqetësimeve që i sjell jeta. Te proza tjetër lirike me titullin “Qetësia e ajrit” autori fillon me një refuzim të kërkesave të shoqërisë për të ofruar ndihmë ose mendim. Ky akt refuzimi është shenjë e izolimit dhe heqjes dorë nga kërkesat e jashtme. Në një tjetër rrafsh artistik, ky tekst shihet si reflektim mbi dhimbjen.

Edhe te “Dritarja sa një sy” autori përdor pamjen figurative të dritareve të padukshme për ta paraqitur një realitet të mbyllur dhe të kufizuar. Kjo prozë lexohet edhe si kritikë ndaj shoqërisë që synon ta mbyllë individin në një botë të natyrshme dhe të kufizuar. “Bota e do verbërinë”, thotë personazhi lirik, duke nënkuptuar atë realitet që kërkon njerëz që të ndjekin pa pyetje, që të zbatojnë rregullat dhe kërkesat pa pasur një kuptim të plotë.

Prozat poetike vështrojnë disa dukuri të rëndësishme siç janë kërkimi i kuptimit të vetvetes dhe botës, liria dhe izolimi, perceptimi i realitetit dhe shikimi i dritës dhe errësirës, dhimbja dhe vuajtja etj.  Të shprehurit poetik është elementi kryesor që i shquan këto proza.

Duket se çdo veprim dhe mendim është i përshkuar me ndjeshmëri poetike, që shkon përtej përshkrimit të thjeshtë të ngjarjeve të jetës dhe kalon në një rrafsh më të thellë, ku kuptimet janë të mbështjella me mister me kërkesat për një realitet të pamundur.

  1. 3. Toni meditativ dhe artistik i prozave poetike

Të kësaj natyre janë edhe pozat poetike si  “Vetvetetjetra”, “Lulja dhe vullkani”, “Ta lexosh mendimin e pemës”, “Në anën tjetër të fundit të kohës”, “E dëgjoja klithmën time të brendshme” apo “Hapësirë e shenjtëruar”. Janë krijime që synojnë  të shprehin përvoja të brendshme, pasiguri ekzistenciale dhe një kërkim të thellë të kuptimit dhe shpirtit. Janë përsiatje mbi gjendjen shpirtërore, mbi mendimet dhe ndjesitë që ndodhin brenda individit, duke përdorur simbole, metafora dhe imazhe ekspresive.

Përplasja mes vetes te “Vetvetetjetra” hulumton idenë e një ndarjeje më dysh, së brendshmi, mes vetes dhe asaj që përfaqëson vetja e “tjetërsuar” – një koncept që kuptohet si një person tjetër, ose një version tjetër i vetes që është i huaj dhe i huazuar nga realiteti i përditshmërisë. Kjo “Vetvetetjetër” paraqitet si forcë destruktive që e kaplon jetën e individit me dhimbje, shkatërrim dhe humbje të identitetit. Çarja më dysh është një tragjedi shpirtërore, është humbje e vetvetes. Ajo që dikur ishte e shenjtë, si shtëpia, familja, identiteti, tani është shndërruar në një pasqyrë të dhimbshme dhe të deformuar, ku çdo gjë i është nënshtruar dhunës dhe shkatërrimit.

Te “Lulja dhe vullkani” shqiptohet dysia, dualiteti i ekzistencës dhe tensionit mes jetës dhe shkatërrimit. Lulet dhe bletët simbolizojnë natyrën e jetës dhe lindjes, ndërsa vullkani simbolizon shkatërrimin dhe pasigurinë. Lulet janë të qeta, të pafajshme, duke dhuruar nektarin e tyre, ndërsa bletët, si shenjë e natyrës që i kërkon gjithmonë më shumë, i ngulin shpimet e tyre. Kjo paraqet një kontrast mes krijimit dhe shkatërrimit. Pema dhe zogjtë janë simbole të njohjes dhe lirisë shpirtërore te proza “Ta lexosh mendimin e pemës”: pema shpreh diçka të lashtë dhe të thellë, që është pjesë e njohjes së botës dhe ekzistencës.

Më tutje hasim po ashtu një lirizëm përsiatjesh  e shtjellimesh mbi pasigurinë, reflektimet mbi natyrën e jetës, shpirtit dhe ekzistencës njerëzore. Një realitet i dëmshëm, ku pluhuri është simbol i pasigurisë dhe shkatërrimit të natyrës, shpirtit dhe ekzistencës, e lexojmë te “Fytyrat prej pluhuri”, që e përshkruan jetën si shuarje të pafund të pluhurit, dhe ngre një pyetje të thellë mbi natyrën kalimtare të jetës dhe pasojat që lënë veprimet tona.

Autori na çon “Në kufirin e botëve”, ku trajton dukurinë e kalimit dhe ndarjes nga realiteti. Dy qenie komunikojnë te proza “Engjëjve të vizatuar në mur”. Ato qenie janë të vetmuara dhe gjejnë ngushëllim dhe shpëtim në vizatimin e engjëjve në mure. E pasur me kuptime të tilla vjen edhe “Mburoja e kujtesës” që evokon një moment të së kaluarës, një fotografi e vjetër që ngjall kujtimet e fëmijërisë dhe gjithashtu tregon frikën e pasigurisë dhe tmerrit që ka shoqëruar atë periudhë.

Siç vërehet, autori Berisha ka përzgjedhur proza që kanë rrafshe të shumta kuptimore dhe thellësi. Proza dhe poezia ngjizen, shndërrohen në përsiatje.

Një luftë të brendshme mes mbrojtjes dhe lëndimit e lexojmë te “Velloja e pacenuar e jetës”. Velloja e jetës është simbol i pafajësisë dhe pastërtisë shpirtërore, është një mbulesë që ndihmon ta ruash veten në momentet e vështira.

  1. Figura e psherëtimës dhe e ujëvarës

Nëpër shumë proza poetike përsëritet figura e psherëtimës. Në këtë cikël ajo shfaqet me titullin “Pëshpërima e rrufesë është fjala jote”. Në brendinë e vet, kjo prozë ka një ftesë për rigjetjen e shpresës dhe për dashurinë e thellë përmes një pëshpërime të fuqishme. Ky është një mesazh për vazhdimësinë e jetës, për të dashuruar dhe për t’i dhënë kuptim.

Përzgjedhësi Berisha e ka emërtuar këtë vëllim me titullin “Ujëvarë shpirtësie”. Psherëtima, si figurë letrare, është një vlim emocional. Këto valë arti e përjetimesh na vijnë si një “ujëvarë shpirtësie,” ku përjetimet rrjedhin pa pushim, si uji që shkon poshtë një shkëmbi. Ky titull na e jep një proces shpirtëror që kalon përmes trishtimit dhe dhimbjes, por që gjithashtu është edhe një moment pastrimi dhe shpëtimi.

Kështu, proza e bukur poetike “Psherëtimë bari” është përsiatje mbi kalimin e kohës dhe dashurinë. Dritarja dhe shtegu që ngjitet kah malet janë simbole të kërkimit të një qëllimi, një udhëtimi që i kalon kufijtë e një jete të vetme.

Te cikli në vazhdim “Vrunduj psherëtimash” shfaqet një atmosferë e ngarkuar emocionalisht edhe nga ana shpirtërore, ku realiteti dhe jeta janë paraqitur përmes metaforave dhe enigmave.

Poetikisht, ky cikël ngre një përsiatje mbi kohën, jetën, vdekjen dhe përjetësinë. Në veçanti, tre pjesët që paraqiten nën titujt “Shpata e dritës”, “Kënga sirenash”, dhe “Rruga e shkëndijëzuar zbriste nga qielli”, ofrojnë një panoramë të larmishme të përjetimeve të ndryshme, nga konflikti i brendshëm dhe dyshimi, deri te ballafaqimi me tensionin mes të qenit dhe mosqenies.

Le ta shohim këtë dukuri poetike te “Pëshpërima e rrufesë”, e cila ka një tonalitet të fuqishëm dhe energjik, e sheh rrufenë si simbol të vlimit emocional dhe të ndjesisë së papërmbajtur, që ndikon në zemrën e njeriut. Pëshpërima e rrufesë është një thirrje për të dashur më shumë, për të mos pasur frikë dhe për ta përjetuar dashurinë dhe jetën në mënyrë më të thellë dhe më të plotë.  Ka një përshkrim lirik e dramatik të ndodhisë shpirtërore dhe gjendjes së ngrirë të shenjave të shenjta, ku Ferri dhe Parajsa mbesin bosh (proza “Kur parajsa dhe ferri mbesin bosh”).

Rrufeja simbolizon momentin e shpërthimit shpirtëror, ku fjala dhe dashuria janë të fuqishme dhe ndihmojnë në rikthimin e shpresës dhe ngjalljen e energjisë pozitive. Hapësira e lirisë absolute (proza “Një hapësirë e pazakontë”), simbolika e kambanës që rënkon për rikthimin e kujtimeve të trishtueshme dhe përpjekjen për t’i nderuar të rënët dhe ata që janë dëbuar (“Tryeza e rënkimeve”), pikëllimi dhe mangësia kanë thellësi të dyfishtë, janë ndjesi të humbjes së dikujt, por gjithashtu një ngushëllim për shpirtin, që ka përjetuar dhe e ka trajtuar dhimbjen (“Peizazh pikëllimi ka mbuluar shpirtin tim”),- janë shtjellim çështjesh përmes trajtimesh poetike-meditative.

Proza poetike “Fletë nga Golgota e jetës”  bën një lidhje të thellë me vuajtjen e jetës dhe përjetimin e humbjes. Fletët e dorëshkrimit që janë të zhubrosura dhe të zverdhura janë simbol i humbjes së kujtimeve dhe i procesit të ngadalshëm të kalbjes së shpirtit. Shfletimi i këtyre fletëve shpalos të vërtetat e vuajtjeve, si një Golgotë e jetës.

Tone të zymta ka edhe te proza “Duart e ngritura drejt zbrazëtisë”. Ngritja e duarve është akt simbolik i dorëzimit dhe i pranimit të humbjes. Një ton i tillë tragjik, lirik e meditativ haset te “Kafka që ligjëron”. Ky krijim bazohet te ndjesitë e ankthit dhe pasigurisë, ku subjekti është i detyruar të përjetojë shkatërrime, vuajtje dhe dhimbje. Ngjet si në një udhëtim të pashmangshëm që ka për qëllim ta çojë individin drejt një zbulimi të dhimbshëm dhe të pashmangshëm. Krijimi poetik në prozë  “Kur engjëjve u priten flatrat”, na dhuron një tjetër përjetim lirik përmes një përmase tematike të shkëputjes nga iluzionet.

  1. Vëllim i pasur me vlera artistike

Titulli “Ujëvarë shpirtësie” është tejet i gjetur poetikisht dhe krijon një thellësi të fuqishme artistike. Ujëvara është figurë që simbolizon rrjedhën e jetës, forcën dhe zbrazjen e ndjenjave. Ujëvara ka një ritëm të vazhdueshëm dhe të pandërprerë që lidhet me një ndjenjë të fuqishme që nuk mund të ndalet ose një ndjenjë që shpërthen. Ujëvara gjithashtu është simbol i pastrimit dhe ringjalljes, rigjetjes.

Një “Ujëvarë shpirtësie” nënkupton edhe një proces pastrimi të brendshëm, ku qenia njerëzore përjeton një pastrim emocional ose shpirtëror përmes përvojës së fuqishme dhe transformuese. Një tjetër kuptim është lidhja mes mendimeve dhe ndjenjave të pafundme që lëvizin dhe rrjedhin, sikurse një ujëvarë. “Ujëvarë shpirtësie” sugjeron se shpirtërorja dhe ndjenjat janë një proces i vazhdueshëm që kurrë nuk ndalet, por vazhdon të rrjedhë dhe të shkaktojë përjetime të thella, që ndodhin pa pushim dhe krijojnë një ritëm të vazhdueshëm. Epiteti “shpirtësie” e lidh ujëvarën me një dimension të lartë shpirtëror.

Prend Buzhala është krijues i një universi të pasur dhe të thellë letrar, ku gërsheton  elemente të hapësirës e kohës, imagjinatës, filozofisë dhe shpirtësisë për t’i shprehur mendimet dhe përjetimet më të thella. Roli i autorit përzgjedhës është gjithashtu i shumëfishtë. Në këtë vëllim përzgjedhësi ka luajtur rolin kyç për ta bërë shtjellimin e veprës, duke siguruar që çdo prozë e përzgjedhur të na paraqitet me pamje të re krijuese brenda kësaj strukture dhe i jep lexuesit mundësinë për ta parë ndikimin e poezisë dhe prozës së Buzhalës në shumë aspekte të jetës. Nga ana tjetër, autori krijues ka ndërtuar një univers poetik që ka për qëllim t’i zgjojë imagjinatën dhe përjetimet e lexuesit përmes fjalëve të ngarkuara me kuptime të shumëfishta.

Dhjetor 2024

Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, shkrimtar

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.