QË TË RRITEN LULET E BARDHA

0
Din Mehmeti

Hejza

Din Mehmeti

1.
Flini të qetë,
Se në gjakun tuaj do të shumëzohën
pranverat e pavdekshme
e zogjtë do të ndërtojnë cerdhe
plisave tuaj të tretur.
Ju dhatë gjërat më të shtrenjta
për të ngritur tempuj prej gjaku,
që dielli të mos rrënohet,
që toka të mos digjet.
ju mbollët besimin e jetës
në rrënjët e luleve
dhe me eshtra shkruat
biografinë e dritës….

2.
Flini të qetë!
kjo tokë ju lindi
nga hiri i ëndrrave të lirisë.
që të këtë rreze dita,
që të këtë ujë burimi,
që të rriten lulet e bardha në mendjen e njerëzimit,
që nga shpirti të shpërthejë bardhësia
që liri të ketë me bollëk,
që të shtrohet buka pa frikë në sofër,
që njeriu mbi tjetrin të mos ngrihet si bishë,
që kopsht lulediejsh të bëhet jeta.

3.
Flini!
Ju ka hije gjumi i përjetshëm,
sepse s’deshët të jetoni të vdekur në jetë,
pa dashuri,
pa gaz në fytyrë,
pa shpresa në zemër,
pa tokë, që mbani si shtrojë
pa qiell, që mbani si mbulojë,
pa lumenj, që ju burojnë në sy,
pa diell, që mbani në duar…

4.
Flini të qetë!
Ju s’keni pse të ankoheni,
gjërat më të shtrenjta i dhatë për Kosovën,
dhe dashurinë tuaj e shenuat
në çdo lule,
në çdo gur,
në çdo rrugë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.