Pushkët tona çlirimtare dhe bombat e NATO-s

0
Zymer Mehani - Fanaret e një shtërngate

Zymer Mehani

(Në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, më 24 mars 1999)

(Fragment nga romani im “Fanarët e një shtrëngate”, Prishtinë, 2021)

Mbrëmja e 24 marsit ishte e zymtë, por për shqiptarët sillte shpresë, edhe pse ishte përplot shtrëngatë.

Qielli i zi qe mbuluar nga re të dendura sterrë, të cilat vraponin si valët e një deti të trazuar e të egërsuar.

NATO-ja, pikërisht në ora 20:00 nisi bombardimet mbi caqet ushtarake të ushtrisë serbe.
Gjëmimet ndiqnin si të tërbuara njëra-tjetrën, duke iu përgjigjur me bubullimat e tyre fishkëllimës së mprehtë të erës.

Kjo kohë e egër dhe e zhurmshme për popullin shqiptar të Kosovës po paralajmëronte një ag lirie…

* * *

Më 24 mars 1999, forcat ushtarake serbe ndërmorën ofensivë të fortë, pasi që në mbrëmje të asaj date filluan bombardimet e avionëve të NATO-s kundër pozicioneve të tyre.
Komandat Bedi ishte pozicionuar me njësinë e tij te Zabeli i Behramit. Lufta ishte e pabarabartë.

Edhe sikur çdo lis të ishte bërë ushtar, ishte e pamundur t’i rezistohej sulmit të ushtrisë serbe.

Ata ishin çmendur që po i sulmonte NATO-ja.
Serbët kishin në dispozicion armatim të bollshëm dhe shumë më të madh se luftëtarët e UÇK-së, por Komandat Bedit sikur nuk po i bënte përshtypje kjo. Ai, me snajperin e tij gjuante në drejtim të tyre pa u fshehur fare, duke qëndruar në këmbë.
Bedin e qëllonin me mitralozë, por ai nuk rrëzohej në tokë. Qëndronte në këmbë, edhe pse goditej pareshtur.

Ai, së bashku me lisat u rrëzua për tokë.
Lavdi komandatit Bedri Ahmeti!

* * *

Fronti, Lisi e Shkëmbi po qëndronin të mbledhur rreth një tryeze të metaltë, të zbukuruar me një pllakë mermeri. Të tretë u ulën rreth saj dhe po bisedonin për situatën aktuale dhe për çështjet e tjera me të cilat ata ishin të preokupuar.

Front Llapi rrinte me bërryle të mbështetura në tryezë, kurse me duar shtrëngonte tëmthat dhe tundte kokën, duke e shikuar Lisin me ngulm drejt në sy për ca çaste. Edhe ai po e vështronte atë…

— Punët po na shkojnë për së mbari,— tha Front Llapi.
— Ne jemi zotër të kësaj toke dhe tani po na përkrah edhe NATO-ja,— foli Lisi.
— Malet tona gjithmonë kanë lindur e rritur trima, të cilët janë betuar të vdesin për Kosovën,— foli Shkëmbi.

— Shumë veta kanë kaluar kufirin shqiptaro—shqiptar për t’u futur në luftën çlirimtare. Ata lanë gjithçka në mërgim që t’ia shtojnë një pushkë më shumë UÇK-së,—plotësoi Fronti.
Kështu bisedonin atdhetarët, me fjalë të zjarrta, të gjalla dhe me plot shpresë.
Papritur, Lisi iu drejtua Furtunës, vajzës së re, që po dëgjonte në heshtje:
— E çfarë mendoni ju, Furtuna Forta?

— Unë, — u përgjigj infermierja e re,— besoj fuqishëm në pushkët tona çlirimtare dhe në bombat e NATO-s. Këto për ne janë shpëtimtaret dhe shpresëdhënëset më të sigurta. Kosova prore ka qenë kryengritëse në luftërat për liri dhe s’e ka duruar kurrë pushtimin e të huajve. Ky popull është i gatshëm të vdesë për atdheun, ashtu siç bëri Familja Jashari e Prekazit. Dhe kur populli lufton për lirinë e vet, ai prore bazohet dhe mbështetet në forcat e veta dhe të miqve të tij. Prandaj, fitorja do të jetë jona, — tha Furtuna.

Fjalët e vashës së re u dëgjuan me vëmendje nga bashkëluftëtarët e saj.
Pasi kishte mbaruar së foluri, Furtuna Forta mbështeti kokën në mes të duarve dhe qëndronte ashu pa lëvizur.

Pati ca çaste heshtjeje, ngase të gjithë atdhetarët po mendonin për fjalët që tha bashkëluftëtarja e tyre.
Brenda qetësia ishte e plotë, ndërsa përjashta frynte një erë e marrë dhe gjëmimi i motorëve të aeroplanëve të NATO-s bashkohej me fishkëllimin e erës së atij fundmarsi pranverak të vitit ’99.

E heshtjen e theu sërish Fronti:
— Ne po kalojmë kohë të vështira, por të rëndësishme. Ngado, edhe nga mërgata jonë do të ngriten lart edhe mijëra pushkë, që do t’i bien pamëshirshëm dhe do ta shporrin prej këndej pushtuesin serbosllav.

Ndërsa po fliste, Front Llapi tundte me forcë të dy krahët, duke i dhënë fytyrës së tij një shprehje jo të zakonshme. Nga vështrimi i tij i ëmbël dhe plot gjallëri po i shkëlqenin dy sytë, të cilët i dukeshin si dy reflektorë të zjarrtë që ndizeshin nga shpirti i tij energjik.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.