Psikologjia e turmave

0
20
Zigmund Frojd - Psikologjia e turmave

[ Shkarko librin ‘Psikologjia e turmave‘ në PDF145 faqe]

Arben Çokaj - gazetar
Arben Çokaj – gazetar

Arben Çokaj

Psikologjia e grupit, ose siç quhet për grupet e paorganizuara, Psikologjia e turmave, ndryshon në një farë mënyre nga psikologjia e individit. Ishte Gustave Le Bon, i cili shkroi një libër mjaft interesant rreth kësaj teme, duke shëtitur e parë popuj të ndryshëm, ai pa edhe zhvillimin e racave dhe popujve të ndryshëm, dhe shënimet e tij i përmblodhi në librin: Psychologie des foules (fr. Psikologjia e turmës).

Frojdi e gjeti këtë libër me mjaft interes dhe u thellua më shumë në analizën psikologjike të tij, kështu që ai shkroi veprën e tij Psikologjia e grupit, ose e turmave, të cilës i kemi bashkëngjitur edhe dy pjesë të tjera nga vepra e tij:

  1. Përtej parimit të kënaqësisë, 48 faqe
  2. Psikologjia e turmave, 60 faqe
  3. Egoja dhe Idi, 37 faqe

Libri ka gjithsejt 145 faqe dhe është marrë nga Vepra e Plotë e Frojdit me mbi 800 faqe, (në anglisht janë 5 102 faqe).

Përtej parimit të kënaqësisë, është pra njëra nga 3 pjesët e librit të radhës nga Vepra e plotë e Frojdit në shqip, ku përfshihet edhe Psikologjia e turmave dhe Egoja dhe Idi, dhe që e bëra gati si librin e katërt në PDF në këtë seri të librave të Frojdit në shqip.
Njeriu ka prirje drejt parimit të kënaqësisë, por përballet me parimin e realitetit… – thotë Frojdi. Te kjo pjesë, Frojdi trajton më shumë insdtinktet e brebnsdshme të njeriut, që sipas tij janë instinktet e vdekjes, të destruktivitetit, që synojnë ta çojnë njeriun drejt pikës së tij të fillimit, substancave inorganike, nga të cilat ai është krijuar në fillim, pra drejt vdekjes.

Por përballë këtyre insdtinkteve të vdekjes, ai thotë se ekzistojnë te njeriu edhe instinktet e jetës, ato instinkte, që i japin shtysa njeriut të vazhdojë jetën, të jetojë, ku përfshin edhe instinktin seksual. Pra, qënia e njeriut është e përbërë nga instinkte të jetës e vdekjes, të cilat luftojnë brenda njeriut me njëri-tjetrin.

Frojdi vazhdon më tej, te Psikologjia e turmave me përshkrimin e mëposhtëm:
“Dëshmitë e psiko-analizës tregojnë se pothuajse çdo marrëdhënie intime emocionale midis dy njerëzve, e cila zgjat për një kohë – martesa, miqësia, marrëdhëniet midis prindërve dhe fëmijëve – përmban një sediment ndjenjash neverie dhe armiqësie, të cilat vetëm i shpëtojnë perceptimit si rezultat të represionit. Kjo është më pak e maskuar në grindjet e zakonshme midis partnerëve të biznesit ose në ankimet e një vartësi ndaj eprorit të tij. E njëjta gjë ndodh kur burrat bashkohen në njësi më të mëdha. Sa herë që dy familje lidhen me një martesë, secila prej tyre mendon se është më superiore ose më e mirë se tjetra. Nga dy qytete fqinje, secili është rivali më xheloz i tjetrit; çdo kanton i vogël i shikon të tjerët me përbuzje. Racat e lidhura ngushtë mbajnë njëra-tjetrën në gjatësinë e krahut; gjermano-jugori nuk mund ta durojë gjermano-veriorin, anglezi hedh çdo lloj fjale të keqe mbi skocezin, spanjolli përçmon portugezin. Ne nuk jemi më të habitur, që dallimet më të mëdha duhet të çojnë në një neveri pothuajse të pakapërcyeshme, siç ndihet populli gal për gjermanët, arianët për semitët dhe racat e bardha për ato me ngjyrë.” f. 75.

Gjatë këtyre trajtimeve, Frojdi sqaron edhe pikëpamjet e tij mbi homoseksualitetin:
“Gjeneza e homoseksualitetit mashkullor në një klasë të madhe rastesh është si më poshtë. Një i ri ka qenë jashtëzakonisht gjatë dhe intensivisht i fiksuar pas nënës së tij, në kuptimin e kompleksit të Edipit. Por më në fund, pas përfundimit të pubertetit, vjen koha për të shkëmbyer nënën e tij me ndonjë objekt tjetër seksual. Gjërat marrin një kthesë të papritur: i riu nuk e braktis nënën e tij, por identifikohet me të; ai shndërrohet në të dhe tani kërkon objekte, që mund të zëvendësojnë egon e tij për të dhe mbi të cilat ai mund të dhurojë dashuri dhe kujdes të tillë siç ka përjetuar nga nëna e tij.” f. 80.

Frojdi nuk mund ta shmangë edhe kthimin pas në histotri, gjatë trajtimit:
“Më pas ata formuan bashkësinë totemike të vëllezërve, të gjithë me të drejta të barabarta dhe të bashkuar nga ndalesat toteme, që duhej të ruanin dhe të shlyenin kujtimin e vrasjes. Por, pakënaqësia me atë që ishte arritur mbeti ende dhe u bë burim i zhvillimeve të reja. Personat që ishin të bashkuar në këtë grup vëllezërish erdhën gradualisht drejt një ringjalljeje të gjendjes së vjetër në një nivel të ri. Mashkulli u bë edhe një herë kryefamiljari dhe hoqi prerogativat e gjinekokracisë, që ishte krijuar gjatë periudhës së jetimëve. Si kompensim për këtë, ai mund të ketë pranuar në atë kohë hyjnitë nëna, priftërinjtë e të cilave u tredhën për mbrojtjen e nënës, sipas shembullit që kishte dhënë babai i hordhisë së parë. E megjithatë familja e re ishte vetëm një hije e së vjetrës; kishte një numër baballarësh dhe secili ishte i kufizuar nga të drejtat e të tjerëve.” f. 102.

Në lidhje me fenë, në kohët moderne, Frojdi sqaron:
“Edhe ata që nuk pendohen për zhdukjen e iluzioneve fetare nga bota e qytetëruar e sotme do të pranojnë se për aq kohë sa ato ishin në fuqi, u ofronin atyre që ishin të lidhur prej tyre, mbrojtjen më të fuqishme kundër rrezikut të neurozave. As nuk është e vështirë të dallosh se të gjitha lidhjet, që i lidhin njerëzit me sektet dhe komunitetet mistiko-fetare apo filozofiko-fetare janë shprehje të kurave të shtrembërta të të gjitha llojeve të neurozave.”
f. 107.

Te studimi i Frojdit mbi Egon dhe Idin, pjesa e tretë e librit, kemi një sqarim disi teorik dhe profesional mbi këtë temë, ku nuk përjashtohen edhe rastet e sqarimeve si në vijim:

Frojdi për vajzat që ndërrojnë shumë partnerë:
“Tek gratë që kanë pasur shumë përvoja në dashuri, duket se nuk ka vështirësi për të gjetur gjurmët e objekt-katekseve të tyre në tiparet e karakterit të tyre. Duhet të kemi parasysh edhe rastet e njëkohshme të kateksisë dhe identifikimit të objektit – rastet, pra në të cilat, ndryshimi i karakterit ndodh para se të hiqet dorë nga objekti. Në raste të tilla, ndryshimi në karakter ka mundur t’i mbijetojë marrëdhënies së objektit dhe në një farë kuptimi ta ruajë atë.” f. 124.

KOMPLEKSI I EDIPIT SIPAS FROJDIT

“Në formën e tij të thjeshtuar, rasti i një fëmije mashkull mund të përshkruhet si më poshtë. Në një moshë shumë të hershme djali i vogël zhvillon një objekt-kateksis për nënën e tij, që fillimisht lidhej me gjoksin e nënës dhe është prototipi i një zgjedhjeje objekti në modelin anaklitik; djali merret me të atin duke u identifikuar me të. Për një kohë, këto dy marrëdhënie vazhdojnë krah për krah, derisa dëshirat seksuale të djalit për nënën bëhen më intensive dhe babai i tij shihet si pengesë për to; nga kjo buron kompleksi i Edipit. Identifikimi i tij me të atin më pas merr një ngjyrim armiqësor dhe shndërrohet në një dëshirë për të hequr qafe babanë e tij, për të zënë vendin e tij me nënën e tij. Që këtej e tutje, lidhja e tij me të atin është ambivalente; duket sikur ambivalenca e qenësishme e identifikimit, që në fillim ishte shfaqur. Një qëndrim ambivalent ndaj babait të tij dhe një marrëdhënie objekti e një lloji vetëm të përzemërt me nënën e tij, përbëjnë përmbajtjen e kompleksit të thjeshtë pozitiv të Edipit te një djalë.” f. 125-125.

Pra, kemi kështu një vepër ,që të bën ta kuptosh më mirë shoqërinë në të cilën jetojmë, dhe nuk habitesh shumë me këto gjëra që ndodhin në jetë, pasi njeriu ky është me të mirat e defektet e tij. Nëse shoqëria nuk dominohet nga ndërgjegjia, nga mendimi i zgjuar e racional, efektet instinktive e çorodisin atë, e mbushin me krime e me pasiguri, siç ndodhë edhe në shoqërinë shqiptare. Nëse shqwiptarët e lexojnë Frojdin më shumë, kuptueshmëria e tyre për shoqërinë e njeriun do të jetë padyshim më e madhe e gabimet e tyre më të vogla! Nuk ka dyshim se vepra e Frojdit është më me vlerë dhe më bindëse se librat fetarë!

 

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.