Zymer Mehani
Poezitë e vëllimit poetik “Përtej ëndrrave“ të autorit Qazim Berisha, të sistemuara dhe të konceptuara në katër cikle, nuk duken dhe s’janë të vështira për t’u kuptuar, ngase nuk janë të pakuptueshme dhe të paqarta. Sapo të hasim në vargjet e poetit, e kuptojmë qartë se çfarë ka dashur të thotë autori në ato strofa… Megjithatë, krijimi i poezisë nuk është punë e lehtë, por kjo nuk do të thotë se vetëm pak persona mund të shkruajnë dhe ta kuptojnë poezinë.
Poeti Qazim Berisha e ka pasur lirinë të zgjedhë vetë tematikën dhe motivikën e poezive të tij. Emri i tij tashmë për lexuesit tanë është i njohur, sepse me shkrimet e tij jemi njohur tash e disa dekada duke lexuar përmbledhjet e tij me poezi, librat e tij, artikujt dhe çdo gjë tjetër që ai ka shkruar gjer më sot.
Vërehet qartë se një numër i poezive të vëllimit “Përtej ëndrrave“, kanë karakter autobiografik ose janë shkruar në përputhje me përshtypjet apo mbresat e autorit për ngjarje, fenomene e dukuri. Të tilla janë: LAGJJA IME, KUR FALEJ BABAI, NOSTALGJI PËR NORMALEN E PRISHTINËS, NË NORMALEN E MITROVICËS GJETA NGROHTËSINË E ZEMRËS, NË DRITAREN TIME, KUR BIE NATA NË QYTEZË, NËSE KALONI, NOSTALGJI PLEQËRISHTE, DITËLINDJA IME, KUR LINDA UNË, MBAJ MEND dhe PLEQTË E FSHATIT TIM.
Sa herë që lexojmë poezitë e poetit Qazim Berisha, do t’i përjetojmë më mirë ato, me ritmin, rimat dhe ndjenjat që poeti ka dashur të përcjellë te ne si lexues. Ai, duke qenë profesor i gjuhës shqipe doemos se u ka kushtuar vëmendje të posaçme, veç figuracionit poetik edhe shenjave të pikësimit në vargjet e veta (pikës, presjes, pikëpyetjes, pikëçuditëses…), por edhe intonacionit dhe pauzave. Këtë gjë autori e ka bërë për të na ndihmuar ne lexuesve ta kuptojmë poezinë e tij pas leximit të parë, si dhe t’i kuptojmë mesazhet e çdo strofe e poezie, varg për varg.
Poeti Qazim Berisha veç tjerash rëndësi të madhe u ka kushtuar titujve të poezive të tij. Prandaj edhe ne si lexues, duhet të përqendrohemi te titujt e këtyre poezive, ngase ata tashmë mund të thonë shumë. Zakonisht titullin e një poezie do ta quaja si një lloj çelësi për të kuptuar tërë poezinë. Ndodh kështu, sepse autori e di fare mirë se edhe detajet apo gjërat e vogla janë tejet të rëndësishme në krijimtarinë poetiko-letrare.
Poezitë e poetit Qazim Berisha nuk janë zakonisht të shkurtra, me përjashtim të 2-3 poezive të vëllimit në fjalë. Pra ato janë relativisht të gjata dhe çdo fjalë është përdorur nga poeti për ta përshkruar sa më mirë situatën e caktuar, prandaj ai është kujdesur vazhdimisht për strukturën dhe gjuhën e poezisë. Në poezitë e tij lidhet strofa me strofë dhe vargjet me njëra-tjetrën edhe sintaksisht, por edhe kuptimisht.
Ai është përcaktuar që në këtë vëllim poetik të na dhurojë vargje me motivin atdhetar (siç janë poezitë: SHQIPONJAT KUR FLUTUROJNË (që është poezia hyrëse e vëllimit), DO TË VIJË AJO DITË, KUR JEPEJ KUSHTRIMI, KUSH MË THA, ATY KU RA ZJARRI, MBIU LULELIRIA, DASHURIA NDAJ ATDHEUT, BISEDË ME YJET E LIRISË, NATO DHE UÇK, ISHIT SHPRESA JONË…, MË FAL, ATDHE, EMRIN E KA ILIRI, KOSOVË-SY I DIELLIT etj.); të natyrës (poezitë: SHTATORI I BEGATISË, VJESHTË E VERDHË, MOZAIK VJESHTE, E BUKUR ËSHTË VJESHTA etj. ); me motivin social (poezia MË GJENI PUNË, O VËLLA) e me ndonjë motiv tjetër, siç janë ato ku ravijëzohet figura e nënës shqiptare. E tillë është edhe poema: KAM TAKUAR NËNA QËNDRESTARE dhe poezitë NJË NËNË E RE E FISME e NËNAT QË E NDRYDHËN DHEMBJEN, duke mbarështruar edhe tema interesante nga e kaluara, por edhe nga aktualiteti ynë.
Në vëllimin poetik “Përtej ëndrrave“ të poetit Qazim Berisha kanë zënë vend edhe mjaft poezi përkushtuese, qoftë për heronjtë dhe dëshmorët e kombit, qoftë për figura të artit e të shkencës, por edhe për të afërmit.
Të tilla janë poezitë: URTAKU I PAJTIMEVE /Prof. Anton Çetta/; HEROINA QË U HESHT /Mësueses mirëditore Marie Tuçi/; BISEDË ME POETËT, NË KËTË BURG TË LLAHTARSHËM /Burgut të Prishtinës të kthyer në muze ideali/…; USHTRIA E KOSOVËS, MERRE LAPSIN SHKRUAJE KËTE EMËR /Tribunit, Bajram Curri/; NË RADISHEVË LINDI SHOTA; NË FAMILJE KËNDOMA ATË KËNGË TË VJETËR /Rapsodit kombëtar, Dervish Shaqa/…; NË PRISHTINËN E ËNDRRAVE, KITARA RRI E PIKËLLUAR /Vëllezërve Gërvalla dhe K. Zekës/; NUK BËN TË DORËZOHEMI /Thirrje për fatin e të pagjeturit/; KËNDOMA KËNGËN PËR KOSOVËN /Fatime Sokolit/; JANARI NA SOLLI DHEMBJE /Vëlla Rrahimit/; TI ISHE SHQIPONJË MALI /Çlirimtarit, Bedri Gubetini-Sokoli/ si dhe NË DITËLINDJEN TËNDE dedikuar vëllait, prof. Selim Berisha, tani dëshmor i kombit.
Poezi të bukura janë edhe ato me të cilat poeti godet, fshikullon, mallkon e namë njerëzit e pakarakter, tradhtarët, servilët, tregtarët me vlerat e atdheut, njerëzit me vese nga më të pështirat e tij. Të tilla janë poezitë: PLAÇI, TRADHTARI, KU JANË SHOQATAT E GRAVE TË KOSOVËS, NARCISËT E MONIZMIT PIJNË VERË TË KUQE, PAQJA ME EGËRSIRA S’ECËN PËRPARA, DO TË JENI RACË E FIKUR, EUROPË, MË HAP DERËN, EDHE SA KOHË, NDALU LUBI etj.
Poeti Qazim Berisha, meqë është edhe studiues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe, kujdes gjatë krijimtarisë së tij poetike u ka kushtuar rimave, ritmit, stilit dhe sintaksës së poezisë. Kësofare ai në poezitë e tij ka përdorur mjaft figura stilistike, si krahasime, metafora, antiteza, epitete etj.etj… ngase vetë figurat stilistike e fuqizojnë duke i dhënë shpirt çdo vargu, strofe e poezie.
Gjatë shkrimit të poezive autori Berisha po ashtu ka përdorur saktë fjalë e fjali, por edhe terma poetikë të qëlluar.