Përsiatje: Loja e fuqive të mëdha
Nga Safet Sadiku
Në çdo takim të niveleve më të larta, përveç dokumenteve të nënshkruara dhe deklaratave zyrtare, ekziston edhe një dimension i tretë, ai i simbolikës dhe i perceptimit global, i cili shpeshherë vlen më shumë se vetë marrëveshjet. Në këtë kuptim, duhet pranuar se Vladimir Putin, duke kaluar mbi tapetin e kuq krah Presidentit të Shteteve të Bashkuara, arriti të tërheqë sërish vëmendjen ndërkombëtare, të vendosë Rusinë në qendër të gjeopolitikës dhe të tregojë se, pavarësisht sanksioneve dhe izolimit të vazhdueshëm nga Perëndimi, ai mbetet një aktor i domosdoshëm, pa të cilin nuk mund të negociohet as siguria globale dhe as paqja në zonat e krizës.
Nga ana tjetër, Donald Trump, duke e pranuar këtë takim dhe duke e trajtuar Putinin si partner në diskutim, përcolli mesazhin se SHBA-ja, edhe pse mbetet fuqia dominuese, është e gatshme të negociojë me Moskën për çështje kyçe, duke e lënë të kuptohet se realpolitika amerikane ka gjithmonë vend për kompromis kur bëhet fjalë për ruajtjen e ekuilibrit të fuqive. Në këtë aspekt, të dy liderët përfituan: Trump tregoi fleksibilitet dhe aftësi për të ulur tensionet e drejtpërdrejta, ndërsa Putin fitoi legjitimitet dhe prestigj, duke e rikthyer Rusinë në epiqendrën e diplomacisë ndërkombëtare.
Ndonëse në marrëdhëniet ndërkombëtare të epokës sonë, ashtu si në shekujt e kaluar, përputhshmëria e interesave mes fuqive të mëdha nuk duhet parë si një rastësi e përkohshme apo si një aleancë kalimtare, por si një konstantë e riprodhuar në forma të ndryshme historike, duke mbajtur gjithmonë në qendër rolin e Shteteve të Bashkuara si fuqi dominuese në arkitekturën e sigurisë globale, ndërsa Rusia, e shtyrë nga trashëgimia e saj perandorake dhe nga logjika e politikës së saj tradicionale, përpiqet të ruajë apo të ripërkufizojë sferat e ndikimit që e mbajnë ende të pranishme në tryezën e vendimmarrjes botërore.
Kjo skemë e marrëdhënieve të ndërsjella na rikujton precedentë të shumtë historikë: në Konferencën e Jaltës të vitit 1945, ku Stalini, Roosevelt dhe Churchill, duke shpërndarë hartën e botës pas Luftës së Dytë Botërore, përcaktuan fatin e miliona njerëzve pa u këshilluar kurrë me ta. Kështu në periudhën e Luftës së Ftohtë, ku doktrina e ekuilibrit të terrorit bërthamor mbajti botën në një gjendje të brishtë, duke e lënë Evropën Juglindore gjithnjë si zonë tampon, apo edhe më vonë, në vitin 1999, kur ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, e udhëhequr nga SHBA-ja, solli çlirimin, por megjithatë linja e përhershme e kompromisit mes fuqive të mëdha mbeti gjithnjë në qendër të vëmendjes duke e bërë statusin final të Kosovës një proces të zgjatur e të pasigurt.
Në këtë lojë të madhe të ekuilibrave, ku gjigantët përcaktojnë kufijtë e mundësisë dhe të pamundurës, çështje të tilla si Ukraina apo Kosova, që për ne janë çështje ekzistenciale shpesh trajtohen si dosje periferike, të mbajtura në hije e të menaxhuara vetëm në funksion të një stabiliteti afatshkurtër, jo si prioritete të vërteta të rendit ndërkombëtar. Ky reduktim nuk është një fenomen i ri, por një përsëritje e logjikës së vjetër, sipas së cilës kombet e vogla, në mungesë të një shteti funksional dhe diplomacie të pjekur, nuk bëhen aktorë, por mbeten vetëm objekt i interesave të të tjerëve.
Pavarsisht këtyre rrethanave duhet pranuar, me një realizëm të dhimbshëm, se jo gjithçka buron nga një rend i padrejtë botëror, sepse ne shqiptarët, vetë shpesh i kemi dhënë dorë fatit tonë të hidhur, duke bërë gabime të rënda në marrëdhëniet me diplomacinë amerikane. Këto gabime me diplomatët amerikanë dhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilat nuk burojnë nga mungesa e interesit të tyre për kauzën tonë. Por kjo ka ndodhur nga paaftësia jonë për të ndërtuar qëndrime të unifikuara, për të ruajtur koherencën politike dhe për të mos e përdorur aleancën strategjike vetëm si flamur retorik për konsum të brendshëm etj.
Këto gabime, të përsëritura dhe të mbuluara shpesh me propagandë, janë të kushtueshme, sepse fuqitë e mëdha nuk i harrojnë dhe as nuk na falin lehtë gabimet, kur ne fillojmë ose flasim në emër të tyre ose komunikimin me ta e lexojmë së prapthi. Ky fakt edhe sot po na kushton shumë, madje më shumë se sa thuhet publikisht. Prandaj sot, kur shohim se institucionet tona ende nuk funksionojnë siç duhet, kur mosbesimi, anashkalimi dhe korrupsioni kanë zëvendësuar vizionin dhe unitetin, duhet të kuptojmë se ky realitet është edhe pasojë e një diplomacie të mangët, të improvizuar dhe pa strategji afatgjatë, e cila në vend që të na afrojë më shumë me botën perëndimore dhe me strukturat ku duam të bëjmë pjesë, shpesh klasa jonë politike na ka mbajtur peng në një tranzicion të pafund.
Megjithatë, çdo krizë, qoftë edhe e imponuar nga marrëveshjet e fshehta të fuqive të mëdha, bart në vetvete një domethënie historike. Prandaj, edhe krizat më të thella globale për ne shqiptarët mbartin në vetvete një mësim të qartë: shteti funksional nuk ndërtohet mbi improvizime, mbi kalkulime elektorale apo mbi retorikë boshe, por mbi vizion afatgjatë, mbi unitet kombëtar dhe mbi një diplomaci të mençur që di të ndërtojë aleanca të qëndrueshme e të mbrojë interesat kombëtare jo vetëm në tavolinat e negociatave të mëdha, por edhe në ndërgjegjen e qytetarëve.
Nëse historia e shekullit XX na mëson se kombet e vegjël shpesh lihen në hije nga marrëveshjet e fshehta të fuqive të mëdha, historia e shekullit XXI duhet të na mësojë se vetëm përmes forcimit të shtetit dhe diplomacisë sonë mund të shmangim përsëritjen e gabimeve dhe të sigurojmë që Kosova, Shqipëria dhe mbarë hapësira shqiptare në Gadishullin Ilirik të mos mbeten më as peng i ekuilibrave të përkohshëm dhe as viktimë e mosfunksionimit të brendshëm institucional, të cilin e kontrollon ende Serbia.
Për vende të vogla si Shqipëria dhe për çështje të pazgjidhura si Kosova, ky takim është më shumë si një kujtesë e dhimbshme, se sa e brishtë është pozita jonë: sepse përderisa fuqitë e mëdha negociojnë për ekuilibrat globalë, ne rrezikojmë të mbetemi gjithmonë në hije, të reduktuar në “çështje lokale”, në vend që të paraqitemi si aktorë të denjë me institucione të forta dhe me diplomaci të besueshme.