OPINION
Nga Llesh NDOJ
Në se ka një gjë që ne shqiptarët e kemi “me bollëk”, e mund t’u “shesim mend” edhe shteteve më të zhvilluara në botë, është fakti se ndërsa numri i popullsisë bie me ritme të shpejta, numri i partive politike sa vjen e shtohet e ndoshta, në raport me numrin e popullsisë jetuese, jemi vërtetë “në maja”. Kushdo që mendon se di dy gjëra, e kërkon të zërë një vend në hierarkinë shoqërore, e gjen më të udhës të krijojë një parti politike, se sa të hapë një biznes apo të përkrahë një alternative tjetër tek partitë ekzistuese.
Popullsia sipas Censusit të vitit 2023 është rrudhur në rreth 2.402.000 banorë, ndërsa numri i partive të regjistruara është diku tek 130 të tilla, ose një parti politike për më pak se 20 mijë banorë. Prej tyre, 11 marrin aktualisht para nga fondet e buxhetit të shtetit, në një shumë që për vitin 2024 ishte rreth 350 milionë lekë. Nuk përbën problem, sipas meje, numri i partive në vetvete dhe as numri i mbështetësve të tyre në shifra absolute, por alternativa që ato paraqesin para zgjedhësve, kauza politike që ato mbrojnë, përfitimi që ka shoqëria prej tyre, kështu që mendoj se do të ishte mirë t’i klasifikonim ato, jo në parti “të mëdha” e parti “të vogla”, as në parti të reja e parti të vjetra, por në parti që kanë një kauzë të tyre, e parti “paterica” pa asnjë kauzë, në parti që mbrojnë kauza të drejta e të prekshme për elektoratin dhe në parti që kanë si kauzë të tyre mbijetesën politike të drejtuesve partiak.
Nëse rendim pas numrave pa logjikë, nuk kemi kuptuar thelbin për të cilin partitë politike i ka thirrur historia në skenë. Kauzat e mëdha e të prekshme i bëjnë partitë politike vitale, i rritin numerikisht përkrahësit e tyre, i bëjnë ato të dashura edhe kur s’janë të votuara për pushtet, i mbajnë ato përherë të reja e i bëjnë të pjekura, ndërsa “përzierja” e tyre në kazanin e politikës vetëm për llokma pushteti (kocka që s’i “përtypin” dot partitë e mëdha!), i baltos ato dhe i shndërron në parti – individ, parti – familje, apo parti – mafie.
Le të flasim pak më konkretisht, ndonëse pa shifra, jo se ato mungojnë, por se zor të nxirrnim gjë të hajrit prej tyre. Partia Demokratike e Shqipërisë, lindi në kohë të vështira e mes sakrificave të mëdha, por përqafoi e bëri të sajën një kauzë të rendësishme e popullore, etjen e popullit për Liri e Demokraci, ndaj ajo u rrit, kapi shumë shpejt pushtetin e qëndroi gjatë si forcë në pushtet apo alternativa e tij. Edhe Partia Socialiste, falë mendjeve të saj të ndritura si ajo e Agollit, Nanos, Pëllumbit, Meidanit, Ramës e ndonjë tjetri, arriti t’a transformoje shpejt veten nga një parti që mori urrejtjen e popullit si fajtore për instalimin e diktaturës rreth gjysëm shekullore, në një forcë të re politike bashkëkohore, me alternativën e së cilës u lidhën shumica e shpresave të shqiptarëve, duke e mbajtur atë në pushtet më gjatë se çdo alternativë tjetër.
Bile, mund t’a them me bindje se edhe Partia Demokratike mbijetoi gjatë si lëvizje gjysmëpopullore, më shumë se si një parti e mirëfilltë, në saj të spostimit të saj drejt qendrës së majtë, pasi kuptoi ndjeshmëritë e elektoratit, ashtu siç u spostua drejt qendrës e djathtas Rilindja (Partia Socialiste e fazës aktuale), për t’i ikur etiketimit “komuniste” e rrëmbyer pjesë nga shtresa e mesme e popullsisë, normalisht larg të majtës komuniste e larg të djathtës ekstremiste.
Fatkeqësisht, Partia Demokratike mbeti në thelb pre e mendësisë komuniste të Sali Berishës, nuk e përpunoi alternativën e saj më tej se tek antikomunizmi folklorik dhe erdhi duke “hyrë n’ujë” dita – ditës, sa më shumë tentonte të kalonte nga një lëvizje demokratike në parti të mirëfilltë e të organizuar rreth “kauzës”, më shumë se rreth liderit. Lëvizja Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, lindi dhe u rrit si shtojcë e pushtetit, me kauzën e vetme mbijetesën për interesa familjare, dhe mbeti parti familjare dhe mafioze, e vetmja përfaqësuese tipike e këtij spektri në Shqipëri. Kjo frymë pa kauzë, solli pashmangshëm luftën brenda familjes, tkurrjen e rrezikun e shndërrimit të saj shumë shpejt, në një rudiment të kohës.
Nuk është qëllimi im të analizoj as PD – n e as PS – n në këtë shkrim, se ata kanë kapacitete të bollshme intelektuale e organizative t’a bëjnë këtë, por një skanim i situatës aktuale parazgjedhore ndoshta ia vlen të bëhet. Veç këtyre partive, ka në skenë edhe plot parti të tjera që të vetmen histori për të shpalosur para elektoratit kanë marrjen prej tyre të mandateve nga partitë në pushtet, PS e PD, duke u ngjitur pas tyre si “mu…i pas këpucës” apo si “qen..i pas kullës”, pa paraqitur kurrfarë alternative apo kauze të veten, që më së shumti kanë rezultuar bashkime mekanike, aspak ideore e programore, të tilla si Partia Republikane, Partia Agrare, ajo e të Drejtave të Njeriut, Partia Demokristiane, Partita Socialdemokrate e ndonjë tjetër, dhe që janë kthyer praktikisht nga parti politike, në parti kryetarësh e që edhe në këto zgjedhje po luftojnë thjesht e vetëm për vende të sigurta në listat e Sali Berishës, ndonjë edhe të PS-s, bashkë me Meta – partinë familjare.
Por ka edhe nga ato parti që kanë dal rishtas në skenë si partia e Lapajt, e Qorrit, e Shehit e ndonjë tjetër, që janë realisht të dënuara nga Kodi Zgjedhor “konsensual” PD – PS, por të paktën nëpër ekranet televizive dhe nëpër tubime të ndryshme po “luftojnë” fort që të mos dalin “pa gjë” nga këto zgjedhje. Nuk i cilësova këto forca politike me emrin e drejtuesit, sepse nuk ua di emërtimin e tyre zyrtar, por se ato deri më tash kanë kryetarët e tyre si të vetmin identitet dhe se do t’u duhet kohë e mund, ndoshta disa procese zgjedhore, që në se janë me fat, t’u mësohet emri i tyre real, ose do të shuhen udhës si “shu…a e pulës”.
Këto forca politike e dinë se pushtetmbajtëse nuk mund të bëhen, të paktën kaq shpejt, ndaj po mundohen të rrëmbejnë ç’të munden nga PS kryesisht, me shpresën e arritjes së rolit të “king make – rit” e nën shembullim e ish – Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Partia e Lirisë, në fakt Meta – partisë, që nuk artikuloi kurrë një alternativë reale veç pazareve të pista për pushtet dhe që e kanë katandisur atë në një parti inekzistente aktualisht, të cilat pretendojnë edhe në këto zgjedhje të mbijetojnë në xhunglen politike shqiptare. Nuk mund të parashikoj “fatin” paszgjedhor të partive që vijnë rishtas në arenën zgjedhore e politike shqiptare, por mund të konstatoj pa frikë se ato nuk kanë artikuluar akoma një kauzë të tyre, nuk paraqesin një alternativë serioze e të besueshme, janë duke u paraqitur para votuesit me një amalgamë pikëpamjesh pa identitet, madje shpesh neokomuniste.
Asnjëra prej tyre nuk është e zonja të thotë, hapur e qartë, se cila është risia apo risitë e saj përkundër pushtetit e alternatives së tij të derisotme, sillen sikur e kanë të sigurt pushtetin e janë alternativë qeverisëse, në vend që të bëjnë një analizë realiste e të thonë se me votën e elektoratit të vet do arrijnë të bëjnë një apo disa gjëra, qoftë edhe të vogla në dukje, mjafton që t’u japin atyre identitet, duke ia imponuar ato partisë qeverisëse përmes votës në kuvend e mënyra të tjera demokratike, jashtë skemave të pazareve të vjetra. Duke identifikuar veten me një ose dy – tri gjëra të dallueshme e të prekshme, këto parti janë të “justifikuara” që edhe me 2 – 3 mandate parlamentare t’i imponohen parimisht shumicës, me apo pa koalicion, duke vënë alternativën, apo kauzën e tyre si kusht bashkëpunimi dhe jo një karrige për kryetarët e partisë.
Shifrat janë të rëndësishme në demokraci pasi, në fund të fundit, “çelësi magjik” i programeve qeverisëse demokratike përkthehet tek shifra 50% plus një, por ato shpesh janë fallso, fasadë, imazh justifikues dhe një hi syshë për njerëzit. Për mua, dy partitë alternative të pushtetit 35 vjeçarë postsocializëm, nuk duhet të mbivlerësojnë kaq shumë votën plus një mbi 50% edhe pse ajo u jep karrigen e pushtetit, por çdo votë minus nga zgjedhja në zgjedhje, çdo alternativë pa përkrahje, çdo objektiv të pa realizuar, në mënyrë që të mos “kalërojnë” hijen e tyre, gjë që i bën të tkurren dita – ditës, sa më shumë mendjet tona si zgjedhës kthjellohen e ndriçohen, duke u çliruar nga dogmat ideore e politike, shndërruar më së shumti në “drogëra” elektorale. As komunizmi dhe as antikomunizmi, të hapur apo të maskuar, nuk mund të jenë më tej alternativë e për më tepër kalë beteje i tyre.
Plakja e popullsisë, po e kthen vendin me ritme të shpejta në “azil pleqsh” pa shërbime, e skemën e pensioneve në rrezikun e një “piramide” të re. Ç’alternativë afrojnë ato për këtë sëmundje “kanceroze”, që po na gërryen edhe ashtin? Thuajse asgjë! Duhen stimuluar martesat në moshë të re, lindjet me mbi tre fëmijë për çift, politikat e strehimit e të punësimit, që e shërojnë këtë sëmundje në themel, kurse kompensimet me 3 – 4% të inflacionit, bonuset apo edhe rritjet e pensioneve me hapat e breshkës e të pa studiuara, mbeten thjesht “aspirina”.
Ndërkohë që politikat deklarative për frenimin e shpopullit pa asnjë masë konkrete, për rritjen e pensionit pa rritjen e punësimit me shifra fluturuese e ato për Shqipërinë “great again” e katër milionëshe brenda një mandate qeverisës(!), janë flluska elektorale që do t’i kishte zili edhe komunizmi. Ekonomia ecën me trend pozitiv e ne mburremi me 3 – 4% rritje (jo që kjo s’duhet vlerësuar), por askush nuk na thotë se ç’duhet bërë që të barazohemi të paktën me “botën e tretë” të vendeve evropiane?
Thuhet se do të rikonceptojmë sistemin tonë demokratik që ai të jetë funksional, por askush nuk guxon të thotë se, a do na duhet të ndërmerret reformë kushtetuese, duke shkurtuar dukshëm numri i deputetëve në kuvend, duke shpërndarë kompetencat nga individi tek organet e zgjedhura në menyrë demokratike. Thuhet se do luftojmë korrupsionin dhe na tregojnë shifrat e SPAK – ut me disa qeli “vip” më shumë me pushtetarë e ish – pushtetarë, por askush nuk hedh në programet e veta nevojën për shkurtim drastik të administratës shtetërore që ka kultivuar sistemin burokratik, askush nuk e pranon se kjo sëmundja e korrupsionit është sëmundje gjenerike dhe se luftimi i saj nuk bëhet dot me deklarata dhe masa të pjesëshme, qoftë edhe me shndërrimin e vendit në një “burg të madh” ku s’gjen dot gardian për t’a rujtur, por vetëm me masa drastike dhe sistemike.
Kush e projekton sot hartën ekonomike të Shqipërisë pas një dekade, apo pas dy a tri të tilla, e t’a paraqesë atë si kalë beteje për vota, në vend të deklarimit të numrit të turistëve, shumica “me bukë në çantë”, që kalojnë Rinasin thuajse çdo ditë?
Më tej se kaq, partitë rrinë të fshehura si struci në shkretëtirë, të numërojnë pjsmarrësit e njëra – tjetrës në mitingjet elektorale, në protesta e salla ku marrin pjesë liderët e tyre, duke u përpjekur të minimizojnë shifrat e kundërshtarit e të maksimalizojnë të vetat, por pak analizojnë saktësisht rënien e votave në kutitë e votimit, indiferentizmin në rritje të zgjedhësve që shprehet me fenomenin e abstenimit, qoftë përmes mosmarrjes pjesë në procesin e votimit, qoftë përmes votës “as mish, as peshk”, si dhe të treguesve të tjerë sinjifikativ që tregojnë plakjen e frikshme të sistemit tonë politik, asnjëherë aq sa duhet demokratik.
Ja pra…! Shifrat nuk tregojnë kurdoherë realitetin, e rendja e partive politike drejt tyre, pa alternativa reale, të besueshme e të realizueshme, më së shumti i “hedh hi syve” elektoratit dhe e le atë gjatë në agoninë e vet, por as nuk zgjidh problemet tona, as nuk i bën “të mëdha”, apo “të vogla” partitë politike. Ndërkohë që kauzat mungojnë tërësisht…
***
Thonë se një mbret e kishte të domosdoshme të kalonte natën diku, në pamundësi të një hoteli apo rezidence qeveritare. Shoqëruesit e tij i propozuan t’a dërgonin madhërinë e tij në një familje të thjeshtë të zonës.
– Ok!, miratoi ai pa hezitim. – Ku t’a shihni të arësyeshme ju, vetëm mos më qoni aty ku ka më të mëdhenj se unë! Shoqëruesit u habitën me këtë kërkesë të Naltmadhërisë së tyre dhe për t’i bërë qefin, e garantuan:
– S’ka më të madh se Ju në mbretërinë tonë, kështu që rrini pa merak, Naltmadhnia Juaj!
Mbreti, pa u menduar fare, iu thotë:
– Ka edhe më të madh se unë…, por nuk u tregoi më gjatë kush mund të ishte.
Puna e deshi që mbreti të kalonte natën në një familje të mirë, jo të varfër, por me shumë fëmijë. Aty pati çdo të mirë që i duhej e komoditet të mjaftueshëm, por fëmijët s’njihnin as mbret, as mbretëri. Mbretëria e tyre ishte të jetonin lumturinë e moshës, ndaj për lodrat e tyre “sakrifikonin” edhe mbretin… Të nesërmen, mbreti u tha shoqëruesve të vet:
– A u thashë se ka edhe më të mëdhenj se unë?
***
Politikanët tanë nuk duhet të mjaftohen duke u vetkënaqur me madhështinë e lodrave të tyre elektorale e shifrat pa thelb, por duhet të mendojnë për vlerat reale të qeverisjes së tyre, të prekshme e të ndjeshme prej votuesve, akoma pa shkuar në pikën që ata “s’pyesin as për mbretin!”. Kjo i bën të mëdhenj, edhe nëse kanë pak numra në mbështetje. Ndryshe…
Llesh Ndoj