Opozita kërkimfalje qytetarëve, pozita të qeverisë pa inate personale!

0
Politikanët në Kosovë

Shkruan: Florim Zeqa, 22.01.2022

Mungesa e zhvillimit ekonomik e ka shkaktuar krizën sociale në vend, pagat e ulëta dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore e ka shkaktuar pasigurinë e të rinjëve për të ardhmen e tyre në shtetin e Kosovës. Pabarazia para ligjit dhe drejtësia selektive e ka shkaktuar humbjen e besimit të qytetarëve në drejtësi, për çka këta të fundit kanë filluar t’iu kthehen “ligjeve zakonore” për zgjidhjen e konteksteve ndërfqinjësore!

Të bashkuar rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar

Para disa viteve në njërën nga zyrat e institucioneve shtetërore më kishte rënë të lexojë një thënje sa provokuese po aq përmbajtësore; “Bukuria dhe paraja e shkërdhejnë çdo intelekt”!

Zbërthimi i kësaj thënje duket i thjeshtë, por është kompleks dhe i vështirë për një pjesë të shoqërisë sonë.

Me kalimin e viteve kjo thënje po bëhet më kuptimplote dhe pragmatike. Njerëzit gjithnjë e më shumë po i kushtojnë kujdes anës estetike sesa asaj përmbjatësore, gjithnjë e më shumë po vrapojnë pas parasë së pistë dhe bukurisë pa përmbajtje sesa vlerave të mirëfillta njerëzore.

Ky përceptim i gabuar i shoqërisë kosovare i ka zgjatur jetën kësaj klase politike të stërkorruptuar dhe kriminalizuar deri në palcë!

Mungesa e transparencës dhe llogaridhënjes në këto pushtetet e pasluftës, ka bërë që të rritet korrupsioni dhe krimi i organizuar në nivelet më të larta. Bashkëpunimi i politikanëve në zhvatjen e parasë publike ka bërë që të zvoglohet dallimi mes pushtetit dhe opozitës. Aty ku politikanët i ndanë pushteti qendror i bashkon ai lokal dhe anasjelltas.

Si produkt i kësaj situate, kemi balancim të krimit dhe korrupsionit në mes pushtetit dhe opozitës, gjë e cila e pamundëson luftimin e dukurive negative të sipërcekura. Nëse dikush nga shoqëria civile e merr guximin të denoncojë ndonjë aferë korruptive të politikanëve, menjëherë bëhen bashkë të dyja nivelet e qeverisjes për ta ndihumar njëri-tjetrin, saqë më as “dreqi në prrue” nuk e merr vesh cili është urdhërdhësi e cili ekzekutuesi i veprers kriminale dhe korruptive!

Prokurorët dhe gjykatësit bëhen të pafuqishëm në zbardhjen dhe dënimin e abuzuesve të pushtetit dhe parasë publike, ndërsa denoncuesit e veprave negative, në vend që të nderohen nga shteti dhe respektohen nga shoqëria mbesin “dele të zeza” në fushën e nderit dhe drejtësisë!

“Të bashkuar rreth korrupsionit dhe krimit të organizuar” është motoja e politikanëve në arritjen e synimeve personale në krijimin e pasurive të paligjshme.

Loja e (pandershme) politikanëve në studiot televizive dhe e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës bëhet vetëm sa për sy e faqe dhe për konsum të brendshëm partiak, përderisa në prapaskenë dakordohen për ndarjen e sferave të interesit në terrenin e kontaminuar politik!

Humbja e besimit tek politikanët

Mirëpo qytetarët kanë filluar të vetëdijësohen. Gjithnjë e më pak janë duke iu besuar këtyre politikanëve të pandershëm. Në njërën anë të lodhur nga gënjeshtrat dhe mashtrimet, ndërsa në tjetrën të lodhur nga varfëria dhe denigrimi social, qytetarëve nuk është duke iu interesuar më çfarë është duke ndodhur në skenën politike kosovare, por janë duke shiquar rrugë e mundësi për të ikur sa më parë nga vendi i tyre drejt vendeve evro-perëndimore, pa i llogaritur pasojat e largimit!

Pra, të rinjëve dhe jo vetëm, punonjësve shëndetësor, punonjësve arsimor, pjestarëve të FSK-së, policëve dhe kuadrove të profileve tjera në Kosovës nuk është duke iu interesuar më çfarë thonë dhe çfarë bëjnë politikanët me fatin e shtetit, a po bëjmë dhe si po e bëjnë marrëveshjen me Serbinë, por sa viza pune po lëshohen nga Gjermania, Italia, Austria, etj, për të ikur sa më parë nga vendi i tyre, ngase shteti nuk u ofron asgjë!

Ikje kaq masive nuk ka ndodhur as në kohën e okupimit klasik të Serbisë

Ata që sakrifikuan më së shumti në kohët më të vështira për vendin, kanë arritur në pikën më të lartë të zhgënjimit dhe krizës sociale dhe psikologjike!

Askush nuk e ka pritur që 23 vjet pas çlirimit dhe 14 vjet nga pavarësimi i vendit, të parët në radhë për t’u larguar nga vendi i tyre janë fëmijët dhe familjarët e luftëtarëve të lirisë, fëmijët e veteranëve (të vërtetë) dhe invalidëve luftës, fëmijët e dëshmorëve dhe heronjëve të luftës çlirimtare!

Luftëtarët e lirisë bashkë me popullatën sakrifikuan deri në përmasat e vetëflijimit për një shtet të lirë dhe barabartë për të gjithë, e jo për një shtet diskriminues i cili për dikë është bërë nënë e për dikë njerkë!

Kur i dëgjon deputetët e opozitës në Kuvend, ta merr mendja se këta nuk kanë qenë asnjëherë dhe deri më tani në pushtet! Të dëgjosh deputetët e opozitës aktuale në kuvend duke derdhur “lot krokodili” për interesin e qytetarëve, për të mos përdorur fjalorë tjetër, është paradoksale dhe e turpshme!

Vallë kush e pengojë këtë klasë politike për dy dekada që të bëjë më shumë për qytetarët e më pak për veten e tyre?! Përgjigja është fare e thjeshtë, lakmia për pasurim të paligjshëm dhe interesi personal.

Për dy dekada rresht, politikanët pa dallime pushtet dhe opozitë, qytetarit iu kanë ofruar vetëm gjatë fushatave zgjedhore, për t’i lënë në harresë të plotë deri në zgjedhjet e radhës me premtimet (mashtrimet) e radhës nga njëra palë zgjedhje në tjetrën.

Për një Alternativë të Re që ndalë trendin e ikjes

Pushtetarët aktual edhe pse e kanë fuqinë politike (numrat) në Kuvend, sikur po u mungon përvoja në arritjen e qëllimeve, ndërsa opozita apo pushtetarët e djeshëm e kanë përvojën politike dhe mundësinë për ta ndihmuar pushtetin në marrjen e vendimeve që shkojnë në dobi të qytetarëve, por ketë nuk e bëjnë për inate personale.

Pra, inatet partiake dhe personale janë bërë peng i së ardhmes së qytetaëve. Ata që deri dje ishin pengesë e miratimit të ligjeve antikushtetuese dhe antishtetërore, janë duke i përligjur të njëjtat në Kuvend dhe anasjelltas, kurse ata që i miratuan në të kaluarën vendimet antishtetërore, sot po e kërkojnë ç’miratimin e tyre!

Kjo sjellje pa etikë e politikanëve i ka thyer shpresat e qytetarëve!
Por, paraprakisht kritikave ndaj pushtetit aktual, opozita duhet t’iu kërkojë fale qytetarëve për të gjitha dështimet dhe gabimet e qeverisjes së saj! Kurse pozita me legjitimitetin më të lartë qytetarë duhet të qeverisë drejt dhe pa inate personale.

Vendin nga kjo situatë paradoksale mund ta nxjerrë vetëm një klasë e re politike e padjallëzuar, e pakorruptuar dhe pakriminalizuar, me shpirtë të pastër dhe dashuri të sinqertë ndaj vendit dhe qytetarëve.

Vetëm një Alternativë e Re politike mund ta ndalë trendin e zbrazjes në heshtje të Kosovës nga të rinjët e saj. Pra, ka ardhur koha e një fryme të re politike me energji të reja pozitive, me gjak të ri dhe të pastër kombëtar, për ta ndërtuar një të ardhme prosperuese për të gjitha shtresat e shoqërisë, për ta bërë kthesën e madhe pozitive për qytetarët dhe shtetin në veçanti.

Kjo nuk është vetëm një ide e imagjinare, por një një mundësi e realizueshme dhe e arritshme në të ardhmen e afërt. Mjafton angazhimi i përbashkët i qytetarëve të sinqertë dhe të vendosur për ndryshime përmbajtësore dhe pozitive.
Vendosmëria është çelësi i çdo suksesi në jetë.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.