Arben Çokaj – gazetar dhe analist i pavarur, shkrimtar.
POLITIKA
Forma më e lartë e organizimit dhe e drejtimit në një shoqëri. Por se është më e larta, kjo nuk dmth., se është e mirë. Jo gjithmonë. Ne kaluam nga komunizmi në demokraci, më 1990, por duket se urryem çdo gjë të asaj kohe, urryem edhe vetë shtetin, ligjet, rregullin. Dhe kjo ishte fatale. Iu futëm me të gjitha forcat hajnisë, korrupsionit, krimit dhe poshtërsisë. Ndodhën gjëra të pabesueshme, që na shokuan.
Dhe sot pas 34 vjetësh mund të konkludojmë se kemi ndërtuar një shoqëri më të ligë, se e kishim gjatë komunizmit. Kjo sepse gjatë kësaj kohe nuk u zbatuan ligjet e rregullat si duhet, e nuk zbatohen as sot. Politika shqiptare është e organizuar si një skemë hierarkike e hajnisë. Që nga zyrtari më i vogël, e deri te zyrtari më i lartë, kur u jepet mundësia, ata ia fusin duart shtetit e fondeve publike. Por duke vjedhë shqiptari-shqiptarin, kjo futi një mentalitet të poshtër e mosbesim në shoqërinë tonë, dhe ne nuk duhet të ndihemi aspak krenarë për këtë – përkundrazi, duhet të na vijë turp, se vetes po ia bëjmë. Shqiptarët kanë ikur e do të ikin, pasi këtu nuk punohet, që ta bëjmë këtë vend të jetueshëm, por synohet si e si të përfitojmë secili, dhe në rrugë të pandershme. Dhe shqiptari ndihet i brakrisur, i shfrytërzuar keq nga politika, i lënë pas dore dhe shikon për një jetë më të mirë diku tjetër. Kjo pra, e paraqet politikën shqiptare pa tru, e pa arsye, sado madhështor mund t’i duken dikujt liderët shqiptarë. Ata në fakt e tregojnë veten se janë egoistë, nuk dinë dhe se nuk e duan e as e respektojnë popullin, që përfaqësojnë. Demokracia te ne u kthye në një farë forme në anarki, e cila është edhe më e keqe se diktati. Shpresoj që partitë e reja të vijnë me një mesazh ndryshe, i cili mund të ngjallë shpresë, që gradualisht t’i pastrojmë këto elita politike dhe trupi i shoqërisë sonë të vijë duke u rigjeneruar e shëruar drejt një shteti e shoqërie më të arsyeshme, më të mirë. Ndryshe për disa dekada, shoqëria jonë do të vdesë gradualisht.
UNIVERSITETI
Shkollim e dije, punë, produkt e zhvillim, kjo duhet të jetë motoja jonë. Ndryshe nuk bëhet ky vend. Universiteti është niveli më i lartë i shkollimit për shumicën e njerëzve, pastaj ka forma të tjera më të avancuara të studimeve pasuniversitare, doktorimit, etj. Një shoqëri e ditur dhe e shkolluar sillet më me arsye, bën më pak gabime, i respekton rregullat e ligjet më mirë dhe ka një qëllim në jetë. Prandaj duhet të hidhen më shumë para në arsim, e përveç shkolimit, duhet të synohet, që njerëzit e shkolluar edhe të punësohen, se është një investim i madh, që duhet ruajtur, për të mos ikur. Ikja nga vendi e njerëzve të shkolluar, të cilët e kanë edhe më të lehtë të gjejnë punë jashtë shteti, konsiderohet si ikje, ose rrjedhje e trurit. Prandaj duhen parë mundësitë e zhvillimit, që krahas njerëzve të shkolluar, të gjenerohen edhe vende pune të paguara mirë. Kjo gjithmonë në përputhje me ekonominë e tregut.
SPAK (Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar)
Një strukturë e mirë, që është në fillimet e saj. Duhet inkurajuar. Sot mund të ketë dyshime se Rama po e përdorë edhe për qëllimet e veta, këto gjëra nuk shmangen aq lehtë, sidomos në një vend të vogël. Por përderisa SPAK po godet figura të larta politike në vend, nga të dy krahët e politikës, gjë që nuk ka ndodhur më parë, edhe nëse kjo veprimtari nuk është në nivelin e duhur, prapë është më mirë se dje. Mendoj se kërkohet shumë punë për të arritur aty ku duhet edhe në këtë fushë, por si fillim, SPAK duhet të mbështetet dhe inkurajohet, sepse figurat e prekura synojnë ta mbyllin.
ALBIN KURTI
Një nga figurat më simpatike të politikës shqiptare, i zgjuar, inteligjent dhe premt-ues. Pas Ibrahim Rugovës në Kosovë dhe Arbën Xhaferrit në Maqedoni, Albin Kurti po tregon se shqiptarët janë në gjendje të nxjerrin edhe figura politike, që kanë vetëdije politike, integritetin e duhur dhe një qëllim të qartë se për ku synojnë. Nën drejtimin e Albinit, Kosova sot po qeveriset më mirë se Shqipëria, ka çmime më të lira se Shqipëria dhe siguri më të lartë në vend. Albini po i jep shpresë popullit shqiptar dhe lidërve të rinj, se shteti mund të qeveriset më mirë, pa korrupsion dhe gjërat mund të ecin më mirë për shqiptarët, drejt një shteti modern dhe të zhvilluar. Por ndryshimet e mëdha marrin kohë dhe duan qëndrueshmëri në qeverisje. Dhe në politikë, ke të bësh me shumë njerëz, të cilët jo të gjithë janë të kënaqur, pasi kanë interesat e tyre. Ajo që mendoj se ka vlerë domethënëse, është se duhet punuar me vetëdije, që të jesh një shembull i mirë, që njerëzit ta dinë se je i ndershëm e nuk korruptohesh. Kjo pastaj përçon te të tjerët mesazhin e duhur, dhe Albini po tregon se i mbron mirë interesat e Kosovës, për aq sa varet te ai.
FEJA
Ekziston një perceptim i përgjithshëm, se shqiptarët nuk jepen për fe, aq sa jepen për kombin. Ky deri diku është një per-ceptim i drejtë. Por ndonëse kemi harmo-ni mes feve, dhe nuk kemi patur konflikte fetare me njëri-tjetrin, duhet pranuar se nuk kemi unitet dhe një ndjenjë të brend-shme të përbashkët si popull, gjë që është e domosdoshme për ekzistencën dhe zhvillimin e një kombi, pikërisht se kemi disa fe të ndryshme. Mendoj se fetë duhen mbajtur në një nivel të moderuar, nuk duhen lejuar zhurmat fetare dhe eZani i naltë, për të prishur qetësinë publike. Fetë e ndryshme si komunitete jo qeveritare duhet të paguhen nga besimtarët e tyre, jo nga taksat e shtetit. Në Danimarkë psh. paguhet taksa për fenë nga besimtarët. Ajo mblidhet nga shteti dhe u ndahet komuniteteve fetare. Nëse nuk beson në fe, nuk paguan taksë për fenë – kaq e thjeshtë është. Shoqëritë e zhvilluara nuk e kanë dominante besimin fetar, më shumë besojnë në fe shoqëritë e pazhvilluara e në zhvillim, si shoqëria shqiptare. Si shoqëri, duhet të synojmë të kultivojmë besimin racional, besimin shken-cor, që bazohet mbi fakte, e jo mbi iluzione. Kjo e formaton edhe të ardhmen tonë.
KAFENETË
Shqipëria ka numrin më të madh të kaféneve për numrin e popullsisë – është një biznes i shtrirë në masë tek ne. Njerëzit nuk punojnë dhe e shtyjnë gjithë ditën në kaféne. Si u del? Ankohen e shajnë qeverinë, në vend që të punojnë. Ky fenomen i dëmshëm ka të bëjë me kulturën tonë të dembelizmit. Dembeli-zmi tregon edhe padije e injorancë. Të rinjtë shqiptarë në masë të madhe mësojnë të punojnë kur dalin jashtë. Kjo nënkupton, se nëse ata do të punonin edhe kur janë në Shqipëri, gjërat do të ishin padyshim ndryshe për këtë vend. Kjo edukatë e gabuar shoqërore, që kemi ne për punën, na dëmton padyshim, dhe na lë të pazhvilluar e në prapambetje, por me sa duket, ne nuk jemi në gjendje ta nxjerrim veten, vetë, nga iluzioni ku kemi rënë. Presim të na nxjerrin të tjerët, të na mbajnë e bëjnë të tjerët, e kjo pritje dekadente na dembelos dhe na lë në prapambetje. Një mentalitet që duhet ndryshuar me kohën, padyshim, pasi jeta është bërë më e kushtueshme në ditët e sotme, e po nuk punove që të fitosh, dikush tjetër e ka më të vështirë të të mbajë.
BigBrother halojsa
BigBrother është një lojë psikologjike, që i vë njerëzit në izolim dhe provon sjelljen e tyre në situata të tilla, disi ekstreme, të shkëputur nga bota. Ngaqë si shoqëri nuk kemi aktivitete të shumta, pas telenovelave turke, shqiptarët merren edhe me BigBrother. Por njerë-zit aty 24 orë në 24, bashkë në një shtëpi, kanë edhe ndërveprime njerëzo-re, që i bëjnë edhe të ekspozohen, të bien në dashuri, të bëjnë dashuri, të zihen kot me njëri-tjetrin, të shfaqin jetën personale, ndjenja e emocione të forta, etj., që shumë shqiptarë me të drejtë, i konsiderojnë edhe të tepërta. Por kurioziteti nuk shuhet. “Kur s’ke çfarë bën, luaj derën”, thonë. Kështu që shqiptarët kanë treguar se janë mjaft kuriozë për BigBrother dhe e ndjekin atë. A ia vlen? Besoj se ata që punojnë nuk kanë shumë nge për BigBrother. Ata që rrinë, nëse e shohin si zbavitje, nuk kanë çfarë humbin. Mua më duken politika apo bisedat e përnatshme për krimet, arrestimet e korrupsionin, që ndodh në këtë vend, më të mërzitshme se sa reality show-et e ndryshme.
KËNGËTARET ME FAMË
Natyrisht që është risi, në vitet e fundit, dekadën e fundit, me fitimin e lirisë në Kosovë dhe me demokracinë në Shqipëri, bota shqiptare edhe në skenën ndërkom-bëtare ka patur sukseset e saj, sidomos në muzikë. Kemi këngëtare të njohura e me famë, që po korrin sukses të madh, si Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Ava Max etj., që kanë ditur të menaxhojnë veten drejt suksesit në muzikën pop, gjë që nuk është fort e lehtë dhe po tregon për talentin e tyre dhe përfitimet që vijnë nga liria e një populli. S’ka dyshim, se do të kishim më shumë shqiptarë të njohur, sikur shqiptarët të kishin qenë të lirë më herët. Kjo tregon se sa rëndësi ka të jeshë i lirë, e të shfrytëzosh mundësitë që të jepen në liri.