NJË KALENDAR HISTORIK PËR MARKO BOÇARIN

0
Marko Boçari - prijës i reviolucionit grek

Nga K. P. Traboini

Se pari shpjegojmë përse bëhet fjalë në këtë parashtresë: Kalendari Arvanit 1990, që përmban 12 figura, të gjitha për Marko Boçarin, paisur me shpjegime përgatitur nga Aristidh Kola, Angjeliki Arvanitaki-Pilihu, Panajotis Gjinosatis dhe në faqen e muajit shtator, është tabloja me motivin e piktorit italian Ludovico Lipparini (1800-1856), jo origjinali, por një riprodhim i saj me porosi për Muzeun Historik të Greqisë. Në qendër të tablosë është Bajroni i veshur me fustanellën shqiptare dhe bën homazhe mbi varrin e Marko Boçarit, ngjarje që ndodhi në shtator 1823. Poeti veshur me fustanellën shqiptare, mori shpatën që ishte lënë mbi varr dhe me të në dorë u betua: “Dëshëroj të jetoj me ju, të luftoj armiqtë me ju, dhe nëse lind nevoja, të vdes bashkë me ju”.

Kjo ështe e vërteta historike, por çfarë nuk zbulojmë e sajojmë ne shqiptarët e sotëm në shtypin tonë të përditshëm. A thua që vetëm në momentin që ne e shohim a lexojmë një objekt a shkrim, a pikturë apo artifakt, pra që në atë moment ka nisur të bëhet e njohur, që në atë moment ekziston dhe ne jemi zbuluesit e asaj gjësë së zbuluar për të cilën flitet nëpër tituj gazetash me germa të mëdha. Kam mbetur disi i habitur jo pak herë. Herën e fundit ishte shkrimi në një gazetë ku një autore me emrin V. M. bënte njoftimin “sensacional”: “Zbulohet tabloja kur Bajroni u betua mbi varrin e Marko Boçarit”.

Mbeta i habitur për faktin se kur e në çfarë rasti konsiderohet zbulim një tablo. Për t’u zbuluar duhet së pari të jetë e mbuluar a të ketë humbur. Ta kene vjedhur. A të ketë mbetur fshehur diku me vite e shekuj. Por kjo nuk ka ndodhur kurrqysh me tablonë e betimit të Bajronit në varrin e Marko Boçarit. Vërtetë kjo autore e këtij shkrimi i referohet librit “Shqiptarët në artin botëror”, por ai libër është një enciklopedi e arteve figurative që afirmon e nuk ka marrë përsipër të bëjë zbulime. Libri në fjalë ka shumë vlerë, ka materiale që botohen për herë të parë në Shqipëri, por as kjo nuk e bën një tablo të zbuluar, aq me tepër kur ajo ndodhet e ekspozuar në muzetë e botës. Madje fare afër, matanë detit në Itali.

Gazetarja shkruan: “Disa thonë se kjo tablo, po edhe shumëfishimi i litografive bazuar te kjo pamje ndodhen në Muzeun e Historik Kombëtar të Greqisë, por në enciklopedinë në fjalë, kjo tablo shënohet të jetë në një nga muzetë e Italisë.”

Mendoj se shprehja “disa thonë” kur bëhet fjalë për një vepër të njohur nuk shkon. Nuk ka të bëje kjo me thashetheme shtypi, për faktin se është e ditur se vepra origjinale ndodhet në Trevizo, Veneto, ku është realizuar në vitin 1850, gjashtë vjet para se të ndërronte jetë piktori Ludovico Lipparini.

Tani të shohim çfarë është ky “zbulim” që pretendon gazetarja. Siç e thamë është fjala për kompozimin e betimit të Bajronit mbi varrin e Marko Boçarit, që është e njohur dhe e publikuar dhe mund të gjendet lirshëm. Madje edhe ne që po shkruajmë këto rradhë kemi një kopje të kalendarit botuar në përkujtim të 200 vjetorit të lindjes së Marko Boçarit. Ky kalendar është botuar në Athinë në vitin 1990 nga Lidhja Arvanitasve e Greqisë. Kalendari përmban 12 figura, të gjitha për Marko Boçarin, pajisur me shpjegime të shkurta dhe përgatitur nga Aristidh P. Kola, Angjeliki Arvanitaki-Pilihu, Panajotis Gjinosatis. Në faqen e muajit shtator, është pikërisht piktura në fjalë, Bajroni veshur me fustanellën shqiptare bën homazh mbi varrin e Marko Bocarit.

Madje poshtë foto-tablosë kemi dhe një shpjegim në greqisht. Ndryshe nga se shkruan V. M.: “Shumë e kanë ngatërruar, po fotoja që shihni të botuar është e nënshkruar dhe i takon piktorit italian Ludovico Lipparini ku dëshmon një fragment, që ka bërë xhiron e botës, në art e letërsi: poeti i famshëm anglez, lordi Bajron betohet para varrit të luftëtarit shqiptar Marko Boçarit.”, ndërsa krejt ndryshe thuhet në kalendarin Arvanitas. Ky kuadër është një lithografi e Kapelos (Capello) mbështetur në një skicë-plan të Markovich dhe ndodhet në Muzeun Kombëtar Historik të Greqisë. Pra nuk është foto e pikturës së Ludovico Lipparinit, por një variant i saj në litografi. Historia e artit punon me seriozitetin e çdo lloj historiografie tjetër.

Tani dy fjalë për kalendarin. Është realizuar nga Lidhja Arvanite në nderim të heroit Marko Boçari, me rastin e 200 vjetorit të lindjes se tij (1790-1990). I njohur është fakti se emrin e Marko Boçarit e ka marrë qendra kulturore e Lidhjes Arvanite dhe për këtë është e nevojshme një shpjegim. Marko Boçari, nuk ishte vetëm një luftëtar dhe një nga heronjtë me të shquar të kryengritjes së vitit 1821, përveç veprimtarisë luftarake ai ishte i njohur për patosin e tij për krijimtarinë, shkrimin dhe të bukurën.

Ëndrra e tij e madhe ishte ti arsimonte suljotët që të largoheshin nga gjendja luftëtarëve të paditur e te pashkolluar, që shpesh luftonin të përçarë pa bërë asnjë përparim që të rronin në paqe në një shoqëri të lirë e të drejtë. Njëkohësisht shqetësohej se mos arsimimi e zgjimi kulturor të mos ndikonte të humbnin mjaft prej karakteristikave të njohura që i kishte Suljoti, si traditat, rrëfimet popullore, këngët e vallet, të cilat në mes të paditurisë dhe varfërisë qe kishin gjithnjë Suljotët të cilët edhe në vështirësitë më të mëdha të kushteve të jetës njerëzore, gjithnjë dëshironin mrekullira.

“Dëshiroj të arsimohesh, -i shkruante Marko Boçari djalit të tij Dhimitrit, që gjendej në Ankona të Italisë, – por përveç kësaj dëshiroj të njihesh me kulturën popullore Suljote, të mbetesh gjithnjë suljot, siç ka mbetur babai yt”.

Në atë epokë të ndryshimeve të mëdha në Ballkan e në Europë, ishte e qartë se shpirti liridashës arvanitas si “luftëtar me armë” nuk ishte e mjaftueshme për të krijuar një jetë më të mirë, një shoqëri më të mirë. Nevojitej arsimimi i bijve të atij populli dhe pikërisht për këtë Arvanitasit e epokës së pas revolucionit do t’ju duhej të shisnin gjithçka të çmuar që kishin që të “mësonin e shkollonin fëmijët e tyre”.

Shqetësimi dhe frika që kishte Marko Boçari në letrën dërguar të birit në Itali, se mos arvanitët do të humbnin identitetin vet, ishte jo vetëm i vërtetë, por ajo ndodhi. Në Greqi jetojnë miliona arvanitë, shto dhe rreth një milion shqiptar të ardhur si emigrantë, por mjerisht konstatohet se identiteti arvanitas është gërryer aq shumë, sa jo vetëm që nuk e flasin më gjuhën shqipe, i kanë harruar traditat e prejardhjen, por më e rënda ndjehen me grekë se vetë greket.

Kur ishte i ikur ne Korfuz, shqiptari suljot Marko Boçari hartoi “Fjalorin dygjuhësh Romaiko dhe Arvanitiko” (1809), ai gjithashtu shkroi se këtë e bëri me kërkesën e konsullit Pukëvil, por edhe që suljotët të mësonin greqisht që të komunikonin me banorët e Korfuzit ku qenë strehuar.- shkruhet ndër të tjera ne faqen e fundit të kalendarit.

Fati i Marko Boçarit ishte tragjik edhe pas vdekjes së tij. Tri herë e varrosën dhe e zhvarrosen. Monumenti mbi varr, i realizuar nga francezi David D’Angers ( 1788-1856), pati një fat të ngjashëm: u shkatërrua, e dërguan përsëri në Francë, u riparua, u kthye në Greqi, por jo në varrin e heroit, por në një vend tjetër. Më në fund e vendosën në Parlamentin e vjetër ku ndodhet edhe sot.
🔻
Dy fotot e para janë të Kalendarit Arvanit dhe e treta (foto kryesore) vepra origjinale e Ludovico Lipparinit që ndodhet në Itali. Kompozimi është i njejtë, por trajtimi është i ndryshëm. Çfarë ka këtu për të zbuluar?!

Shkrimi në Blogun Traboini Ese:
https://l.facebook.com/l.php?u=https%3A%2F%2Ftraboini.blogspot.com%2F2025%2F04%2Fnje-kalendar-historik-per-marko-bocarin.html

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.