(Pasqyrë e krizës institucionale në Kosovë)
Në politikën shqiptare, militantizmi i verbër partiakë fare lehtë mund të na shpjerë në qorrsokak.
Nëse ai nuk vetëkontrollohet, rrënon demokracinë. Në vend që të ndërtojë, synon të dominojë. Në vend që të ndihmojë konsolidimin e institucioneve, i bllokon ato.
Në vend që të hapë shtigje për zgjidhje, ngre barrikada dhe përpiqet të shembë edhe atë që është ndërtuar me gjak dhe sakrificë ndër vite.
Ky militantizëm i verbër po i mban institucionet jetike të vendit, Legjislativin dhe Ekzekutivin, në pranga për afro katër muaj.
Deputetët tanë, që do të duhej të ishin shërbyes të popullit, sillen si komandantë llogoresh, jo si ndërtues të rendit demokratik.
Ata nuk bisedojnë për t’u marrë vesh, por bisedojnë për të mos u dorëzuar në bllokim. Nuk negociojnë për të gjetur zgjidhje, por për të ruajtur krenarinë false dhe flamujt e partisë.
Ky është militantizëm i ndytë, jo idealizëm. Është ego e veshur me ngjyrat e flamurit partiak, e jo me petkun e atdhedashurisë.
Në demokraci, ndërtimi i institucioneve është akt i përgjegjësisë, jo i kryeneçësisë.
Ashiqare po shihet se për deputetët tanë më tragjike është humbja e pozitave dhe privilegjeve sesa humbja e besimit të qytetarëve.
Me një rrogë mujore prej rreth 1800 eurosh, shumica e deputetëve tanë kur vjen koha e deklarimit të pasurisë deklarojnë mbi dy milionë euro. Një art i rrallë, i tyre i pazbuluar ende nga drejtësia.
Si dhe nga kjo pasuri? Askush deri më sot nuk ka dhënë llogari rreth këtij fenomeni që është shndërruar në një problem kancerogjen për shoqërinë tonë.
Heshtja institucionale përballë këtij realiteti është po aq e rrezikshme sa vetë korrupsioni.
Kjo nuk është vetëm çështje morali, por thyerje e besimit publik. Kur ligjvënësi bëhet shembull i pabarazisë, si mund të kërkohet nga qytetari i zakonshëm të besojë në drejtësi?
Sinqerisht trishtuese. Deputetët tanë frikësohen më tepër nga një kompromis i mundshëm politik sesa nga kolapsi i institucioneve të shtetit.
Kur vetë ata nuk i mbrojnë interesat e Kosovës, kush do t’i mbrojë ato? Askush.
Asnjëra prej partive nuk është e gatshme të bëjë një hap prapa për ta çuar vendin dy hapa përpara.
Kokëfortësia e panevojshme, që vjen nga paaftësia për të parë realitetin, fare lehtë mund të çojë në zemërim gjithëpopullor.
Kjo verbëri duhet të marrë fund. Militantët partiakë le t’i heqin uniformat partiake dhe të vishen me petkun e shtetarit.
Vetëm kur partitë të bëhen pjesë e Republikës, dhe jo eklips i saj, atëherë do të dalim nga kjo errësirë.
ARIF EJUPI