Opinion
Sali Berisha është në qendër të inskenimit dhe provokimit të skandalit seksual të Safet Gjicit. Kam parë personalisht fakte që tani janë në duart e grupit hetimor, të cilat implikojnë rëndë Sali Berishën qysh nga data 3 qershor, kur ka vendosur së bashku me vajzën e viktimizuar po prej tij, Alma Kaçi, fillimin e operacionit për inskenimin dhe provokimin e skandalit seksual.
Mero Baze, 20 Qershor 2023
Sali Berisha është në qendër të inskenimit dhe provokimit të skandalit seksual të Safet Gjicit. Kam parë personalisht fakte që tani janë në duart e grupit hetimor, të cilat implikojnë rëndë Sali Berishën qysh nga data 3 qershor, kur ka vendosur së bashku me vajzën e viktimizuar po prej tij, Alma Kaçi, fillimin e operacionit për inskenimin dhe provokimin e skandalit seksual.
Në datën 3 qershor, Alma Kaçi ka qenë në zyrën e Sali Berishës vetëm për vetëm me të, për rreth gjysmë ore, dhe ka marrë përsipër realizmin e inskenimit dhe provokimit të skenës seksuale me Gjicin.
Sali Berisha i ka ngarkuar bashkëpunëtorit të tij në Kukës, që të marrë persiper financiarisht operacionin, por dhe të qenit tutor i vajzës në fjalë, pas operacionit.
Në datën 6 qershor, Alma Kaçi ka shkuar në zyrën e kryetarit të Bashkisë së Kukësit, dhe ka realizuar sipas projektit paraprak gjithë skenën e provokimit, skenat seksuale dhe më pas ka bërë kërkesën banale për mundësinë e një tenderi, duke ju prezantuar nënkryetarit të Bashkisë me mbiemër tjetër.
Është interesante se si vajza me mbiemrin Kaçi i prezantohet atij me mbiemër tjetër. Kjo tregon se ajo nuk kishte shkuar për tender, por për provokimin e skenës seksuale.
Sapo del nga zyra vajza i raporton bashkëpunëtorit të Berishës dhe një prej njerëzve të SHISH në Kukës, i cili ka qenë tutori i saj, kur ka qenë kryetar i SHISH në Durrës, në kohën e Visho Ajazit.
Regjistrimi nuk është bërë me çantë, siç pretendon vajza, por me një gotë të cilën e ka lënë në tavolinë në fund të sallës. Në një nga skenat pas aktit seksual, ajo shkon të marrë ujë me gotë dhe ka trazim figure.
Bashkëpunëtori i Berishës ka marrë menjëherë materialin e filmuar prej saj, pasi ka komunikuar me vajzën në fjalë. I ka thënë asaj që nuk të besoj që e ke regjistruar pa ma treguar. Vajza ja ka çuar materialin me USB dhe ai e ka filmuar atë nga ekrani, në pamundësi për ta kopjuar. I ka dhëne fillimisht vetëm 50 mijë lekë të vjetra për naftën deri në Kukës, me premtimin se të tjerat do t’i marrë më pas.
Pas kësaj, në datën 9 qershor vajza është rikthyer në zyrën e Sali Berishës. Bashkëpunëtori i Berishës i ka kërkuar asaj të shkojë tek Berisha dhe të dorëzojë materialin, pasi vetëm ai mund ta shpërndajë.
Berisha e ka marrë materialin dhe i ka kërkuar asaj t’ia çojë një emisioni invesitigativ me të cilin ajo bashkëpunonte, por edhe ka shprehur dyshimet e veta se ata mund të mos e transmetojnë, pasi janë shumë të afërt me Partinë Socialiste.
Ata i vendosën një afat vajzës deri të enjte, më 15 qershor. Në rast se emisioni nuk transmetohej, atëherë do të bëhej publike skena e seksit.
E gjendur në kushtet e marrjes peng prej Berishës dhe bashkëpunëtorëve të tij në Kukës, vajza është dorëzuar. Përpjekja për t’i nxjerrë gështenjat me duart e emisionit investigativ dështoi.
Të premte paradite, Berisha publikoi materialin ne grupe whatsapp-i dhe ne rrjete sociale, duke ua dhënë paraprakisht mediave te tij.
E vërteta është se kërkesa për tenderin është një inskenim banal, me emër të rremë, që nuk ka qenë prioritet i vajzës, por truku i saj. Prioritet ka qenë akti seksual, ku Safet Gjiçi është peshkuar dhe ka rënë në kurth.
Tani SPAK i ka të gjitha provat në tavolinë. Mund të kontrollojë mesazhet e Alma Kaçit me Sali Berishën dhe takimet e saj më 3 dhe 9 qershor në zyren e Sali Berishës, se shpjegojnë gjithçka. Nëse nuk i ka, mund të kërkojë burime të tjera se janë te ruajtura.
Po ashtu mund të vërtetojë lehtësisht bashkëpunimin e Berishës me njerëzit e tij në Kukës, pasi të dy kanë qenë tutorë të vajzës në këtë histori. SHISH po ashtu duhet te nisë hetimin ndaj degës së Kukësit për përfshirje në këtë skandal.
Ky skandal nuk e shfajëson aspak Safet Gjicin, por tregon një lidhje të fortë të Sali Berishës me vajzën në fjalë. Madje në disa prej fotove të Berishës me vajzën, kur ai pozon në zyrë i lodhur dhe ajo e freskët, Berisha në disa raste ngjan si peng i saj.
Unë kam qenë 15 vite një nga njerëzit më të afërt të Berishës, po nuk kam asnjë foto me të. Nuk na është dashur. Kësaj vajzës i janë dashur dhe Berisha nuk ka pasur fuqi ta kundërshtojë dot. Nuk është lehtë kur futet seksi në mes.