Timo Mërkuri
I– Shumë është folur e shkruar për poezinë “Mea Culpa” të poetit Agim Mato, shumë herë është ribotuar në organe të ndryshme, por për rëndësinë e krijimit të saj nuk është shprehur askush, pasi realisht askush nuk e dinte që ajo është poezia – simbol e ringritjes së poetit nga heshtja e gjatë tridhjetëvjeçare. Ne lexojmë poezitë e Agim Matos, mrekullohemi nga era e ngrohtë e “Jug”-ës dhe drita e saj, por pak kujtohemi që kjo është drita dhe vala ngrohëse e zjarrit të shpirtit të tij, për të cilat ai dogji si dru vitet më të bukura të jetës.
Aroma e poezive të tij është e ëmbël dhe ndjellëse, të cilën nuk e vyshku dot ftohtësia siberiane e soc-realizmit, pavarësisht se ai ka gjalluar në Hadin e kohës, ku Zeusi nuk lejonte as diellin të dërgonte ndonjë rreze për të ngrohur ëndrrat për një shpresë jete të lirë. Agim Mato në jetën e tij nuk bëri asnjë faj, faji i vetëm që iu regjistrua për të mbajtur kryqin mbi shpinë ishte atësia e tij, një arsimtar, i cili ndërsa përgatitej të dilte në pension në fund vitet ’40, befas gdhihet me pranga në duar dhe cilësimin “armik i popullit” për arsyen e vetme pse dijet e tij ishin më të thella dhe më të gjera se ato të komisarëve që zbritën nga mali.
Agim Mato u dënua pse ishte biri i Atit, faji i të cilit ishte cilësuar në ligjet e kohës, ashtu si Jezu Krishti që u dënua si biri i Atit, dënim që ishte shkruar në disa libra të shenjtë të mëhershëm. Krishti u dënua dhe u kryqëzua lart, në kodrën e Golgothasë, Mato u dënua të jetonte poshtë, në Hadin e kohës në natën eklipsore të luftës së klasave. Mato nuk ishte mëkatar, ai ishte një poet, madje ai ishte një poet të cilit as në monizëm nuk ju kritikua asnjë libër, asnjë poezi, asnjë varg dhe kjo, jo pse kishte shkruar poezi të tipit soc-realizmit (nja dy të tilla i përfshiu në librin e tij të parë, si “takse” botimi), por për arsyen se poezitë e tij kishin kaq shumë dritë jete sa që i dritësonte dhe censorët vëngëroshë të kohës.
Megjithatë edhe dielli eklipsohet e jo më një poet i brishtë si Agim Mato. Eklipsi për atë nis me tërheqjen nga qarkullimi të vëllimit të dytë poetik:”Në pragun e shtëpive tona”(1974) dhe formatohet si ferman me ndalimin dhe dërgimin për tu kthyer në karton vëllimi poetik “Buka e fjalëve” (1986). Qysh nga kjo datë e gjer më 2 gusht 2009 (kur si pasojë e një takimi me Fatmir Terziun, që i mori një cikël poezish dhe ja publikoi te portali fjala e lirë), Agim Mato nuk publikoi asnjë poezi. Thamë “nuk publikoi”, pse fakti i heqjes të së drejtës së botimit ishte mohimi i të drejtës për të botuar, por jo për të menduar e jetuar me poezinë.
Pas viteve ’90 kishte mundësi botimi, por në atë kohë ai u gjend nën eklipsin e papunësisë, kur bashkë me gruan mbetën pa asnjë punë, pa asnjë mjet jetese ndërsa kishin dhe tre fëmijë të vegjël për të rritur. Në këtë kohë u përpoq të siguronte mjetet e jetesës, duke nisur punën me një fotokopje dhe arriti të ngrinte një Shtëpi Botuese (Milosao), duke i krijuar vetes komoditetin e krijimit të poezive që njohim sot, aq origjinale dhe të arrira artistikisht, të cilat rikthyen vëmendjen e botës letrare te emri i tij. Një nga këto krijime është dhe poezia “Mea Culpa” e krijuar në vitin 2011 dhe botuar te vëllimi “Jashtë Eklipsit”(2012), madje ky libër nis me këtë poezi të botuar në f. 3. si një simbol që u printe krijimeve jashtë eklipsit si kohë dhe si krijime poetike.
Poeti doli jashtë errësirës së eklipsit, por ai gjykon se duhet që ti kërkojë ndjesë poezisë (dhe lexuesve) për atë heshtje të gjatë: “pas tridhjetë vjetësh”, ndaj saj. Vetëm pasi të merrte “faljen” e poezisë ai do të niste rrugën përsëri si një besimtar i lehtësuar drejt tempullit të Zotit për ti blatuar shpirtin e tij. Rrugëtimi për te poezia, faltoria e vetme që poetët nuk e braktisin kurrë është brenda shpirtit të tyre, si një minierë dhe jo i shënuar në harta me sinjalistikën rrugore. Ai e kujtonte “si sot” ditën që e (detyruan të) braktisi poezinë sepse : “Kujtesa është një e tashme që nuk mbaron kurrë” (Oktavio Paz), ndaj si besimtarët që shkonin në rrënojat e kishave dhe ndiznin qirinj, luteshin e kërkonin falje për mëkatet që (nuk i kishin kryer ata), kështu dhe poeti zbriti në tempullin e tij duke belbëzuar shpirtërisht “Mea Culpa” në vitin 2011, lutje të cilën ne e dëgjuam në vitin 2012 te vëllimi “Jashtë Ekslipsit”.
Të pamësuar me ndjesa të tilla që dilnin nga shpirti, të ndërgjegjshëm për pafajësinë e tij, ne më shumë na tronditi pesha e fjalës së saj, thënë me një tonalitet shpirtëror, reflektimi ndaj të cilës kërkoi një kohë të gjatë. Nuk është e lehtë të harrohet një ndjesë e sinqertë për një faj të pakryer, ne nuk e kemi kuptuar lehtë kryqëzimin e Krishtit për mëkatet e njerëzve, pranimin prej tij i dënimit dhe faljen e atyre që e dënuan. Jam i bindur që shumë veta nuk e kanë kuptuar këtë poezi të Agim Matos pse nuk e kanë njohur as Agimin dhe as shpirtin e tij.
II– Poezia”Mea Culpa” e Matos shfaq një reflektim të thellë dhe introspektivë në lidhje me rrugëtimin e tij në krijimtarinë poetike. Fjala latine “Mea Culpa” do të thotë literalisht “fajin është imi” ose “unë kam faj” në kuptimin “unë kam mëkatuar”, shprehje që përdoret për të pohuar një faj apo përgjegjësi për një gabim ose veprim të gabuar që personi ka kryer. Kjo shprehje përdoret në gjuhën e përditshme, por është shumë e njohur dhe e përdorur në kontekstin e fesë katolike, veçanërisht gjatë ritualeve të pendimit apo të rrëfimit. Kjo shprehje përdoret dhe në fusha tjera, siç janë politika, media etj. për të pohuar fajin ose përgjegjësinë, edhe pse ky përdorim mund të jetë më figurativ dhe jo aq zyrtar sa në kontekstin e fesë.
Në këtë poezi, autori ka përdorur shprehjen “Mea Culpa” por kjo nuk duhet të kuptohet si ndjesë e pranimit të një faji konkret të kryer nga poeti, kjo duhet të lexohet si një shprehje metaforike ndjese e poetit në dy aspekte, ku : së pari është një ndjesë e poetit për braktisjen e poezisë për një periudhë kohe të gjatë tridhjetë vjeçare, braktisje që solli efekte në krijimtarinë e tij dhe botën poetike shqiptare të cilës i mungoi kjo krijimtari dhe së dyti: kjo ndjesë poezisë i bëhet dhe në adresim të veprimit të bashkëkohësve të tij shtetarë, të cilët ja mohuan të drejtën e botimit pse “aq dinin”.
A ju kujtohet fjala e Krishtit në kryq: “Fali o Atë se s’dinë se ç’bëjnë”, shihni qasjen me kuptimin e ndjesës “Mea Culpa” të Matos dhe do ta kuptoni më mirë poezinë e tij. Unë nuk e di se çfarë lexoni ju te kjo “ndjesë” e poetit, por unë për veten time shoh e ndjej të fryjë një erë paqeje e faljeje, jo thirrje për hakmarrje në emër të vuajtjeve që ai (dhe ata) pësoi në jetën e tij dhe ca më pak ndonjë tip thirrjeje për “dëmshpërblim” apo prani të dikujt për ta ndihmuar. “Ai që ditët e vështira i kaloi vetëm, nuk e ndjen më mungesën e askujt” (Charlës Bukovski).
Hamendësimi se poeti e ka përdorur shprehjen “Mea Culpa” në një kontekst: “Kam faj unë që jetoj në kohën”, e cila rëndom përdoret në kuptimin: “Kam faj unë që merrem me ty” mendoj se nuk qëndron për dy arsye: e para se kjo shprehje ka një tis ironie në brendinë e saj dhe nga se Mato ishte tip që bënte humor dhe fliste me shprehje ironie, në poezi ai ishte tejet serioz . Së dyti, në këtë kuptim, kjo shprehje shndërrohet në një lloj sfide publike, të cilën ai nuk do ta përdorte në asnjë rast për arsye se: Agim Mato nuk ishte tip luftarak, tip debatues e kundërshtues në shoqëri, ai ose tërhiqej ose e bluante brenda vetes padrejtësinë. Kjo ndoshta ju imponua atij nga qenia si “bir armiku”dhe nuk zbutej nga fakti se kur ju arrestua i ati, ai ishte vetëm një fëmijë tre vjeç që nuk kuptonte asgjë nga bota ku erdhi, e jo më të kuptonte nga lufta e klasave. Pavarësisht kësaj ai nuk i shpëtoi dot peshës së kryqit dhe nuk e sfidoi atë. Ndaj ju them se kjo ndjesë është tepër e sinqertë dhe i adresohet poezisë, ashtu si besimtarët ja adresojnë ndjesën e tyre Zotit.
Dihet se: në kohën e diktaturës, fjala artistike në veçanti dhe krijimtaria artistike në përgjithësi ishin të kontrolluara dhe për disa krijues ishin të ndaluar, dhe shkelja e këtij rregulli sillte pasoja për krijuesit dhe familjet e tyre, kështu që për të mbrojtur veten dhe familjen nga ndonjë formë e represionit, shumë krijues vendosën të braktisin publikimin e veprës së tyre. Rasti i Agim Matos vlen për ti përfaqësuar gjithë artistët e fjalës së shkruar.
III– Poezia “Mea Culpa” e Agim Matos nuk është një shprehje e drejtpërdrejtë e kundërshtimit ndaj diktaturës moniste apo akuzë e drejtpërdrejtë ndaj dhunës që u ushtrua ndaj poetëve dhe inteligjencës në atë periudhë, megjithëse ajo përmban elemente që mund të interpretohen në këtë mënyrë.
Kështu: Përmbajtja dhe ndjenjat e shprehura në poezi, sidomos nëpërmjet metaforave dhe simboleve, mund të interpretohen simbolikisht si një mënyrë subtile për të shfaqur ndikimin e kufizimeve politike dhe presionit mbi lirinë e shprehjes së intelektualëve dhe poetëve në atë kohë.
Poezia mund të shihet si një lloj dëshmie shpirtërore, një reflektim mbi vuajtjet dhe vështirësitë që Mato përjetoi në kohën e diktaturës, edhe pse nuk është një deklaratë e drejtpërdrejtë kundër regjimit. Krijimi i tij është formë e shprehjes së asaj që shpirti i autorit përjetoi dhe perceptohet si një mënyrë për të hedhur dritë mbi periudhën e vështirë dhe kufizimet që kanë ndikuar në krijuesit e asaj kohe.
Kjo poezi mund të shihet si një modalitet i shprehjes artistike që shfaq vuajtjet dhe përvojat e krijuesve që jetuan nën censurën moniste. Autori përdor një varg të sinqertë e simbolik për të shprehur këtë dëshmi shpirtërore, pa iu referuar drejtpërdrejtë strukturës së pushtetit monist apo ngjarjeve konkrete politike. “Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt”? rënkon shpirtërisht poeti dhe nuk shkon më tej.
Përdorimi i metaforave, imazheve, dhe simboleve në poezi shërbejnë si një mënyrë për të paraqitur të vërtetën emocionale dhe psikologjike të asaj kohe në mënyrë artistike. Këto elemente e bëjnë poezinë një formë të denoncimit të fshehtë të kufizimeve dhe dhunës së përjetuar nga poeti, duke e bërë atë një dëshmi të fuqishme për periudhën nën diktaturën moniste.
Edhe pse nuk është një deklaratë e drejtpërdrejtë e denoncimit të regjimit, poezia shërben si një mënyrë për të dëshmuar ndjenjat dhe perceptimet e asaj kohe, duke e bërë atë një formë të shprehjes së vërtetësisë dhe gjendjes së shpirtit të autorit dhe, në një masë më të gjerë, të atyre që përjetuan kohën e diktaturës. Është një shprehje artistike e vështirësive dhe shpresave të humbura nën dhunën moniste, e përvojave që intelektualët dhe poetët përjetuan në atë kontekst historik dhe shoqëror. ..”ku prej kohësh përgatitesha për/salltanetin e madh të vdekjes”.
IV– Poezia “Mea Culpa” është e njohur si një krijim modern i Agim Matos, pasi ai e nisi krijimtarinë poetike në monizëm si një poet modern. Ndërprerja e botimit nuk ndikoi te tipari modern i poezisë së tij, dhe kjo duket te kjo poezi metaforike që reflekton një stil modern të shprehjes së ndjenjave personale në një mënyrë të thellë simbolike, ku: përdorimi i metaforave, simboleve dhe imazheve shërben për të shfaqur artistikisht thellësinë në pasqyrimin e botës së brendshme dhe përvojave të poetit, duke u bërë simboli i ringritjes së tij pas “rrëzimit” nga goditja e monizmit.
Poezia fillon me një reflektim të thellë të poetit mbi rrugën e tij në botën e poezisë, ku përdor imazhe për të shprehur ndjenjat e tij në kujtimet për artin e “fshehur, në çaste të zemërimit me perënditë” : “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë, /duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,/veglat e mia të punës/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi/me perënditë,”
Poeti ishte në kundërshtim me normat e shoqërisë dhe institucionet moniste, gjë që pruri heqjen e të drejtës së botimit, e cila për atë ishte një e njëjtë me vdekjen(shpirtërore): “ku prej kohësh përgatitesha për/salltanetin e madh të vdekjes.”
Përmes imazheve të errëta, poeti shpreh ankthin dhe vetë reflektimin e tij, duke paraqitur luftën që kishte bërë për të krijuar atë art që ju ndalua dhe dëshirës për të krijuar pavarësisht nga pasojat: “Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur/si i babëzitur, do të gërmoja motivet/ derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?” thua se nuk besonte në ndryshimet që kishin ndodhur në Shqipëri, mosbesim që buron nga vuajtja e zgjatur në monizëm.
Mato është një artist fin i përdorimit të metaforave dhe simboleve, kjo është e dukshme te kjo poezi ku këto mjete artistike përforcojnë imazhin dhe konfliktin e brendshëm që ai përjeton: “frushullima mizëri e krahëve të/dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,/që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate/dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.”
Struktura e poezisë ka elementë të fragmentuar dhe një stil të lirë, që reflekton kaosin e zemërimin, si edhe lëvizjet në kërkim të identitetit dhe vendit në botën e poezisë: “Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt? I prekja një nga një/e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me/dritë minerale/ tërë atë laborator kujtese,”
Agim Mato është një poet i njohur për aftësinë e tij për të shprehur emocionet dhe mendimet në një mënyrë të thellë dhe me një mënyrë emocionale. “Mea Culpa” përfaqëson një prej punimeve të tij më të njohura dhe të diskutueshme, sepse shpreh në mënyrë të qartë reflektimet dhe vuajtjet e tij, ndërsa përpiqet të kthehet në botën e krijimtarisë poetike pas një periudhe të vështirë.
V– Poeti Agim Mato në krijimtarinë e tij ishte një mjeshtër i veçantë në krijimin e figurave artistike të gjalla në funksion të idesë dhe strukturës së poezisë. Tipikja e tij qëndron te fakti se metaforat janë të zbërthyeshme dhe japin një kuptimshmëri lineare, pa u strukur në mister poetik të pazbërthyeshëm dhe se metaforat, simbolet dhe imazhet janë thelbësore për të kuptuar botën e tij shpirtërore në këtë poezi.
Kështu te vargu: “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën/e braktisur të poezisë/e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,/duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva”, metafora e “minierës së braktisur” simbolizon botën shpirtërore të poetit e mbushur plot me “flori” frymëzimesh e temash poetike, të braktisur prej tij sepse monizmi me heqjen e të drejtës së botimit e nxori poetin nga shpirti i tij, duke e lënë atë të thahet. Çuditërisht miniera është një term i shumë përdorur në poezinë e soc-realizmit, por në këtë poezi të Matos ajo qëndron më bukur dhe në mënyrë më origjinale, e shoqëruar me një imazh të errët të mbylljes. Poeti përpiqet të kthehet, por gjen veten në një ambient të mjerueshëm dhe të pabesueshëm me “galeritë e lëna përgjysmë” dhe me:”veglat e mia të punës/të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi/ me perënditë”.
Po kështu metafora e “guvave” dhe “arit të fshehur” përfaqësojnë procesin e tij krijues të lënë në mes, ndërsa ari i fshehur simbolizon vlerat poetike dhe frymëzimin e dikurshëm që ai e kërkon përsëri. Metafora “salltanetet e vdekjes” të trondit me kuptimshmërinë e saj, sepse poeti këtu nuk e ka fjalën për ritualin mortor, plot dritë e tinguj të viseve tona, por për vetë vdekjen, e cila i duket shumë më e bukur se sa jeta e birit të armikut të popullit, në të cilën edhe bukën e blinin me një çmim shtesë në krahasim me banorët e tjerë, jo për të “dëmtuar ekonomikisht klasat e përmbysura”por për të mos ushqyer normalisht këto familje. Kjo metaforë shfaq një imazh të fuqishëm të humbjes së shpresave për një normalitet jete dhe krijimtarie. .
Metafora “asteroidi verbues” shfaq një imazh të papritur të momentit të frymëzimit dhe rimarrjes së forcës krijuese, edhe pse është e brishtë dhe e papritur, si një shfaqje e befasishme e ndriçimit në një kontekst të errët.
Po ashtu: “Këmishat e hekurosura dhe jeleku i çmuar të dhëndërisë” janë metafora që përfaqësojnë lidhjet e thyera dhe humbjen e lirive, ndërsa “jeleku i çmuar i dhëndërisë” simbolizon humbjen e diçkaje të rëndësishme dhe të vlefshme, duke shprehur ndjenjën e mungesës së lirive personale dhe humbjes së lidhjeve në periudhën e largimit nga poezia, dhe metafora “Zjarret e shpirtit dhe zhelet e këmishës” përfaqëson pasionin dhe intensitetin e brendshëm, ku “zhelet e këmishës” simbolizojnë pasigurinë dhe pabarazinë që ndjen poeti. Ky kontrast mes zjarrit dhe zheleve në këmishë shpreh konfliktin shpirtëror të poetit, midis forcës krijuese dhe pasigurisë së brendshme që e ka prekur. Ajo që duam të theksojmë është fakti se poeti Mato përdor figura shumëfaqëshe, ku psh metaforat shfaqin imazhe të cilat nga ana e tyre ja reflektojnë dritën përsëri metaforave (ose simboleve) sin ë rastin e mësipërm.
Në poezinë “Mea Culpa” të Agim Matos, ka edhe disa simbole dhe imazhe që ndihmojnë në shfaqjen e ndjenjave të poetit, p.sh. imazhi “frushullima mizëri e krahëve të/dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,/që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate/dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.” shfaq një ndjenjë dëshpërimi për humbjen që ka pësuar nga monizmi me urdhrin e mosbotimit të poezive. Ai ndien se dëshirat dhe ëndrrat e tij të mëparshme janë të shuara dhe të humbura. Imazhi “Motorët e metaforave” të krijon një gjendje entuziaste pasi shfaq fuqinë e mendimit dhe nisjen e krijimtarisë.
Këto simbole dhe imazhe janë të rëndësishme për të theksuar ndjenjat dhe përvojat e thella të poetit në lidhje me pasojat e largimit të tij nga poezia dhe betejën e tij për tu rikthyer në botën e tij të pasionit dhe krijimtarisë poetike.
VI– Kjo poezi modern e Agim Matos ka një strukturë tipike moderne dhe një gjuhë të pasur që ndihmon në shprehjen e thellësisë së ndjenjave të poetit dhe forcimin e modernitetit poetik.
Poezia përdor një varg të lirë, pa një skemë të ngushtë rime ose metrike. Kjo lirshmëri strukturore jep liri më të madhe në shprehjen e ndjenjave dhe ideve të poetit, duke e lejuar atë të eksplorojë ndjenjat e tij në mënyrë të lirë dhe të lirëpërdorë fjalinë poetike. Duhet të shprehemi se jo vetëm kjo poezi por gjithë poezitë e Matos janë krijime në shtrat balade për nga dhimbja që ato kanë në brendinë e tyre dhe e shfaqin nëpërmjet metaforave, simbolikave dhe imazheve, gjendje kjo që përjetohet në një lexim të vëmendshëm.
Fjala e përdorur është e ngarkuar me ndjenja dhe imazhe të thella, përdorimi i fjalëve të ngarkuara emocionalisht ndihmon në shfaqjen e konfliktit të thellë emocional të poetit, duke e bërë poezinë të pasur dhe të thellë shpirtërisht.
Poeti ka përdorur një gjuhë të lirë dhe imagjinative, duke kombinuar elementë të ndryshëm gjuhësorë për të shprehur ndjenjat dhe idetë e tij. Unë ju them se Agim Mato ishte një njohës i thellë dhe i hollë i gjuhës shqipe dhe e përdorte atë me elegancë poetike, jo vetëm në vargje. Përdorimi i imazheve metaforike dhe simbolike me këtë gjuhë është i rëndësishëm në këtë poezi, pasi sjell një pasqyrë të thellë të ndjenjave dhe përvojave të poetit.
VII- Poezia “Mea Culpa” e Agim Matos shfaq një aspekt psikologjik të thellë që lidhet ngushtë me idetë dhe ndjenjat e poetit në lidhje me marrëdhënien e tij me poezinë dhe me vetveten. Nëpërmjet poezisë, ai paraqet një eksplorim të brendshëm të ndjesive dhe konflikteve të tij emocionale, duke shfaqur disa aspekte të rëndësishme psikologjike:
Kështu nëpërmjet vargut: “Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën e braktisur të poezisë” shfaq poetin me një ndjenjë fajësie duke u rikthyer në “minierën e poezisë” pas një periudhe të gjatë ndarjeje, ku “miniera e braktisur “ përfaqëson botën shpirtërore të krijimtarisë së tij poetike, e cila u zhvendos nga diktatura dhe kufizimet që i kanë ndikuar fuqishëm krijimtarinë. Koha e gjatë larg kësaj “miniere” i kanë krijuar një farë pasigurie, një lloj ngurrimi të cilën e shpreh me vargjet:”Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur/ si i babëzitur, do të gërmoja motivet/derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?”
Është pikërisht fjala “Sërish” që sugjeron përsëritjen e një procesi të mëparshëm, ndërsa “vallë” ndihmon në shprehjen e një dyshimi dhe një mosdijeje. Shfaqja e tij si “i babëzitur” ndihmon në përforcimin e ndjesisë së pasigurisë dhe dobësisë që ai ndjen kur përballet me këtë sfidë të rikthimit për të cilën është i “uritur”. “Gërmoja motivet” shfaq përpjekjet dhe dëshirën e tij për të kuptuar dhe gjetur frymëzim, por përballja me “galeritë e tyre të frikshme” paraqet pengesat dhe vështirësitë që ai përjeton në kthimin e tij në botën e poezisë.
Në aspektin psikologjik kjo poezi shfaq edhe konfliktin midis dëshirës dhe frikës te vargjet:”I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën për profkat poetike?” frazë që tregon përvojën e përballjes me frikën dhe dyshimin që vjen ndërkohë që përpiqet të rikthehet në botën e poezisë pas periudhës së gjatë largimit. Ky perceptim më i thellë i vargut e pasqyron metaforën si një shprehje simbolike të pasurive shpirtërore të poetit dhe dëshirën e tij për të rinisur lidhjen me pasionin dhe krijimtarinë poetike. Çdo pasazh shfaq një përpjekje të thellë dhe të ndjerë për të rikthyer botën e humbur të poezisë dhe të kuptuarit të vetvetes në kontekst të krijimtarisë së tij.
Përpjekja për rimarrje dhe rimëkëmbje shfaqur te pasazhi: “Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull motorët e metaforave,” shpreh momentin e frymëzimit dhe nxitjen e forcës krijuese të poetit. “Motorët e metaforave” janë një imazh për krijimtarinë dhe fuqinë e mendimit krijues, që bëhet e dukshme përsëri në shpirtin e tij. Ky moment shfaq një kthim të forcës dhe pasionit për krijimtari dhe e bëri të vetëdijshëm për kohën dhe humbjen, shfaqur te vargjet:”E pashë sërish qartë vrullin e marrëzive të dikurshme për të përplasur kokën tek e paarritshmja,” ku paraqet një moment të vetëdijesimit të thellë për fuqinë dhe pasionin që e ka pasur në të kaluarën, ngulmimin : “deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim/thyhej/duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës” ku çasti poetik i vjen si një shpërthim yjesh në vetëdije. “E paarritshmja” është një imazh për forcën, kreativitetin dhe idetë që duket të jenë jashtë aftësive të kufizuara të tij aktualisht.
Këto dy pasazhe të fundit shfaqin një moment të ndriçimit dhe vetëdijesimit të poetit në lidhje me fuqinë e humbur të krijimtarisë dhe pasionin për poezinë. Ata shfaqin momentin e transformimit të tij, një rikthim e rimarrje të forcës dhe kreativitetit që i lejon atij të shohë dhe ndiejë sërish marrëzitë e dikurshme dhe potencialin e pasur të shpirtit të tij poetik. Kjo poezi na shfaq Agim Maton me botën e tij të trazuar në rikthimin në poezi, ku nisi dritësimin ajo yllësi e pamatë vargjesh të tij.
Poezia e Matos është vuajtje miq, është vuajtje, “më pas vjen lumturia”.
Sarandë, më nëntor 2023
Agim Mato
MEA CULPA
Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes.
Vallë sërish do të fillonin vuajtjet netëve të vetmuara,
derisa zjarret e shpirtit do të më kthenin në zhele
këmishat e hekurosura dhe jelekun e çmuar
të dhëndërisë?
Sërish, vallë, do të ulërija nga dhimbjet, kur
si i babëzitur, do të gërmoja motivet
derisa të më zinin nën vete galeritë e tyre të frikshme?
I jepja zemër vetes: kush e çan tani kokën
për profkat poetike?
E ndërsa po mendoja t’ia mbathja
nga kisha ardhur,
më rrethoi befas frushullima mizëri e krahëve të
dëshirave e të ëndrrave të dikurshme,
që përplaseshin tek unë si lakuriqë nate
dhe binin të alivanosura para këmbëve të mia.
Si kishin rrojtur kaq gjatë në këtë harrim të pashpirt?
I prekja një nga një
e ato përmendeshin me klithma duke mbushur me
dritë minerale
tërë atë laborator kujtese,
tërë atë punishte arti që ma mbyllën me forcë,
tërë atë alkimi të shpirtit
që filloi të më shfaqet
si një asteroid verbues. E pashë sërish qartë
vrullin e marrëzive të dikurshme
për të përplasur kokën tek e paarritshmja,
deri sa llamba prej karbiti yjesh në ballin tim
thyhej
duke qëlluar me tërë fuqinë magmën e trashë të kohës.
Po kur ndjeva të ndizen rreth e rrotull
motorët e metaforave,
në djall, thashë, këmishët e hekurosura, oportuniteti
dhe bisedat eklektike mbrëmjeve,
në djall programimi i jetës,
oraret e përpikta për medikamentet dhe filmat.
Sarandë, 2011
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet & shkrimtar