Me mjeshtrin e daulles, Ramazan Cani…

0
Ramazan Cani - daulle
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Nderim për ato ustallarët që promovuan dhe promovojnë kulturën… Kur vlerësimi bëhet për së gjalli, ai bëhet mjet nxitës edhe për gjeneratat e reja. Kjo vlen shumë edhe në rastin e ustait të daulles, mjeshtrin e “xhonglimit” të saj, Ramazanit. Si motiv i brendshëm dhe i kahershëm për këtë shkrim modest është njohja që në bankat e shkollës e Ramazanit, komunikimi i vazhdueshëm me të dhe tërheqja që ai bën me përdorimin virtuoz të daulles (lodrës), dhe ahengut që ai bën në dasma, me grupin artistik “Benda”, dhe evente të tjera gëzimesh në krahinë dhe më gjerë. Këto më bënë mua të bëj një vizitë të vonuar tek Ramazani më 02.07.2024, në shtëpinë e tij komode te “Radiostacioni” në Kamëz. Ai më pret me shumë respekt dhe zhvilluam me të një bisedë të ngrohtë shoqërore. Shpresojmë që Xani të mos jetë ustai i fundit i ahengxhinjëve të Bastarit…

Ramazani lindi në Bastar i Mesëm më 20.05.1956. Familja e tij si gjithë të tjerat jetonte në kushte të vështira ekonomike por të parët e tij kishin tradita në bërjen e ahengjeve dhe përdorimin e veglave muzikore si; lodër, cigonë, daire, qemane (violinë), etj. Duke u rritur në një ambient me muzikantë ai i shihte me adhurim ustallarët e vjetër, dhe me kalimin e viteve edhe ai arriti e u bë ustai më i mirë në përdorimin e lodrës. Shkollën fillore dhe atë 8- vjeçare e kreu në fshatin Bastar i Mesëm ku dhe e mbarojë në vitin 1971. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare fillon punë në dyqan nën mbikqyrjen e babait të tij, Lamit. Lami (Islami) krahas mësimit të prodhimit dhe rregullimit të veglave prej hekuri në punishten e tij, i kushtoji një vëmendje të madhe Xanit në ushtrimin e veglës muzikore, lodrës.

Në bisedë me Ramazanin, ai shprehet: “Fillova të ushtrohem me daullen nga Lami që gjatë shkollës 8-vjeçare. Lami qe model në përdorimin e daulles dhe këtë ma mësoi dhe mua. Falë tij unë jam një usta i shumë kërkuar në ahengje dhe mendoj se kam mësuar e trashëguar diçka nga babai im Lami. Para Lamit një usta shumë i mirë qe gjyshi im Meti ( Peti). Ai krahas daulles e cigonës përdorte shumë mirë edhe violinën. Po kështu edhe xhaxhai im Veliu i binte daulles. Për të shkuar më para në historinë muzikore të familjes, instrumentisti më i mirë nga ne të gjithë qe Shyti.

Në këtë kohë unë bëra një punë shumë të madhe në perfeksionimin e veglës muzikore të daulles. Po kështu një rol të madh në praktikimim e daulles ka luajtur mjeshtri i cigonës Mehmet Luga. Unë punova me të për 15 vjet me radhë. Ai ishte shumë rigoroz në cigonë dhe nuk më lejonte që unë të bëja gabimin më të vogël në daulle. Nëqoftëse dy veglat muzikore nuk shkonin në sinkron, Meta më ndërpriste vallet dhe më “injoronte” para publikut. Sot dhe këtij mjeshtri të cigonës që nuk jeton më i jam shumë mirënjohës”.

Kështu vitet kalonin dhe Ramazani bëhej gjithnjë dhe më i mirë në përdorimin e daulles. Kjo bëri që ai të ishte më i kërkuari në dasma, gëzime familiare dhe të ishte instrumentisti kryesor në veprimtaritë kryesore artistike që organizoheshin nga Dhoma e Kulturës Zall-Bastar dhe Pallati i Kulturës Tiranë, etj. Për këtë, Ai, shton:- ” Kam marrë pjesë në shumicën e veprimtarive kulturore e artistike që organizonte Shtëpia e Kulturës Zall-Bastar. Po kështu si instrumentist në daulle kam marrë pjesë në të gjitha Koncertet e Majit nga fillimi deri në fund. Për interpretime të mira si grup dhe individë jemi vlerësuar me çertifikata e fletë nderi.

Grupet artistike të Malësisë së Tiranës, shkëlqenin me performimin e tyre. Po kështu veshja jonë e zonës ishte mjaft e mirë dhe mbante rekorde. Ruaj kujtimet më të mira të jetës sime për këto grupe artistike, këngëtarë dhe instrumentistë virtuozë. Ne kudo që shkuam e përfaqësuam me dinjitet zonën në shkallë rrethi dhe më gjerë. Unë kam mirnjohjen dhe respektin më të madhe për këto breza të papërsëritshëm që nxorën në pah vlerat më të mira kulturore dhe artistike të krahinës. Po kujtoj një rast, ku së bashku me grupin e Kllojkës u paraqitëm me këngën: “Këndojmë për jetën e re”, ku u vlerësuam me çmim të parë. Unë gjatë viteve në këtë zanat kam marrë disa vlerësime nga institucionet.

Vlerësimi më i madh mu ka bërë nga njerëzit dhe publiku i gjerë. Ata e kanë pëlqyer në vite dhe vazhdojnë ta pëlqejnë ahengun tim. Kjo më ka motivuar shumë dhe më ka bërë që ta përmirësoj gjithnjë e më shumë zanatin tim. Gjatë karrierës mbi 40 vjeçare unë kam bërë shumë dasma në fshatrat e; Zall-Bastarit; Zall-Dajtit; Malsisë së Krujës si Cudhi, Bruz-Mal dhe Rrëzë; Shëngjergjit, si Shënmëri, Fag, Selbë, Shkallë, Qafë-Mollë; e Dajtit; Vorës, etj. Jasht rretheve kam bërë dasma në Krujë, Fushë-Krujë; në Burrel, Klos, Xibër, Gurë i Bardhë, Ketë, Kudari, etj. Kam kujtime shumë të bukura dhe nostalgji”.

Ramazani mban mend dhe përmend disa nga kërcimtarët të vjetër, si: Hasan Beka, Musa Kurti, Bajram Sita, Hajdin Hoxha, Hamit Cuni, Bajram Qorri, Ahmet Lila, Xhaferr Hysa, Ali Bumja, Aqif Beka, Pol Lila, Baftjar Jahi, Hysen Alla, Ali Ajazi, Hasan Erceku, Abaz Dajti, Hysen Hyra, Xheladin Kaloshi, Zeqir Visha, Beqir Hoxha, Mustafa Duhani, Mehdi Hoxha, Ibrahim Dema, Xhemal Koçi, Mal Hidri, Raif Islami, Met Manzi, Rrem Basha, Azem Sallaku, Ibrahim Elezi, Nuri Gjoni, Nuri Bumja, Ramazan Basha, Hasan Sulmeta, Adriatik Lila, Reshat Kodra, Dalip Plumbi, Hysen Pera, etj, etj. Disa prej tyre kanë marrë pjesë në Dekadat e Majit dhe kanë marrë çmime dhe vlerësime të ndryshme. Kaq më kujtohen për momentin. Ato janë me qindra, shumica e emrave të tyre janë përmendur në shkrimet dhe botimet për krahinën tonë”. Mirënjohje dhe respekt për kontributin e tyre të dhënë në fushën e kulturës, ruajtjen dhe forcimin e traditave.

Duke folur për repertorin e pasur të Krahinës për vallet, Xani shpehet: “Ne si krahinë kemi një larmi vallesh autoktone që janë të zonës. Po kështu kemi edhe disa valle të krahinave të tjera, por, i kërcejmë në versionin tonë. Pra gjuthçka këfcehet është e krahinës. Ndër vallet më kryesore mund të përmend: “Elbalushja”, “Qemanja trish”, Qemanja e vogël”, “Vallja e Shupalit”, “Mylkja”, “Gjyle”, “Kosaxhikja” apo vallja e Shëngjergjit, “Matjançja e Vjetër”, “Ostrencja e Vjetër”, “Gurabardhçja e Vjetër”, etj. Këto valle janë bërë pjesë e jetës sime dhe për rrjedhojë më kanë ndryshuar edhe jetën. Unë kam punuar dhe vazhdoj të punoj me instrumentistë të cigonës, si: Mehmet Luga, Gani Luga, Xhemal Heta, Musa Kabili, etj. Sot ka kërcimtar të rinj të pasionuar dhe kjo më gëzon dhe jep shpresë”.

– Shpresoj të mos jesh ustai i fundit i fisit Cani si mjeshtër për daullen, i them unë! Përse këtë, ai shton: ” E kam këtë shqetësim edhe unë. Jam munduar t’ja lë trashëgim djalit tim. Ai i bie por ka shumë punë për të bërë, për të arritur nivele të tilla… Në zonë mua si mjeshtër të daulles mund të më arrijë dhe zëvendësojë lodraxhiu Jashar Disha. Unë kam besim të madh tek ai dhe i uroj suksese”.

Ramazani megjithëse në moshë të thyer është tepër aktiv dhe merr pjesë në shumicën e veprimtarive artistike të zonës. Për këtë, thotë: “Kam marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e organizuara nga Shoqata Selita, në Çajre nën drejtimin e ish-kryetarit të saj, Mehdi Hoxha. Jam aktivizuar dhe marr pjesë me Grupin Artistik “Benda” të drejtuar nga Ferit Hoxha. Kam dhënë kontributin tim dhe jam munduar të bëj më të mirën, por e mira në zanat nuk ka fund asnjëherë”.

Ty Ibrahim të falenderoj shumë për punën si mësues, dhe aq më tepër që u kujtove për mua si muzikant i brezit të vjetër. Bashkë kemi qenë shokë shkolle, komshinj në një lagje, ndaj të vlerësoj shumë për këtë shkrim për mua, tani në moshën e tretë të pensiont. Ky vlerësim më motivon të punoj edhe më shumë… Faleminderit Ju!

Ibrahim Kabili

Tiranë, 05.07.2024

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.