Luljeta Lleshanaku
ObserverKult.com, 31/10/2023
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka shpallur Luljeta Lleshanakun Poete Laureate të Shqipërisë.
Komisioni përzgjedhës i përbërë nga poetja Sibel Halimi, kryetare, Arta Marku, gazetare kulture, Ylljet Aliçka, shkrimtar dhe Dhurata Shehri, profesoreshë e letërsisë mes kandidatëve për këtë çmim: Luljeta Lleshanaku, Sadik Bejko, Ervin Hatibi, Rita Petro, Preç Zogaj, Natasha Lako, Ilirian Zhupa, Entela Tabaku, Arian Leka, Flutura Açka, zgjodhi Luljeta Lleshanakun Poete Laureate.
“Titulli “Poeti Laureat” i jepet poetes shqiptare Luljeta Lleshanakut, me motivacionin për vargun e saj modern, larg metaforës së automatizuar duke e ndërtuar me ritëm e krahasim domethënien e frazës poetike, si dhe për krijimin e një brezi të ri poetësh. Luljeta Lleshanaku përfaqëson çka është postmoderne në poezinë shqipe, duke i kthyer kësaj të fundit bashkëkohësinë me poezinë botërore”, thuhet në motivacion.
Ndiqeni në video, ceremoninë e shpalljes së Poetit Laureat.
https://www.facebook.com/watch/?v=1538231757004679
Luljeta Lleshanaku
NË IKJE
Me diellin në shpinë, pa kthyer kokën pas,
në hyrje të metrosë, sa nuk i thyejmë këmbët njëri-tjetrit.
Për ku po nxitojmë kaq fort,
prej s’gjeje po ia mbathim?
Ai shkollar gjysmë i përgjumur, mezi pret t’i ikë fëmijërisë;
qimet e sapodirsura në trup dhe zëri i trashur,
e përgatisin për dimër.
Vajza aziatike, me një palë kufje në vesh po i ikën karmës.
Djaloshi me kitarë në dysheme, me siguri biri i një pastori a
avokati,
po ia mbath prej gjeneve. Dhe gruaja shtatzënë – prej lëkurës
së saj.
Ajo madje as që e vë re vrimën,
që konduktori gjysmë i përgjumur i shtyp në biletë.
Ai burrë i rruar taze, me jakë të kollarisur e kravatë,
duket si një shtrat i rregulluar me kujdes,
për të maskuar makthet e natës.
Të gjithë po ikim prej diçkaje. Pa u ndalur asnjë sekondë.
Duke kërkuar me sy një ishull, si zogjtë në mes të oqeanit.
Prej kujt po ia mbath kjo zonjë e moshuar?
A nuk duhet të ishte duke vjelë kajsi në kopshtin pas shtëpisë tani?
Kurse në krah të saj, ai djalosh me uniformë shërbimi,
me emrin dhe stampën e hotelit në gjoks,
punon recepsionist apo përgjegjës ashensori,
merret vesh qartë.
Të gjithë sytë prehen lirshëm përmbi të
si mbi një statujë lakuriqe në mes të parkut.
Hejza
LAJME TË VONUARA
Në fshatin midis maleve, lajmi vjen një muaj me vonesë.
Gjatë rrugës pafajësohet: ai që vdiq shkoi doemos në parajsë,
e një grusht shteti “është vullneti i zotit”.
Përroi mbyt vetminë me vetmi. Imagjinata është rrëshirë
që të mbron nga trupi. Përndryshe, pylli i rëndë i gështenjave dhe burrat e dehur,
gdhihen me shpatulla të ftohta ngjeshur pas murit.
Vajzat preferojnë martesat larg
për të lënë prapa, të paprekur,
bustin e pesëmbëdhjetëvjeçares.
Dhe përtej pesë fshatrave vijnë nuset,
nuset që do të lindin femijë – profetë
midis sanës dhe kashtës në plevicë. Ah, desha të them
vetëm njëri prej tyre do të jetë profet;
të tjerët do të praktikohen për të gjuajtur me gurë
(kjo është gjithashtu pjesë e profecisë).
Në një mesditë vjeshte si kjo,
ata do të dalin nga shkolla si një tufë e trazuar sorrash prej erës se gjakut,
per t’iu vënë pas makines – rrangallë të postës
deri në kthesë, kur ajo të zhbëhet në pluhur.
E pastaj do të shkojnë të vjedhin dardhët e egra në “oborrin e kurvës”
Askush nuk i ndalon. “Grua me dy burra… hak e ka!”
Midis dardhëve të egra në çantë – një roman,
me porosinë për t’u mbajtur mirë. Një “Ana Kareninë”
që do të lexohet me padurim duke filluar nga faqja e fundit,
e pastër dhe e fisnikëruar si një lajm i vonuar.
AUTOPORTRET NË SILIC
Portreti im nuk ka ndryshuar edhe aq,
me kokën pak të anuar sikur kërkon ndjesë.
Ndjesë për se, ndjesë për çfarë
ndjesë se ndodhesha në vendin e gabuar, në kohën e duhur
apo në vendin e duhur, në kohën e gabuar
apo të dyja bashkë? Ndjesë se isha prani atëherë
kur më ishte kërkuar të isha e padukshme.
Mos e kërcit lugën kur ha, mos ëndërro me zë,
atje ku digjesh – mos bëj tym, atje ku lahesh – mos bëj shkumë,
atje ku shkërmoqesh – pendët merri me vete,
atje ku shpirti rrëzohet me llastik të këputur nëpër këmbë, ik e mos i dil për zot,
dhe, besomë, jeta është më e lehtë
nëse je i padukshëm.
Dhe unë ndoqa atë rrugë që mu tha.
Qelq. Fillimisht isha xhami plot sharje i dritareve të shkollës fillore,
që lexohej veç në ditë pluhuri.
Më pas një monokël – ajo ç’ka besonte njëri sy, tjetri e vinte në dyshim.
Dhe vonë fillova të shkruaj… Isha xhami i trashë
i një teleskopi,
që yjet t’i jep në pëllëmbë të dorës.
Syri i njeriut po ai – i lodhur,
dhe yjet po ato miliona vite dritë larg
gjithsesi unë nuk jam një lajm i rremë, por, veç i parakohshëm,
mashtrimi im është vetëm distancë.
Mbase ndonjëherë nuk do të jem më qenia e padukshme,
kufiri dredhacak midis dy botëve,
do të kem zë, ngjyrë, e lexueshme edhe në një ditë me shi
unë që e di mirë se një përkulje e ndrojtur koke para fotografit
është vetëm alibi.
Poete e mrekullushme. Poezitë i lexova dy here, por prapë do t’i lexoj se jane të mira. I ka qëndisur për merak. I lumtë penda.