IMAZHI, UJVARË QË NUK SHTERON KURRË

0
414
Nexhat Rexha - Duke kërkuar hijen tënde

Nexhat Rexha, “DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE” botoi Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, Gjilan 2019, faqe 120. ISBN 978-9951-760-10-2.

Për aq sa veprat janë të lexueshme, ato janë në shërbim të shoqërisë. Janë “mjeshtria e fjalëve të thella, nëpër kthjelltësitë e lumit, që kurdoherë na dhurojnë vetëm atdhedashuri”, (e parafrazuar, faqe 83.) Librat, janë vetëdije krijuese, matamorfoza më magjike e realitetit ekzsitues. Siç shprehet vet poeti ngase “paradokset ngatërrojnë ardhjet”, (faqe 66). Në anën tjetër poezia e sforcon ekzistencën dhe njëkohësisht e justifikon angazhimin e autorit në këte plan. “Si fletë e vjeshtës fluturojmë/ Kah agimet e gjata/ Presim aromën e bardhësive/ Për qumështin e buzëve të thara”, (faqe 42).

Ky imazh sa optik po aq magjik, gjithmonë ka bërë që poeti të jetë i kujdesshëm, racional, i arsyeshëm dhe me mesazhe edukuese. “Etja ngadalëson pikëllimin/ Për takimin e rizgjuar/ Ëndrrat sa shumë trishtojnë…”, (faqe 43). Shpesh duhet kërkuar shkaqet, pse disa autorëve (edhe intelektualëve), jeta ua dedikon mënyrë më klasik të jetës, të mendimit dhe të shkrimit letrar, sëkëndejmi edhe poetik. Ia shtojmë këtij mendimi edhe të qenit pedagog, ku autori e ka dhënë kontributin e tij jetësor, përfundimi është i qartë, prandaj edhe poezia është e kushtëzuar (ndikuar), pra është rezultat i angazhimit pedagogjik, tamam uratë: “Lum ti që beson në amshim/ Idil kryengritjesh kurrë pa pushim”, (faqe 41), dhe poeti kurrë s’ka pushuar, profesori nuk ka prajtur asnjëherë për të edukuar breni dhe gjenerata të tëra.

Ky tipar i sjelljes dhe krijimit, është ndikuar edhe nga rrethanat nëpër të cilat kaloi shoqëria jonë, nga koha dhe vendi kur janë krijuar këto vlera letrare, të cilat shprehin sfidat e autorit, sfidat e shoqërisë në përballje me ato rrethana, ngjarje e zhvillime që i bartë provinca janë të artikuluara në vargje: “Njerëzit këtu arnojnë shpresën/ Kah muza e lartësive qiellore/ Në pikëtakimin tronditës/ Të asaj hije kafshuese”, (faqe 40), dhe vërtetë poezia e tij është një arnim i shpresës, i jetës i ngadhnjimit.

Pa asnjë dyshim, Nexhat Rexha, me sukses është bërë pjesë e jetës kulturore të vendit, ai është i përhershëm, qoftë me pjesmarrje fizike, por edhe me publikime të vazhdueshme të cilat vijnë, njëri pas tjetrit, kështu qasja jonë duhet të kufizohet vetëm mbi vlerën që jep poezia e përfshirë në librin “DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE”, në të kundërtën mund të na përvidhen lëshime jo profesionale. Libri, pa dyshim është komunikimi më afatgjatë me lexuesin e hapesirës shqiptare, dhe përtej saj, atje ku librat e këtij autori janë përkthyer e prezantuar, në gjuhë e vende të ndryshme.

KU MBETI KËNGA E ATYRE KOHËVE

Të kam bartur në shpatullat e mia
Nëpër të gjitha frymëmarrjet e jetës
Për të thënë se je vetëm e imja
Në gëzime e në dhembjen trishtim
Iu kam përmbajtur maksimës
Vetëm për ty
Në luftë jetoja me vdekjen për ditë
E me njerëzit tanë
Për të thënë se jetoj e vdes për ty
Në kuvendimet tona kemi prekur
Rrënjët e fisit Dardan
Në thellësi të kësaj toke
Ende ruan lashtësinë virgjër
Dardania ime…
Ku mbeti kënga e atyre kohëve…

Faqe 51.

Metafora e determinon poetikën që krijon autori, gjithmonë në shërbim të një qëllimi, mbase edukativo – arsimor dhe në shërbim të njerëzorëes, si vlerë humanitare, pasi letërsia në përgjithësi është vlera e humanizmit njerëzor, ndjeshmëria shpirtërore e tij, pa dyshim e bënë vargun artistik, më të përjetuar! Ky reflktim i brendshëm është produkt i jetës dhe përjetimeve reale të poetit. Qoftë ky vetëm si reflektim meditatv, përseri shprehë përjetimin racional të artistit.

Përmbledhja me poezi “DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE”, e Nexhat Rexhës, është ndarë në tre njësi ciklike: “Si t`ia kthej atdheut buzëqeshjen”, ku janë përfshirë numri më i madh i këtyre poezive të angazhuara me motiv dhe tematikë të ndryshme. Cikli i dytë “Mbi qepalla të atdheut”, përbëhet nga njëmbëdhjetë poezi me dedikim për personalitete historike, për dëshmorët e Kosovës, e të tjerat për miq dhe të njohur të vet autorit. Kurse cikli i tretë, “Në gërshetin e kësaj vjeshte”, përbëhet nga nëntëmbëdhjetë poezi lirike me motiv të dashurisë, përkatësisht me motivin më sublim të jetës, së këndejmi dhe ndër poezitë më të realizuart e këtij libri!

Në këtë trajtim kritik, ia vlenë për tu theksuar edhe poezitë përfaqësonjëse: “Kod gjithësie”, “Teknologjia moderne” dhe “Pema e kujtesës”, të cilat janë shpërblyer në konkurse dhe manifestime letrare, ndërsa vëllimi poetik “DUKE KËRKUAR HIJEN TËNDE”, është shpërblyer nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e Republikës së Kosovës, me “Çmimin për veprën më të mirë në poezi”, për vitin 2019, duke u kategorizuar si njëra nga veprat më të mira poetike për vitin përkatës.

DIÇKA MBETI PENG

Nuk kam faj për fjalën e pa thënë
As për orët e vona
Buzëqeshja mungoi
Dhe puthja
Lodhjen e kësaj nate
E mundi errësira
Diçka mbeti peng
Në këtë mosardhje
Ah rruga
Sa e gjatë rruga
Tiktaket e zemrës ngadalësojnë
Stinën e qershive

Faqe 96.

Tematika dhe motivet e poezisë së Nexhat Rexhës janë të ndryshme, por aspekti pedagogjik sikur i ka determinuar procesin poetik, sidomos në mënyrën e trajtimit dhe të mendimit artistik në poezi. Gjithsesi temat kanë mesazh edukues e arsimues, në të njëjtën kohë janë ndjenja humane dhe mesazhe atdhedashurie. Poezia lirike e dashurisë, është strukturë e veçantë prandaj janë poezi shumë më të realizuara, veçmas nga aspekti estetik i saj.

Gjithsesi, e tëra paraqet angazhimin intelektuale të poetit, i cili këtë muzë krijuese e ndan me lexuesin e vet. Pavarësisht kësaj që shtruam, nëpër vargje të shumta vërehet edhe angazhimi social i shprehur, qoftë si dhembje ose si shqetësim i përhershëm. Vargu, kryesisht ka strukturë të rregullt, preferohen strofat katër vargjëshe me shprehje të kulluar shqipe dhe me motive të ndryshme të cilat poeti i ka përjetuar në brendësinë e tij, ndërsa muza krijuese e shtynë t’i ndaj me të tjerët. Madje edhe shqetësimet personale, prandaj poeti i ka kritikuar veset për të cilat ai gjykon se kanë mundur të bëhen ma mirë:

FRONI

Në kërkim të fronit
Lehjet buçasin
Rrugët e kësaj furtune
Sa shumë na vrasin
Kush dredhon ditën
Natën terr kërkon
Atdheun sa keq
Ai e mashtron
Fron lakmie
Shtyp pullë premtimi
Sa të kalojë fushata
Fillon internimi

Makthi i kësaj kohe
Depërton në çdo rrugicë
Me palaço ngrihet
Një Prilli në politikë

Faqe 21.

Ky verb kritikues, siç e tham, shpreh shqetësimin dhe preokupim intelektal, dhe na bind se poeti realisht dhe praktikisht ka prekur të tashmën e traumatizuar. Gjithsesi poezia e tij, gjithmonë dhe kurdoherë ka shpresë për të nesërmen më pozitive, dhe këtë e thonë vargjet e shumta.

Por, poezia sociale nuk merret vetëm me gjëra të thjeshta të mbijetesës, tashmë poezia sociale e Nexhat Rexhës, merret edhe me aspekte të modernizimit dhe me problemet që ka shkatuar zhvillimi i hovshëm i kësaj industrie e cila, sipas autorit, ka shkatuar probleme moderne, kurse si element metaforik ka zënë vendin e vet, dhe në të njetën kohë ka shprehur brengen e poetit. Shqetësimi i tij intelektual, prek disa shkallë, disa vlera morale, tashmë të bëra pjesë e shoqërisë.

Mes meje dhe teje
Ka hyrë një djall i zi
Sa mundime për heshtjen
Krijon ëndrra ime për Ty

Poezia “TEKNOLOGJI MODERNE”, faqe 11.

Por siç shihet poezia e Nexhat Rexhës asnjëherë nuk është e mbyllur, vazhdimisht ajo gjenë një shteg dhe një shtegdale. E kjo sintagmë është shprehet në vargjet:

Mes qiellit e shiut
Vjen një erë
Vetëm këtë pranverë
Me fletët e pemëve
Frytin mbështjellur n’trazim
Bartë në kraharorin prush
Edhe lotin në largim
Prometeu zjarrin
Sjell me agim

Atdheu im
I braktisjeve të gjeta
Më thuaj si ta kthej bzëqeshjen

Poezia “NË PASQYRË PAVDEKËSIE”, faqe 13-14.

Ky preokupim intelektual për t’ia kthyer “Atdheut buzëqeshjen!…”, zhvillohet edhe më tej në poezinë “LETËR ATDHEUT”, në të cilën: “Në frymëmarrjet tona/ Mungon Ti/ Për të thënat e të pathënat/ Në arkivat pa ne// Kur liria/ shtegton skajeve të botës/ Ne pëlcasim balona/ Fëmijësh”, (faqe 15). Vetëm këto vargjet e fundit mjaftojnë për të kuptuar se si poeti demonstron protestën e tij ndaj aktualitetit, prandaj ai shprehet se liria e fituar me gjakun e dëshmorëve është vënë në rrezik, ajo po shtegton skajeve të botës, shoqëria politike e kozmopolite, bashkë me drejtuesit e institucioneve dhe njerëzit përgjegjës, bëjnë lojën e djallit që figurativisht i bie se “pëlcasin balona fëmijësh”.

Pra, një tragjikë e përthyer në realitetin shqetësues. Po në të njetën poezi ai shkruan: “Në altar lirie/ Ka shumë promote/ Sa dhembje lotësh/ Përpin ky Dhé”, shqetësimi poetik bëhet edhe më grotesk në strofën vijese në të cilën poeti është shprehur: “Diçka nuk po lëvizë/ Në këtë gur stralli/ Epokën ndryshon/ Vetëm pamje lapidari”, (faqe 15).

Poezia lirike duket të jetë një referencë, për pushime të çastit, pikëtakim i së mirës dhe realitetit poetik. Këtë sintagmë e gjemë mirë të realizuar në poezinë “E PATHËNA”, (faqe 101).

Dikush ia mori nektarin lules
Bletës ia ndaloi puthjen
Miliona lule
Jetojnë në pezull
Bota i do për zbukurim
Në fjalën e ngrirë
Gjërat rrëshqasin
Gjuhës mashtrim
Një lule e dashur
Ruhet në kodin anonim

Poezia, “E PATHËNA”, faqe 101.

Si duket, për poetin, dashuria është frymëzim por edhe burim i pashterrshëm, andaj librin e ka të përmbushur me një cikël lirikash të realizuar te cilat paraqesin tërë kreativitetin poezitiv në raport me femrën, për të cilat nuk duket kurrë as i ngopur por as i përmbushur.

E ËMBËL ISHE VEÇ TI

Në skajin e rrugicëskur dielli perëndonte
E nata nuk mbaronte
Ti me lojën symbyllas
Sytë mi zvogëloje
Në atë qoshe të rrugicës
Të pashë në ëndërr
Lojën e vegjëlisë luanim
Në ditën si kjo
Me faqe si qershi
E ëmbël si mjalti
Ishe veç Ti

Faqe 107.

Por çfarë është dashuria reale, dashuria fiktive dhe dashuria e vargut poetik, përveçse është e tëra, figura më hyjnore e femrës e portretizuar si është ma së miri, pamja gjithmonë joshëse, reflektimi i buzqeshjes dhe kodi i sjelljes përbëjnë disa nga tiparet e trajtuar në poezinë lirike të këtij autori. Kjo estetikë duket mjaftë edukuese çka do të thotë përdorimi i fjalëve dhe shprehjeve kanë kodin etik të mësimdhënësit, edukatorit dhe mjeshtrit të fjalës.

Metaforat mbi hijen që e ndeshim si pjesë e titullit, pastaj simbolika e vjeshtës, dashuria për vendlindjen e shprehur në poezi, janë disa tipare të tjera të patrajtuara, por të tërat janë ndërtuar si metafora dhe simbolikë poetike, nga të cilat reflektojnë mesazhe inkurajimi, shpresa të shumta, se pas hijes, do të shfaqet realiteti si mëndim evolutiv i poezisë, vlera e së cilës është rrjedhë e suksesit dhe e vazhdimësisë, ujvarë që nuk shteron kurrë… andaj metaforat nuk hamendsojnë asnjëherë.

St. Gallen, janar 2022.
Shefqet Dibran

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.