Luigj Gurakuqi një erudit dhe atdhetar i flaktë…

0
Ibrahim Kabili
Ibrahim Kabili

Në shkrimet e mia modeste për disa nga figurat e shquara atdhetare më mungonte ajo e firmëtarit të pavarësisë, atdhetarit të madh shkodran, Luigj Gurakuqi. Unë isha me pushime në Velipojë dhe  bëra enkas një vizitë në Shkodër. Këto radhe që inë po hedh në kërë shkrim, janë krejtësisht të pamjaftueshme për të pasqyruar veprimtarinë e gjithanshme të kësaj figurë të madhe me përmasa kombëtare. Luigj Gurakuqi bëri shumë, dhe shkriu gjithçka për atdheun dhe çështjen kombëtare.

Luigj Gurakuqi lindi në Shkodër më 19 shkurt 1879  në një familje tregtare shkodrane me kulturë të gjerë. Ai është një nga personalitetet më të shquara të lëvizjes sonë kombëtare, është një nga figurat më të shquara të historisë dhe kulturës shqiptare, është një personalitet i  shquar në fushën e arsimit dhe kulturore. Veprimtaria e tij e gjerë në kohë, përfshin fundin Rilindjes dhe të fillimin e Pavarësisë. Ai ishte politikan, diplomat, shtetar i shquar, gjuhëtar, poet, prozator, kritik letrar, pedagog, ekonomist, financier, orator, njeri i penës dhe i pushkës. Mbi të gjitha, Luigj Gurakuqi ishte një patriot dhe atdhetar i flaktë.

Ai ishte bashkëthemelues i shtetit shqiptar dhe nënshkrues i Deklaratë së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai përjetoi ngjarjet më kulmore të vendit tonë duke qenë  pjesmarrës dhe drejtues në shumicën prej tyre. Si i tillë, dhe me një veprimtari të gjithanshme, mund të themi se ai ishte një figurë poliedrike i vënë shërbim të kombit shqiptar dhe që i bën nder atij…

Shkollën fillore dhe të mesme e bëri në Kolegjin Saverian që ishte shkolla më e mirë dhe më organizuar e kohës. Në shkollë pati rezultate shumë të mira në mësime dhe prirje për letërsi dhe krijimtari letrare. E plotëson arsimin e mesëm në kolegjin arbëresh të Shën-Mitër Koronës. Mësues i tij De Rada qe figurë e vyer për të, dhe që e frymëzoi për gjithë jetën e tij. Më pas studion 2-3 vjet për mjekësi. Është diplomuar për shkencat natyrore. Në të gjitha studimet e kryera qe me rezultate të larta.

Gjatë studimeve universitare në Napoli në vitet 1901-1906 shkroi veprat e para dhe bëri disa botime. Në vitin 1906 botoi “Vargënimi n’gjuhë shqype me nji fjalorth shqyp-frengjisht n’marim”. Po në këtë vit botoi në Bukuresht librin, “Abetar i vogël shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dhialektet”. Botoi në Napoli një  “Fjalorth Shqyp-Frengjisht e Frengjisht-Shqyp i fjalëve të reja”. Luigj Gurakuqi botoi mjaft shkrime me përmbajtje patriotike.

Te Luigj Gurakuqi spikat kultura e gjërë dhe njohja shumëdimensionale. Ai ishte një njohës i thellë i trashëgimisë kulturore të popullit shqiptar dhe njëkohësisht edhe i kulturës romake e latine. Ishte një njohës i historis së vendit tonë dhe të asaj botërore. Si njihte arkeologjinë, shkencat ekonomike, financat, trashëgiminë tonë arsimore dhe pedagogjike kombëtare, dhe atë europiane. Krahas gjuhës shqipe, ai zotëronte: latinishten, italishten, turqishten, frëngjishten,  njihte edhe greqishten dhe gjermanishte Luigj Gurakuqi është autor dhe bashkëautor në botimin e 8 teksteve mësimore shkollore për shkollën shqipe

Pas vitit 1906 Luigj Gurakuqi iu kushtua tërësisht luftës për çlirimin kombëtar. Në vitin 1907 së bashku me Bajo Topullin punuan për organizimin e kryengritjes në veri. Në nëntor merr pjesë në Kongresin e Manastirit së bashku me disa figura të tjera të shquara dhe  zgjidhet nënkryetar e anëtar i komisionit për njësimin e alfabetit shqip. Gurakuqi udhëhoqi drejtpërdrejtë luftën për krijimin e shkollës sonë kombëtare dhe të sistemit arsimor shqiptar. Ai hodhi themelet e para të sistemit arsimor fillor në Shqipëri. Më 1909 u emërua drejtor i shkollës normale në Elbasan.

Ai dha një ndihmesëtë madhe për vënien e arsimit mbi baza kombëtare. Në vitin 1911 merr pjesë në kryengritjen e Malsisë së Madhe. Ai është njëri ndër udhëheqësit e saj, dhe një nga hartuesit e Memorandumit të Greçës. Ai  zhvilloi një veprimtari të madhe për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të armatisur të vitit 1912. Mori pjesë në mbledhjen e Bukureshtit dhe në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Ishte një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ismail Qemalit dhe shkruesi i Deklaratës së Pavarësisë. U emërua ministër i arsimit në Qeverinë e Vlorës të kryesuar nga kryeministri Ismail Qemali.

Pas pushtimint malazez të Shkodrës, Luigj Gurakuqi internohet në Podgoricë. Merr pjesë në Konferencën e Londrës të vitit 1913, së bashku me Ismail Qemalin dhe Isa Boletinin. Gjatë pushtimit austro-hungarez emërohet  drejtori i  përgjithshëm i Arsimit, ku hapi shumë shkolla shqipe. Personalisht ai ka pasur një angazhim serioz për gjuhësinë dhe problemet e saj. Ai i përmbahej tezës se gjuha shqipe është shenja e parë e kombit, kushti kryesor për ekzistencën e tij, dhe mjeti më i mirë për bashkimin kombëtar. Mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 dhe zgjidhet anëtar i delegacionit për në Konferencën e Paqes në Paris.

Në vitet 1921-1924 ishte deputet i Shkodrës në Këshillin Kombëtar. Ai qe si udhëheqësi i opozitës demokratike dhe luftoi për demokratizimin e jetës së vendit. Luigj Gurakuqi vritet në Bari të Italisë  më 2 mars 1925, nga një agjent i paguar nga Ahmet Zogu dhe klika e tij. Këtu merr fund jeta e atdhetarit të madh Luigj Gurakuqi. Ai ra për të  mos me vdekur kurrë. Në nderim të figurës atdhetare të Luigj Gurakuqit kemi rrugë,  shkolla, sheshe që mbajnë emrin e tij. Po kështu edhe Universiteti i Shkodrës, mban emrin “Luigj Gurakuqi”. Ai ka edhe titullin më lartë, “Hero i popullit”. Njerëz të tillë janë të  pavdekshëm falë veprës së tyre madhore në shërbim të kombit. I tillë është Luigj Gurakuqi.

Vrasja e tij nuk ka emër tjetër, përveç tradhëtisë. Tradhëtar qe mbreti i shqiptarëve  Ahmet Zogu. Ai hoqi qafe shumë figura atdhetare, ndër ta edhe Luigj Gurakuqin. Pasi i eliminoj me vrasje figurat e spikatura politike, Zogu e pati dorën e lirë në rrugën drejt pushtetit. I ndihmuar prej Serbisë dhe elementëve reaksionar ai arriti të bëhej  President dhe Mbret i Shqipërisë.

Ibrahim Kabili
Velipojë, më 23.07.2023

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.