Shkruan: Florim Zeqa, 21.10.2025
Duhet me qenë tepër naiv për të besuar atë që po e thotë presidentja Vjosa Osmani, se kinse vonesat në krijimin e institucioneve janë duke u shkaktuar nga Lista Serbe!
Ëndrra me “sy hapur” e Presidentes
Deklarata e Vjosa Osmanit: ”Vonesa që po tentohet të krijohet nga Lista Serbe i dëmton jo vetëm interesat e Kosovës por të gjithë qytetarëve përfshirë edhe serbët që jetojnë në Kosovë”, është një hipokrizi e kulluar!
Vonesat nuk janë për shkak të Listës Serbe por për shkak të mungesës së numrave të ish partive shqiptare në pushtet dhe atyre në opozitë!
Shkaqet e vonesave janë të qarta, ish partia në pushtet me aleatët e saj, gjegjësisht LVV+G+A nuk i kanë numrat për formimin e qeverisë, sikurse që nuk i kanë as ish partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK.
Ish partitë opozitare përveqse nuk i kanë numrat, ju mungon edhe koordinimi si forcë opozitare në Kuvend!
Prandaj partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, fajin për paaftësinë e saj në formimin e qeverisë po tenton ta hudhë tek Lista Serbe!
Nuk kemi mbetur që afro 9 muaj pa qeveri me mandat fuqiplotë shkaku i Listës Serbe, por shkaku i egove dhe inateve personale të liderëve partiakë, të cilët kot thirren në patriotizmin fallco të tyre që ua mundësuan 120 deputetëve t’i marrin pagat e plota për 9 muaj rresht duke e dëmtuar buxhetin e shtetit pa bërë asgjë për të mirën e vendit dhe qytetarëve!
Bazuar në ketë, atëherë lirisht mund të themi se armiqt më të mëdhenj të shtetit të Kosovës janë partitë shqiptare që e konsiderojnë shtetin e tyre si ‘plaçkë lufte’ e jo si Atdhe të tyre!
Përtej kësaj janë kalukulimet personale të Vjosa Osmanit, e cila është duke e pshtjelluar lëmshin më qëllim deri në arritjen e afatit kohor, që e synon ajo rizgjedhjen e sërishme në postin e Presidentes së shtetit!
Pra, problemi nuk është tek Lista Serbe, por tek krerët shtetëror dhe partiakë që janë duke lozur bixhoz me fatin e shtetit dhe të qytetarëve për interesat e tyre personale!
Kjo qasje hipokrite e presidentes me kalkulimet e kryeministrit në njërën anë dhe kalkulimet e liderëve partiakë në anën tjetër janë shkaktarët kryesorë për vonesat e skandaloze në konstituimin e Kuvendit dhe në krijimin e institucioneve të reja shtetërore, përkatësisht, të krijimit të Qeverisë me mandat të plotë nga legjislatura e 9-të, e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e qytetarëve si legjislatura e sabotimit të shtetit!
Në fakt, partitë shqiptare dhe lierët e tyre me ndikim tek deputetët servil në Kuvendin e Kosovës e kanë dëmtuar interesin shtetit të Kosovës më shumë sesa Lista Serbe!
Lista Serbe është duke u përdorur si alibi për kusuritje të brendshme në funksion të kalkulimeve partiake dhe personale të liderëve partiakë! Përtej kësaj, Lista Serbe po përdoret edhe si “Kalë Troje” për justifikimin e dështimeve në formimin e institucioneve të reja! Mbase një ditë Lista Serbe do të akuzohet edhe për instalimin e spiunëve shqipfolës nëpër të gjitha partitë politike shqiptare!
P.S: Ëndrra mundëson satisfaksionin e maskuar të dëshirës në pritje. Interpretimi i saj është ‘rruga mbretërore’ e cila mundëson ndërgjegjësimin e të pandërgjegjshmes gjatë jetës përrallore në luksin e pushtetit pambarim.