[ Shkarko librin në PDF (falas): Lirika daneze – përkthyer nga Arben Çokaj ]
DY FJALË NGA PËRKTHYESI
Dikur merresha me poezi, derisa një aksident i rëndë më ndodhi në Kopenhagë, në mars 1999, i cili ma ktheu jetën me kokë poshtë. Me moshën vjen edhe një pjekje e mendimeve, racionalizimi i tyre, dhe kjo gjitha-shtu ndi¬kon të largohesh disi nga frymëzimi prej emoci-oneve të çastit, momentit, që bën shpesh të burojë edhe poezia.
Mund të kisha vazhduar të merrem me punë të do-bishme, me përkthime etj. pak më shumë se sa kam bërë, por rrethanat e jetës më krijuan probleme të mëdha, saqë më duhej të mbijetoja, para se të mendoja të merrem me veprimtari kulturore shqiptaro-daneze.
Para se të largohem nga Danimarka (2001), pata bërë edhe përkthimin e disa poezive, të marra nga një libër ‘Den Dankse Lyrik’ (Lirika daneze), dhe nga libri ‘Samlede digte’ të Benny Andersen, një pjesë të të cilave i kam përkthyer e përmbledhur në këtë PDF.
Për të botuar një libër me poezi të përkthyera, të duhet të sigurosh të drejtën e autorit/ëve, prandaj po mjaftohem vetëm me këtë libër në PDF (falas), një herë për një herë. Poezitë daneze që kam përkthyer, janë në përgjithësi të bukura, nga autorë të njohur danezë, nuk ia vlejnë të rrinë në sirtar. Ju uroj lexim të këndshëm.
Arben Çokaj
Tove Ditlevsen
KËNGË AMORALE
Është mrekulli të gënjesh – me sytë e mëdhenj blu
të ëndërrosh sipërmarrje, që askush s’i di,
t’i bësh njerëzit të besojnë rrenat kuturu
dhe të gjesh risi, aq shpesh sa do ti.
Është mrekulli të vjedhësh në shitoret e mëdha
ku magazinat i mbufat madhështia e orientit
mallrat përgjatë numrave shtrihen n’hava
çirren ndaj nesh se, paratë shpojnë detin.
Dhe të jesh e lehtë nga mendtë – sa ëmbël të fyesh
të dashurosh e zhgënjesh, e të dashurosh përsëri
çdo orë jete ta kapësh e ta përzgjedhësh,
dhe të jesh pronë e një morie burrash orgji.
Por ah, duhet t’i frenoj dëshirat mëkatare
se mendimi i parajsës është tepër fatalist
– kështu që s’do i dëgjoj më zërat hokatare
ah jo, jam një qenie e virtytshme moralisht.
Ove Abildgaard
KOHA
Koha që banon në mishin tim
është e errët si nata
ose luhatet në dritë si një film pa fotografi
pas syve të mbyllur.
Vdekja që rritet në mishin tim
fle si fëmija në djep.
Malli për asgjë
është konceptimi i jetës.
Forma është objektiv i ligamenteve
ku koha dhe vdekja bashkohen.
Fëmija e shpërthen vrimën e nënës
me kokën drejt tokës.
Benny Andersen
BUZËQESHJE
Unë linda me një gëlthitje
shkëlqyeshëm e prita pagëzimin
qava kur më rrihnin
bërtisja kur bletët më pickonin
por me kalimin e kohës u bëra më tepër danez
mësova t’i buzëqesh botës
fotografistit
mjekëve
policëve dhe ngacmuesit
bëhu banor i vendit të qeshur
buzëqeshja i mban mizat larg dhe trurin e pastër
dhe dhëmbët kanë mirë me dritë dhe ajër
vjen me vonesë
falimenton
të zë makina
vetëm qesh
turistët nuk ndalen
për të parë viktimat e tyre të qeshura
të pastrehët e mjerë
të lënët e kakarisur
unë s’mund ta heq buzëqeshjen
ndërkohë dua të qaj
ose vetën të ngarkohem me valixhe
apo të protestoj kundër buzëqeshjeve të tjera
që mbulojnë kalbësirën dhe etjen për gjak
por buzëqeshja ime është përpara
shpërthen si një bori
iu shqyen kapelet dhe syzet njerëzve
unë mbaj buzëqeshjen tek buzëqeshja
gjysmëhënën e mprehtë timen
ku njeriu vendos hallet për t’u tharë
më duhet të lë kokën mënjanë
kur kaloj nëpër një derë
jam qytetar i vendit të buzëqeshjes
nuk është kaq e lezetshme.