LETRA E TATJANËS DËRGUAR ONJEGINIT

0

Një romantike e qetë dhe e pjekur para kohe, krejt e kundërta e Olgës, Tatjana tërhiqet intensivisht nga Onegini. Menjëherë pas kësaj, ajo ia zbulon shpirtin e saj Oneginit në një letër të zjarrtë, ku i deklaron dashurinë e saj.

Xhelal Zejneli Xhelal Zejneli

Romani në vargje “Eugjen Onjegini” ¬– Pushkin

Po të shkruaj. E ç’mund të bëj diç më mirë se kjo? Ç’mund të të them më shumë? Tani varet prej teje se a do të më shpërfillësh. Por nëse fati im i zi sado pak të trondit dhe të shqetëson, ti nuk do të heqësh dorë nga unë. Në fillim doja të hesht. E po të mos e kisha shkruar këtë letër, ti s’do të kishe kuptuar për dhimbjen time dhe as për turpin që më shkaktojnë këta rreshta. U tregova e guximshme dhe tani shpresoj se përsëri do të na vish. Shpresoj se ndonjëherë do ta vizitosh fshatin tim. Shpresoj të takohemi dhe të kënaqem me zërin tënd. Të të them diçka që pastaj të kem për çka të mendoj. E vetmuar, të vuaj ditë të tëra dhe në netët e gjata, derisa të më vish përsëri.

Si një djalë i veçantë që je, s’e duron dot mërzinë që të shkakton fshati. Ne mbase nuk shkëlqejmë me asgjë, por ndaj të tjerëve jemi të sinqertë. Përse më erdhe këtu në fshat? Në stepën ku jetoj. Po të mos kishe ardhur, unë kurrë s’do të të kisha takuar dhe s’do të kisha ditur se ç’është vuajtja. Pastaj do të isha përpjekur për t’i qetësuar ndjenjat e mia të trazuara. Ndoshta një ditë do të kisha gjetur një shok besnik dhe do të isha bërë gruaja e tij e devotshme, kurse për fëmijët e mi, një nënë e mirë. Kushedi?! Po ndaj të tjerëve?

Oh jo, askujt tjetër në këtë botë, nuk do t’ia kisha falur zemrën. Që atëherë kështu ka qenë e shkruar. Për ty jam dhuratë e qiellit. Jeta ime ka qenë peng i shpresës se do të të takoj midis njerëzve. E di mirëfilli se të dërgoi Zoti, që deri sa të jem gjallë të jesh mbrojtësi im. Më erdhe në ëndërr por ishe i padukshëm. Sytë e tu më ndiqnin kudo.

Shumë kohë më parë në shpirtin tim jehonte një zë. Jo, këtë s’e kam ëndërruar. Sikur e dija se do të vije. Dukesha si e vdekur por ndjehesha edhe e përflakur. Dhe thashë: ishte ai! Më dukej se të dëgjoja – e vetmuar. Më ke folur njëherë kur i ndihmova një lypësi të varfër, kur u luta të ndalen stuhia dhe mundimi në një zemër të dëlirë. A nuk qe ti në atë çast, o fantazma ime e dashur. U humbe në terrin e natës si një hije, pastaj u ktheve dhe u përkule mbi kokën time. Me zë të ulët më the fjalë të sinqerta shprese, fjalë plot dashuri.

Vallë, kush je ti? Rojtari i shpirtit të një vashe apo fryma ogurzi që më tundon. Hiqmi dilemat që po ma zënë frymën. Mos janë këto ëndrrat e mia, lajthitjet e një vajze të re. A mos është diçka krejt tjetër. Sidoqoftë, s’kam se ç’të fsheh. I dorëzohem mëshirës tënde dhe para teje derdhi lot dhimbjeje. Të lus të më marrësh nën mbrojtjen tënde. Këtë kërkoj prej teje. Të të vijë keq se këtu jam e vetmuar. S’kam askënd që të më kuptojë.

Rraskapitem dhe e humbi mendjen, kurse zemra – e heshtur vuan. Po të pres, të shpërthejë një zë në mua. Më kthe në jetë, më gjallëro të paktën me një shikim. Me qortimin e ashpër dhe të drejtpërdrejtë më nxirr nga ky gjumë i rëndë. Oh më nxirr, se mbarova! Kam frikë të lexoj. Nga turpi që t’i shpreh këto ndjenja, më është zënë fryma. Por nderi yt më jep frymë plot jetë, ndaj i dorëzohem atij pa frikë…

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.