Shtatore Gjergj Kastrioti – Lezhë
Me rastin e 581-vjetorit të Kuvendit të Lezhës
Xhelal Zejenli
Kuvendi i Lezhës njihet edhe me emrin Lidhja e Lezhës ose Lidhja shqiptare e vitit 1444. Kjo lidhje paraqet të parin bashkim politiko-ushtarak mbarëshqiptar i njohur në historinë e Shqipërisë. U krijua me vendimin e Kuvendit që u mbajt në Lezhë më 2 mars 1444. Kuvendi u thirr apo u konvokua nga Gjergj Kastrioti – Skënderbeu (1405-1468). Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë princër të njohur shqiptarë, si: Gjergj Arianiti (? – rreth V. 1463). Ishte një nga figurat historike kryesore të shekullit XV, pjesëmarrës dhe udhëheqës i shquar në luftën kundër pushtimit osman. Zotërimet e tij shtriheshin në viset malore të Shqipërisë Qendrore dhe Juglindore dhe në zonat gjatë luginës së Shkumbinit. Grua e Gjergj Arianitit ishte Maria Muzaka (? – 1449). Vajza e tyre Andronika (Donika) Kastrioti (1428-1506) është grua e Gjergj Kastriotit.
Pjesëmarrës të tjerë të Besëlidhjes së Lezhës ishin Andrea Topia, Nikollë Dukagjini dhe i vëllai Pal Dukagjini. I biri i Palit ishte Lekë Dukagjini. Dukagjinët ishin familje sunduese feudale e shekujve XIV-XV. Zotërimet e saj shtriheshin në Shqipërinë e Veriut. Pjesëmarrës tjetër i Lidhjes së Lezhës ka qenë edhe Teodor Muzaka i Riu dhe pjesëtarë të tjerë të kësaj familjeje. Muzakët ishin familje feudale në Shqipërinë e Jugut në shekujt XIII-XV. Pjesëmarrës i Kuvendit të Lezhës dhe anëtar i Lidhjes shqiptare që doli nga ky Kuvend, ka qenë edhe Lekë Zaharia (?-1445). Pjesëmarrës i Kuvendit ka qenë Lekë Dushmani. Për një kohë ky qëndroi edhe si anëtar i Lidhjes shqiptare që u themelua atje.
Dushmanët ishin familje feudale. Zotërimet e tyre shtriheshin në Pultin e Vogël në krahinën e Shllakut. Pjesëmarrës i Kuvendit ishte edhe Gjergj Stres Balsha. Pjesëmarrës ishte edhe Pjetër Spani (shek.. XV). Ky ishte zotërues i Pultit në Shqipërinë e Veriut, pinjoll i familjes feudale të Spanëve, bashkëkohës i Gjergj Kastriotit. Në Kuvendin dhe Lidhjen shqiptare të Lezhës mori pjesë me të kate bijtë. Në Kuvendin e Lezhës morën pjesë edhe përfaqësues të malësive shqiptare, përfshi edhe sundimtarin e Malit të Zi Stefan Çernojeviqin.
Lidhja e Lezhës u krijua me vullnetin e sundimtarëve të vendit, të cilët, duke nxjerrë mësim nga përvoja e së kaluarës, përpara rrezikut që u kanosej nga pushtimi osman, lanë mënjanë divergjencat e ndasitë dhe vendosën t’i bashkojnë forcat politiko-ushtarake dhe ekonomike të vendit. Për këtë qëllim, Lidhja e Lezhës mori masa për të krijuar një ushtri të përbashkët dhe një arkë lufte, si organe të veta. Lidhja e Lezhës e shpalli Gjergj Kastriotin kryetar të saj dhe njëkohësisht me titullin “Kapedan i Përgjithshëm”, komandant epror të ushtrisë, d.m.th. kryekomandant. Ushtria do të përbëhej prej reparteve të rekrutuara në zotërimet e secilit prej anëtarëve të Lidhjes, të cilët do të mbanin komandën e këtyre reparteve dhe do të jepnin një kontribut në të holla për mbajtjen e ushtrisë. Si në arkën e luftës, ashtu edhe në ushtri, principata e Kastriotëve jepte kontributin më të madh.
Në Lidhjen e Lezhës secili prej pjesëmarrësve ruante autonominë e vet politike. Gjergj Kastrioti si kryetar i saj nuk e kishte të drejtën të ndërhynte në zotërimet e sundimtarëve të tjerë. Megjithëkëtë, caktimi i një udhëheqësi politik dhe ushtarak unik ishte një hap që ndihmonte për kapërcimin e përçarjes feudale. Mjetet e bashkuara të Lidhjes së Lezhës dhe komanda unike krijuan kushte më të mira për organizimin e mbrojtjes së vendit.
Konsolidimi i Lidhjes së Lezhës, falë edhe mbështetjes së fuqishme të popullit, i dha Gjergj Kastriotit, si udhëheqës i saj, mundësinë që t’u bënte ballë me sukses situatave të vështira të një lufte të gjatë, e cila nganjëherë u zhvillua në dy fronte, kundër osmanëve dhe kundër Venedikut, si dhe në kushte të shkëputjes së disa anëtarëve prej Lidhjes së Lezhës.