Autore: Elife LUZHA
Të dashur lexues,
Në intervistën e tij të fundit në emisionin “PIKË me Veton Surroin”, z. Azem Vllasi ripërsëriti qëndrimet e tij në mbështetje të një regjimi tashmë të dështuar, duke vazhduar me tone përçmuese dhe etiketime poshtëruese ndaj protestave studentore të vitit 1981, në një kohë kur vetë ai ishte pjesë aktive e aparatit shtypës të regjimit jugosllav.
Ngjashëm ishte deklaruar edhe gjatë një interviste televizive në vitin 2010, për çfarë pata reaguar me një shkrim, të cilin po e risjell para jush.
Sepse, kur historia deformohet, reagimi nuk është zgjedhje – është obligim.
Krimet e luftës nuk vjetrohen kurrë
“Nacionalizmi i ka lëshuar thellë rrënjët në institucionet arsimore dhe në disa fusha të krijimtarisë… Propaganda armiqësore është futur sistematikisht atje ku ne, me aktivitetin politik, nuk kemi qenë të pranishëm… Armiku doli me parullat, qëllimet dhe planet që janë përgatitur në shtabet e fuqive reaksionare, të cilat gjithmonë kanë punuar dhe punojnë kundër Kosovës dhe Jugosllavisë vetëqeverisëse dhe socialiste… Procesi i diferencimit duhet të jetë i tërësishëm…”
Kështu ka deklaruar z. Azem Vllasi në mbledhjen e 17-të të Komitetit Krahinor të LK-së së Kosovës, mbajtur më 5 maj 1981 në Prishtinë.
Ishte kjo dita, kur në Kaçanik, nën parullën ”Kosova Republikë”, u demonstrua kundër vrasjeve dhe burgosjeve që po i bëheshin rinisë dhe intelektualëve shqiptarë anekënd Kosovës nga pushtuesi gjakësor serbo-sllav dhe bashkëpunëtorët e tyre. Ishte kjo dita kur diferencimi, burgosja e kriminalizimi i rinisë dhe i intelektualëve shqiptarë – i kërkuar publikisht edhe nga z. Azem Vllasi – mori përmasa të papara, duke mos kursyer as fëmijët.
E them këtë, sepse unë vetë isha e përndjekur dhe e diferencuar, qysh në moshën 15-vjeçare.
Më 25 shtator 1981, bashkë me vëllain tim, Kadriun, u përjashtuam nga shkolla me vendim të gjykatës në Kaçanik, sipas ligjit dhe statutit të QAMO ”Tito”, për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat armiqësore të 5 majit 1981. Më pas, u arrestuam dhe u kriminalizua e tërë familja, duke mos kursyer as nënën tonë.
Për ta dëshmuar këtë që po them, po paraqes disa nga të dhënat të gjetura gjatë hulumtimit në arkivin e komunës së Kaçanikut, ku thuhet:
Në mbledhjen e Komitetit Komunal të LK-së në Kaçanik, të datës 6 maj 1981, në kuadër të procesit të diferencimit ideo-politik, janë verifikuar 70 protestues, nga LK janë përjashtuar 14 persona, 3 punëtorë të arsimit janë pushur nga puna, 6 veta janë dënuar me burg, 5 studentëve u janë ndërprerë bursat, ndërsa dy kryetarë janë shkarkuar nga detyra…
Në mbledhjen e Komitetit Komunal të MPPsë dhe VMSH-së, mbajtur më 08.09.1981, u shqyrtua lista e nxënësve të QAMO-së, të cilët janë dënuar me përjashtim nga shkolla, për shkak të daljes në demonstrata, bojkotimit të mësimit dhe përkrahjes së veprimtarisë armiqësore më 05.05.1981 e 25.05.1981, në diferencimin ideor më 16.05.1981, 19.05.1981 dhe 20.05 1981
Vendimi ishte; të mos u lejohet regjistrimi në vitin shkollor 1981/82: Nxënësve të dënuar me burg për kundërvajtje dhe vepër penale për pjesëmarrje në demonstratat armiqësore, si:
– Kadri Ilmi Luzha, kl. IV
– Emrush Ismaili Mulaku, kl. IV
– Fadil Nazmi Dullovi, kl. IV
– Elife Ilmi Luzha, kl. I…
…vazhdojnë tutje edhe emrat e 20 nxënësve të tjerë (Informata nr. 199-1, më 10.09.1981).
Këto ishin vetëm fillimet e procesit të diferencimit, kriminalizimit e burgosjes së rinisë dhe intelektualëve në rajonin e komunës së Kaçanikut, ndërsa sipas statistikave, gjatë periudhës 1981-1990, kriminalizimi i rinisë dhe i shqiptarëve anekënd Kosovës arrin numrin 700 000.
1. Kriminelët kthehen në vendin e krimit
Ajo që më shtyu të shkruaj këtë shkrim, është përgjigjja e dhënë nga z. Azem Vllasi më 25 maj 2010, në një intervistë për “Klan Kosova”, në edicionin e lajmeve të orës 20:00 më 25 maj 2010, në përvjetorin e ditëlindjes së Tito-s, apo siç quhej atëherë Dita e Rinisë Socialiste. Në pyetjen e gazetarit se çfarë mendimi kishte për 25 majin, si ish-kryetar i Rinisë Socialiste në ish-Jugosllavi, z. Azem Vllasi, me buzëqeshje u përgjigj” “Për mu ajo ishte histori e mirë”.
Duke e njohur z. Vllasi qysh në kohën kur u përjashtova nga shkolla e që pasoi edhe me burgosjen time, nuk u befasova nga përgjigjja e tij. Nuk kishte se si të përgjigjej ndryshe. Puthadorët e tipit si Azem Vllasi pas çdo dhune të ushtruar kundër rinisë e intelektualëve shqiptarë, shpërbleheshin nëpër sallone me qumësht e mjaltë nga kazanët e Beogradit, ndaj si mos të ishte ajo kohë ”histori e mirë” për të?
Thënien e vjetër se “krimineli kthehet në vendin e krimit” e bën edhe më të besueshme deklarimi i z. Azem Vllasi, bërë në televizion. Nostalgjia prej shërbëtori të bindur, bën që azemvllasët të kujtojnë “kohërat e mira” të tyre. I dehur nga nostalgjia për kohërat e shkuara dhe ndjesia e komoditetit në të cilën po kalon, siç duket e kanë bërë Azem Vllasin ta humbë arsyen dhe të harrojë realitetin e kohës ku po jeton. As kallëzimi penal, i bërë nga deputeti, Nait Hasani, ku figuron emri i z. Azem Vllasi, siç duket nuk ia kanë lëkundur ndjesinë e komoditetit e të ëndërrimtarit të “historive të mira” që i gëzoi në Jugosllavinë socialiste.
Por “liria e atdheut ndërtohet mbi hirin e të rënëve”, e jo nga pakurrizorët e sojit Vllasi. Tipa të këtij lloj soji, as që dinë se çfarë është atdheu, as që dinë se çfarë është kombi.
2. Heshtëm për hir të Kosovës dhe dëshmorëve të kombit.
Sot jetojmë në realitetin e shtetësisë së Kosovës, ëndërr e mijëra shqiptarëve të rënë. Atdhetarët vepruan dhe u flijuan për të mirën e përgjithshme dhe e mira e përgjithshme ishte Kosova e tyre e dashur dhe e lirë. Të rritur nën kërbaçin serbo-çetnik, ata nuk e njohën nënshtrimin, as dëfrim nëpër sallonet ku flitej sllavishtja.
Shteti i Kosovës u formua nga bijtë e saj më të mirë. Nuk na nevojitet të studiojmë shumë, që të dimë për bëmat e atyre që kontribuuan për shtetin e Kosovës. Ashtu siç nuk ka nevojë as për ndonjë studim të veçantë për të dalluar bëmat e keqdashësve kundrejt shtetit të Kosovës dhe kombit në përgjithësi.
Autori Enver Robelli kritikoi kallëzimin penal të deputet Nait Hasani, për të dhënë llogari të gjithë ata që ishin pjesëmarrës të krimit dhe gjenocidit në kohën kur Kosova ishte e pushtuar, pasi për t‟u realizuar një gjë e tillë, sipas tij, po na u nevojitka një studim serioz historik! Por, a mund të ketë dokument më të fuqishëm se sa dëshmitarët e gjallë?
Janë pikërisht ata atdhetarë, që deri tani i kanë heshtur këto fakte. Dhe jo se ua patën frikën bandave puthadore sllave, por për hir të shtetit të Kosovës e dëshmorëve të kombit, për hir të atyre që e ëndërruan Kosovën e lirë e të bashkuar.
Jam e vetëdijshme se nuk duhet cenuar liria e tjetrit. Por, në këtë rast do të doja t’u dërgoja një mesazh të gjithë atyre që, në një mënyrë apo në një tjetër, janë të përfshirë në krimet e ish-sistemit sllavokomunist, që të paktën për hir të rënëve, të mbijetuarve të masakrave kriminale dhe të fëmijëve të dëshmorëve, t‟u shmangen paraqitjeve dhe deklarimeve të tilla si ato të Azem Vllasit, ku haptas shprehet admirimi për kohën që solli shumë gjak e lot për nënat shqiptare.
Deklarimet e tilla provokojnë katërçipërisht të gjithë ata që ende jetojnë me tmerret e krimit. Do të doja gjithashtu, t’u dërgoj një mesazh të gjithë bashkëpjesëmarrësve në krime, se krimi i luftës nuk vjetrohet kurrë, zaten këtë na e dëshmojnë të gjitha dokumentet dhe përvojat ndërkombëtare.