Kosova mes të mundshmes dhe të dëshiruarës!

0
Kosova - eksodi

Shkruan: Florim Zeqa, 30.03.2022

Pas pushtimit rus të Ukrainës, më ka rënë të lexoj shkrime dhe opinione të ndryshme për (pa) mundësinë e ripushtimit të Kosovës nga Serbia dhe mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë!

NATO, forca mbrojtëse dhe garantuese e lirisë sonë

Në mes të mundshmes dhe të dëshiruarës është një distancë e gjatë, e cila kërkon punë të madhe, pragmatizëm dhe analizë e thellë politike, koordinim me miqët ndërkombëtar dhe forcat politiko-ushtarake të SHBA-ve dhe NATO-s.

Çdo dalje jashtë këtyre kornizave quhet avanturë e rrezikshme politike!

Këtë që e themë e bazojë në faktin se Kosova ende është shtet i pakonosliduar, pa zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe i panjohur nga instancat më të larta ndërkombëtare (BE dhe OKB), me një ushtri në transformim e sipër, pa armatim të rëndë dhe artileri, pa helikopter dhe aeroplan ushtarak, me një mbikëqyrje dhe mbrojtje të sovranitetit nga forcat e NATO-s (KFOR-i).

Edhe pse ideja e bashkimit kombëtar është ide briliante dhe ëndërr e kahmotshme e shumë gjeneratave në vijimësi, nuk përkon me realitetin dhe rrethanat e kohës në të cilat po jetojmë.

Shpallja e pavarësisë dhe njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës janë arritura më e madhe e shekullit dhe hapi më i madh drejt bashkimit kombëtar.

Edhe pse u derdh shumë gjak dhe u bënë skrifica të panumërta, deri tek kjo e arritur historike nuk mundëm të arrijmë vetëm pa ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, respektivisht pa ndihmën e SHBA-ve dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Europian.

Pra na u deshtë intervenimi më i madh i aleancës më të fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë historia për të ndaluar krimet, dhunën dhe spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës i cili zgjati plotë 78 ditë e netë pandërprerë i cili rezultoi me çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Edhe 23 vjet më pas, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake BONDSTEEL konsiderohen forca kryesore mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.

A jemi të zotët ta ndalim ripushtimin e Kosovës nga Serbia?!

Kjo pyetje u parashtrohet rrahagjoksëve të ditëve të sotme, atyre që nuk e bënë rezistencën paqesore, luftën dhe as paqen, nuk e ndihmuan shtetformimin dhe as shtetndërtimin e Kosovës!

Kurse sot, të veshur në petkun e pushtetit, me popullizëm e aktrojnë “çlirimtarin” dhe “mbrojtësin” e lirisë sonë!

Kjo përveqse papjekuri politike, është avanturë e rrezikshme për ekzistencën e shtetit!

Vendimet politike të qeverisë aktuale duhet të jenë të matura mirë dhe të koordinuara me partnerët ndërkombëtar. Në të kundërtën, çdo veprim i njëanshëm mund t’na çojë në theqafje politike dhe në dëmtim të të gjitha të arriturave shekullore!

Një herë ka zbritur mrekullia nga qielli për shqiptarët

Në rrethanat aktuale, kërkohet mençuri dhe pragmatizëm politik për të nxjerrur më të mirën për vendin në mes të mundshmes dhe të dëshiruarës! Nuk kemi arsye të ndjehemi pesimist për të ardhmen e vendit tonë, por as t’i krijojmë iluzione vetes për të arritur të pamundurën në këtë kohë, pasi na mungojnë dy gjëra elementare; kapacitet ushtarake dhe ekonomike për të rikthyer territore dhe për t’u përballur të vetëm me agresionin e mundshëm serb ndaj vendit tonë!

Ka ikur koha e krijimit të miteve të “liderëve të përmasave botërorë”, por është koha për një lider të përmasave shtetëtore i cili arrinë të krijojë unitet të njëmend të skenës politike kosovare.

Lider në kuptimin më të mirë të fjalës konsiderohet ai politikan apo politikane që me urti dhe dashuri arrinë t’i bashkon rreth vetes qytetarët e vendit pavarësisht pikëpamjeve politike apo ideologjike dhe të fiton mbështetjen e ndërkombëtarëve, siq kishte ndodhur në fillim-vitet e ’90-ta me presidentin historik Ibrahim Rugova.

Mirëpo, gjërat kanë ndryshuar nga ajo kohë, sikurse që kanë ndryshuar edhe rrethanat gjeostrategjike dhe gjeopolitike në botë, e në veqanti pas agresionit rus në Ukrainë! Për këtë arsye nuk guxojmë të jetojmë në iluzionin e përseritjes së mrekullisë, për shkak se ajo vetëm një herë ka zbritur nga qielli për shqiptarët!

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.