OE24.at – Përktheu Arben Çokaj
Një studim i Universitetit Brown tani tregon një ushqim, që mund të rrisë ndjeshëm rrezikun e kancerit të lëkurës.
Kanceri i lëkurës është një nga llojet më të zakonshme të kancerit. I ashtuquajturi kanceri i zi i lëkurës është zakonisht përgjegjës për një ecuri fatale. Sipas një studimi të ri, ngrënia e peshkut rrit rrezikun e këtij lloji të kancerit të lëkurës.
Studimi
Për studimin e tyre, studiuesit e Universitetit Brown përdorën të dhëna nga 491,367 njerëz të identifikuar si pjesë e Studimit të Ushqimit dhe Shëndetit të Institutit Kombëtar të Kancerit NIH-AARP. Në fillim të mbledhjes së të dhënave, subjektet, të cilët ishin mesatarisht 62 vjeç dhe të shëndetshëm në atë kohë, deklaruan se sa i lartë kishte qenë konsumimi i peshkut në vitin e kaluar. Në këtë mënyrë, ata i informuan studiuesit se sa rregullisht hanin peshk të pa skuqur dhe të skuqur dhe sa të mëdha ishin porcionet e tyre.
Duke përdorur informacione që mbulojnë një periudhë 15-vjeçare, studiuesit e Universitetit Brown analizuan lidhjen midis ngrënies së peshkut dhe zhvillimit të kancerit të lëkurës. Ata gjithashtu morën parasysh faktorët sociodemografikë dhe indeksin e masës trupore të pjesëmarrësve.
U morën parasysh aktiviteti fizik, pirja e duhanit, kanceri në familje, konsumi ditor i alkoolit, kafeinës dhe kalorive si dhe rrezatimi mesatar UV në mjedisin e pjesëmarrësve.
Gjatë periudhës së studimit, 5034 subjekte kanë zhvilluar kancer të lëkurës, më saktë: melanoma malinje. Ka pasur edhe 3284 raste të melanomës in situ, në fazën e hershme të melanomës malinje. Analiza e shkencëtarëve tregoi se konsumimi i lartë i peshkut rrit rrezikun e të dy formave të kancerit të lëkurës.