Këshillat kombëtare si janë duke funksionuar, pa ingerenca dhe pa mbeshtetje financiare programore si të tillë janë dekor i qeverisë, e jo në favor të avancimit të vlerave autentike të popujve përkatës.
Nga ana tjetër kemi edhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare, siç është rasti me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) me mos mbajtjen e zgjedhjeve për elektor të rinjë, sepse i ka kaluar mandati tash 15 muaj (qershor 2022), qe është veprim i papërgjegjshëm, ku ndonëse është formuar komisioni përkatës, ai nuk e ka kryer detyrën e vet, që nuk mund të arsyetohet më asgjë, nga del se një subjekt i tillë është privatizuar dhe nuk është në shërbim të shqiptarëve.
Dr. Nail Draga
Në sajë të përbërjes heterogjene të popullsisë Mali i Zi është shtet i veçantë në Evropën Juglindore, andaj edhe themelimi i këshillave kombëtare(2008) si subjekte të veçanta ishte risi në skenën politike në këtë mjedis. Me një veprim të tillë pushteti ka dashur të dëshmojë kapacitetin demokratik para faktorit ndërkombëtar kur janë në pyetje popujt pakicë. Por, themelimi, organizimi, përmbajtja e financimi nga formimi i tyre dëshmoi se ata më shumë janë dekor të pushtetit, se sa në favor të avancimit të çështjeve nacionale e qytetarëve të pjesëtarëve të popujve përkatës. Një dukuri e tillë ka të bëjë në veçanti për ne shqiptarët, si i vetmi popull me përkatësi etnike josllave.
Këshillat si organizata joqeveritare
Duke qenë subjekte qeveritare por qe iu ngjasojnë organizatave joqeveritare, ata janë pa ingerenca vendosëse, dhe si të tilla janë vetëm këshilldhënëse. Dhe nga një qasje e tillë jovendimmarrëse ata nuk e kanë arsyetuar vetën. Raste për të dëshmuar ka mjaft, ku më e veçantë është dhënia e mendimit për drejtorat e shkollave më mësim në gjuhën shqipe, që nuk përfillet nga ministri i arsimit, sepse ai vendosë sipas shijes personale dhe përkatësisë partiake e jo vlerave profesionale e shoqërore.
Përfaqësimi politik i panevojshëm
Përveç elektorëve të zgjedhur me votë, pjesë e KKSH janë edhe përfaqësuesit politik të subjektëve politike si kryetar partie, deputet, ministër, kryetar komune e kuvendi, nga të gjitha komunat ku shqiptarët janë popullsi autoktone. Një numër i tillë nuk është i vogël, madje janë të barabartë me elektorët e zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë. Por, përvoja e deritashme dëshmon se një numër i përfaqësuesve të tillë politik e kanë injoruar KKSH, duke mos marrë pjesë në mbledhje, madje nga themelimi i tij.
Me një qendrim të tillë ata kanë dëshmuar se nuk iu intereson roli dhe funksioni i këtij subjekti që sipas ligjit është përfaqësues i shqiptarëve. Si duket nga partitë politike këtë subjekt e shohin si konkurrent në çështjet të cilat duhet të trajtohen për avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në Mal të Zi. Andaj, ata si të tillë janë të panevojshëm, ku ndryshimi i ligjit për zgjedhjen e elektorëve duhet të definojë qartë pjesëmarrjen e tyre në këshillë. Sepse ata si numër formal madje janë pengesë edhe për kuorum për mbajtjën e mbledhjeve të cilat edhe ashtu janë të rralla. Në këtë aspekt do të ishte ma e logjikshme qe përfaqësuesit e politikës të mos jenë fare anëtarë të këshillave, sepse ata si pjesë të subjektëve politike nëse duan mund të angazhohen për çështjet të cilat janë pjesë e programeve partiake.
Duhet inicuar ndryshimin e ligjit
Në këtë drejtim përgjegjësi mbajnë partitë politike të shqiptarëve si përfaqësues të tyre autentik, sepse nuk kanë treguar interesim për të inicuar ndryshimin e Ligjit të pakicave në lidhje mbi funksionimin e këshillave kombëtare. Pa një ndryshim të tillë përmbajtësor subjekti i tillë do të vazhdojë të jetë dekor i qeverisë, pa ndikim në avancimin e pozitës dhe të statusit të shqiptarëve në këtë mjedis.
Shqiptarët por edhe pjesëtarët e popujve të tjerë në Mal të Zi, kanë nevojë për Këshilla si subjekt dinjitoz në përfaqësim të tyre, e jo të jetë formal, pa asnjë ingerencë, por vetëm të shpreh mendimin e vet, e cila nuk obligon askënd si në pushtetin lokal e ate qendror. Pa ndryshime ligjore, organizative, zgjedhore, përmbajtësore e kadrovike si të tilla këshillat janë të dëmshme për pjesëtarët e popujve përkatës, andaj si të tillë janë të panevojshëm!
Çështje që është dashur të trajtohen
Nuk ka dilemë se angazhimi i çdo këshilli për pjesëtarët e popujve qe përfaqësojnë paraqet temë e cila meriton qasje të veçantë. Në këtë aspekt sa i përket KKSH janë shumë çështje të cilat është dashur të trajtohen dhe të marrin drejtimin e duhur jo vetëm nga kjo përbërje e Këshillit por edhe ma herët, por për fat të keq mungojnë rezultatet.
Këtu kryesisht mendoj për çështjet e identitetit kombëtar nga fusha e arsimit dhe e kulturës, sepse edhe në pluralizëm vazhdojmë të jemi të diskriminuar. Ndërsa, nga ana tjetër ka qenë e nevojshme të punohet platforma politike për shqiptarët në Mal të Zi, e cila duhet të jetë obligim për partitë politike të shqiptarëve në këtë mjedis. Ndërsa mos angazhimi për një platforme të tillë është dështim i përbashkët, e sidomos për subjektët politike të shqiptarëve, të cilat e kanë pjesë të programeve partiake. Por, për një qasje të tillë KKSH në përbërjen e tij duhet të ketë persona profesionist të dëshmuar, me autoritet shoqëror dhe duhet të vlerësohet meritokracia, e jo si deri tash të dirigjuar e të zgjedhur nga partitë politike duke eliminuar individet nga shoqëria civile.
Gazeta “Koha Javore” me pengesa subjektive
Nga viti 2001 ka filluar të botohet gazeta”Koha Javore”, e cila del një herë në javë, fillimisht në kuadër të SHB “Pobjeda” e nga viti 2015 në kuadër të KKSH-së. Kjo gazetë javore është e vetmja në shqip në Mal të Zi dhe financohet nga buxheti qeveritar.
Ndonëse kësaj gazete mund t´i bëhen vërejtje, por në sajë të kushtëve dhe rrethanave shoqërore, ajo arriti të vazhdojë të jetë tribunë mediatike, për të gjithë ata që duan dhe dijnë të shkruajnë shqip për çështjet e ndryshme shoqërore, politike e kulturore.
Nga ana tjetër duhet theksuar se Këshilli Programor i “Kohës Javore” ka pengesa subjektive nga ana e kryetarit të KKSH-së, sepse nuk mund të realizojë vendimet e miratuara. Pikërisht, duke marrë parasysh këto çështje ka qenë e udhës që KKSH të organizojë takim të veçantë kushtuar “Kohës Javore”, duke u informuar nga kryeredaktori i “Kohës Javore” si dhe nga Këshilli Programor, por deri më tash nuk ka ekzistuar një interesim nga ana e tyre për këtë medie të vetme në shqip. Madje, nëse rastësisht do të pyetej ndonjë anëtarë i KKSH-së se kur për herë të fundit e keni lexuar gazetën “Koha Javore”, përgjigja do të ishte dëshpruese.
Duke marrë parasysh se gazeta “Koha Javore” përgatitet nga kryeredaktori dhe dy gazetarë(!?) dalja e saj si javore është meritë e bashkëpunëtorëve, sepse pa ndihmën e tyre do të ishte e pamundur. Por, një ndihmë e tillë nga bashkëpunëtorët nuk vlerësohet nga ana e kryetarit të KKSH-së, madje ka edhe pengesa për ndarjen e mjeteve qe janë miratuar në buxhetin vjetor(2022).
Por, këtu kemi edhe një paradoks tjetër sepse në lidhje me planin financiar vjetor të “Kohës Javore” për vitin 2022 e 2023 në shumën prej 150.00.00 euro nga buxheti i shtetit kryetari i KKSH-së nuk është konsultuar fare si me ish-kryeredaktorin,ashtu edhe me atë aktual, por as Këshilli Programor i gazetës. Mos koordinimi dhe mungesa e transparencës financiare nga ana e KKSH-së hap dilema të spekulimeve dhe të keqpërdorimit, jo vetëm të pozitës zyrtare.
Pavarësisht se si do të rrjedhin çështjet me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në të ardhmën gazeta “Koha Javore”, duhet të vazhdojë të vijojë daljën, duke qenë e vetmja si e tillë në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Privatizimi i Këshillit
Dukuria e mos respektimit të afatit ligjor, si virus që është i pranishëm të partitë politike është e pranishme edhe të këshillat kombëtarë. Rastin tipik e kemi të KKSH-ve, sepse nga qershori i vitit të kaluar(2022) ka kaluar afati i përbërjes së tij, por ende nuk janë mbajtur zgjedhjet për elektorë të rinj.
Një veprim i tillë nuk mund të arsyetohet më asgjë, kur dihet se për mbajtjen e tyre zgjedhjeve është formuar komisioni përkatës i Këshillit Kombëtar Shqiptar, i cili nuk ka kryer obligimet e marra. Kemi të bëjmë me papërgjegjësi, si akt i mosrespektimit ligjor duke e privatizuar KKSH-në për interesa personale!
Ndërsa mos informimi me kohë i anëtarëve te Këshillit Kombëtar dhe opinionit për mos mbajtjën e zgjedhjeve për elektorë është dëshmi e mungesës se guximit të ballafaqohen me realitetin në skenën shoqërore.
(Shtator 2023)