KAҪAKU I FUSHËS

0
Kalosh Çeliku

NGA KALOSH ҪELIKU

Gjatë Mbrëmjeve të Poezisë Strugane, organizatori mua dhe Kaçakun e Fushës, si “nacionalistë” dhe “irredentistë”, “armiqë të rrezikshëm” ndaj “vëllazërim – bashkimit” jugosllav, shtetit të “përbashkët”, na vëndosi në Hotel “Beogradi”. Provokimi tyre i radhës, se: pas Luftërave të UҪK -ës 1998 – 1999 në Kosovë, dhe 2001 në IRJ të Maqedonisë, ne si kaçakë mali e fushe në letërsi do ta refuzonim strehimin e tyre në mes të Strugës. Qytet, në kufirin politik shqiptaro – shqiptar. Hotel, ku në vizitë mua më erdhi edhe Mikja Poete vendase e paftuar në këto takime poetike ndërkombëtare me veshje politike. E shtruam me pije “hallall”, raki rrushi dhe verë së bashku në dhomë kokë më kokë.

Dikur, Kaçaku i Fushës tha:

– Unë, do të shkoj ta pres agimin me poezi në Hotel “Drim”! Tjetër, fushëbetejë. Përinatë, organizatorëve “vëllezër” të Njerkës. Kohën e fundit, nuk i trembem askujt në Bregliqe. Tekefundit, as edhe Zonjës Vdekje, kur pasmesnate më troket në derë.

– Nuk ka problem, i thashë. Përderisa, ti do ta presësh agimin me poezi në Hotel “Drim”, unë me Miken Poete do ta përcjellim Natën, dhe presim agimin në Hotel “Beogradi”.
Pasmesnate, Kaçakut të Fushës iu mërzitë poezia në Hotel “Drim”. Dhe, vendosi të mos e pres agimin. U kthye në Hotel “Beogradi”. Përçudi, e gjeti derën e mbyllur me çelës. Trokiti në derë, por askushi nuk ia hapi derën. Përbrenda, thashë, me vete: Shko dëgjo poezi në Hotel “Drim”! Sonte, unë dhe Mikja me poezi e presim Agimin në Hotel “Beogradi”.

Ditën e nesërmen me Kaçakun e Fushës, u takuam në restorantin e hotelit. Erdhi, dhe u ulë në tavolinën tonë me mëngjesin.

– Pse, tha: nuk ma hape mbrëmë derën?

– Me siguri më paska zënë gjumi, iu përgjigja. Po ti, a nuk shkove me poezi ta presësh agimin në Hotel “Drim”?

– Jo, u përgjigjë. Unë mendova, mos ke vdekur?!

– Po, i thash: vdiqa mbrëmë me Miken Poete, duke lexuar poezi e pi verë. E përcollëm Natën e Madhe. Dhe, u ringjalla, e pritëm Agimin. Diellin me rreze të na trokasë në dritare.
– Po, ti ku fjete? A, nuk shkove me poezi në Hotel “Drim” ta presësh agimin?!

– Po, vetëm dikur u mërzita me poezinë, dhe u ktheva në Hotel “Beogradi” ta presim së bashku agimin me verë. Edhe, e gjeta derën e dhomës të mbyllur me çelës. Disa herë trokita në derë, por askush nuk ma hapi derën. Dikur, vendosa të kërkoj ndihmë te recepcionistja. I thashë: ai i çmenduri nuk ma hapë derën. Mos, i ka ndodhur ndonjë e keqe, ka vdekur mes poezive?!

– Edhe?

– Ҫka, edhe. Ajo, pasi buzëqeshi, ma dha çelësin e një dhome tjetër ta kaloj natën. E prita agimin pa poezi dhe Dy shtama me verë i vetmuar në Hotel “Beogradi”…

(Nga libri me tregime: SYRI KEQ – Shkup, 2023).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.