Jasharët – simbol i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës

0
Shtëpia e familjes Jashari

Ibrahim Kabili Sa herë rrezikohet liria shqiptarët kujtojnë Drenicën. Drenica është Kosova, Drenica është Shqipëria! Së bashku me trojet e tjera, këtu frymon e gjithë shqiptaria. Me Drenicën dhe figurat e saj mer udhë dhe konsolidohet historia. Historia është mësuesja më e madhe për çdo popull dhe për secilin vend. Natyrisht kjo mbetet si devizë aktuale edhe për shqiptarët. Kur themi për shqiptarët kjo merr dhe një vlerë edhe më të madhe pasi ne jemi i vetmi komb, ndoshta, ku historia na ka ndëshkuar rëndë… Jo thjeshtë historia por na ka penalizuar si komb padrejtësia! Këto padrejtësi të fqinjëve tanë, të ” noterizuara” nga Fuqit e Mëdha, na e shqyen trupin tonë të përbashkët. E kanë bërë atë të lëngojë në mënyrë sistematike në shumë periudha të historisë. Shkaku kryesor, grykësia dhe pangopësia e fqinjëve tanë ndaj nesh, ndaj territoreve tona… Kjo është historia.

E diel 06.03.2022 ditë me shi. Kohë të vështira në Ukrainë. Bomba dhe predha të pafundme kundër Ukrainës dhe popullit martir të saj… Dhimbje për ngjarjet dhe ndodhitë njerëzore atje. E tillë ka qenë, është dhe do të mbetet politika sllave në Evropë, Ballkan dhe më gjerë… Shpresojmë që alatët të qëndrojnë gjatë në qëndrimet e tyre ndaj Rusisë dhe Putinit dhe Ukraina ta fitojë këtë luftë… Shpresojmë! Shpresa vdes e fundit…
Ndërkohë që unë hedh këto radhë në orën 07.20 mar njoftimin se mbrëmë rreth orës 19.30 ka ndodhur një aksident i rëndë. Për pasojë ka gjetur vdekjen në moshën 21 vjeçare ish nxënësi i shkollës së mesme, Alkedi. Varrimi i tij u bë me një ceremoni të madhe ku morën pjesë qindra vetë. U prehtë në paqe shpirti i Kedit tonë të mirë! Ndjesë për këtë paragraf por,pa të unë nuk do të isha i qetë me ndërgjegjjen time…

Adem - Hamzë Jashari

Historia e Kosovës dhe ajo kombëtare ka patur një cikël të gjatë dhe me kthesa zhvillimi. Ajo ka qenë e dhimbshme për nga padrejtësitë që na janë bërë, dhe e lavdishme për nga qëndresa dhe arritjet gjatë cikleve të zhvillimit të saj… Në këto kthesa të mëdha ajo ka patur edhe protagonistët e saj. Këto figura të mëdha i kanë dalë zot kombit dhe kanë ndryshuar pozitivisht fatet e tij… Kjo u duk edhe në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998-1999. Kjo luftë heroike çoi në çlirimin e Kosovës, fitoren e lirisë dhe shpalljen e pavarësisë. U krijua shteti i dytë shqiptar, ai i Kosovës. Falë saj Kosova u bë shtet sovran dhe i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 115 shtete. Ajo e pagoi me shumë gjak lirinë… E megjithatë, liria ka një emër të madh, UÇK-në! Ajo u arrit falë luftës, komandantit të saj legjendar Adem Jashari, herojve të Kosovës, popullit të saj, falë mbështetjes së perëndimit dhe NATO-s.

Profesioni im, puna me nxënësit, e shoqëruar kjo me ndjenjën e atdhedashurisë më kanë obliguar ti ndjek me shumë përparësi këto ngjarje. Ti ndjek dhe vlerësoj ato. E kam përjetësuar me dhimbje të madhe luftën atje… Optimizmi, besimi në fitore më ka shoqëruar njëkohësisht. Pikërisht këto kohë tragjike dhe tepër të dhimbëshme ringjallnin shpresën, bënë historinë dhe sollën lirinë… Kjo liri e shenjtë u fitua pas 100 vjet robërie. Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, për mua, kanë qenë shumë tragjike për Prekazin, familjen Jashari dhe vendimtare për fatet e Kosovës. Në këto ditë u rrit zemërata dhe uragani popullor dhe lufta për liri mori përmasa të tjera. Armiku pësoi në vijim një goditje të rëndë. Në këto ditë vinin raportime të shumta për qëndresën e Jasharëve, shpesh dhe kontradiktore për fatin e tyre… Gjithësesi ne jetonim me shresën se nuk do kishte shumë viktima, Ademi, familja dhe fisi i tij do i shpëtonte kësaj barbarie serbe…

Adem Jashari

Data 7 mars qe dita më tragjike për to. Sot u bënë 24 vjet nga rënia heroike e tij… Ai me 20 antarët e familjes së tij, së bashku me 35 të rënë të tjerë nga fisi Jashari, dhe 4 të afërm të tyre ranë në altarin e lirisë, dhe fituan pavdekësinë. Rrufetë nuk bien në qiell të hapur! Duhet të krijohen kushtet e përshtatshme. Duhet një shtrat ku lindin dhe marrin udhë ngjarje të mëdha… Përsëri ky “shtrat” është Drenica. Ajo shtrihet në qendër të Kosovës, është nyje lidhëse midis Fushës së Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit, është një trevë me tradita të lashta patriotike dhe atdhedashurie, është një krahinë ku kombi dhe çështja kombëtare marrin vlerat më të larta. Një nga fshatrat më të rëndësishëm është Prekazi.

Me të dhe Drenicën lidhen mjaft ngjarje të luftës për liri dhe çlirim kombëtar. Ndër të tjera mund të përmendim: Beteja e Fushë-Kosovës e vitit 1389; Kuvendi i Marinës 1903 i udhëhequr nga patrioti Ahmet Delia; Kuvendi i mbajtur në kullën e Ahmet Delisë më 1912 i udhëhequr nga Hasan Prishtina; luftërat e shumta kundër turqëve; pjesmarrja në aktin e ngritjes së flamurit në Vlorë më 1912; kryengritjet e çetave kaçake kundër dhunës dhe terrorit serb të udhëhequra nga Azem dhe Shote Galica; revoltat popullore të vitit 1945 kundër ripushtimit serb të Kosovës të udhëhequra nga Shaban Polluzha; demonstratat dhe e vitit 1968 dhe 1981; rezistenca e Tahir Mehës më 1981; në Prekaz lindi, u rrit dhe zhvillojë veprimtarinë atdhetare Adem Jashari, familja e zgjeruar e tij deri në flijimin për Atdhe; në periudhën e viteve 1997, 1998, 1999 në Prekaz janë vrarë 109 vetë ndërsa nga Komuna e tyre e Skënderajt janë vrarë 1028 vetë…

Shifra të dhimbshme, gjak i derdhur lumë, por dhe histori lavdie. Gjatë kësaj lufte pushtuesi serb la mbi 14.000 të vrarë nga pala kosovare, mijra dhunime dhe abuzime me nënat dhe motrat kosovare, shumë të burgosur, me mijra të zhdukur pa gjurmë edhe sot e kësaj dite, ka bërë krime lufte dhe ushtruar genocid mbi popullsinë civile… Kjo dukuri ndodhi në gjithë Kosovën por qe edhe më e fortë në Prekaz, në familjen dhe fisin Jashari. Këtu lindi dhe u farkëtua UÇK-ja, këtu filloi dhe u ngjiz liria, këtu u “rrah brumi”, dhe erdhi mëpas pavarësia. Parë në këtë aspekt dhe goditja e armikut këtu qe më e rëndë. Objektivi i tij qe të shuante vatrën e luftës çlirimtare që kishte lindur në Prekaz, dhe të eleminonte fizikisht komandantin e UÇK-së Adem Jashari, familjen e fisin e tij. Për këtë nuk kurseu asgjë, pleq dhe plaka, gra, vajza dhe fëmijë. Kështu mbetën të vrarë fëmijët Bujar Zenë Jashari 5 vjeç, Blerinë Hamzë Jashari 7 vjeç, Fatime Hamzë Jashari 9 vjeç deri tek vrasja e Shaban Murat Jasharit dhe bashkëshortes së tij Zahides nga 74 vjeç… Të gjithë të pafajshëm, në shtëpit e tyre, vetëm se urrenin pushtuesit dhe donin lirinë.

Kështu u sollën barbarët brenda tre ditëve vranë 59 vetë vetëm në këtë familje dhe në fisin e tyre. Nërkohë që gjuajtjet me artileri nga forcat serbe prej kodrës aty pranë sa vinin dhe ashpërsohej dhe qëndresa në familjen Jashari bëhej edhe më e madhe… Të gjithë pjestarët e familjes Jashari u vunë në mbrojtje të pragut të shtëpisë, lagjes, fshatit, Kosovës… Qëndresa qe heroike deri në kufijtë e të pabesueshmes, deri në kufijtë e legjendës… Rrethimi i tretë krahas qëndresës heroike qe edhe më fatali për familjen dhe fisin Jashari. E para ra Adilja e cila furnizonte me municion Ademin. Tre ditë luftë dhe familja nuk dorëzohej… Goditja e një predhe topi të kalibrit të madh qe fatale, u vranë përnjëherë 13 pjestarë të familjes,shpëtoi vetëm Besarta nga të pranishmit e familjes Jashari. Sulmi kshte filluar edhe në disa shtëpi të lagjes të cilat po bënin rezistencë. Qëndresa nuk po shuhej, kënga e Ademit mobilizonte shumë, dhe më në fund ndali edhe ky ra dëshmor, si edhe të tjerët, para derës së shtëpisë… I fundit para shtëpisë ra Kushtrimi 13 vjeçar, ndërsa Bashkimi arriti të çajë rrethimin.

Nga familja Jashari krahas emrave më lart pati edhe disa persona që shpëtuan pasi ishin në emigracion. Edhe humbjet e armikut gjakatar serb qenë të mëdha gjatë këtij operacioni barbar kundër Jasharëve… Komandanti legjendar Adem Jashari ra heroikisht për mos me vdekur kurrë. Rënja e tij më 7 mars 1998 shkaktoi dhimbje të madhe në të gjithë shqiptarinë. Nga ana tjetër vepra e tij u bë burim i madh frymëzimi për të luftuar deri në fitoren e plotë mbi armikun gjakatar serb. Radhët e UÇK-së që formoi Ademi dhe shokët e tij shtoheshin nga dita në ditë… Aksionet dhe lufta e saj ndaj armikut mori një hov të ri. Mbështetja e UÇK-së dhe e luftës së saj nga perëndimi dhe ndërhyrja e NATO-s qenë vendimtare për çlirimin e Kosovës dhe arritjen e lirisë dhe pavarësisë. Natyrisht Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ka shumë pengesa dhe vështirësi në rrugëtimin e saj. Këto pengesa dhe vështirësi vijnë piksëpari nga qëndrimi politik destruktiv i Serbisë…

Heronjtë e rënë dhe Adem Jashari ashtu në “heshtje” do “apelonin”:
1- Ti jepej jetë në praktikë slloganit, “Bacë u krye”, pasi ka edhe shumë punë për tu bërë.
2- Të forcohet më shumë shteti dhe institucionet e tij.
3- Të mos i bëhen lëshime Serbisë.
4- Në forcimin e ushtrisë dhe mbrojtjen e vendit.
5- Në bashkëpunimin e klasës politike për problemet madhore të vendit.
6- Për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së dhe luftës çlirimtare të saj.

Ibrahim Kabili
Tiranë më 06.03.2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.