OPINION
– Opinione në udhëtim bashkë me protestën më të gjatë shqiptare –
Nga Llesh NDOJ
Protesta e sivjetme e nisur si e bukura e dheut me emrin “Flamingo” dhe që aktualisht po udhëton në rrugë e më shumë mendje si “Protesta studentore”, edhe ky një emërtim tërheqës për shoqërinë, në vetvete ka hyrë në histori, ndonëse ende jo për produktin shoqëror që mund dhe duhet të sjellë (as për dhunën e shkatërrimin jo, e jo!), por për shënimin e disa rekordeve në udhëtimin e saj të deritanishëm. Ndoshta janë shumë, por unë do të përmend disa prej tyre:
– Së pari: – Kohëzgjatja rekord. Nuk ishte parë ndonjëherë protestë e tillë në Shqipëri, besoj unë, kurrë më parë. Ajo po i afrohet 150 ditëshit të vijimit të pandërprerë, kohë kjo sa afro gjysma e vitit 2026. Kjo kohëzgjatje do t’a shënoje edhe vetë këtë vit si të veçantë në kalendarët politikë, duke mbetur mbase “e vetmja” arritje reale e tij.
– Së dyti: – Kjo protestë është ndoshta e vetmja lëvizje politike, që kurrë nuk e nxori kryet, që do të thotë se ajo kurrë nuk pati një organizator, individ apo organizatë politike dhe të shoqërisë civile qoftë ajo, ndonëse u zhvillua në përputhje me një skenar drejt perfeksionit.
– Së treti: – Ȅshtë protesta rekord, që s’diti apo se shfaqi kurrë qëllimin e vërtetë dhe, nga fillimi e në vijim, u tregua “tinzare”, përveçse jo ndaj kërkesës “Të ikë Rama!”, që nuk e mbajti të fshehur as me ngjyrën rozë të flamingove, as me kapuçinjtë e zi alla naziskin, që marrin komandën e saj herë pas here. Edhe parulla “Berisha në burg!” vinte si një çiftosje maskë me “Rama në burg!”, ashtu si parulla “Shqipëria s’shitet!”, vinte si kamuflim i “duam pjesën tonë”!
– Së katërti: – Nëse do të kërkoje një tipar qënësor të saj, mohimi mbetet i vetmi i dukshëm, ndërsa askund nuk ka shenja pohimi. E këtu, nuk po mendoj të pohohet se edhe kjo qeveri “sterrë e zezë”, nuk është krejt e tillë, se edhe kjo i ka brenda të shtatë ngjyrat e ylberit (e zeza s’është ngjyrë, por percepsion!), por e kam fjalën tek pohimi i të nesërmes, i asaj që ne duam, e si e duam t’a ndërtojmë, kush do t’a ndërtojë e kush do t’a udhëheqë atë. E duam si një tranzicion të dytë, drejt kthimeve të frikshme pas, apo si shansin real për të mbyllur tranzicionin e stërgjatur e mbërritur në destinacionin, për të shumtët, i shumëpritur, anëtarë realë në familjen e madhe europiane.
– Së pesti: – Ȅshtë ndoshta protesta e vetme e organizuar ndonjëherë, ku protestuesit nuk pranojnë dialog, por duan t’i imponohen shoqërisë, pikërisht me ato mjete për të cilat akuzojnë me shumë të drejtë Ramën, me dhunën e autoritetit, dhunën e të fortit, e shtypjen e të dobëtit, me urrejtjen ndaj njëri – tjetrit në vend të dashurisë vllaznore si shqiptarë, me dhunën e heshtjes kur duhet të flitet hapur e pa komplekse, e zhurmën e të folurit në monologje tribunash, kur duhet të heshtet e bashkëbisedohet, me pandjeshmërinë për asgjë e me idenë e madhështisë (drogës!), që të jep pushteti e ndjesia e më të fortit.
– Së gjashti: – Ndonëse shënoi kulme në vetvete për nga pjesmarrja, sidomos në disa ditë të saj, protesta dështoi, të paktën deri në momentet e tanishme, të merrte karakter popullor. Tirana u bë arenë e të gjithëve, por jo tiranasit, ndërkohë që në rrethe pati vetëm episode sporadike të lëvizjeve, ndikuar nga ato të Tiranës.
– Së shtati dhe së fundmi: – Ggjithnjë sipas meje, është protesta, ndoshta e vetme ku të gjithë paraqiten me maska, dhe këtu do të ndalem pak më gjatë.
Rreth kësaj teme shqetësuese, para disa ditësh kam shkruar një artikull relativisht të gjatë, ku jam përpjekur të shpjegoj se me maska ishin dhe mbeten ende edhe qëllimet, frymëzuesit, organizatorët, partitë opozitare, e për më keq akoma, edhe vetë shteti. Maskat në frontin e shkatërrimit, për mua nuk jan shkak as faktor, por pasojë e maskave të mësipër thëna. Me maska ishin edhe profesorati, bile në shumicë ata janë gjithnjë me maska (nejse, temë që meriton vëmendje më vete, kjo!), edhe një pjesë e mjekëve – aspirantë për politikanë ishin e janë me maska.
Për të vijuar më tej, me maska, u paraqitën jo vetëm këta që ishin aktorët në skenë e në prapaskenë, por edhe vetë spektatorët, shoqëria shqiptare, herë duke i duartrokitur e herë duke i sharë nën dhëmbë, më shpesh me indiferencën tipike “të shtetit janë!”. Secili prej nesh në veçanti shprehej kundër shkatërrimeve, thyerjeve, zjarrit e plaçkitjeve, por këtë nuk provuam t’a bëjmë me fëmijët në familje, qoftë edhe duke dalë në protestë me ta, për ti kufizuar nga ushtrimi i dhunës, apo edhe për t’i mbrojtur nga pasojat e ushtrimit të saj nga policia e shtetit. Akti më i shëmtuar, për shembull, në Lezhë ishte dhunimi nga 5 – 10 veta të maskuar, i monumentit memorial kushtuar Lahutës së Malësisë të At Gjergj Fishtës, atij që njihet gjerësisht si Homeri i kombit shqiptar.
As policia e askush tjetër nuk mundi t’a mbronte atë hekurishte me peshën e ndërgjegjes e të vetëdijes së kombit, se sa e mbrojti fjala e piktorit të madh, intelektualit të njohur Pashk Përvathi. Dhe e bëri këtë jo me forcën fizike, as me forcën e armëve, por me thirrjen e armatosur me logjikë e ndjenjë artisti. Të gjithë mund të bënim ngapak, që dhuna mos të dëmtonte pronën publike, atë shtetërore e private, por as të mos ushtrohej kafshërisht e reciprokisht as ndaj protestuesve, as ndaj policëve, nëse do të sakrifikonim nga vetja e të paraqiteshim pa maska.
Aktualisht maskat thuajse kanë rënë, apo janë në rënie. Tashmë njihen publikisht frymëzuesit, deri diku edhe organizatorët, njihen objektivat e kurba e zhvillimeve.
Partitë opozitare, e këtu e kam fjalën për Partinë Demokratike, se të tjerat njiheshin e s’kanë peshë, tash ka dal hapur si organizuese në prapaskenë, e frymëzuese e zhvillimeve, pa maska. Partia Socialiste ka dalë hapur në mbrojtje të statuquosë, duke mohuar ndryshimin e nevojën për rrotacion paqësor politik, shteti ka hequr maskën dhe thotë: – Dhunë kërkoni, dhunë u japim, ndonëse ofron dialog pa kushte, ndërsa profesorati, duke parë se s’kanë ku t’i mbushin xhepat në auditore (kuptohet, jo të gjithë!), kanë zbritur në fushëbetejë me studentët, pa maska, një pjesë e stafeve mjekësore, shumica të rolit të dytë profesional, po ashtu. Në shoqëri ka nisur të ndjehet nevoja për një qasje ndryshe. Vetëm “grupi i zjarrit”, nga njëra anë, dhe Edi Rama e një pjesë e stafit të ngushtë të tij nga ana tjetër, vazhdojnë të mbajnë maska!
Dhe mbetet detyrë e shoqërisë që këtyre t’ua çjerrë maskat, duke u mundësuar që të shohin realitetin ku e kanë zhytur vendin. Atëhere atdheu ka me u ndjerë me marre për ta dhe veprimet e tyre! Madje edhe vetë dhuna, ka me u ndie me marre, pse ka rënë në trupa kaq pa mend.
Lezhë, më 24 tetor 2026











