IDRIZ ZEQIRAJ
“Qeni i keq ta sjellë ujkun në torishtë“, – thotë urtësia. Kështu i ndodhi edhe Kosovës. Demagogu Hashim Thaçi, rrastë i shantazhuar, me dosje penalizuese, nga burgu i Hagës, bëri rrëfimin gjithë hipokrizi, jo për shqiptarët, të cilin e njohin “si paren e kuqe”, për të “bëmat” e tij kriminale, deri në tradhti. Por për Gjykatën
Speciale dhe ndërkombëtarët, me demagogji, servilizëm dhe hipokrizi klasike. Shfajësimet e tij, duke i reduktuar krimet e përgjakshme, në “gabime” të rastit, të bandave të “komandantëve” të tij, ndaj shqiptarëve të pafajshëm, përfshi vrasjen e gazetarit dhe zëdhënësit të parë të UÇK-së, Ali Ukaj, në vitin 1997; vazhduar me atentatet gjatë luftës dhe pas luftës. Në shënjestër ishin ushtarakët e FARK-ut dhe Ibrahim Rugovës, kuadrot, veprimtarët dhe aktivistët e LDK-së, si dhe veprimtarët e hershëm -brenda llojit-, pra, të LPK-së, për ta garantuar pushtetin despotik enverist, gjithnjë, me instruktimin dhe logjistikën e siguruar nga social-komunistët e Tiranës zyrtare!
Në mandatin e parë të qeverisjes të presidentit Trump, qenë shtuar zërat për ndarjen. Argati i Serbisë dhe këshilltari i trefishtë: i Edvin Ramës i Hashim Thaçit dhe Aleksander Vuçiqit, filosllavi Baton Haxhiu, filloi përgatitjen e opinionit, për ndarjen e Kosovës, me porosi të Hashimit, në të TV 7, te Leonard Kërçukut, shpalosi planin e ndarjes:
Veriu i Kosovës t`i lihet Serbisë. Thotë t`i lihet, sepse edhe Hashimi kështu ishte shprehur, madje më shumë se një herë;
Gjykata Speciale me seli në Hagë, të zhbëhet;
Të bëhet falja reciproke e krimeve, serbe dhe shqiptare;
Të bëhet pajtimi serbo-shqiptar.
Në të njëjtën kohë, trojka nam keqe: Hashimi, Vuçiqi, Edvini, me hartën e Kosovës mbi tavolinë, i kërkuan Kancelares Angela Merkel aprovimin për ndarjen e Kosovës. Përgjigjja e saj ishte e rreptë dhe e prerë: “Lëvizja e kufijve në Ballkan, është “shpat i rrëshqitshëm!” Refuzimi i prerë, prishi planin ogurzi të tyre.
Ndërkohë, një grup i madh intelektualësh, nga bota akademike amerikane, në mes tyre edhe miq të Presidentit Rugova, ish-senatorë e kongresmenë, demokratë dhe republikanë, ndër ta edhe lobues të kandidatit për president, Donald Trump, i dërguan një letër qortuese, tashmë, Trumpit president: “Ne, amerikanët e çliruam Kosovën, pse duhet ta ndajmë tani, kur Serbia ishte pushtuese?!”
Presidenti Trump reflektoi dhe aukzoi shefin e Sigurisë Kombëtare, Bolton, se “prapa shpinës time keni dashtë me nda Kosovën” dhe e shkarkoi nga posti. Bolton i reagoi presidentit Trump se “ndarja nuk është ide e imja, këtë ma kërkuan Hashim Thaçi, Aleksander Vuçiq dhe Edvin Rama!” Për këtë tradhti të madhe, askush nuk i kërkoi llogari presidentit Hashim Thaçi!?
Pas reagimeve të koordinuara, Merkel dhe Trump, ndarja e Kosovës u konsiderua si ide e vdekur. Por, Serbia me Rusinë dhe aleatët tjerë të saj, nuk u dorëzuan. Ajo shantazhoi Hashimin, me komandantët mëkatarë të tij, me dosjet e krimeve faktike, duke kërkuar legalizimin dhe ligjësimin e ndarjes së premtuar. Gjermanët ishin të parët që sinjalizuan ecejaket në ethe të Hashimit, për ta përshpejtuar ndarjen e Kosovës. Eksponentët e partisë së tij, PDK, përkatësisht, PAN, ishin rrast të kriminalizuar dhe shpëtimin e prisnin nga Hashimi, i cili ishte bërë i plotfuqishëm, me kompetenca tej mbretërore. Një takim me Putinin u përfol mjaftueshëm. Kupa u mbush, SHBA dhe BE, u dakordësuan për akuzën e ndjekjes penale, për Hashimin me komandantët e tij.
Profesori i Universitetit Johns Hopkins, Daniel Server, shpreh shqetësimin se “Trump me këshilltarin e tij Ric Grenell shihen si përkrahës të idesë së ndarjes!” Duke njohur personalitetin e profesor Server, analiza e tij, vërtet, është e frikshme. Këtë e përforcon edhe porosia rishtare e Trump-it, për ta vazhduar dialogun me Serbinë.
Nisur nga fakti se presidenti Trump kërkon zgjidhje të shpejta, siç kemi parë edhe në rastin e Ukrainës, kur në takimin e parë i thotë presidentit Zelenski se “nuk duhet të pretendoni kthimin në kufijtë e mëparshëm”, mund të kemi edhe në rastin e Kosovës një përgjigje të trishtme, qoftë edhe një zbutje të ndarjes, “si një shkëmbim territori!”
Vendimi i Dejtonit për themelimin e Asociacionit, për 14 komunat serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, prodhoi “Republika Serpska” atje. Edhe Krimea kishte pasur një farë Autonomie. Rusia aktivizoi elementin rus atje, nxiti kundërshti ndaj regjimit në Ukrainë dhe Rusia hyri me tanke, duke aneksua Krimenë, në vitin 2014. Andaj, Kosova, duke ia sjellë në kujtesë SHBA dhe BE-së, këto dy makro-fakte tragjike, të përgjakshme, duhet të refuzojë çfarëdo Asociacioni të komunave serbe, që kalon kompetencat e Asociacionit aktual të komunave të Kosovës.
Pra, pavarësisht se çfarë është thënë e nënshkruar, deri më tani, në Bruksel, Ohër dhe gjetkë, me dialogun Kosovë-Serbi, Krimea dhe “Republika Srpska”, janë dëshmi faktike se të gjitha draft-statutet e Asociacionit të deri tashëm, të cilët kanë dështuar meritueshëm, do të ishin hiç më pak se “kancer i Kosovës”.
BE-ja me Borellët e Lajçakët e saj, amniston Serbinë, por sanksionon Kosovën!?!
Dështimi dialogut Kosovë-Serbi, ishte i parathënë që në nismë të tij. Serbia zotëronte dosjet voluminoze të Hashim Thaçit, me “komandantët” e tij dhe me shantazh imponoi dialogun e panevojshëm. Veglën e tij, Edita Tahiri, e vuri në krye të dialogut, duke e përdorur, ekskluzivisht, për interesa vetjake të tij. Bënin dialog politik, por mashtronin se “po bëjmë dialog teknik!” Më vonë pjesë intriguese u bë edhe ish-kryeministri Isa Mustafa!
Përfaqësuesit e BE-së, secili që vinte ishte “më i zi se tjetri”, tërësisht, të njëanshëm në mbështetje të Serbisë. Borrell e djallosi fare “muhabetin”, duke kërkuar ndryshimin e Kushtetutës të Kosovës, me arsyetimin cinik dhe kriminal se “Kushtetuta nuk është Bibël”, edhe pse e dinte se kishte të bënte me cenim të territorit shtetëror!
Pritjet nga Presidenti Biden ishin të mëdha, për avancimin e një dialogu të paanshëm. Në fillim u tha se dialogu ka për qëllim njohjen juridike reciproke. Pastaj u devalvuar, duke u mjaftuar me njohje teknike! Dhe, pazari degjeneroi “me normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”! Kjo është një hiç, sepse edhe një incident banal, e ç’normalizon këtë “biçim normalizimi!” Nuk e paragjykojmë mikun tonë Biden, por ata që mbulonin seksionin e dialogut, ishin dhëndurë dhe “miq për kokë” të Serbisë. Edhe mosha e bënë të vetën.
Spanjollit Borrel dhe sllovakut Lajçak, iu bënë krah edhe gjermani Scholz dhe francezi Makron, me një draft-statut të Asociacionit, tërësisht të papranueshëm për Kosovën. “Të bëhet draft-statuti i Asociacionit njëanshëm nga Kosova në mirëbesim”,- thonin ata! Kësaj ideje iu bashkua, forcërisht, edhe kryeministri shqiptar, Edvin Rama, duke pasur edhe miratimin e opozitës PAN-iste, e cila bënte dy veprime të njëkohshme: e spiunonte dhe akuzonte Kurtin, se “nuk po koordinohet me ndërkombëtarët dhe se Albini është antiamerikan” dhe kërkonin ta shpallnin “non grata”, me qëllim të lehtësimit të rrëzimit të Qeverisë dhe të rimarrjes të pushtetit në tavolinë!
Fajësia e Brukselit ka qenë me dozë të shtuar. Ndodhi sulmi kriminal në Banjskë të Zveçanit. Vendorë e ndërkombëtarë prisnin ndëshkimin e Serbisë, për sulmin terrorist serb dhe vrasjen e rreshterit të Policisë të Kosovës, Afrim Bunjakun. Për çudë, ndodhi e kundërta, u sanksionua Kosova “për veprime që askush nuk mbanë mend!” Tolerimi i destruktivitetit të Serbisë me joshjen dhe përkëdheljen, për ta shkëputur nga Rusia, po e pëson Kosova. Ishte një shok, një goditje cinike, që u sillte në mendje shqiptarëve fabulën “Ujku dhe qengji”. Ishte një sinjal ogurzi, se BE-ja kishte gatishmëri për ta fovorizuar Serbinë në orekset e saj.
BE-ja, nga dita në ditë, shton zullumin për Kosovën, duke kushtëzuar Kosovën me bërjen e Asociacionit, i cili konsiderohet si “kancer i Kosovës”. për sot dhe mot.
Të denoncohet Hashimi për pazaret e pista me Serbinë;
të stopohet ndarja dhe Asociacioni;
Kosova të konsultohet vetëm me SHBA dhe BE-në!
Pavarësisht dështimeve serike ndër vite, në pritje që BE-ja dhe SHBA të lehtësojnë dialogun, duke bërë zgjidhje të drejtë, të pranueshme për Kosovën, nuk është në pozicionin, për ta braktisur ndërmjetësimin ndërkombëtar, duke provuar për zgjidhje teknike bilaterale me Serbinë. Vërtet, analiza e profesorit Server është e frikshme, sepse sipas tij presidenti Trump është i paparashikueshëm, Dhe, në vullnetin e zgjidhjes së shpejt të kontestit artificial Kosovë-Serbi, mund t`i referohet “këmbimit të territoreve”, përkatësisht, të veriut të Mitrovicës me komunat e Kosovës Lindore. Por, edhe atje përcaktohet vetëm një pjesë, ndërsa përjashtohet pjesa që lidhë Serbinë me Maqedoninë.
Kosova është në hall të madh. Sepse pushteti aktual, opozitën e ka pasur dhe vazhdon ta këtë palë me Serbinë. Vetëm për t`u rikthyer në pushtet, ajo me “komandantët” e saj kriminelë, për të shpëtuar nga dosjet penalizuese, njëherësh për t`u rikthyer në pushtet, – rrafsh Kosova – e bëri Serbinë hisedare faktike për dy dekada radhazi. Pas vetëzbulimit të Ric Grenell, si agjent i paguar i Serbisë, Kosova kishte shansin ideal, për ta shkëputur çdo lidhje me atë, madje pa cenuar fare marrëdhëniet me SHBA. Vardisja pas prapanicës së tij të kuadrove të PDK-së dhe të tjerëve, të atij soji, është rrezik serioz i involvimit, ndërhyrjes së tij në politikën e Kosovës. Tani është koha për vijën e kuqe ndaj tij, me arsyetimin e gatshëm, si agjent i Serbisë.
Presidentja Vjosë Osmani hodhi idenë e mençur se “Kosova duhet të dialogojë me SHBA-në dhe BE-në, sepse dialogu me Serbinë ka dështuar pariparueshëm dhe nuk ka asnjë arsye të bisedohet, për rregullimin e brendshëm të shtetit të pavarur të Kosovës, me Serbinë pushtuese të deridjeshme. Dekadat e dialogimit kanë provuar kotësinë, xerrësinë e këtij dialogu.
I vetmi dialog që mund të bëhej është kthimi jo vetëm i të ashtuquajturës “Luginë e Preshevës”, por i Kosovës Lindore, tokat shqiptare në Iliridë – Maqedoni, në Mal të Zi, në Çamëri. Pushtimi i trojeve shqiptare ka filluar nga Kongresi i Berlinit, për të vazhduar në Konferencën e Londrës dhe të tjera pazare nga Fuqitë e Mëdha të kohës, duke i përdorur tokat shqiptare si kusuritje në mes tyre.