13.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Shtator 2024
[ Arkivi ] përmban shkrime nga vitet [ 2009-2015 ] dhe [ 2016-2021 ], ndërsa [ 2003 – 2009 ] (në html)

HAMIT SHALA, ME KONTRIBUT TË VEÇANTË NË NDËRTIMIN DHE RIMËKËMBJEN E INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info
Publikuar nga: Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Uebdizajner & Grafikdizajner

Dje, në Letanc të Podujevës, i është dhënë lamtumira e fundit Hamit Ramadan Shalës,i cili me punën e tij profesionale dhe të ndershme deri në vdekje kontribuoi në ndërtimin dhe rimëkëmbjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Hamit Shala,lindi më 1955 në fshatin Letanc të Llapit. Shkollën 8-vjeçare dhe Gjimnazin e Përgjithshëm i kreu me sukses të shkëlqyer në Podujevë.

Dashurinë për shkollën Hamiti e kishte fituar qëkur ishte fëmijë nga vëllezërit e tij, më të mëdhenj Bajrami dhe Abdullahu, mësues gjegjësisht arsimtar të hershëm në shkollat e komunës së Podujevës.

Bajram Shala,si njëri nga mësuesit e parë të Llapit, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore,me punën e tij të palodhshme ndihmoi në çrrënjosjen dhe flakjen e analfabetizmit në fshatrat e thella malore të grykës së Mavriçit.

Puna e tij e zellshme dhe e përpiktë edhe pse kanë kaluar dekada kujtohet edhe sot nga ish-nxënës e nxënëse, të fshatrave Llapashticë e Epërme, Buricë,  Gllamnik dhe  Shtedim të regjionit të Llapit.

Në procesin edukativo-arsimor u shqua edhe i vëllai Abdullah Shala, i cili si Arsimtar i lëndës së Matematikes, në shkollat e qytetit të Podujevës, arriti të mbjellë dashuri të vërtetë tek nxënësit në këtë fushë me kuadro deficitare.

Djem e vajza të kësaj familje të nxitur dhe të motivuar nga këta dy pishtarë të Arsimit llapjanë, kanë kryer Fakultete dhe Shkolla të Larta në Universitetin e Kosovës.

Me pasionin për lexim dhe studim me bazë dallonte Hamit Shala,i cili në afat i kreu studimet në Fakultetin Juridik,për të vazhduar më pastaj edhe me ato të shkallës së tretë.

Hamiti si kuadër i specializuar i Jurisprudencës në fillim të viteve 80-të,punësohet në kuvendin komunal të Podujevës. Edhe pse ishte periudhë mjaft e rëndë ai detyrën prej juristi e kreu pa qenë i ndikuar prej rrymave politike të asaj kohe.

Meqë, familja Shala, kishte prona të mëdha në fshatin Letanc,Hamiti me të përfunduar orarin e punës gjendej në ara dhe kopsht. Ai gjithçka që krijoi, krijoi me djersë dhe punë të ndershme.

Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia, Hamiti i kthehet profesionit të tij, prej eksperti në fushën e Drejtësisë.

Meqenëse qysh në fillim të viteve 90-ta, nga  Administrata e komunës së Podujevës, ishin përjashtuar të gjithë udhëheqësit dhe nëpunësit shqiptarë nga regjimi gjakatar i Serbisë, gjithçka kishte dalë jashtë binarëve.

Serbia në këtë komunë sjell njerëz të saj të paarsimuar dhe vandal . Ata me porosi nga Beogradi, shkatërrojnë dokumente dhe dosje të shumta të krijuara me sakrificë e mund nga breza të shumtë.

Hamit Shala edhe pse i vetëdijshëm që duhet të punohet natë e ditë për t’i kthyer gjërat në vend të duhur pranon detyrën e Drejtorit të Administratës së Përgjithshme në komunën e Podujevës.

Shala një njeri i qetë dhe modest e mbi të gjitha i përgatitur për punë ekipore shumë shpejt nis ta bëjë rimëkëmbjen e Administratës.

Hamiti ishte shtatlartë dhe energjik që asnjëherë nuk ankohej.  Gjatë verës kur mërgimtarët vinin në pushime ai dhe stafi i tij, ishin në shërbim të tyre deri në orët e vona të mbrëmjes. Serioziteti dhe përkushtimi për t’i dalë në ndihmë çdonjërit bënte që ai ta ketë respektin e merituar.

Përvoja e gjatë dhe sukseset e njëpasnjëshme Hamitin e sjellin më 2009,në pozitë udhëheqëse edhe  në Administratën e Përgjithshme të komunës së Prishtinës. Ndërkohë, Hamiti emërohet Drejtor i Departamentit të Administratës dhe Financave në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Republikës së Kosovës.

Edhe këtu kontributi i tij vlerësohet lart. Ai së bashku me kolegun e tij Ramë Manaj, merr pjesë në Simpoziume dhe Konferenca të ndryshme Ndërkombëtare, ku prezantojnë dokumente të një rëndësie të veçantë mbi Kosovën dhe shqiptarët.

Patjetër duhet theksuar pjesëmarrjen më 15 nëntor 2016 në Simpoziumin Ndërkombëtar të Zagrebit.

Me këtë rast temë diskutimi ishte “ E drejta e refugjatëve në dokumente”. Veç kësaj z. Hamit Shala, Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës e përfaqëson  edhe më 19 maj  2019, në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shala në përpjekje për ta bërë këtë institucion më të përdorshëm për qytetarët viziton edhe disa vende të Perëndimit, me qëllimin që përvojat e atjeshme të digjitalizimit dhe klasifikimit të dokumenteve t’i sjell edhe në vendin tonë.

  1. Shaban Fetah Ejupi, Zyrtar i lartë në Agjencinë e Arkivave të Republikës së Kosovës, lajmin mbi vdekjen e hershme të kolegut të tij, Hamit Shala e ka marrë me pikëllim të thellë dhe dhembje të madhe.

Ai i rënduar emocionalisht thotë” Hamiti  përveç familjes së tij do të na mungojë edhe ne kolegëve, që vite të tëra punuam me te” Personalisht do ta ndjejë gjatë mungesën e tij, ngase me Hamitin, kam punuar 7-8 vite, edhe në Administratën e komunës së Podujevës.”

Vdekja e Hamit Shalës,i ka prekur edhe shumë shokë e miq mërgimtarë në vende të ndryshme të Perëndimit dhe SHBA.

Hamit Kamberi një mërgimtar i hershëm nga Komogllava e Ferizajt në Gjenevë të Zvicrës, me nostalgji dhe admirim flet rreth njohjes dhe miqësisë me emnakun e tij Hamit Shala.

Kamberi thotë” isha i habitur edhe pse Hamit Shala,gjatë periudhës së pasluftës mbante pozitën e Drejtorit të Administratës së Përgjithshme në komunën e Podujevës, nuk ndahej nga puna në bujqësi për asnjë çast. Ai në kohë pushimi vjetor me Autokombajnën e tij, gjatë korrje-shirjeve ishte i rregullt edhe në fshatin tonë.”

Me vdekjen e tij të parakohshme kam humbur një mik e shok të pazëvendësueshëm thotë me zë të ngjirur Hamit Kamberi.

Njerëzit e vyeshëm dhe të sinqertë si Hamit Shala,përveç boshllëkut në familje lënë boshllëk edhe në shoqëri.

Unë, si autor i kësaj nekrologjie, Hamitin e njoha qëkur isha fëmijë . E, kam dashur dhe çmuar për urtësi ,ndershmëri, modesti e virtyte të larta njerëzore. Andaj, bëj lutje që shpirti i tij, të prehet i qetë edhe në amshim, ashtu siç ishte në jetë !

Përkundër dhembjes së madhe familjarë, miq dhe shokë ngushëllohen me faktin që Hamit Shala, la pas vetes një familje të shëndoshë dhe të arsimuar. Dy djemtë e tij, Armendi dhe Vullneti, kanë kryer studime superiore, niveli Master në Universitetin e Kosovës.

Ndërkaq, vajza Albulena  Shala, në moshë fare të re, ka doktoruar në shkencat ekonomike, dhe me sukses bënë punën e ligjërueses në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës.

ARIF EJUPI

Më shumë shkrime

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.

Shkrimet e fundit