GRISHJET E POPIT NË KISHË

0
Mehmetali Rexhepi

Meti Rexhepi

lutja e popit në kishë
grish
për mbushje e zbrazje arsenalesh vrastare
nga goja e dora e një Perëndie bastarde
me simbole të sakrificës nën kryq
trille shënjestrash në secilin udhëkryq
nisen lukunitë drejt vajesh qeshjesh lojërave fëmijësh
priste “çlirimin” soji qoftë veçse i rrembave të atyre
të ca gjymtyrëve të këputura të racës
pa plotësinë e trungut tej përkatës
doemos shpatat e helmatisura të lutjes fluturojnë
e përshkojnë mijëra gjokse e zemra
tej përtej njerëzve godina mbi dy këmbë të lakueshme
prej eshtrash mishi ajri nervash bari-njelmësi e dheut
caku i pakufishëm për shtrirje të pakufishme
e çizmeve të Perandorisë Gllabëruese
kumbon refreni kishës i korit të “lutësve”:
Zot i Gjithëmëshirshëm
jepi shtytje dhe grishje filo-rusëve
e shenjtë raca “paqësuese”
popi joshet për Carin në një fron mbi botë
Hirësia e Krye-popëve “bekon” Krye-militantin
sfondi i ikonografisë mes pengut të Jezuit
sforcohen vrulle tej rrënojave ngrehinash
vullneti puro i “paqes” prerje pleksjesh të trashëgimisë
hidhen përmes kufijve të flakës
reshjet e predhave të marrëzisë
dhe pllenime kudo të (vi)rusëve
me ftohje e ngrirje tragjedish
në kontinentin frigorifer të Siberisë
përmbyllte liturgjinë bariu i grigjës
hapte dritaren andej shkrumb-najë
e mandej çfarë pastaj modelet e Krishtit ri-vrarë
i hipte mëshirës sikur një pele hergjele
Hyjninë e tij të Lartë e zbriti në Kremlin
ujësueshëm dhe pëlleshëm
vullnetin e njësuar e vari pas Zotit Putin
Perëndisë të zbritur në trajtën e atij që mori vendim
për përzënien e diellit nga miliona sy
tmerrit tij ri ngrihen të rënët e çatalluar si pandemi
si lugetër si mëkatarë egërshanë me urna ndezur me kazanë të valë
kush e di mbase shpirti në derr do t`i mishërojë
për Natën e Pashkës Ortodokse derrit i pritet koka
dhe i cakërrohet ”vodka” në gota
amen

Gjilan, 6 nëntor 2022

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.