TAKIM I BREZIT TIM SHKOLLOR

0
476
Naxhije Doçi - takim

Naxhije DoçiProf. – Prishtinë

TAKIM I BREZIT TIM SHKOLLOR

Takimi i brezit tim shkollor të mesëm
pas shumë vitesh në numërim
në rrëzëkalanë e lashtësisë së ndritur
në Prizrenin me gjurmë të dëshmuara në histori,
aty edhe rrapi plak degësh flakëruar e krenar
refren i dehur etik prej katër shekujsh me radhë.
Ishte mesditë me diell të përmalluar
ajo ditë e majit 2017

kur sërish u takuam ne brezi i dikurshëm shkollor
i Shkollës Normale imazh shëmbëllimi
me rini të përbiruar nëpër kërhanë shtrigash
nga pushtuesi serb e puthadorët e pështyrë
që errësirë kërkonin mbi lashtësinë time të dëlirë
mbi trungun me ënderra pranvere.
Edhe mbijetimin e kishim shumë herë të paparë
por shpresat përherë të pashuara
për agun e bardhë,
hapërimet si ujëvarë lumi shtigjeve.
Takimi i përtërirë
me miqësinë e vjetër krejt hirësi
në pëllëmbën e ëndërruar,
në Kosovën e lirë me buzëqeshje agu
rrëzëllimë e dallgëzuar.

Muza me derdhje përmallimi krihte flokët atë ditë
ndjenjësi e kuptueshme mirëfilli,
kishte edhe reflektime prekëse në thellësi
për borën e shtresuar që prej motesh mbi kokë
për ritmikën e ndryshimit tek secili.
Flakërinte edhe zgjimi i kujtimeve
rrëfimet sikur gjasonin në romane,
në renditje të theksuar edhe përjetimet
storje me vete nëper shkallët e jetës.
Dashuritë si shenjtëri e kërkuar e si fat i shkruar
kujtim i vijëzuar në mendje e në zemër
bashkë edhe me uratat e bekuara për trashëgiminë.

Në frymëzim shfletimi
edhe përpjekjet e pandalura për arritshmëritë,
për ngecjet e shkaktuara
dhe për befasitë.
Burra e gra në moshë të plotësuar
dikur vajza dhe djemë krejt skofiarë
gjeneratë e flakërimit të pandarë
bashkuar atë ditë nga degdisjet e rriskut
këndeve të ndryshme të dheut mëmë
e shumë edhe globit anë për anë,
dhembje e paskaj.
Të gjithë flisnin pa ndalur dhe të patrazuar
ngazëllim i krijuar nga përmallimi i tepruar,
nga zbrazëtira e mbingarkuar mes vitesh,
disa në dyshe komunikimin e nisur
si fiksim i stisur,
të tjerët në divan dhe në ballë të oxhakut
ligjerimin si me radhë
gurrë në gurgullimë mesazhi i ndritur,
melodi e komponimit të pritur.
Disa mungonin, heshtja fliste vetë
me ëndërra të mbetura peng
stinëve me ngrica të trishta jetësore.
Të hyjnizuarit në madhështinë e rënies dëshmorë
për shkëputje vargojsh sterrë
mbi nënqiellin e dashurisë,
për Ata krenaria mal me borë
stemë e kurorë,
edhe loti pikoi në fjalën e thënë.
Për të gjithë minuti i përkushtuar i heshtjes,
nderim e lavdi bashkë!

Poezi nga libri “VARGËZIM MBI GJURMË”
Naxhije Doçi – Prishtinë 2017

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.