GRATË E VAJZAT DËSHMORE TË UÇK-së (35)

0

Sabile Keçmezi-Basha Prof. dr. Sabile Keçmezi-Basha

LULJETË JAHIR SHALA
(2.10.1977 – 14.12.1998)

Krajkova është një vendbanim i njohur në komunën e Drenasit, ku pas vitit 1999, ky fshat është njohur gjithashtu edhe me emrin Gurras, një emërtim që ruan në vetvete jehonën e identitetit lokal dhe ndryshimeve që solli periudha e pasluftës. Fshati është i vendosur në një peizazh të pasur natyror, që shtrihet në këmbët e Malit Kosmaç, duke gëzuar një pozitë të favorshme gjeografike që e ka lidhur ngushtë me jetën malore dhe traditat e vjetra të zonës. Kjo vendosje rrëzë malit i ka dhënë fshatit një karakter të veçantë, me reliev të dallueshëm dhe me mundësi të shumta për bujqësi, blegtori dhe jetë tradicionale rurale.

Kufijtë e Krajkovës janë të përshkruar qartë në raport me fshatrat përreth. Ajo kufizohet me Llapushnikun, një vend që ka historinë e vet të lavdishme dhe të njohur për rezistencë, me Domanekun e qetë dhe të mbushur me tradita, me Shtrubullovën që ruan lidhje të ngushta familjare dhe shoqërore me fshatrat fqinj, si dhe me Zabelin e Poshtëm, që formon një hallkë tjetër të rëndësishme në rrjetin e vendbanimeve të kësaj zone.

Kështu, Krajkova – apo Gurrasi – nuk është thjesht një pikë në hartë, por një hapësirë e gjallë ku ndërthuren natyra, historia dhe jeta e përditshme e banorëve që, ndër breza, kanë ndërtuar dhe ruajtur identitetin e tyre me punë, kulturë dhe qëndresë. Krajkova është një vendbanim që mbart në kujtesën e saj historike një traditë të spikatur të rezistencës dhe të përkushtimit ndaj lirisë. E njohur ndër breza si një vatër e qëndresës, kjo trevë ka dëshmuar vlera të mëdha atdhedashurie dhe sakrifice në momente vendimtare të historisë sonë kombëtare.

Kjo trashëgimi e krenarisë dhe e guximit popullor u shfaq në mënyrë veçanërisht të qartë dhe të ndritur gjatë luftës së fundit çlirimtare në Kosovë. Në ato vite të zymta dhe të përgjakshme, kur vendi përballej me një agresion të egër dhe populli me rrezikun e shfarosjes dhe të shkatërrimit. Shumë të rinj dhe të reja nga Krajkova nuk ngurruan të linin familjet, punët dhe ëndrrat e tyre për t’u bashkuar me radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata u radhitën me vendosmëri në frontin e lirisë, duke u bërë pjesë e një ushtrie popullore që nuk përfaqësonte vetëm armën dhe forcën, por edhe idealin dhe aspiratën për një të ardhme të lirë dhe të denjë. Këta bij dhe bija e lidhën fatin e tyre me fatin e Kosovës, duke e dëshmuar me gjakun dhe mundin e tyre se ky fshat ishte dhe mbetet një simbol i gjallë i rezistencës kombëtare dhe i dinjitetit njerëzor. Kështu, fshati jo vetëm që e ruajti traditën e saj të lavdishme, por e pasuroi atë me emra dhe histori të reja heroizmi, duke i lënë brezave që vijnë një trashëgimi të çmuar të dashurisë për atdheun dhe të gatishmërisë për ta mbrojtur atë në çdo kohë dhe me çdo çmim.

Luljeta Jahir Shala, kjo bijë e guximshme e Kosovës, është një prej figurave më të ndritura që e lidh emrin e saj me historinë heroike të këtij fshati. Ky fshat, i njohur për traditën e qëndresës dhe për njerëz të pathyeshëm në ideale, e lindi këtë trimëreshë më 2 tetor 1977, duke i dhënë vendit një tjetër emër që do të kujtohet me nder. Luljeta erdhi në jetë në gjirin e një familjeje të njohur dhe të respektuar në Krajkovë, si bija e Jahirit dhe e Nazës, të cilët përveç që i falën jetën, i dhanë edhe një trashëgimi të çmuar vlerash dhe edukate. Në këtë familje të madhe, të njohur për harmoninë dhe dashurinë mes anëtarëve, ajo u rrit dhe u formua si njeri dhe si atdhetare.

Fëmijëria dhe rinia e saj kaluan mes vlerash të forta familjare, në një mjedis ku respekti, ndihma reciproke dhe dashuria për njëri-tjetrin ishin themel i jetës së përditshme. Ajo ishte njëra prej njëmbëdhjetë fëmijëve të kësaj familjeje të madhe dhe të bashkuar. Bashkë me të rriteshin Sebahati, Sedati, Shpendi, Muhameti, Besa, Merita, Esati, Liridona, Arta dhe Flamuri – një brez i tërë që ishte edukuar në shpirtin e dashurisë familjare dhe të përkushtimit ndaj atdheut.

Kjo harmoni dhe ky edukim i thellë familjar i dhanë Luljetës jo vetëm forcë shpirtërore, por edhe një ndërgjegje të formuar dhe të vendosur për të kuptuar dhe mbrojtur vlerat më të larta njerëzore dhe kombëtare. Në këtë mjedis, ajo u bë jo vetëm pjesë e një familjeje të madhe gjaku, por edhe pjesë e pandashme e familjes së madhe të Kosovës, për të cilën nuk do të kursente as jetën.

E lindur dhe e rritur në një familje me tradita të thella atdhetarie dhe me një histori të gjatë përkushtimi ndaj çështjes kombëtare, rruga e Luljeta Jahir Shalës drejt luftës për liri nuk ishte rastësi, por një vazhdimësi logjike dhe e natyrshme e edukimit dhe e frymës që ajo kishte marrë që në fëmijëri. Babai i saj, Jahiri, ishte vetë shembull i gjallë i rezistencës dhe i sakrificës për atdheun. Atë nuk e përkulën as kërcënimet dhe as burgjet, për herë të parë u arrestua gjatë demonstratave të vitit 1981 dhe kaloi dy muaj prapa grilave, duke dëshmuar se asnjë masë represive nuk mund të mposhte vullnetin e tij për liri. Edhe në vitin 1990, në një tjetër valë protestash kundër regjimit okupator serb, Jahiri u arrestua sërish dhe u dënua me dy muaj të tjerë burg, duke mbetur në mënyrë të pandërprerë nën syrin përndjekës të pushtetit serb.

Përndjekja nuk u ndal me burgosjet. Presioni dhe kërcënimet ndaj tij u bënë aq të rënda dhe të organizuara, saqë në korrik të vitit 1992, për t’i shpëtuar një vrasjeje të kurdisur nga bashkëpunëtorë të regjimit serb, Jahiri u detyrua të largohej nga Kosova dhe të kërkonte azil politik në Gjermani. Megjithatë, edhe pse u vendos në Gjermani, Jahiri nuk pranoi që me vete të merrte asnjë nga fëmijët e tij. Qëndrimi i tij ishte i qartë dhe i palëkundur, ai besonte se fëmijët duhej të rriteshin në vendin e tyre, në Kosovë, duke u formuar me frymën, gjuhën dhe dashurinë për atdheun. Sipas tij, Kosova nuk ishte thjesht vendlindja fizike, por trualli shpirtëror që formonte karakterin dhe ndërgjegjen kombëtare të fëmijëve.

Por trashëgimia e qëndresës në këtë familje nuk kufizohej vetëm te babai i Luljetës. Edhe axha i saj, Hafir Shala, me profesion mjek, ishte viktimë e represionit të egër. Ai kishte vuajtur një dënim prej pesë vjetësh në disa nga burgjet më famëkeqe, si ai i Prizrenit, Lepogllavës dhe Stara Gradishkës. Për më tepër, Hafiri konsiderohet i zhdukur që nga 10 prilli i vitit 1998, një plagë e hapur në kujtesën familjare dhe kombëtare.

Dhimbja dhe krenaria e kësaj familjeje shënohen edhe nga martirizimi i djalit të axhës, Sahitit, i cili ra në demonstratat e vitit 1990 në Drenas (ish-Gllogoc). Ai ishte pjesë e atij brezi të të rinjve që nuk hezituan të përballeshin me dhunën e regjimit për të kërkuar lirinë dhe dinjitetin e popullit të vet. Në këtë mjedis të mbushur me shembuj sakrifice, rezistence dhe përkushtimi, Luljeta nuk mund të mbetej e painteresuar apo indiferente. Ajo u formua si një bijë e denjë e kësaj trashëgimie, duke e parë luftën për liri jo si zgjedhje, por si një detyrë të shenjtë që duhej çuar përpara me nder dhe vendosmëri.

Luljeta Shala e nisi udhëtimin e saj fillor në vendlindje, ku kreu me sukses katër klasë me sukses të shkëlqyeshëm. Më pas, që nga klasa e pestë, ajo e vijoi arsimin në Drenas, duke u përshtatur me një mjedis më të madh dhe më të ndryshëm, por gjithmonë me të njëjtën përkushtim dhe etje për dije. Arsimin e mesëm e vazhdoi në gjimnazin “Skënderbeu” të Drenasit, ku ndoqi drejtimin matematiko-natyror – një zgjedhje që tregonte prirjen e saj për të hulumtuar dhe kuptuar botën përmes logjikës dhe natyrës, duke reflektuar mendjehapur dhe ambicie të qarta për të ardhmen.

Por Luljeta nuk ishte vetëm një nxënëse e zellshme dhe e përkushtuar në lëndët shkollore. Ajo tregoi gjithashtu shpirt të ndjeshëm dhe krijues, duke u bërë pjesë aktive e jetës kulturore të shkollës së saj. Si anëtare e grupit muzikor të gjimnazit, ajo kontribuoi në pasurimin artistik të mjedisit shkollor, duke marrë pjesë me entuziazëm në koncerte dhe aktivitete të shumta. Performancat e saj nuk u kufizuan vetëm brenda mureve të shkollës. Ajo mori pjesë në disa koncerte të organizuara në nivel komune, si në Drenas ashtu edhe në Komoran, duke përfaqësuar jo vetëm talentin dhe pasionin e saj personal, por edhe gjimnazin e saj me dinjitet dhe krenari. Në këtë mënyrë, Luljeta Shala nuk u formua vetëm si një nxënëse e dalluar, por edhe si një vajzë e angazhuar, me shpirt të pasur kulturor dhe me aftësi për të ndërtuar ura komunikimi e dashurie me bashkëmoshatarët dhe shoqërinë në tërësi.

Në pranverën e vitit 1993, pas një ngjarjeje që tronditi Drenasin – vrasjes së disa policëve serbë – situata në këtë trevë u rëndua ndjeshëm. Përgjigjja e autoriteteve serbe ishte tipike për logjikën e dhunës kolektive. Vendosja e postblloqeve të përhershme policore në nyjat më të rëndësishme të qarkullimit, si në udhëkryqin strategjik të rrugës Drenas–Prishtinë.

Kjo prani e rritur policore nuk synonte vetëm kontrollin e territorit, por mbi të gjitha frikësimin dhe nënshtrimin e popullatës shqiptare. Në këtë klimë të rëndë represioni, viktima të pafajshme u bënë edhe Luljeta Shala dhe kushërira e saj, Zyrafetja, të cilat në atë kohë ishin ende nxënëse që përpiqeshin të vijonin normalisht rrugën e tyre drejt shkollës.

Gjatë një prej atyre mëngjeseve të zakonshme, ndërsa po shkonin drejt dijes, ato u ndaluan nga forcat policore serbe në një prej postblloqeve të ngritura për “siguri”. Mirëpo, nën pretekstin e kontrollit, ato përjetuan jo thjesht ndalim, por edhe tortura fizike – një akt brutal dhe çnjerëzor që synonte t’i poshtëronte dhe t’i frikësonte, si pjesë e politikës së sistemuar të shtypjes dhe dhunës mbi shqiptarët. Ky incident nuk mbeti i padokumentuar. Ai u evidentua dhe u denoncua në mënyrë të qartë nga Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Drenas, një prej zërave më të rëndësishëm të kohës në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut. Rasti u pasqyrua në kronologjinë e rregullt javore të të përjavshmes “Zëri”, duke u bërë dëshmi e shkruar e padrejtësive dhe dhunës së sistemuar që regjimi serb ushtronte ndaj popullsisë shqiptare.

Ky akt i turpshëm i dhunës policore ndaj dy vajzave të reja nuk ishte thjesht një histori personale e dhimbjes, por një pjesë e mozaikut të gjerë të përvojës kolektive të shqiptarëve të Kosovës, që e paguanin çdo ditë çmimin e rëndë të rezistencës dhe të mbijetesës nën okupim.

Pas 28 nëntorit të vitit 1997, një datë historike kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës shpalli publikisht angazhimin e saj për luftë të armatosur kundër pushtuesit serb, shumëçka ndryshoi në mendjet dhe zemrat e të rinjve shqiptarë. Ky akt simbolik dhe vendimtar i dha një drejtim të ri dhe të qartë rezistencës, duke frymëzuar një brez të tërë me idealin e çlirimit të plotë kombëtar. Edhe për Luljeta Shalën, kjo ditë shënoi një kthesë të thellë dhe të pakthyeshme në jetën dhe ëndrrat e saja. Dashuria dhe përkushtimi për studimet, të cilat deri atëherë kishin qenë qendra e jetës së saj të përditshme, u zbehën para peshës së një ideali më të madh dhe më të ngutshëm. Në mendjen dhe në zemrën e saj filloi të digjej vetëm një dëshirë e vetme, të lidhej me çlirimtarët dhe të bëhej pjesë e kësaj lëvizjeje të drejtë dhe jetike për fatin e popullit të saj.

Ky vendim nuk ishte i pamatur, por një akt i ndërgjegjshëm dhe i frymëzuar nga rrethanat historike dhe nga bindja se liria nuk fitohej pa flijime. Në pranverën e vitit 1998, Luljeta, bashkë me shoqet e saj të palodhura dhe të guximshme – Selvete Elshanin, Melihate Hoxhën, Mexhide Thaçin, Makfire Thaçin dhe të tjera trimëresha – morën hapin vendimtar. Ato paraqiten vullnetare në Shtabin ushtarak të Drenicës në Likoc, duke shprehur gatishmërinë për të kryer stërvitje ushtarake dhe për t’u bërë ushtare të vërteta të çlirimit. Ky angazhim i tyre nuk ishte simbolik.

Luljeta, Selvetja, Mexhidja, Makfirja dhe shoqet e tjera vendosën me bindje të plotë që roli i tyre të mos mbetej në prapavijë. Ato u përcaktuan të vepronin në operativë, në vijat e para të fronteve të luftës çlirimtare. Ishin të gatshme të përballeshin me rreziqet më të mëdha dhe të ndanin fatin me shokët e armës, duke e dëshmuar me jetën e tyre se dashuria për atdheun dhe vendosmëria për liri nuk kishin gjini, por vetëm shpirt të madh dhe guxim të pashoq.

Ky vendim i Luljeta Shalës dhe i shoqeve të saj për të lënë gjithçka pas – studimet, jetën e qetë familjare, ëndrrat personale – dhe për të hyrë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbetet një nga dëshmitë më të forta të asaj gjenerate që vendosi të shkruante historinë me gjak dhe sakrificë për të ardhmen e lirë të Kosovës. Pas përfundimit të fazës së stërvitjes ushtarake, Luljeta Shala, së bashku me bashkëluftëtaret e saj, u sistemua në kuadër të Njësitit Vëzhgues të quajtur “Guri III”. Kjo njësi, me një karakter të theksuar gueril dhe vëzhgues, operonte në një hapësirë gjeografike mjaft sfiduese, përfshirë malet e Kozmaqit dhe disa prej fshatrave me rëndësi strategjike si Baica e Elshanit, Domaneku, Krajkova dhe Llapushniku.

Kjo përzgjedhje e vendndodhjes shpreh qartësisht rolin e tyre si pjesë e një strategjie më të gjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që synonte të siguronte jo vetëm mbrojtje të popullatës lokale, por edhe ruajtjen e qasjeve malore dhe rrugëve lidhëse që mund të shfrytëzoheshin për furnizime dhe manovra të befasishme. Në këtë mënyrë, përfshirja e grave luftëtare në struktura të tilla nuk ishte vetëm një akt i guximit individual, por një kontribut i ndërgjegjshëm dhe i organizuar në kuadër të përpjekjeve kolektive për liri dhe vetëvendosje.

Në një klimë të ngarkuar me tension politik e shoqëror dhe në një periudhë kur përplasjet kishin marrë formë të hapur të rezistencës së armatosur, Luljeta Shala zhvilloi kontaktet e para të drejtpërdrejta me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë muajit prill të vitit 1998. Këto takime nuk ishin të rastësishme, por fryt i një procesi të kujdesshëm komunikimi, njohjeje dhe vlerësimi të ndërsjellë. Në konsultimet e zhvilluara me anëtarët e UÇK-së, u trajtuan çështje që kishin të bënin me përkushtimin personal, qëllimet e saj, dhe kapacitetin për t’u përshtatur me kërkesat e një lufte të organizuar.

Pas këtij procesi seleksionues dhe të menduar mirë, Luljeta mori miratimin për t’u inkuadruar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës më 15 maj 1998. Ky akt formal i pranimit nuk përfaqësonte thjesht një aderim simbolik, por shënonte kalimin e saj në një dimension të ri të angazhimit politik dhe ushtarak, ku idealet e lirisë dhe çlirimit kombëtar merrnin formë konkrete përmes disiplinës dhe sakrificës. Pas pranimit, ajo u dërgua për të ndjekur një kurs të strukturuar trajnimi ushtarak në Likoc të Skënderajt – një qendër e njohur e organizimit dhe mobilizimit të UÇK-së. Aty, bashkë me një grup të përzgjedhur të grave ushtare, Luljeta iu nënshtrua një programi të përqendruar stërvitor që zgjati deri më 9 qershor 1998. Ky kurs nuk kishte vetëm qëllim teknik dhe ushtarak, por edhe një dimension formues ideologjik e moral, ku solidariteti, përkushtimi dhe disiplina shndërroheshin në vlera thelbësore të një lufte çlirimtare të strukturuar dhe të ndërgjegjshme.

Gjatë periudhës së formimit dhe stërvitjes ushtarake, Luljeta Shala dëshmoi një nivel të lartë aftësish dhe shkathtësie luftarake, duke spikatur veçanërisht në përdorimin e armës dhe në saktësinë e gjuajtjes në distanca të ndryshme. Ky progres nuk ishte thjesht rezultat i një talenti të natyrshëm, por edhe i një metodologjie të strukturuar dhe rigorozisht të zbatuar nga trajnueset e saja. Mes këtyre figurave udhëheqëse të përkushtuara spikasnin Xhevë Krasniqi-Lladrovci, një personalitet emblematik i luftës çlirimtare.

Falë kësaj përgatitjeje të shkëlqyer dhe vlerësimeve të larta nga drejtuesit, ajo u sistemua në Grykën e Llapushnikut, në kuadër të njësisë vëzhguese “Guri 3” të Brigadës 113. Kjo brigadë, që do të mbante më pas emrin e dëshmorit Mujë Krasniqi, përfaqësonte një nga formacionet më të strukturuara dhe të disiplinuara të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke pasur një rëndësi strategjike për mbrojtjen e korridoreve malore dhe kontrollin e rrugëve lidhëse në atë zonë. Në këtë njësi, Luljeta fillimisht shërbeu në rolin e policisë ushtarake, ku aftësitë e saj organizative dhe ndjenja e përgjegjësisë u vunë në funksion të ruajtjes së rendit dhe disiplinës brenda formacionit. Më pas, ajo u angazhua drejtpërdrejt në vijat e para të frontit, duke dëshmuar jo vetëm guximin personal, por edhe gatishmërinë për të përmbushur misionin e saj në mbrojtje të atdheut dhe idealeve të lirisë.

Në pozicionet e barrikadave të ngritura në Grykën strategjike të Llapushnikut, Luljeta Shala shërbeu për një periudhë prej dy muajsh, duke u angazhuar në mënyrë të pandërprerë në mbrojtjen e vijave të frontit dhe në ruajtjen e këtij korridori jetik për lëvizjen dhe furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky terren i thyer dhe i vështirë, i mbushur me përrenj dhe gryka të ngushta, përbënte një sfidë të veçantë taktike, ku aftësitë e luftëtarëve viheshin në provë çdo ditë. Në mesin e shumë përballjeve të rënda, ajo u shqua sidomos në betejat e ashpra të datave 25 dhe 26 korrik 1998 – ditë të cilat janë gdhendur në kujtesën kolektive si një prej kulmeve të rezistencës së armatosur në atë zonë. Luftimet e zhvilluara në këto data u karakterizuan nga intensitet i lartë dhe nga një vendosmëri e jashtëzakonshme e forcave çlirimtare për të mbrojtur pozicionet, përballë ofensivës së organizuar dhe të pajisur mirë të forcave armike.

Pjesëmarrja e Luljetës nuk ishte një akt i izoluar individual, por një manifestim i thellë i lidhjeve të saj familjare dhe shoqërore, pasi ajo luftonte krah për krah me vëllain e saj Shpendin, një djalosh 18-vjeçar që asokohe sapo po e linte pas fëmijërinë dhe po hynte në historinë e qëndresës kombëtare. Në këtë front të nxehtë të rezistencës, ajo ndante gjithashtu barrën dhe rrezikun me të dashurin e saj, Hysen Bujupin – luftëtarin e njohur me emrin e luftës “Luani”. Ai, simbol i guximit dhe vendosmërisë, do të mbetej i plagosur gjatë kësaj ofensive, duke ilustruar me plagët e tij sakrificat e thella njerëzore që shoqëruan idealin e çlirimit.

Këto episode të jetës së Luljetës dëshmojnë jo vetëm angazhimin e saj ushtarak dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, por edhe dimensionin thellësisht njerëzor të luftës – ku bashkëluftëtarët nuk ishin vetëm shokë arme, por pjesëtarë të një familjeje të madhe dhe të një ideali të përbashkët. Ato ilustrojnë gjithashtu rolin e gruas shqiptare jo thjesht si mbështetëse pas linjave të frontit, por si pjesëmarrëse aktive, e barabartë dhe e vendosur në vijën e parë të rezistencës për liri dhe dinjitet kombëtar.

Gjatë periudhës së angazhimit të saj në këtë njësi ushtarake, Luljeta Shala fitoi jo vetëm respektin e bashkëluftëtarëve për aftësitë e saj luftarake, por edhe besimin e komandës për të marrë përsipër përgjegjësi të veçanta. Një nga këto përgjegjësi ishte mbikëqyrja dhe udhëheqja e grupit të grave ushtare të vendosura në të njëjtën pikë strategjike të frontit. Ky rol mbikëqyrës nuk ishte thjesht formal, por një detyrë komplekse që kërkonte organizim, motivim dhe kujdes të vazhdueshëm për mbarëvajtjen e disiplinës dhe moralit në radhët e një kontingjenti të përzgjedhur të grave luftëtare.

Fakti që një detyrë e tillë iu besua Luljetës dëshmonte njohjen e pjekurisë së saj, autoritetit natyror dhe aftësisë për të frymëzuar besim tek të tjerët – një shembull i qartë i mënyrës se si UÇK-ja, pavarësisht kushteve të ashpra dhe urgjencës së luftës, përpiqej të ndërtonte struktura të mirëfillta organizative dhe të siguronte një drejtim të përgjegjshëm brenda njësive të saj. Por sfidat nuk përfunduan me kaq. Lufta vazhdoi të përshkallëzohej dhe Gryka e Llapushnikut, si një nyje jetike strategjike, u bë përsëri arenë e përplasjeve të dhunshme.

Luljeta mori pjesë aktivisht edhe në betejat e tjera vendimtare, ndër të cilat spikasin ofensivat e 25 dhe 27 shtatorit të vitit 1998. Ky angazhim i pandalshëm i grave në strukturat luftarake, në rolet drejtuese dhe në përballjet më të vështira, i dha luftës çlirimtare një dimension të ri shoqëror e etik, duke rrëzuar stereotipe të vjetra dhe duke afirmuar vlerat e barazisë, solidaritetit dhe sakrificës së përbashkët për kauzën kombëtare.

Në periudhën e thellimit të konfliktit dhe të intensifikimit të përpjekjeve për një organizim më të mirë të qëndresës së armatosur, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ndërmori një proces të kujdesshëm riorganizimi dhe ristrukturimi të formacioneve të saj. Në këtë kontekst, Luljeta Shala dhe bashkëluftëtaret e saj u sistemuan në Kompaninë e Tretë të Batalionit të Dytë të “Brigadës 113”, një njësi me rëndësi strategjike që operonte në zonën e fshatit Krajkovë dhe që komandohej nga Ramadan Qerim Elshani. Për Luljetën, kjo fazë e re e angazhimit përkonte me një pjekuri të konsoliduar luftarake. Ajo ishte tashmë e kalitur nga përballjet e drejtpërdrejta, betejat e vështira dhe eksperienca e barrikadave në Grykën e Llapushnikut. Kjo përvojë e kishte shndërruar në një luftëtare të gatshme për sfida edhe më të mëdha dhe më komplekse. Për këtë arsye, ajo iu bashkua me vendosmëri radhëve të luftëtarëve të komandant Mujë Krasniqit, një prej figurave më të njohura dhe të respektuara të UÇK-së.

Në nëntor të vitit 1998, përballë një situate të rënduar logjistike ku rezerva e pakët e armëve dhe municionit ishte shpenzuar gjatë ofensivave të përgjakshme të verës dhe të vjeshtës, u ndërmor një mision strategjik për të depërtuar në territorin shqiptar me qëllim furnizimi. Ky veprim nuk ishte thjesht një operacion teknik i mbështetjes me armatim, por një akt i guximshëm dhe i domosdoshëm për të siguruar vazhdimësinë e rezistencës së armatosur. Në këtë mision të rrezikshëm dhe vendimtar, nga njësiti “Guri III” u përzgjodhën dhe u nisën një grup luftëtarësh të dalluar për përkushtimin dhe besnikërinë e tyre ndaj kauzës çlirimtare. Përveç Luljetës, në këtë grup bënin pjesë figura me profile të ndryshme që pasqyronin diversitetin shpirtëror dhe intelektual të luftës: poeti, piktori dhe profesori Gani Elshani, bashkëvendësi i saj, Emin Thaçi, Xhevat Thaçi, Agron Mehmeti dhe Fehmi Hoti, të gjithë pjesë e asaj elite të heshtur të rezistencës që nuk kurseu asgjë për lirinë, si dhe i dashuri i saj, Hysen Bujupi, simbol i trimërisë dhe i përkushtimit personal të Luljetës në këtë rrugëtim të përbashkët për çlirim.

Në fillim të nëntorit 1998, formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nën komandën e Mujë Krasniqit u vendosën në Shqipëri, ku qëndruan deri më 14 dhjetor të po atij viti. Kjo periudhë e tërheqjes dhe organizimit në Shqipëri nuk ishte një pushim i thjeshtë, por pjesë e domosdoshme e një strategjie furnizimi dhe rigrupimi, me synimin për të siguruar armatim dhe pajisje të nevojshme për të vazhduar luftën e ashpër në Kosovë. Megjithatë, natyra e pamëshirshme e dimrit shqiptar, me dëborë të dendur dhe acar të mprehtë, i shndërroi këto përpjekje në një provë të jashtëzakonshme qëndrueshmërie dhe sakrifice. Ushtarët e UÇK-së, mes tyre edhe gratë luftëtare, bënë disa herë përpjekje të guximshme për të kaluar alpet shqiptare dhe për të depërtuar në Kosovë, por u detyruan të kthehen për shkak të kushteve ekstreme atmosferike dhe pranisë së forcave serbe, të cilat kishin zënë pikat kyçe dhe korridoret e kalimit me trupa ushtarake e policore. Ky bllokim i organizuar dhe i mbështetur nga dimri i ashpër, e bënte çdo tentativë të ngjashme me një akt të jashtëzakonshëm heroizmi dhe sakrifice njerëzore.

Në këtë kontekst të vështirësive të jashtëzakonshme fizike dhe psikologjike, Luljeta Shala spikati për karakteristikat e saj të veçanta trupore dhe mendore. Ajo njihej për kondicion të shkëlqyer fizik, shtat të gjatë dhe të fuqishëm, duke e bërë të aftë për të përballuar marshimet e lodhshme dhe kushtet e egra të terrenit malor në dimër. Përveç aftësive të saj fizike, ajo ishte veçanërisht e talentuar në përdorimin e armëve, duke e zotëruar me shpejtësi dhe mjeshtëri qitjen dhe manovrat ushtarake, çka e bënte një element të çmuar në çdo formacion ku shërbente.

Ky episod i qëndrimit në Shqipëri nuk përfaqëson vetëm një kapitull të rëndësishëm logjistik në luftën çlirimtare, por edhe një dëshmi të thellë të përgatitjes morale dhe fizike të grave shqiptare për të përballuar sfida ekstreme, duke u shndërruar në shembuj të gjallë të vendosmërisë, sakrificës dhe dashurisë për atdheun. Më 13 dhjetor 1998, në një atmosferë të mbushur me tension dhe vendosmëri, komandant Mujë Krasniqi mblodhi bashkëluftëtarët e tij për t’u drejtuar me një fjalim të ngarkuar me ndershmëri. Ai e dinte fare mirë vështirësinë e rrugës që i priste, acari i pamëshirshëm i dimrit dhe dëbora e thellë që shtronte malet shqiptare ishin po aq të rrezikshme sa edhe forcat e pushtuesit që ruanin me vëmendje çdo kalim.

Në këtë fjalë të thjeshtë por të fuqishme, ai bëri thirrje për përgatitje të plotë morale dhe fizike. U kërkoi të gjithëve të vlerësonin me ndershmëri mundësitë e tyre për të përballuar rrugëtimin e vështirë – sepse kjo nuk ishte një detyrë rutinë, por një marshim lufte, ku në çdo hap mund të ndodhte përballja me armikun dhe ku vetëm më të përgatiturit do të mbërrinin në vijën e frontit. Ata që nuk mund t’ia dilnin në kushte ekstreme, do të duhej të qëndronin mënjanë dhe të prisnin radhën e tyre.

Kjo thirrje, në vend që të demoralizonte, ndezi një frymë edhe më të zjarrtë vendosmërie. Asnjëri prej 143 luftëtarëve të pranishëm nuk hoqi dorë, duke treguar se ideali i çlirimit kishte rrënjë të thella në ndërgjegjen e tyre dhe se për ta nuk kishte kthim prapa. Ishte një akt kolektiv guximi, një manifestim i qartë i frymës së sakrificës që karakterizonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të nesërmen, më 14 dhjetor, formacioni i përbërë nga luftëtarë të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës nisi marshimin e tij të gjatë dhe të rrezikshëm përmes maleve të Pashtrikut. Ky masiv i ashpër dhe i vjetër – Pashtriku plak, siç e quanin me respekt – shtrihej para tyre si një provë e fundit e karakterit dhe vendosmërisë. Ata e përshkonin “pash më pash” këtë terren të mbuluar nga dëbora e trashë dhe i skuqur nga acari, me vendosmërinë për të çarë çdo pengesë drejt atdheut të robëruar.

Në ballë të kësaj kolone simbolike të lirisë printe vetë komandant Mujë Krasniqi, i shoqëruar nga vëllai i tij Aliu, luftëtari dhe rapsodi i njohur Beqir Gashi, Gani Elshani, Rifat Mëziu dhe shumë të tjerë – secili duke mishëruar një pjesë të shpirtit kolektiv të Kosovës që luftonte. Mes tyre qëndronte edhe figura e veçantë e Luljetë Shalës – e quajtur nga shokët e saj “lulja çlirimtare” për dritën e shpresës dhe vendosmërisë që përçonte. Për të, ky marshim nuk ishte thjesht një kalim gjeografik, por një udhëtim i ndërgjegjshëm në emër të lirisë, i mbushur me barrën e përgjegjësisë dhe me armët e gatshme për të përballuar çdo sulm. Me fizikun e saj të fuqishëm dhe të përgatitur, ajo mbante jo vetëm armën personale, por edhe municionin rezervë – një shenjë e qartë e rolit aktiv dhe të barabartë që kishte në këtë operacion ushtarak. Në këtë rrugëtim të vështirë dhe heroik, ajo ishte e shoqëruar nga i zgjedhuri i saj i zemrës, Hysen Bujupaj – një bashkim i dashurisë dhe betejës, që ilustronte dimensionin thellësisht njerëzor të kësaj lufte.

Ky episod i paharrueshëm nuk është vetëm një kapitull i historisë ushtarake, por edhe një dëshmi e fuqishme e unitetit, sakrificës dhe shpirtit të pamposhtur të atyre që u betuan të sillnin lirinë – pavarësisht të ftohtit, dëborës dhe vdekjes që i priste në çdo hap. Në mëngjesin e ashpër dhe të akullt të 14 dhjetorit 1998, kur dimri shfaqte tërë fuqinë e tij të pamëshirshme, kolonat e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vunë në lëvizje, të udhëhequra me vendosmëri dhe autoritet nga komandant Mujë Krasniqi. Ishte një marshim që nuk përfaqësonte thjesht një zhvendosje taktike, por një akt sublim besnikërie ndaj kauzës së lirisë, një betejë me natyrën, urinë, lodhjen dhe armikun e përbetuar.

Teksa përparonin hap pas hapi nëpër rrëpirat e mbuluara me dëborë të trashë, ata mbërritën në një pikë të njohur si “Liqenet e Hasit” – një vend që do të shndërrohej në skenën e një tragjedie të përgjakshme dhe të paharrueshme. Në atë vend, forcat serbe – të përgatitura mirë dhe të pozicionuara në pritë – ekzekutuan një plan të hollësishëm sulmi. Duke shfrytëzuar terrenin dhe duke pritur momentin kur pjesa më e madhe e kolonës të hynte në rrezen efektive të armëve të tyre, ato lëshuan breshëri vdekjeprurëse mbi radhët e para. Ky sulm i befasishëm dhe i pamëshirshëm nuk ishte një rastësi, por një akt i planifikuar me kujdes strategjik, që synonte shkatërrimin e moralit dhe eliminimin fizik të forcave më të përgatitura të UÇK-së. U ndezën përleshje të drejtpërdrejta, fyt për fyt, mes mbulesës së bardhë të dëborës dhe gjakut që shndriste mbi të. Luftimet u shtrinë në orë të tëra, të egra dhe pa mëshirë, duke përplasur idealin e lirisë me makinerinë e terrorit të organizuar shtetëror.

Në këtë betejë epike dhe tragjike njëkohësisht, në “fushën e nderit” dhe “altarin e atdheut”, ranë përjetësisht komandant Mujë Krasniqi dhe 34 luftëtarë të tjerë të lirisë, duke e shndërruar atë ditë në një simbol të sakrificës sublime. Mes tyre, emri i Luljetë Shalës zë një vend të veçantë – trimëresha e Drenicës, bija krenare e Krajkovës, që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e luftës çlirimtare. Ajo, me gjakun e saj të pastër, përskuqi bardhësinë e ftohtë të Pashtrikut, duke e kthyer dëborën në një dëshmi të përjetshme të sakrificës dhe nderit.

Pranë saj, i bashkuar jo vetëm nga ideali i lirisë, por edhe nga lidhja e zemrës, ra edhe Hysen Bujupaj – “Luani” nga Burimi (ish-Istog). Rënia e tyre së bashku nuk ishte vetëm një humbje e madhe për radhët e UÇK-së, por një rrëfim i thellë njerëzor mbi dimensionin e dashurisë dhe përkushtimit që i lidhi në jetë dhe në vdekje. Ata ilustruan me aktin e tyre të fundit se liria nuk fitohet pa gjakun më të mirë të bijve dhe bijave të atdheut, dhe se lufta nuk ishte thjesht një përballje politike, por një dramë e madhe njerëzore e mbushur me dhimbje, heroizëm dhe pavdekësi.

Pas betejës tragjike dhe sakrificës së pashoqe të bërë në malet e mbuluara me dëborë të Pashtrikut, trupat e rënë të dëshmorëve u tërhoqën dhe u dërguan në Morgun e Prizrenit – një hap i domosdoshëm dhe i dhimbshëm, i cili shënonte kufirin mes jetës dhe pavdekësisë së tyre simbolike. Ky proces i kthimit të trupave nuk ishte vetëm një veprim logjistik, por një akt solemn dhe i ngarkuar me dhimbje e nderim, që pasqyronte përgjegjësinë morale të shokëve të armës për të nderuar ata që ranë për lirinë e atdheut.

Këto përgatitje kulmuan më 21 dhjetor 1998, kur trupat e 35 dëshmorëve, mes tyre edhe ai i komandant Mujë Krasniqit, u përcollën për në banesën e fundit me nderime të plota ushtarake. Ceremonia e varrimit në “Varrezat e Dëshmorëve” në fshatin Polac të Drenicës nuk ishte thjesht një akt mortor, por një shfaqje publike e vlerave të luftës çlirimtare dhe një dëshmi e gjallë e dashurisë së popullit për bijtë e vet më të mirë.

Në atë tokë të shenjtë prehen sot ata që idealin për liri e ngritën mbi gjithçka, të pavdekshëm në kujtesën kombëtare. Mes tyre gjendet edhe Luljetë Shala – e njohur si “lulja e bajrakut të lirisë”, një metaforë që përmbledh në mënyrë poetike dhe të fuqishme thelbin e jetës dhe veprës së saj. Për breza të tërë, ajo do të mbetet një simbol i gjallë i trimërisë, i shpirtit të pastër të sakrificës dhe i idealizmit të vërtetë atdhetar.

Tri vite pas rënies së saj heroike në altarin e atdheut, kujtimi i Luljetë Shalës dhe i të dashurit të saj, Hysen Bujupaj, u përjetësua në mënyrë të veçantë dhe të denjë për sakrificën e tyre. Në qytetin e Burimit, u ngrit një lapidar i përbashkët, i cili nuk është thjesht një monument guri apo metali, por një simbol i prekshëm i dashurisë së bashkuar me idealin, i betimit të përbashkët dhe i jetës së flijuar për liri. Ky lapidar i jep dëshmi publike dhe të përhershme lidhjes së tyre të shenjtë, të shndërruar në testament për brezat e ardhshëm.

Literatura:

  1. Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të trojeve shqiptare, Prishtinë , 2015
  2. https://www.radiokosovaelire.com/luljete-jahir-shala-2-10-1977-14-12-1998/
  3. Sabile Keçmezi-Basha, Të burgosurit politik shqiptar në Kosovë 194501990, Prishtinë 2010
  4. Sabile Keçmezi-Basha, Ekzekutimi i shqiptarëve në Kosovë nga OZNA dhe UDB-ja jugosllave 1944-1990, Prishtinë, 2024
  5. Hamdi V. Thaçi, Drenica djep i UÇK-së dhe Batalioni I i Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci”, Prishtinë 2017
  6. https://www.botasot.info/aktuale-lajme/1628226/ministri-i-ushtrise-viziton-familjen-e-mjekut-te-pare-te-uck-se-dhe-deshmores-luljeta-shala/
  7. https://kallxo.com/lajm/zhdukja-e-mjekut-hafir-shala-deshmitari-rrefen-per-momentin-e-ndalimit-nga-pjesetare-te-policise-dhe-te-sigurimit-shteteror-te-serbise/

(Vijon)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.