Të dashur miq!
Po ju vendos sot nje nga kapitujt hyres te librit tim:
GJEOGRAFIA HISTORIKE E SHQIPERISE.
Engjëll Gishti
Vëzhgimet e Herodotit
Çdo turist, çdo kureshtar, studjues apo historian, nga çdo vend i këtij planeti të vogël që kemi, është i magjepsur nga historia e jashtëzakonshme e Mbretit Leonidha me 300 spartanët e tij të cilët para vdekjes së sigurt preferuan qëndresën dhe gdhëndjen e emrit dhe historisë së tyre në librat e Historisë së Njerzimit, se sa shpëtimin e jetës dhe harrimin e tyre! Shumë heroik ky veprim, shumë i fisshëm ky xhest që nga 2500 vite edukon Europën dhe jo vetëm. Ndaj ja vlen të shkosh në atë vend, në atë tempull të shpirtit europian të lirisë dhe të përulesh me adhurim para atij heroi të lavdishëm që sëbashku me ushtrinë e tij të vogël e shpërfillën vdekjen e tyre para ushtrisë së pafundme të tiranit pers Kserks. Kush nuk e ka bërë këtë udhëtim!? Gjysma e Europës ka shkuar në atë vendbetejë dhe i është përulur veprës së mbretit të lavdishëm duke admiruar shembullin e tij…
Por pas përuljes dhe respektimit të natyrshëm, gjysma e Europës ka mbetur pak e trullosur kur duke u larguar nga statuja e Leonidhës e ka pyetur veten: nëse të gjitha përmendoret dhe statujat ngrihen pikërisht atje ku heroi realizoi aktin e tij më sublim, përse vallë Leonidhën e kanë vendosur në mes të një fshati diku në një fushë të pakuptimtë? Fig. nr 1. E ku do kishte vend më të bukur për Leonidhën (e mundësisht edhe disa shokë të tij me heshta e shpata në duar duke imituar çaste nga beteja e famshme) se sa pikërisht atje pranë ngushticës shkëmbore të larë nga valët e detit të egërsuar? Sa heroike është pamja e realizuar nga Hollivudi kur trajton këtë histori! Sa zhgënjyese është pamja e Leonidhës (jo si monument në vetvete) i vendosur në mes të një fushe të pakuptimtë plot speca e domate!
Po përse vallë Leonidha është vendosur në mes të një fushe dhe nuk është vendosur në ngushticën e tij?! I gjendur para monumentit, turisti rrotullohet në 360 gradë për të identifikuar vendin e famshëm të betejës…, dhe pashmangshmërisht pyet: ku është vallë ngushtica e famshme eTermopileve ku qendruan 300 spartanët në krye të forcës prej 4000 luftëtarëve që luftuan aq heroikisht me dhjetra e qindra mijëra pers? Ku është ai kalim aq i ngushtë sa po të të shkiste këmba bije në det ku gjeje një vdekje të sigurt nga valët që përplaseshin mbi faqen shkëmbore (sikurse e ka realizuar skemën mjeshtërisht Hollyvvood)?!
Për ne si shqiptarë, që historinë e Leonidhës e kemi mësuar qysh herët në fëmijëri, ka qënë mjaft i lehtë imagjinimi i ngushticës së Termopileve sepse përherë e kemi krahasuar atë me rrugën e ngushtë shkëmbore që pasi lë Vilën Qeveritare tek Uji i Ftohtë Vlorë, i drejtohet Orikumit. Rruga kalon në mes të një faqe shkëmbore që bie thikë mbi det dhe shpesh është gërryer nën shkëmbenjtë e frikshëm. Skema e realizuar nga Hollyvvudi për Betejën e Termopileve është shumë e ngjashme me këtë vend; kushdo sot mund ta rijetojë atë skemë heroike pikërisht në këtë vend, ku ndërsa ke shkëmbin mbi kokë, mjafton të zgjatesh nga parmakët e rrugës për të parë se njëkohësisht je edhe mbi dallgët e detit që rrahin shkëmbin poshtë këmbëve të tua! Kështu e kemi imagjinuar që fëmi ngushticën e Termopileve… kështu është konceptuar edhe nga regjizorët e Hollyvvoodit …, ndaj dhe nuk ka turist të botës sot që të mos ketë ndjerë një zhgënjim të madh gjeografik kur ka vajtur të vizitojë vendin ku sot ngrihet Monumenti i Leonidhës, mes një fushe plot fruta e perime!
Turisti apo historiani që gjendet mbi vendbetejën e Termopileve sot, e shikon detin mbi 2 km larg, ndaj fillon të vëjë në dyshim jo vetëm Hollivvoodin, por edhe ato dhjetra burime historike të kohës, aq sa të mund t’i vijë në kokë edhe pyetja: “po nëse na kanë gënjyer në një mënyrë kaq flagrante për një fakt kaq të parendësishëm (relievin e vendit), a mundemi vallë ne të besojmë (të paktën në ato përmasa) të gjitha ato mijëra histori që autorët antikë tregojnë për heronjtë grekë? Nëse një ngushticë tokësore prej rreth 2200 m (Fig. nr. 2), ata na e japin si 20 metra (Fig. nr. 3), përse vallë të mos mendojmë se të njëjtën gjë ata e kanë bërë (pjestuar apo shumëzuar me disa dhjetra herë) edhe me përmasat e ngjarjeve historike (numërin e ushtarëve pushtues, numërin e ushtarëve mbrojtës, numërin e të vrarëve, numërin e heroizmave) e kështu me rradhë?!
Natyrisht që nuk ka vend për dyshime e zhgënjime! Përtej zbukurimeve artistike, edhe Hollyvvood përpiqet t’i ngelë besnik të vërtetës. Kalimi në Termopile, në kohën e ardhjes së persëve të Kserksit, ka qënë vërtet një rrip i ngushtë toke (krejt ndryshe nga sot), veçse në anën e detit nuk kishim valë të larta oqeanike që të përplasnin pas shkëmbit (ky është trilli artistik i Hollivudit), por kishim vetëm moçale të mbushura me bretkosa: kështu na dëshmon Herodoti!
Babai i Historisë, na e përshkruan mjaft qartë terrenin e ngushtë ku pikërisht helenët vendosën t’i bëjnë pritë ushtrisë së Kserksit. Ai na shpjegon se ata e zgjodhën këtë pikëpritje pikërisht për shkak të ngushtësisë së saj sepse vetëm aty nuk do ndihej epërsia e ushtrisë së panumërt perse e detyruar kështu “të hollohej” dhe të zvogëlonte fuqinë goditëse para rezistencës greke. Ndërsa na thekson gjithashtu se e gjithë zona e poshtme në krah të Termopileve (në anën e detit), ishte një zonë moçalore, çka e bënte terrenin të papërshtatshëm (për persët) të ndërmerrnin sulme nga kjo anë lagunore…; ajo ende nuk kishte fituar lartësinë e mjaftueshme nga niveli i detit që t’i jepte asaj pamjen e fushës që ka sot!
I njëjti vend rezulton si një pikë bllokimi e rezistence edhe në shekujt e mëvonshëm si psh për ushtritë që do lëvizin në luftat e fuqishme romako-maqedone, çka na riprovon vërtetësinë e fjalëve të Herodotit mbi këtë ngushtësi edhe disa shekuj më vonë. Pra pamja e sotme nuk është ajo e 2500 apo 2200 viteve më parë: fusha që shohim sot është produkt i prurjeve aluvionale në këto 25 shekuj. Në kohën e formimit të shtetit modern grek duket se ky proçes pothuaj ka përfunduar sepse një nga dijetarët europianë të kohës na dëshmon se “ in consequence of some great convulsion of the nature, the sea has novv retired so far as to render this once important pass comparatively of a little value”.
Shikoni se çfarë kontrasti kanë këto fjalë në krahasim me dëshminë e Herodotit kur ai përshkruan Termopilet: “Kalimi për në Helladë përmes territorit Trahin në vendin më të ngushtë, në Termopile, ka një gjerësi prej gjysëm peltre. Kurse tjetërkund, si në lindje ashtu dhe në perëndim të Termopileve, kalimi ngushtohet edhe më shumë deri në Alpeni, ku ka një rrugë kalimi vetëm për një karro…. , kurse në anën tjetër është det dhe terreni është plot me moçale”. Janë pikërisht këto zona moçalore të atëhershme që sot i gjejmë si fusha të gjera të një lugine të kultivuar nga fermerët. Me këto dëshmi, pamë qartësisht forcën transformuese të natyrës, pra evoluimin morfologjik të një zone konkrete historike të evidentuar mijëra herë nga historia. Por historia na jep edhe plot shembuj të tjerë akoma më sinjifikues.
Homeri na thotë se kur Telemaku arriti moshën e pjekurisë dhe u nis në kërkim të lajmeve mbi babain e vet, Odisean e lavdishëm, ai shkoi edhe në oborrin e Menelaos, i cili, midis të tjerash, i tregoi edhe mbi tregtinë që kishte bërë me objektet e grabitura në Trojë, duke lundruar drejt Egjiptit e deri në Etiopi. Në momentin e tregimit të vështirësive të kthimit për në atdhe, Menelao, përshkruan bregun e Deltës së Nilit në Egjipt: “Përballë Egjiptit, është një ishull, rrethuar nga deti, i cili quhet Far, është larg nga toka sa një hapsirë që një anije e harkuar, e shtyrë nga flladi i erës fëshkëlluese, përshkruan në një ditë mbi det.” Pra me sa duket, përballë deltës së Nilit, në një distancë rreth 40 – 50 milje në thellësi të detit, rreth 3200 vite më parë, ne kemi patur një ishull mbi të cilin egjiptianët e vjetër kishin ngritur jo vetëm një port, por edhe një far i cili nga shumë larg u tregonte anijeve drejtimin e Egjiptit; më saktësisht të pjesës perëndimore të Deltës së Nilit ku më vonë do ngrihet Aleksandria.
Rreth 7-8 shekuj më vonë, mbi të njëjtin vend, na jep hollësitë e tij përsëri Herodoti, të cilit duket se i ka interesuar jo pak edhe tema jonë. Në veprën e tij “Historia”, ai, fillimisht na flet për memorien historike të banorëve vendas (që ai e mori nga priftërinjtë egjiptianë) mbi ndryshimet morfologjike të Deltës së Nilit: “Asokohe, i tërë Egjipti, përveç provincës së Tebës, ishte një moçalishte dhe e tërë pjesa që tani ndodhet poshtë liqenit Meri (për të arritur tek i cili nga deti nëpër lumë duhen shtatë ditë udhëtim) ishte nën ujë. Dhe pastaj shton menjëhërë: “Këto që thoshin për vendin e tyre (egjiptianët-shënimi ynë) mua më duken të sakta. Madje një njeri – natyrisht me mend në kokë – i cili s’ka dëgjuar gjë për këto, mjafton të shohë dhe do të kuptojë lehtësisht se ajo pjesë e Egjiptit drejt së cilës shkojnë lundërtarët helenë, është tokë e re të cilën egjiptianët e kanë fituar si dhuratë prej lumit.”
Dhe duke arsyetuar e krahasuar akoma, Herodoti shton: “Pjesa më e madhe e tokës në fjalë është përfituar kohët e fundit prej egjiptianëve. Kjo është edhe përshtypja ime vetjake, por po këtë gjë ma thanë edhe priftërinjtë. Toka në jug të qytetit Memfis, ndërmjet vargmaleve që përmenda, më duket se në të kaluarën duhet të ketë qënë një gji deti, siç ka ndodhur me tokat afër Ilios Teutranias (Trojës), Efesit dhe me luginën e Meandrit, nëse mund të krahasohen lokalitete të vogla me luginat e mëdha…. Ka edhe lumenj të tjerë, që megjithëse nuk janë aq të mëdhenj sa Nili, kanë sjellë pasoja të rendësishme. Në veçanti (megjithëse mund të përmend edhe të tjerë) Akelousi, (lumi) i cili rrjedh nëpër Akarnani dhe derdhet në det, e ka bashkuar tanimë gjysmën e ishujve Ekinade me tokën kontinentale.”
“Sipas mendimit tim, në të kaluarën, Egjipti, ka qënë një gji i tillë; pra dy gjije ku njëri (arabiku) shtrihej nga jugu në veri dhe ai egjiptiani nga veriu në jug: ata “ndaheshin nga një rryp toke i ngushtë” – përfundon Herodoti mbi këtë argument. Pra duket qartë se Herodoti arsyeton gjatë mbi gjeografinë historike të Rajonit të Egjiptit aq sa hipotizon se nëse Nili do derdhej në Gjirin Arabik të Suezit, atij do i mjaftonin 10.000 vite për ta mbushur plotësisht këtë gji. Ai na sqaron gjithashtu se ky nuk është një fenomen që shfaqet vetëm në luginën e Nilit, por ndodhte i njëjtë (edhe pse në përmasa më të vogla) edhe në gjithë bregun perëndimor të Turqisë së sotme nga zona e Ilionit (Trojës) deri në atë të Meandrit duke i parë këto fusha bregdetare si gjije historikë të mbushur nga aluvionet e lumenjve. Në fund ai na flet edhe për skajin më jugor të botës ilire, Akarnaninë, ku na njofton se gjysma e ishujve të bregdetit të saj janë zhdukur si pasojë “e kapjes” së tyre nga aluvionet lumore që i kanë bashkuar me tokën.
Lajmet mbi Deltën e Nilit dhe ishullin përballë tij, na vijnë edhe nga shumë autorë të antikitetit (mbi të cilët ne nuk do zgjatemi sepse nuk është ky objekti i këtij studimi). Ne do mjaftohemi vetëm me informacionin shumë preciz që na jep Cezari në veprën e tij “De Bello Civili”. Pasi fiton Betejën e Farsalës, duke ndjekur Pompeun e arratisur, Cezari përfundon në Egjipt, në Aleksandri, pranë mbretit të ri Ptolemeo dhe motrës së tij Kleopatra në grindje për fronin pas vdekjes së të jatit! Cezari 52 vjeçar nuk i reziston dot afashinimit të Kleopatrës 23 vjeçare, ndaj ai vendos të mbështesë Kleopatrën! Kështu mbreti dhe mbështetësit e tij sulmojnë Cezarin me një ushtri të fortë! I mbetur i rrethuar e në prag të asgjesimit, Cezari tërhiqet (duke i vënë flakën Aleksandrisë me anë të librave të bibliotekës më të madhe të Botës), drejt Farit të qytetit. Njësoj si Homeri ai na thotë se Fari gjendej në një ishull, porse tashmë ishulli ishte shumë pranë dhe i lidhur me tokën me një rrugë të gjatë prej 900 hapash romakë (afro 1350 m).
Sot ky far është njëjësuar me pjesën tjetër të qytetit. Kështu shohim forcën e jashtëzakonshme “mbushëse” që ka një lum i përmasave të mëdha siç është Nili i cili në pak më shumë se 1000 vite ka arritur të përparojë drejt detit (duke lënë pas shumë hapsira liqenore) për afro 50 milje. Fig. nr. 4 e realizuar rreth dy shekuj më parë na tregon këtë fushë të mbushur me liqene dhe laguna akoma në procesin e saj formues; sot një pjesë e këtyre liqeneve janë zhdukur (edhe nëpërmjet punës së njeriut) duke përfunduar në një masë të madhe procesin e formimit të fushës.
Mbi forcën krijuese të lumenjve dhe evoluimin e tokës, Herodoti nuk na flet vetëm për bregdetin e Afrikës apo Azisë, por edhe për atë europiane. Kështu ai trajton edhe zonën eThesalisë e cila – sipas Herodotit, por edhe sipas shumë autorëve të tjerë – pjesërisht, banohej edhe nga fiset iliro-epirote të Perrebejve, Enejve, Tralëve, Dolopëve etj. Në tekstin e tij, ai na sjell memorien historike të banorëve të saj sipas të cilëve fusha e madhe e Thesalisë së atëhershme, e rrethuar me male të larta pothuaj nga çdo anë, dikur kishte qënë liqen, ndërsa të pesta degët që sot bashkohen e formojnë lumin Peneu, dikur ishin pesë përrenj që derdheshin në liqen pa u takuar me njëri-tjetrin. Kuptohet qartë se ky proces morfologjik i mbartur në memorien e njerëzve të lashtë deri në kohën e Herodotit, duhet të ketë përshkuar disa mijëvjeçarë të kohërave prehistorike, për të cilat sot është vështirë të flasësh me saktësi, por është shumë e rendësishme të theksojmë se kjo dëshmi na provon se ky fenomen nuk ka ndodhur në epoka gjeologjike shumë të hershme, por vetëm në mijëvjecarët e prehistorisë (Holocenit), ndaj dhe u ruajtën në memorien e njerëzve.
Këto brigje të Greqisë, Azisë dhe Egjiptit kanë fatin e madh të dokumentohen mirë në shekuj të ndryshëm nga klasikët, saqë studimet mbi ndryshueshmërinë morfologjike të tyre në këto mijëvjeçarët e fundit janë vërtet të lehta për t’u evidentuar, konceptuar e studiuar; këto studime “kanë përfunduar” me kohë në këto shtete. Kështu sot, duke u mbështetur në këto studime bazike, kryhen studimet e tjera të detajuara në fushën e Morfologjisë së Aplikuar të cilat synojnë zhvillimin e botës së gjelbër, transformimet inxhinierike me interes fitimin ekonomik, ndërtimin e sistemeve mbrojtëse në shërbim të popullsisë apo bujqësisë etj, etj.
Në fakt edhe këto pak rrjeshta tonat mbi këto zona, më shumë i ngjajnë një promemorie se sa një studimi. Këto shembuj nga më të njohurit në historinë dhe gjeografinë mesdhetare, i dhamë për të kuptuar qartë faktin se jo vetëm në kohët gjeologjike, por edhe në ato historike, kanë ndodhur ndryshime të mëdha morfologjike kudo në Mesdhe; sidomos në zonat bregdetare, çka na mëson ta shikojmë me një tjetër sy historinë e formimit morfologjik edhe të bregdetit tonë. Pra ajo që ne i shtrojmë pyetje vetes sot (por edhe lexuesit) është: po me bregun e Shqipërisë historike çfarë ka ndodhur në këto mijëvjeçarë të fundit? Si ka ndryshuar ai si pasojë e aluvioneve të lumenjve tanë dhe proceseve të tjera të natyrës, pa haruar edhe aktivitetin e dorës së njeriut? Natyrisht, lumenjtë tanë nuk kanë dimensionet dhe forcën e Nilit apo Meandrit, por sidoqoftë, sado më pak, edhe ata, domosdoshmërisht, kanë kontribuar në morfologjinë e Ultësisrës sonë Perëndimore.
Pra nëse ne kemi shembuj të qartë të transformimit të madh të Ngushticës së Termopileve; nëse kemi shembuj të qartë ku edhe përrenj të vegjël si ata të Thesalisë paskan realizuar transformime kaq të mëdha morfologjike, a nuk duhet të mendojmë se edhe lumenjtë tanë – shumë më të mëdhenj se sa këta përrenj thesalë – të kenë kryer së paku transformime të krahasueshme me ata? A kemi patur ne edhe në rastin e Shqipërisë, “ishuj të zhdukur” apo liqene e gjire “të pushtuar” nga aluvionet, fusha prezente që dikur në kohët historike kanë qënë pjesë të detit dhe shekull pas shekulli janë pushtuar nga aluvionet e lumenjve? Hyjmë kështu në tematikën e studimit tonë kryesisht mbi zonën bregdetare ku trasformimet rezultojnë vërtet të jashtëzakonshme.