Ruben Avxhiu, Illyria.com
Gazeta serbe “Danas” pretendon se ka zbuluar tekstin e propozimit franko-gjerman për zgjidhje afatgjatë të marrëdhënies mes Kosovës dhe Serbisë.
Plani përmban 10 pika dhe përfshin edhe shkëmbimin e misioneve të përhershme në kryeqytetet reciproke, njohjen e simboleve shtetërore, por jo njohjen e pavarësisë.
Nuk ka ende ndonjë konfirmim nga ambasadorët europianë, nëse ky është teksti i vërtetë që do të diskutohet mes Kosovës dhe Serbisë, por as e kanë mohuar vërtetësinë e tij.
Propozimi evropian i siguruar nga “Danas”
Pika 1
Palët do të zhvillojnë reciprokisht marrëdhënie normale, të mira fqinjësore mbi bazën e të drejtave të barabarta.
Të dyja palët do të njohin reciprokisht dokumentet përkatëse dhe simbolet kombëtare, duke përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Pika 2
Të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin.
Pika 3
Në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do të zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet ndërmjet tyre vetëm me mjete paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës.
Pika 4
Palët nisen nga supozimi se asnjëra prej tyre nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj.
Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Pika 5
Të dyja palët do të mbështesin aspiratat e tyre për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian.
Pika 6
Ndërsa kjo marrëveshje bazë përfaqëson një hap të rëndësishëm në normalizim, të dyja palët do të vazhdojnë procesin e dialogut të udhëhequr nga BE me një vrull të ri, duke çuar në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Palët bien dakord që në të ardhmen do të thellojnë bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, shkencës dhe teknologjisë, trafikut dhe lidhjes, marrëdhënieve në drejtësi dhe zbatim të ligjit, postë dhe telekomunikacion, shëndetësi, kulturë, fe, sport, mbrojtjen e mjedisit, personat e pagjetur dhe fusha të tjera. në mënyrë të ngjashme përmes arritjes së marrëveshjeve specifike.
Pika 7
Të dyja palët avokojnë për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe përdorimin e përvojave ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurohet një nivel i duhur i vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësia e ofrimit të shërbimeve në Kosovë, në disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.
Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të sigurojnë një nivel të lartë të mbrojtjes së trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Pika 8
Palët do të shkëmbejnë misione të përhershme. Ato do të vendosen në selinë e qeverisë përkatëse.
Çështjet praktike që lidhen me vendosjen e misioneve do të trajtohen veçmas.
Pika 9
Nga të dyja palët u vu në dukje përkushtimi i BE-së dhe donatorëve të tjerë për të krijuar një paketë të veçantë të ndihmës financiare për projektet e përbashkëta të palëve për zhvillimin ekonomik, lidhjen, tranzicionin e gjelbër dhe fusha të tjera kyçe.
Pika 10
Palët do të krijojnë një komision të përbashkët, të kryesuar nga BE-ja, i cili do të monitorojë zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Të dyja palët konfirmojnë detyrimet e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e mëparshme.