Me rastin e nderimit të Prend Buzhlës me çmimin letrar “Beqir Musliu” për vitin 2022
Prend Buzhala “Amëza e rrëfimit”, Bototi “Rozafa”, Prishtinë , 2012. f. 504.
Nexhat Rexha
Trajtimi i letërsisë shqiptare në të gjitha format e transmetimit, sot vjen në mënyrë të hapur, duke krijuar vlera nga më të ndryshmet. Ato vijnë si rezultat i hapjes së lirë në komunikim dhe shkrim. Në këto hapërime shpalosen shumë ëndrra të fjetura nëpër periudhat e kaluara historike, sepse shkrimet e sotme mundësojnë trajtimin e shumë temave në letërsi dhe mund të themi se me këtë arritje nuk kemi tema tabu në letërsi.
Në këtë kolorit temash e motivesh vjen edhe libri i Prend Buzhalës ”Amëza e rrëfimit”, në të cilin janë marrë në shqyrtim 47 autorë me veprat e tyre të shkruara në prozë, gjashtë autorë janë shqyrtuar me nga dy vepra, dy autorë me nga tri vepra dhe një autorë është shqyrtuar me disa përmbledhje tregimesh.
Libri voluminoz i Prend Buzhalës “Amëza e rrëfimit” brenda kopertonave përfshin sasi e cilësi, sepse në mënyrë analitike trajton veprat e marra në shqyrtim. Në vepër dominon shqyrtimi i romanit të sotëm shqiptar. Në këtë periudhë të letrave shqipe, kur vepra letrare botohet krejt lirshëm dhe është vështirë të cilësohet drejt e mirë nga kritika letrare. Prendi ka hulumtuar pjesë nga veprat më të realizuara të kësaj periudhe, sidomos tregimin e shkruar nga Adem Demaçi dhe Ramiz Kelmendi, atë të viteve të `50 e `60` ta, të shekullit të kaluar. Duke marrë në shqyrtim edhe disa autorë me tregime më të vonshme, për të cilët ai mendon se dallojnë në cilësi e përmbajtjen e tyre.
Në këto trajtesa eseistike lexuesi mund të marrë informacione të mjaftueshme për të kuptuar apo për të nxitur e lexuar cilëndo vepër të trajtuar nga autori i këtij libri. Prend Buzhala çdo vepër të marrë në shqyrtim e ka peshuar bukur përmbajtjen e saj, duke pasur parasysh tërësinë e secilës vepër, për t`ia afruar lexuesit mendimin e tij kritik, si dhe për të dhënë mundësinë e gjykimit edhe për të tjerët që merren me këtë problematikë artistike.
Libri “Amëza e rrëfimit” – Shkrime kritiko-letrare/proza e sotme shqipe, jep mundësi të njohjes nga afërsia e trajtimit të këtyre veprave letrare. Edhe pse kritika letrare sot, në të gjitha hapësirat tona është në krizë, e them në krizë për arsye se ajo shkruhet nga rasti në rast, tashmë dihet fakti për mënyrën e botimit të vështrimeve kritike nëpër gazetat e revistat e sotme. E them këtë, sepse sot nuk kemi revistë apo periodike letrare, në të cilën me një përkujdesje më profesionale do të vlerësoheshin shkrimet e këtilla. Sidoqoftë, mendimet për veprat e botuara sot, po jepen më shumë në raste të përurimit apo prezantimit të një botimi nëpër qendra të ndryshme të atdheut tonë. Çfarëdo që të themi, letërsia sot po e bën jetën e saj të lirë si kurrë më parë.
Në këtë kontekst trajtimi e kohe vjen edhe libri i Prendit, por që duke hyrë në brendi të tij, ai të afron mundësinë e depërtimit me vepra e autorë të dalluar, e njëherit të jep mundësinë e kreativitetin e lirë për të vazhduar zgjedhjen e leximin e mëtutjeshëm të këtyre vlerave të marra në vlerësim. Vetë titulli i librit “Amëza e rrëfimit” dikton aromën e këtyre veprave dhe mesazhet e këtyre protagonistëve që janë të shumtë, me të cilët përshkruhen pjesë të historisë e traditës sonë. Në këtë galeri ngjarjesh nga më të ndryshmet, shfletohen faqet e trashëgimisë sa krenare, po aq edhe të dhimbshme të së kaluarës, e kjo karakterizon e prejudikon që e ardhmja të jetë më ndryshe, më e avancuar.
Në këto vepra të trajtuara shënohen karakteristika sa të trajtuara, e ndoshta të panjohura, kurse në librin e Prendit ato krijojnë mundësinë e njohjes së tyre në mënyrë sa më të lehtë.
Këto vepra autori i ka strukturuar në këto ndarje trajtimesh: Homazh për alkiminë e rrëfimit, Ramiz Kelmendi tregimtar, Poetikë e ndërliqshme, Thellësitë shtresore të rrëfimit, Katarza e qenies ëndërrimtare dhe Bioproza, modeli dokumentar, duke iu dhënë predispozitat e përjetimit gjatë leximit si dhe për të saktësuar mendimin e tij shkencor në tërësinë e tyre.
Vetë përmbajtja e punimeve në këtë ndarje paraqesin vizionin perceptues të këtyre autorëve me gjitha temat që mundëson avancimi i prozës së sotme shqipe, në këtë rrafsh shtrihet edhe mendimi i piketuar i autorit.
Prend Buzhala në libër ka trajtuar romane nga autorë të njohur, siç është: Ismail Kadare, Fatos Kongoli, Beqir Musliu, Rexhep Qosja, Vath Koreshi, Anton Nikë Berisha, Jusuf Buxhovi, Ibrahim Kadriu, Visar Zhiti, Brunilda Zllami, Petrit Palushi, Ramadan Haziri e tj., si dhe disa romane të brezit të rinj.
Në këtë trajtim vlerësimesh kritike vend të rëndësishëm ai i ka dhënë edhe tregimit të sotëm, si dhe dy novelave. Përmbledhjet e tregimeve autori i ka specifikuar për vlerën e tyre siç janë tregimet e: Gjon Markut, Tonin Çobanit, Halil Zendelit, Ramadan Mehmetit, Halil Haxhosaj, Mehill Velaj,Valdet Avdiut, Fran Camaj etj.
Në pjesën e fundit të librit, autori ka paraqitur shkrimet e dokumentaritetit për katër libra të veçuara, siç është libri i : Rasim Selmanajt, Fritz Radovanit, Bedri Islamit dhe Edmond Berishës.
Nëpër këto proza Prendi ka depërtuar thellësisht, për të dhënë mendimin e tij sa më analitik, si dhe për të shënuar vlerat e tija nga pikëvështrimi i tij. Duke i lexuar të gjitha vështrimet konstatojmë se autori ka qasje origjinale të mendimit, shprehjes e parashtrimit të problemeve, të cilat kërkojnë ndriçim dhe njohje si edhe për të nxjerrë tërësinë e veprave të shkruara, e këtë objektivë autori e ka arritur me sukses.
Prendi është njohës i transmetimit të figuracionit artistik e stilistik të veprës letrare, ai me aftësi profesionale qartëson brendinë e veprës në depërtimin e thellë, kështu afron mundësinë e njohjes së kodit kritik të prozës së sotme shqipe. Ai edhe vetë është autor i disa veprave imagjinatave, kjo dhe hulumtimi i tij në këtë fushë i ka dhënë mundësinë e trajtimit sa më të afërt të secilës vepër që ai e ka trajtuar në këtë vëllim.
Përkufizimet në kritikën letrare mundësojnë interpretimin në mënyrën e autorit, duke i njohur këto përkufizime Prendi arrin të mbarështojë tekstin letrar në frymën e qartësisë për t`i afruar tekstit të tij mendimin sa më origjinal.
Kontributi i autorit në studimet e këtij libri, është gërshetim në identifikimin sa më afrues për letërsinë e sotme shqiptare. Njëherit në këto studime arrijmë të kuptojmë për vlera të dalluara të prozës sonë, të cilat janë përzgjedhje vlerësimesh dhe krijojnë hapjen e mëtutjeshme edhe për studiues të tjerë. Kur kemi parasysh se disa nga këto vepra janë fare pak të shpalosura nga kritika letrare apo edhe te një shtresë e lexuesit të gjerë, për këtë arsye mendimi i Prendit i hap rrugën studiuesve tjerë që do të merren me leximin e studimin e kësaj proze të sotme.
Nëpër të gjitha faqet e këtij libri, autori ka synuar të dallojë pikat më funksionale të secilës vepër të marrë në shqyrtim, për të dhënë idenë estetike si formulime artistike të këtyre periudhave letrare, të cilat njëherit lidhin kohët dhe ruajnë në kujtesën e lexuesit veprimtarinë botuese të këtyre fazave historike.
Libri i Prend Buzhalës “Amëza e rrëfimit”, ngërthen e ruan në vete aktualitetin krijues për autorët e këtyre veprave, duke identifikuar me kriter të peshuar brendinë e tyre. Vlerësimet e tija janë në përputhje me prodhimin letrar të autorëve me nam dhe autorëve të rinj apo të disa fushave më specifike të veprave të kulturës sonë.
Me faktin se Prendi studimet e tij i trajton krejt në mënyrë vullnetare, ai rrezaton frymën e protagonistëve, duke i dhënë dimensionalitetin, karakterin sa më estetik. Kështu, roli i tij në krijimin e kësaj fushe studimore, plotëson zbrazëtinë e madhe në këtë sferë. Ai ka meritën e pakontestueshme se është ndër studiuesit e paktë të kësaj kohe, që trajton me zell e përkushtim artikulimin e tij shkencor në këtë problematikë të rëndësishme në letrat e sotme shqipe.
Dërgoi për publikim, Anton Nikë Berisha, poet e shkrimtar