Shkruan: Florim Zeqa, 14.07.2024
Gazetaria është kontinuitet i shoqërisë civile, besnike ndaj së vërtetës, për të zbuluar lajmin, edhe atëherë kur nuk shihet apo tentohet të fshihet nga të tjerët, duke i bërë gjithmonë të qartë lexuesit; kjo është e vërteta dhe ky është interpretimi im analitik!
Lakmet tronditëse për qytetarët
Lajmet e ditës në mediumet televizive fillojnë me vizitat e krerëve shtetëror, për të vazhduar me lajmet e kronikës së zezë; për ikje e të burgosurve nga burgjet, për dhunim të vajzave të mitura, për sulme dhe therje me thikë, për vrasje dhe tentim-vrasje, për aksidente me fatalitet, ku si zakonisht lajmet përfundojnë me zhvillimet e luftimeve në Gaza dhe Ukrainë!
Kjo që e ceka më sipër ishte përmbajtja e lajmeve të ditës në televizionet tona. Këtu shihet qartë se mungojnë lajmet dhe informacionet më të rëndësishme për qytetarëtm që duhej të ishin: rritja e zhvillimit ekonomik dhe hapja e vendeve të punës, ngritja e cilësisë në arsim dhe shtimi i kuadrove të reja, arritjet në sistemin shëndetësor dhe rritja e natalitetit në popullatën tonë, të arriturat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit e gjithçka tjetër që lidhet me mirëqenjen qytetare.
Tendenca për futjen e mediave nën grilat e Qeverisë
Miratimi i projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), ishte ditë e zezë për lirinë e medias dhe demokracinë në Kosovë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka pranuar me shqetësim duke e kundërshtuar miratimin e projektligjit, i cili për qëllim e ka futjen e mediave nën grilat e Qeverisë. Po ashtu ndaj miratimit të njëanshëm (vetëm nga partia në pushtet) të ligjit për media kanë reaguar edhe organizatat ndërkombëtare si: BE-ja, OSBE-ja dhe Këshilli i Evropës.
Në demokraci, kur pushteti merret një herë nuk lëshohet aq lehtë nga totalitarët. Për të mbajtur pushtetin i përdorin të gjitha mjetet antidemokratike e antiligjore për ruajtjen e pushtetit siç janë: armiqësitë në vend të zgjedhjeve të lira, kërcënimin në vend të drejtësisë, gorillat e natës (njerëzit me maska) në vend të ushtrisë së ditës.
Si rezultat i kësaj intelektualët mbesin në heshtje, asnjë krim nuk zbulohet, qytetarët tërhiqen nga debatet publike, mediat janë ato që e thyejnë heshtjen dhe nuk ndalen për asnjë çast.
Mediat (të shkruara dhe elektronike) janë regjistri i veprimeve tona, janë kujdestar i ndërgjegjes sonë, mbajtës i ngjarjeve tona, të cilave ju drejtohemi për të gjetë forcën dhe shpresën, që me ndihmën e tyre, njeriu të bëhet ai që ka lindë të jetë: i lirë dhe i pavarur.
Një fjalë e urtë gjermane thotë: “gazetarët shënojnë lindjen dhe përfundimin e një kohe”, që do të thotë se roli i medieve në një shoqëri demokratike është krucial dhe i pa zëvendësueshëm.
Besimi në gazetari, besim në demokraci
Në kohën kur gënjeshtra është bërë standard i jetës, i veprimeve të pushtetarëve dhe politikanëve në përgjithësi, kur njerëzve u ka humbur dashuria në mes tyre, kur janë të hapura shumë kriza morale, kulturore dhe sociale, janë Mediet ato të cilat duhet ta thonë të vërtetën lakuriqe për gjithçka dhe për çdo gjë, për të zbardhur të vërtetën e kamufluar të të gjitha prapësive të ndodhura në Kosovë, nga paslufta e deri në ditët e sotme.
Rrethanat politike shpesh herë prodhojnë presione, shantazhe, madje edhe kërcënime ndaj gazetarëve, gjëra të cilat për fat të keq kohëve të fundit janë në rritje e sipër!
Por gazetarët e mirëfilltë duhet kuptuar një gjë; se misioni i tyre është i shenjt, ata janë avangardë e shoqërisë e jo e pushtetarëve. Asnjëherë nuk duhet humbur besimin për një gazetari të lirë, të pavarur dhe të pandikuar nga politikat ditore.
Fjala e lirë e gazetarit në shtetin e kapur nuk e nënkupton vetëm kërkimin e lajmit, përkundrazi e nënkupton kërkimin e së vërtetës mbi të gjitha ato ngjarje që janë në interes për shoqërinë, për qytetarët, për njerërëzit e thjeshtë.
Gazetarët duhet të bëhen forcë kreativiteti dhe zë i fuqishëm dhe plural i ndryshimeve të pëgjithshme shoqërore, e jo të bëhen zë i pushtetarëve, por të shndërrohen në zë plural i respektuar nga opinioni i gjërë.