Ambrozia Meta
Erion Veliaj ishte një politikan mekanik, i cili funksiononte vetëm në bazë të llogarive, pa shfaqur asnjë shenjë empatie si njeri. Ai luante rolin e atyre qe njihen si “seducer” duke i joshur njerëzit jo vetëm me para e favore por mbi të gjitha, duke i bërë ata të ndiheshin të rëndësishëm.
Një koleg më tregonte, që teksa ngjiste shkallët e minibashkisë, per t’u interesuar për klasifikimin e dëmeve të tërmetit në banesën e tij, ishte ndeshur me kryetarin e njësisë. Sapo ishte ndarë me të, Kryetari i bashkisë së Tiranës, e kishte telefonuar për ta pyetur çfarë halli kishte, si kishte guxuar të mundohej vetë për hallin e tij dhe përse nuk kishte telefonuar direkt atë, për ta zgjidhur çështjen në moment. Kjo ishte mënyra e tij.
Veliaj ishte i pari që çonte lule në maternitet kur bëheshin prindër vipat, i pari që ngushëllonte familjet e artistave, i pari që kthente mesazh, ndër kolegët e tij, i pari për të marrë informacion për burrat, gratë, fëmijët e miqve dhe armiqve.
Qasja e tij e manipulimit, ishte gjithmonë në funksion të llogarive politike, me parimin e Putin: Për miqtë e mi gjithçka, për armiqtë ligjin!
Me sigurinë që kishte krijuar një ushtri nga nderet dhe favoret, Veliaj nxirrte me gaz lotsjellës njerëzit nga banesa, artistët nga teatri, shitësit ambulantë nga rruga. E bënte këtë pa asnjë emocion, në emër të një Tirane që në qeverisjen e tij u shkatërrua dhe u betonizua, pastaj në darkë mblidhte miqtë e tij të bënin koncert, në rrënojat e jetës së të tjerëve.
Sot kur është i djegur politiksht, kur ëndrra e tij për t’u bërë Kryeministër ka perënduar, i poshtëruar nga luksi i gruas së tij që sillej si Marie Antoinette, thirrjet e tij nga burgu, nuk i dëgjon më njeri, siç Veliaj nuk i dëgjonte thirrjet e mijëra njerëzve që ju ka marrë pronat, i ka hequr nga puna për hakmarrje dhe ka tentuar t’i poshtërojë.
Çfarë fundi spektakolar! Pasardhësi, që pretendonte se do mbahej mend për Pazarin e Ri, Stadiumin Kombëtar, Sheshin Skënderbej, do mbahet mend vetëm për të brendshmet e gruas së tij.