Nga: Musa Kurtulaj
Mbi 90 këngë-klipe me rreth 162 milionë klikime deri më 15 mars të këtij viti, ose mesatarisht 45 mijë klikime në ditë vetëm në YouTube –
Këngëtarja e mirënjohur nga Malësia e Madhe, Elvira Fjerza, është në vitin e 10-të të karrierës së saj artistike. (Kujtojmë se ajo ka përfunduar të gjitha nivelet e edukimit, përfshi dhe studimet master shkencor gjatë periudhës 2020–2022, pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku ishte diplomuar më parë). Talentin si këngëtare e ka shfaqur që nxënëse, me një vokal të veçantë. Zëri dhe këngët e saj preferoheshin jo vetëm nga bashkëmoshatarët, por edhe nga banorët.
Ajo iu përkushtua plot pasion këngës dhe muzikës popullore, mbështetur në vlerat dhe traditat kulturore të Malësisë së Madhe, kryesisht, duke u angazhuar me grupin artistik të shkollës së Dedajve, me veprimtaritë që zhvillonte Qendra Kulturore e Fëmijëve të Malësisë së Madhe, si dhe me aktivitetet kulturore artistike që organizonte Kisha e Shkrelit. Kulmin e suksesit në këtë moshë e arriti me pjesëmarrjen si soliste në Festivalin Artistik të Shkollave të Mesme të Qarkut të Shkodrës, që u zhvillua në prill 2012 në kalanë “Rozafa”.
Talenti dhe pasioni për këngën bënë që ajo të përkushtohej edhe në ndjekjen e trajnimeve profesionale disa mujore, që zhvilloheshin në Shkollën e Mesme Artistike “Prenke Jakova” dhe në Qendrën Kulturore “Pjetër Gaci” Shkodër, nga pedagogë të muzikës, për të qenë sa më profesioniste si artiste. Këtë nivel përgatitje do ta shfaqte shumë e bindur në vitin 2015, duke marrë pjesë në spektaklin muzikor “Shkodra Fest”, i cili kishte për qëllim përkrahjen dhe nxitjen e zërave të rinj! Pikerisht me këtë spektakel, që bëri jehonë të konsiderueshme në Shkodër, Elvira nisi karrierën e saj sistematike në artin e këngës, për të mos iu ndarë asnjëherë deri në ditët e sotme.
Emri i saj gjithnjë e më shumë bëhej i njohur, aq sa i tërhoqi vëmendjen edhe jurisë profesionale që ishte ngritur në Shkodër dhe kishte filluar përzgjedhjen e talenteve për të formuar Grupin Artistik të Qarkut të Shkodrës, për në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar të Gjirokastrës maj 2015. Kjo juri e përzgjodhi menjëherë Elvirën, jo vetëm në përbërjen e korit të këtij grupi, por edhe si këngëtare, ku së bashku me të ndjerin Arben Delaj, kënduan në skenën e atij festivali këngën “Moj e mirë, ma more Bjeshkën”, një nga këngët më tradicionale të Malësisë së Madhe.
Festivali Folklorik Mbarëkombëtar i Gjirokastrës, që zhvillohet çdo pesë vjet, është aktiviteti më i rëndësishëm i Ministrisë së Kulturës për atë vit, ndaj pjesëmarrja në të është një ngjarje e veçantë vlerësimi për çdo këngëtar apo instrumentist. Kjo përvojë duket se i shtoi Elvirës vullnetin për t’iu përkushtuar më shumë pjesëmarrjes në veprimtaritë artistike, në përbërje të grupeve përfaqësuese të Malësisë së Madhe, brenda dhe jashtë vendit.
Kështu, në gusht të vitit 2017, ajo luajti një rol të rëndësishëm në ansamblin e Shoqatës Kulturore “Sali Mani”, që përfaqësoi Malësinë e Madhe në Festivalin Mbarëkombëtar Artistik të zhvilluar në Vitojë, përtej kufirit (Mali i Zi), një tjetër festival tradicional ky që organizohet çdo vit në këtë vend.Në rrugën e bukur dhe njëherësh të vështirë të artit muzikor, ajo nuk kishte kthim pas. Elvira shquhet në veprimtaritë kryesore artistike të Malësisë së Madhe, siç është spektakli madhështor “Logu i Bjeshkeve”, që zhvillohet çdo gusht në bjeshkët magjepsëse të Kelmendit, aktivitet që është klasifikuar në statusin e nivelit kombëtar nga Ministria e Kulturës.
Ajo ka kontribuar gjithashtu në veprimtaritë promovuese të zonave turistike, si dhe në aktivitete kushtuar përkujtimit të ngjarjeve dhe figurave historike si në Koplik, Reç, Hot, Tamare, Bajze, Kastrat, Shkrel etj., si dhe në organizimet kulturore të komuniteteve fetare. Ky angazhim tregon se edhe emërimi i Elvirës në vitin 2018 si specialistë e kulturës ishte jo vetëm i merituar, por edhe një motiv për më shumë përkushtim në gjallërimin e jetës kulturore-artistike të Malësisë së Madhe.
Një moment i veçantë, shumë domethënës për këtë përkushtim, ishte marrja e përgjegjësisë nga Elvira për organizimin dhe drejtimin e koncertit artistik në prill të vitit 2020 në qytetin e Koplikut, duke krijuar një atmosferë entuziaste tek njerëzit që ishin detyruar të qëndronin brenda shtepive për shkak të pandemisë së COVID-19. Koncerti u ndoq nga ballkonet dhe dritaret e pallateve, si dhe nëpërmjet TV Kopliku. Në kushtet e vështira të asaj periudhe, ai aktivitet ishte tejet i nevojshëm dhe kujtohet edhe sot për pozitivitetin që dhuroi.
Një tjetër drejtim ku Elvira ka kontribuar është fushata ndërgjegjësuese për rrezikshmërinë e kancerit të gjirit, duke bashkëpunuar nga afër me organizatorët e kësaj fushate në Malësinë e Madhe, sidomos gjatë viteve 2023–2024. Reputacioni i saj si këngëtare ka ardhur gjithnjë në rritje, dhe kjo ka bërë që ajo të ftohet herë pas here për të marrë pjesë në aktivitete të organizuara nga shoqëri kulturore brenda vendit dhe përtej kufirit, si nga ansambli artistik “Treva” e ftuar speciale, nga Lezha, Dibra, Tuzi, Ulqini, krahina e Plavë-Guci, Struga, etj., duke përfaqësuar dhe promovuar njëherësh vlerat muzikore të Malësisë së Madhe.
Për këtë angazhim, ajo është vlerësuar nga organizatorët e këtyre aktiviteteve me tituj dhe çertifikata mirënjohje, të konfirmuara zyrtarisht nga juritë e festivaleve, si “Këngë Jeho” në Strugë (Maqedonia e Veriut) – 2019, “Kënga dhe Vallja Shqipe na Bashkon” në Vuthaj të Plavë-Gucisë (Mali i Zi) – gusht 2022, ansamblit artistik “Kuvendi” të Zall Dardhës së Dibrës – shkurt 2023, si dhe nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare në Tiranë – dhjetor 2023. Po ashtu, në këto 10 vite karrierë, me repertorin e saj muzikor, që përfshin më shumë se 90 këngë-klipe të reja, ku nuk mungojnë bashkëpunimet edhe me kolegë të saj deri në Kosovë, jo vetëm që ka pasuruar më shumë traditën muzikore të Malësisë së Madhe, por ka promovuar atë masivisht.
Këngët – klipe të Elvira Fjerzës, deri më 15 mars të këtij viti, kanë fituar vetëm në YouTube mbi 162 milion klikime, pa harruar këtu edhe dhjetra milion klikime në hapësirat e tjera të rrjeteve sociale, ose mesatarisht rreth 45 mijë klikime në ditë, një tregues shumë domethënës i admirimit që ka publiku për këtë këngëtare. Po ashtu, gjatë 10 viteve të karrierës, ajo ka qenë e ftuar në afro 500 dasma e gëzime të tjera familjare ne hapësiren mbarëshqiptare si dhe në dhjetra koncerte të emigrantëve në Greqi, Itali, Belgjikë, Angli, Kanada, SHBA, etj.
Pjesëmarrja e artistëve në aktivitete të emigrantëve është e rëndësishme edhe për faktin se ajo i shërben ruajtjes së gjuhës shqipe dhe vlerave kombëtare, per ti trashëguar ato ne breza. Duke u “udhetuar” në mementet me rëndesi të karrierës 10 vjeçare të Elvires, “embëlsiren”, dihet, per në fund, dhe që ka te bejë me pjesmarrjen e saj në spektaklin e shumëndjekur nga publiku “Na Bashkoi Kënga Popullore”, në ekranin e televizionit kombëtar TOP CHANNEL.
Më 23 shkurt te këtij viti ajo ishte e ftuar në këtë spektakel, ku përsëri tregoi një nivel të lartë interpretimi artistik me një nga këngët më të njohura të repertorit të saj, “Ska si Vajzat e Malësisë”, që ka fituar deri më 15 mars mbi 7.8 milion klikime. Natyrisht, interpretimet e Elvirës janë pasqyruar në mënyrë sistematike nga mediat si televizionet “Kopliku”, Blu Sky, TV1-Channel, Star Plus, TV-Rozafa, RTSH, TV Teuta (Ulqin), etj., si dhe shumë radio të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, përfshirë edhe ato të diasporës shqiptare deri në SHBA.
Po ashtu, ajo është pasqyruar në gazetat qendrore si “DITA” apo “SOT”, që botohen në Tiranë, revista “Fjala” dhe portale si “Fjala e Lire”, “Zani i Veriut”, Malësia Channel, Kastrati News, Jeta Shkollore, Veriu 24, Kendo Shqip, Emigranti, televizioni ACTV (Kultura Shqiptare në SHBA), Albdreams Televizion në SHBA, dhe shumë të tjera. Duke pasur parasysh gjithë këtë kontribut të vyer dhe të shumëanshëm artistik, këngëtarja Elvira Fjerza është propozuar nga një grup këshilltarësh që Këshilli i Bashkisë ta vlerësojë me titullin prestigjoz “Qytetare Nderi” e Malësisë së Madhe, një propozim që pritet të merret s’shpejt në shqyrtim.
Shënim: Ky përshkrim bazohet në fakte të konfirmuara, intervista, foto, audio-video dhe dokumente. Puna si gazetar, dhe në veçanti periudha në televizion në funksione të ndryshme, më ka bërë që një pjesë të kohës t’ia kushtoj edhe njohjes më të detajuar të ecurisë së aktivitetit artistik publik të individëve të ndryshëm, që janë angazhuar në këtë drejtim. Mes tyre, shumë interesante, rezulton edhe Elvira Fjerza, ndaj dhe iu kushtova në mënyrë të përmbledhur përshkrimit të karrierës së saj 10-vjeçare si këngëtare (2015-2025).