EDITH DURHAMI – PËRKRAHËSE E KAUZËS SHQIPTARE

0
Edith Durham

Edith Durham 1863-1944

(Në 160-vjetorin e lindjes)

Ngjarjet e zhvilluara gjatë periudhës së lavdishme të Rilindjës Kombëtare Shqiptare kanë zgjuar kurreshtjen e personaliteteve të huaja për të vizituar viset shqiptare. Trajtimi i çështjeve përkatëse   për shqiptarët dhe Shqipërinë ishin në qendër të vëmendjes së artikujve dhe  botimeve të tyre në qendrat e ndryshme evropiane. Falë angazhimit të tyre bota evropiane u senzibilizua dukshëm për çështjen shqiptare jo si çështje ballkanike por evropiane.

Nga plejada e atyre personaliteteve  që vizituan shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka dilemë së vend nderi zë anglezja  zonja Edith Durhami (1863-1944). Ajo ishte një udhëtare, artiste, publiciste, shkrimtare dhe një antropologe  e njohur  në fund të shekullit XIX dhe fillim të shekullit XX.

Dr. Nail Draga

Edith Durhami ishte më e madhja nga 8 fëmijët. Babai i saj Arthur Eduard Durham ishte një kirurg i njohur në Londër. Edukimin e mori në mënyrë private dhe nga mosha e re shfaqi talent në art, duke i bërë të mundur pjesëmarrjen në Akademinë Mbretërore të Arteve. Por, jeta e saj kishte sfida të mëdha , sepse pas vdekjes së babait asaj iu desh të kujdesej vite më radhë për nënën e sëmurë. E këshilluar nga mjekët në moshën 37 vjeçare, ajo ndërmori një pushim jashtë vendit për t’u qetësuar e relaksuar.

Nga  Triesta me një anije të Llojdit austriak gjatë  Adriatikut  udhtoi për në Kotor, duke u sistemuar përfundimisht në Cetinë të Malit të Zi, në gusht të vitit 1900. Ishte pikërisht ky udhtim,  shkruan më vonë Durham ”kur zura për herë të parë një fill të lëmshit ballkanik, pa kuptuar se sa thellë do të ngatërrohesha më vonë dhe, aq më pak, se si ky lëmsh do të mplekste më në fund të gjithë botën”.

Vizita e parë në Shqipëri

Pas qëndrimit disamujor këtu, ajo në vitin 1901, viziton për herë të parë Shqipërinë, dhe shkruan se “ u mahnita nga energjia dhe origjinaliteti i popullit shqiptar”. Këtu  u vendos në qytetin e Shkodrës, ku më pas do të shkruante  se“Shkodra më bëri për vete. Kish ngjyrë, jetë, art. Banorët ishin miqësorë dhe të aftë dhe nuk e kalonin kohën duke pirë raki apo duke u sorollatur poshtë e përpjetë rrugëve, si në Cetinë. Kishte mbi vete diçka të njerëzishme”.

Këtu u vendos në shtëpinë e Mark Shantojës i cili më pas u bë shoqëruesi i saj në udhëtimet në viset e Veriut shqiptar. Gjatë këtyre udhtimeve ajo mblodhi dhe shënoi ngjarjet dhe histortitë dhe fotografoi nga afër pothuaj çdo aspekt të jetës në fshatrat malore, duke grumbulluar  një arkiv të pasur  nga trashëgimia kulturore shqiptare.

E përkushtuar për çështjen shqiptare

Pas Luftës së Parë Botërore ajo u kthye  në Londër, ndërsa në vitin 1918 u bë sekretarja e Shoqatës Angli-Shqipëri, themeluar më parë nga Aubrey Herbert në Londër, e cila mbronte të drejtat e shqiptarëve. Përpjekjet e  saja më pas ishin në atë që Shqipëria të njihej nga Lidhja e Kombëve në vitin 1920. Si mike e dëshmuar e shqiptarëve deri në vdekje i qëndroi besnike kauzës  shqiptare. Kur Shqipëria u pushtua nga fashistat italianë  në vitin 1939, edhe pse ishte 76 vjeçare doli në rrugët e Londrës duke mbajtur në duar pankartën ku shkruhej “Larg duart nga Shqipëria”. Vdiq  në Londër në  moshën 81 vjeçare, me 15 nëntor 1944.

Në saje të shkrimeve publicistike dhe botimeve të veçanta ajo mori një famë të madhe. Gjatë punës së vet prej një çerek shekulli, ajo lexuesit anglez i pat dhuruar këto vepra: “Nëpër tokat e serbëve” (1904). “Brenga e Ballkanit” (1905), “Shqipëria e Epërme” (1909), “Lufta për Shkodrën” (1914), “Njëzet vjet ngatërresa ballkanike” (1920) dhe “Për fiset, ligjet e zakonet e ballkanasve” (1928) etj.
Nga opusi  i saj botues  gjashtë libra trajtojnë pothuaj tërësisht çështjen shqiptare. Madje botimet e saja  edhe sot e kësaj dite janë një udhërrëfyes i mirë i kulturës dhe trashëgimisë kulturore të malësorëve në veçanti e Shqipërisë Veriore në përgjithësi.

Ndonëse ajo u paraqit rastësisht në këtë regjion, ajo çështjeve ballkanike në përgjithësi, e atyre shqiptare në veçanti, iu qas me një pasion e objektivitet të rrallë, duke dhënë përfundime të qëndrueshme shkencore.

Duke lexuar veprat e Durhamit shqiptarët dhe të huajt do të mësojnë shumë të vërteta nga historia e tyre, më shumë të dhëna për kombin, për trashëgëminë kulturore, për qëndrimet e sjelljet e fqinjëve dhe Fuqive të Mëdha në fillim të shek. XX. Si të tilla ata janë referenca të domosdoshme për studiuesit e profileve të ndryshme shkencore.

Pasi në mënyrë të përafërt u njoh me popullin tonë ajo u bë, jo vetëm dashamire e shpirtit dhe e kulturës së tij, jo vetëm një përshkruese dhe studiuese e traditave  dhe e ngjarjeve të tij, jo vetëm një zëdhënëse e të drejtave legjitime të popullit shqiptar, por edhe pjesëmarrëse e drejtpërdrejtë e ngjarjeve si kroniste besnike e tyre, me një fjalë  u bë një luftëtare e denjë e çështjes shqiptare.

Me qëllime të caktuara për të nënvlerësuar krijimtarinë e saj disa pseudoshkencëtarë e quajnë atë si shqiptarofile e me epitete të tjera nga i vetmi mëkat që “kishte” sepse ushqente simpati e ndjenja të sinqerta ndaj popullit shqiptar duke u vënë në mbrojtje të së vërtetës dhe të kauzës shqiptare. Ajo vërtet ishte pro-shqiptare por nuk ishte armiqësore me popujt serb  e malazez,  por  ishte kundër politikës së tyre pushtuese ndaj trojeve shqiptare. Sa ishte gjallë epiteteve të  tilla kurrë nuk iu përgjigj, përkundrazi, miqësinë me popullin shqiptar e konsideronte një fat të madh, që e bënte krenare dhe të lumtur. Rrallë mund të gjenden raste analoge të një përkushtimi të tillë ndaj fateve të një populli mik.

Intelektuale e guximshme

Edith Durhami ishte parimore e mbi të gjitha guximtare. Ajo nuk kishte  paragjykime ndaj popujve të tjerë ballkanikë, por  i gjykonte çështjet më drejtësi. Por, duke qëndruar dhe hulumtuar në regjionin e Ballkanit i cili popullohej nga sllavët dhe shqiptarët  arriti të kuptonte  shumë mirë  intrigat, prapaskenat dhe  veprimet  djallëzore të serbëve dhe malazezëve ndaj shqiptarëve.

Pikërisht duke qenë dëshmitare okulare e skenave kriminale edhe pse ishte dekoruar nga knjazi i Malit të Zi Nikolla në vitin 1907, duke parë veprimet dhe krimet e ushtrisë së tij ndaj shqiptarëve në vitet 1912/13 dhe luftërat e tyre pushtuese në viset shqiptare, pati guximin  për t’ia kthyer dekoratën. Ishte ky një guxim i rrallë dhe  veprim dinjitoz i një personaliteti me karakter  që duhet t’ia kenë pasur zili të tjerët, në atë kohë por edhe më vonë.

Duke parë angazhimin dhe   kontributin e saj në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare, Mit’hat Frashëri, që në vitin 1914 në gazetën “Liri e Shqipërisë” shkruante“Miss Durhamit, shkrimtares angleze, duhet t’i shprehim mirënjohjen më të madhe dhe t’i blejmë një penë të florinjtë për të mirat që ka bërë ndaj Shqipërisë”.

Dekorohet nga Mbreti i Shqiptarëve

Angazhimi i saj personal ndaj çështjës  shqiptare është vlerësuar  nga Mbreti i Shqiptarëve  ZOGU I i cili e ka  dekoruar  më Urdhërin e Skënderbeut, me dekretin  e datës 28. 12. 1928, që është publikuar në Fletorën zyrtare nr. 1 të datës  9 janar 1929.

Pas rënies së diktaturës dhe miratimit të pluralizmit në Shqipëri nga viti 1992 e më pas, në Shqipëri kanë filluar të botohen veprat e Edit Durhamit, të plota pa censurë si në kohën e diktaturës. Duhet cekur me ketë rast punën plot pasion e profesionalizëm të Shtëpive botuese si ARGETA –LMG, Camaj-Pipaj, Arbëria, Dituria etj. në botimin  e veprave të Durhamit të plota të përkthyera në shqip.

Botime kushtuar Durhamit

Veprimtaria e saj hulumtuese e botuese ka qenë nxitje nga autoritete  të ndryshme shkencore e kulturore, ku i janë kushtuar artikuj, studime e botime të veçanta.  Gamës së këtyre botimeve  bëjnë pjesë: Afrim Q.Karagjozi, Mary Edith Durham, Tiranë, 2012, Medina ÇobaMary Edith Durham dhe shqiptarët, Tetovë, 2014,Marcus Tanner, Mbtertërësha e Malësisë-Edith Durham dhe Ballkani, Prishtinë, 2017 etj.

Duke analizuar jetën dhe veprimtarinë e zonjës Durham del qartë se ajo ishte grua e fortë, me kurajë, energjike, e dhënë pas aventurës, të shkruarit dhe pikturës. Pra, ishte një grua ndryshe nga të tjerat. Në vend të jetës së qetë dhe angazhimeve artistike ajo zgjodhi të kundërtën, sepse jeta e saj nga koha kur la Anglinë, mori tjetër kthesë. Për 20 vite ajo udhtoi në Ballkan. Punoi  duke mbledhur material, shkruar e pikturuar. Mblodhi  foklorin dhe trashëgiminë kulturore të zonave ku qendroi. Ajo iu përkushtua tërësisht çështjes shqiptare. Kudo ku qëndroi në viset shqiptare u mirëprit nga malësorët shqiptarë duke mos pasur asnjë keqtrajtim edhe pse ishte një femër e vetme, andaj me të drejtë e quajtën  me  titullin honorifik “Mbretëresha e Malësorëve”. 

Në ditët e sotme dokumentet e saj mbahen në Muzeumin e njerëzimit (Museum of Mankind) dhe Instituti Mbretëror Antropolgjik (The Royal Anthropological Institute) në Londër, ndërsa koleksioni me bizhuteri të grumbulluara në Ballkan ndodhen në Muzeumin e Oksfordit dhe atë të Halifaksit. Po ashtu edhe Muzeumi Banfield ka një monstër prezentative rreth jetës dhe veprimtarisë së saj.

Shtatorja që mungon në Shkodër

Në nderim të emrit të saj në  Shqipëri, përkatësisht në Tiranë, Shkodër e Koplik, emrin e saj e mbajnë rrugë, shkolla dhe një subjekt kulturor.  Por  për mbeshtetjen që i ka dhënë popullit shqiptar jam i mendimit se  ajo meriton që në Shkodër t’i  vendoset jo busti por një shtatore monumentale. Mbetet  në nderin e bashkisë së këtij qyteti që të marrin një nismë të tillë, sepse duke nderuar zonjën Durham nderojmë vetveten.

Pamje nga Ulqini, punuar nga Edith Durham (1908)

Në Ulqin një rrugë më emrin e saj

Pasi ajo ishte e pranishme edhe në Ulqin, ku në shkrimet e saja disa herë e ka trajtuar edhe Ulqinin, madje ka pikturuar edhe një rrugë në këtë qytet në drejtim të Ranës e Kalasë, ka qenë motiv i mjaftueshëm që një rrugë të emërtohet me emrin e saj, propozim që është miratuar nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit më 20.7 2015. Ishte  ky një kontribut modest i yni, për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e saj, si veprohet kudo  në mjediset e qytetëruara.

Përfundim

Dhe në fund më rastin e 160-vjetorit të lindjës së saj  ky shkrim   kushtuar zonjës Edith Durham  le të jetë një homazh  për këtë  antropologe të shquar sepse ajo  meriton të nderohet dhe përkujtohet në çdo kohë, me e pa shkas, sepse vepra e saj shumëdimensionale  dëshmon përkushtimin jetësor ndaj kauzës kombëtare shqiptare dhe si e tillë  meriton plotësisht mirënjohjen  e të gjithë shqiptarëve.

(Nëntor 2023)

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.