Fadil Maloku, 11 Nëntor 2025
Rasti i ngritur nga PDK-ja për keqpërdorime të mundshme në Komunën e Mitrovicës nuk është më vetëm çështje numrash, por, për gjykimin tim një test besueshmërie për gjitha hallkat e sistemit zgjedhor.
Nëse dyshimet e PDK-së në Mitrovicë nuk dëshmohen me fakte të prekshme, të cilat domosdoshmërisht duhet t’i argumentojë e dëshmojë një prokuror meritokratik, por edhe PZAP-i si arbitër dhe interpretues kompetent gjyqësor-administrativ, atëherë lind nevoja për transparencë të plotë. Sepse, me ligj, ai jo vetëm që ka për detyrë të ushtrojë kontrollin e ligjshmërisë mbi veprimet e KQZ-së dhe të gjithë komisionerëve të subjekteve zgjedhore, por edhe ta zbatojë natyrën proceduriale të Ligjit mbi zgjedhjet.
Pra, Prokuroria, bashkë me PZAP-in si “gardianë juridikë”, kanë detyrim ligjor jo vetëm të verifikojnë shkallën e ligjshmërisë së gjithë procesit zgjedhor, por edhe të monitorojnë vendimet që mund t’i bien KQZ-së, sidomos kur konstatohet se është shkelur – me ose pa qëllim – “germa” e ligjit.
Ankuesi, në këtë rast PDK-ja, me siguri e këshilluar nga ekspertët e vet, e di saktësisht se nuk mund të ndëshkohet ligjërisht, përderisa ankesa e saj është në kuadër të ushtrimit të të drejtës demokratike për ankimim. Por duhet thënë se, etikisht dhe politikisht, partia do të duhej të reflektonte publikisht, të pranonte gabimin dhe të angazhohej për forcimin e besueshmërisë zgjedhore. Sepse, në një shoqëri demokratike, nuk është krim të dyshosh, por është problem të shpifësh – e të mos reflektosh kur dyshimi yt bie poshtë.
Mirëpo, në anën tjetër, nëse dyshimet e PDK-së për manipulim të votave në Komunën e Mitrovicës vërtetohen dhe argumentohen si të bazuara, përmes një ekspertize profesionale, atëherë përgjegjësia nuk mund të kufizohet vetëm te disa komisionerë që kanë “manipuluar me shifrat”! Ky do të ishte një rast eklatant, që do të zbulonte një defekt tjetër shumë më të thellë – krizën e besimit dhe cenimin e vetë integritetit të sistemit zgjedhor. Në fund, kjo do të nënkuptonte edhe degradimin e besimit publik ndaj institucioneve të kontrollit demokratik që i ka Republika e Kosovës.
Por, nëse pyesim se ku mund të “zbarkojë” përgjegjësia – penale, politike dhe etike – e këtij dyshimi ende të paverifikuar me “germën” e ligjit, përgjigjja më adekuate do të ishte: në aspektin juridik, ajo bie pa asnjë dyshim mbi personat e përfshirë drejtpërdrejt në falsifikim – anëtarë të komisioneve, zyrtarë apo vëzhgues që kanë shkelur ligjin. Por, nga aspekti institucional, fajësia duhet kërkuar edhe në zinxhirin e mbikëqyrjes, ku as Prokuroria, as PZAP-i e as KQZ-ja nuk mund të amnistohen, për shkak se mund të kenë dështuar në ushtrimin e kontrollit ose në reagimin ndaj sinjaleve paralajmëruese.
Ndërkaq, kur kjo narrativë e dyshimeve (të pa)bazuara shihet nga prizmi etik e moral, rezulton se manipulimi eventual i votës qytetare nuk është vetëm krim kundër ligjit, por edhe krim kundër vetë demokracisë. Nëse vërtetohet se një subjekt apo kandidat ka përfituar nga ky manipulim, ai humbet legjitimitetin politik dhe etik, pavarësisht rezultatit zyrtar.
Prandaj, ky rast dyshimesh duhet të zbardhet sa më shpejt, në mënyrë që “mjegulla” e krijuar të mos stigmatizojë apo paragjykojë as institucionet — në këtë rast Prokurorinë, KQZ-në, PZAP-in — as subjektin ankimues e as atë të akuzuarin. Sepse, nëse hetimet përfundojnë me qartësi dhe ndëshkim, sistemi fiton besim. Por, nëse gjithçka përmbyllet me “kompromise teknike”, atëherë humbet sharmi i demokracisë – dhe bashkë me të edhe qytetaria që beson e shpreson se vota e tyre ka vlerë e peshë domethënëse në shtetin e Kosovës.












Profesor i nderuar!
Ju kam dëgjuar (dhe shikuar) në KTV ku:
Ju keni thënë se: “Fituesja e vërtetë e këtyre zgjdhjeve është Lista Serbska”
Ju keni thënë se: “Fituese nuk është Prishtina, por fitues është Beogradi; Bruxeli i ka dhënë një “flakareshë” Kosovës; Bruxeli ka ra në provim; Për rastin “Banjska” nuk ndërmuar asgjë: Opozitën i ke quajtë “jesmena”; në Luftën në Kosovë, janë dërdh 15 mijë litra gjak…;Na presin beteja të ashpra dhe të vrazhda…etj.”
Ndërkaq në këtë shkrim NUK E THUANI asnjë fjalë për këto mësipëmet, po “merreni me votimet dhe Mitrovicën…etj. ???!!!”