Prof. dr. Jahja Drançolli
Pak ditë më parë doli nga shtypi përmbledhja e “Studimeve letrare të zgjedhura” të prof. dr. Anton Nikë Berishës në 10 vëllime. Botimi në fjalë përfaqëson një kullë arti dhe letërsie shqiptare!
Autori i përmbledhjes që po e shqyrtojmë, Prof. dr. Anton Nikë Berisha, kreu studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës në vitin 1971. Në vitin 1976 kreu studimet e magjistraturës në Zagreb dhe mbrojti doktoratën në filologji më 1981.
Në vitet 1973–1993 punoi në Institutin albanologjik të Prishtinës. Gjatë kësaj kohe, ai kreu kërkime në Gjermani si bursist i DAAD (Göttingen 1978/79) dhe Alexander von Humboldt (Göttingen 1984/85 dhe München 1992/93). Nga viti 1993, ai punon për 23 vjet në Universitetin e Kalabrisë në Itali, nga 2005 si profesor i letërsisë shqipe.
Puna e tij prej rreth 60 vjetësh krijuese ka kurorëzuar një korpus të pasur: tituj librash, monografi, romane dhe studime shumëzhanërore si: Studime të thelluara mbi Buzukun, Budin, De Radën, Fishtën, Camajn, Skiroin, Santorin, Shkrelin etj.; Studime të tjera monografike mbi figura të shquara si: Nëna Tereze në shtatë shpalime (në 7 vëllime); Interpretime inovative për këngët kreshnike shqiptareve.
Për këtë veprimtari të tij të pasur, Prof. dr. Anton Nikë Berisha është vlerësuar me çmimin “Azem Shkreli” (MKRS), Dekoratën Nëna Tereze të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të meritave të Republikës së Kosovës, Shpërblimin “Beqir Musliu” etj.
Në Fjalën paraprake të kësaj përmbledhjeje Prof. dr. Antoni Berisha shkruan pos të tjerash: Në 25 vitet e fundit, veçanërisht gjatë kohës që punova në Universitetin e Kalabrisë (Itali, nga viti 1993), kam botuar një sërë punimesh dhe studimesh mbi veprat letrare të arbëreshëve të Italisë, dy studime monografike mbi “Mesharin” e Buzukut, studime mbi Budin poet dhe prozator, mbi Estetikën dhe estetikën e letërsisë, mbi “Kënga e Këngëve”, mbi “Poetikën” e Aristotelit, mbi Skiron, Fishtën, Koliqin, Dushko Vetmon, Martin Camajn, Azem Shkrelin, etj., si dhe mbi disa vepra të tjera letrare si “Epi i Gilgameshit”, “Psalmet”, “Gjeorgjikat” nga Virgjili, “Silvia” nga Nervali, “Princi i Vogël” nga Exupery, “Palltoja” nga Gogoli, “Sytë e Vëllait të Përjetshëm” nga Cvajgu, mbi poezinë e poetit italian, Daniele Giancane, etj.
Kjo përmbledhje prej 10 vëllimesh me studime letrare të zgjedhura dëshmon jo vetëm për punën e rëndësishme dhe cilësore të Prof. Dr. Anton Nikë Berishës në fushën e artit dhe letërsisë, por edhe për zhvillimin e metodologjisë shkencore të studimeve tona letrare në përgjithësi.
Botimi “Studime Letrare të zgjedhura” do të jetë një bekim për të gjithë ata që dëshirojnë të thellohen më shumë në çështjet teorike të artit dhe letërsisë, estetikën e veprave letrare, në veprën e disa prej shkrimtarëve më të rëndësishëm shqiptarë dhe të huaj, si dhe interpretimin e disa kryeveprave të letërsisë sonë dhe të letërsive të tjera!
Prishtinë, 17 korrik 2025