
Fatmir Minguli
(Shënime mbi librin e Hysen S. Dizdarit “Bibliografi- Gjergj Kastrioti Skënderbeu – në veprat e autorëve shqiptarë -1480-2023“, AG Studio, Tiranë, 2023)
“Sot vetëm profesionistët – epigrafistët,
bibliografët, filologët – korrigjojnë atë
që lexojnë. Këta janë ata që e marrin
tekstin si një prani të gjallë, e cila ka
nevojë për bashkëpunimin e lexuesit
për të ruajtur gjallërinë dhe ndriçimin e tij.”
George Gteiner
Libri i autorit Hysen S. Dizdari “Bibliografi- Gjergj Kastrioti Skënderbeu- në veprat e autorëve shqiptarë -1480-2023“, që u promovua në vigjilje të ditës së madhërishme të flamurit, më 28 nëntor 2025 në Durrës, është një befasi për të gjithë studiuesit e çdo kategorie. Takimi u bë në ambientet e Shtëpisë botuese 2M në Durrës, ku merrnin pjesë me dhjetëra intelektualë, shkrimtarë, studiues etj.
Ky autor sjell një bibliografi krejt ndryshe nga sa jemi mësuar të shohim në bibliografitë e Bibliotekës kombëtare në Tiranë apo në bibliotekat e qyteteve të tjera shqiptare. Kjo bibliografi përmbledh titujt e veprave të mbi 500 autorëve shqiptarë kushtuar Skënderbeun. Është një libër i rrallë studimor që ka për qëllim mbajtjen gjallë dhe t’i ndriçojë veprat e autorëve tanë kushtuar heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kjo është një zgjidhje e mençur e studiuesit Hysen Dizdari, i cili ka botuar dhe albumin me pulla postare për Skënderbeun të viteve 1913-2023.
Në vitin 2018 një pjesë të koleksionit me pulla postare kushtuar Skënderbeut ai ia ka dhuruar Muzeut kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, ku, në katin e tretë, ka krijuar një pavijon me titull: “Gjergj Kastrioti Skënderbeut në filatelinë shqiptare“.
Le të kthehemi tek libri “Bibliografi- Gjergj Kastrioti Skënderbeu- në veprat e autorëve shqiptarë 1480 –2023”, ku Hysen Dizdari ka ndërtuar një strukturë krejt ndryshe në teorinë e bibliografive.
Ai e ndan këtë libër në tri pjesë sipas kronologjisë:
Pjesa e Parë: 1480-1944;
Pjesa e Dytë:1945-1990;
Pjesa e Tretë:1991-2023
Në mënyrë krejt origjinale autori i librit çdo pjesë e ndan në nëntë kapituj, ku ndarja e tyre bëhet në mënyrë shkencore sipas fushave të studimit historia, letërsia artistike dhe dokumentare, arti, etnokultutra, vepra doktorate, vepra në filateli, veprat biografike dhe në kapitullin e fundit jepen vepra dorëshkrim dhe të humbura kushtuar Skënderbeut.
Në bibliografi jepen të dhëna të plota për çdo libër, titullin e librit, emrin e autorit, numrin e faqeve, emrin e botuesit, shtypshkronjën, vitin e botimit, çmimin e librit dhe ISBN.
Me një skrupulozitet të çuditshëm ai qëndron mbi numrin 3 dhe shumëfishat e tij që janë 9 kapituj dhe këtë rend e ruan në gjithë librin.
Dy janë aspektet e tjera që i karakterizojnë vlerat origjinale të kësaj bibliografie.
Së pari:
Qëmtimi shterues i veprave për Skënderbeun që nga librat për fëmijë dhe deri tek librat bibliografikë e veprat në dorëshkrim kushtuar Skënderbeut, duke përfshirë veprat e mbi 500 autorë shqiptarë kushtuar Skënderbeut.
Së dyti:
Qëmtimi shterues i veprave për Skënderbeun në fushën e historisë, letërsisë, arteve , filatelisë, e bibliografive që nga libri më i hershëm i vitit 1480 e deri tek botimet e reja të vitit 2023.
Pra, ia vlen të përmend konstatimin e Umberto Eco, semiolog, filozof dhe shkrimtar italian se: “Një herë një njeri që duhej të bënte një kërkim shkonte në bibliotekë, gjen dhjetë tituj mbi temën dhe i lexonte; sot shtyp një buton në kompjuterin e tij, merr një bibliografi me dhjetë mijë tituj, dhe dorëzohet.”
Kjo ndodh edhe me librin e Hysen Dizdarit “Bibliografi – Gjergj Kastrioti Skënderbeu- në veprat e autorëve shqiptarë -1480-2023”, që vjen më shumë se një bibliotekë. Në hyrjen e libri autori shkruan:
“Në përgatitjen për botim të kësaj bibliografie jam bazuar dhe jam mbështetur në standardet dhe rregullat përkatëse ndërkombëtare të katalogimit si në Standardet e përshkrimit bibliografik ISBD (International Standart Bibliographic Description) dhe rregullat Anglo -Amerikane të Katalogimit AACR2.”
Në këtë bibliografi Dizdari ka sjellë për lexuesit e çdo moshe edhe veprat historike e artistike të autorëve shqiptarë duke filluar me letërsia për fëmijë ku shkruhet për jetën e veprën e Skënderbeun e deri tek veprat letrare e historike kushtuar Skënderbeut vitet e fundit deri në muajin shtator të vitit 2023.
Autori ka hulumtuar nëpër në skedarët e bibliotekat kombëtare në Tiranës, në Prishtinë, në Maqedoninë e Veriut, në Shkup në bibliotekat e universiteteve shqiptare e të huaja, por s’ka parë atë të Mali të Zi.
Ndoshta kjo kritikë mund të mos merret parasysh, sepse autori thekson se do ta ribotojë së shpejti këtë bibliografi. Gjithsesi kjo është një vërejtje shumë e vogël para madhështisë së kësaj bibliografie që do ta quaja “Të shenjtë”.
Nuk i ka shpëtuar asgjë këtij studiuesi kaq kërkues sa dhe vepra në dorëshkrim e Moikom Zeqos “Sinopse për Skënderbeun” e njihte dhe që sot është botuar nga shtëpia botuese “Erik”.
Po kështu mund të përmendim edhe shumë libra të tjerë që janë të përfshirë plotësisht në këtë Bibliografi të autorit Hysen S. Dizdarit si drama e shkrimtarit Petro Marko, kushtuar Skënderbeut me titull: “Niku i Martin Gjinit”, e cila pasi u botua në revistën Nëntori të vitit 1973, me urdhrin nga lart u hoq nga qarkullin. Kjo vepër e shkrimtarit të madh, Petro Markos, u ndalua vetëm se kishte shkruar një dramë për heroin tonë Kombëtarë, Gjergj Kastrioti Skënderbeun.
Durrës me, 2 dhjetor 2025











