VEPRA QË PËRLIGJIN DIJE TË THELLË DHE VLERA TË MËDHA

0
205

Timo Mërkuri

– Fjalë paraprake –

Timo Mërkuri Ka disa njerëz që hyjnë në jetën tënde lehtësisht, si drita, duke të ndriçuar në çdo dimension të saj, duke zgjeruar frymëmarrjen tënde, duke qartësuar hapësirat e shikimit dhe ëmbëlsuar tonalitetin e ngjyrave. Këta njerëz, ndodh që të vijnë rastësisht, por më pas ata janë gjithmonë të pranishëm, madje janë të pranishëm edhe me mungesën e tyre. Më shumë se të pranishëm, ata janë njerëzit të cilëve u kërkohet prania e tyre.

E rastësishme ishte njohja ime me Anton Nikë Berishën atë ditë shtatori të vitit 2015, kur i ftuar nga Shoqata “Klubi i krijuesve Jonianë” e qytetit të Sarandës mori pjesë në “Manifestimin poetik të Triremës Joniane”. Për të qenë më i saktë, ftesën ia dërgoi personalisht kryetari i shoqatës sonë, poeti Agim Mato, “Mjeshtër i Madh”.

Ishte koha kur Agim Mato përgatiste për botim – përshtatjen e veprës ”Rapsodi të një poeme arbëreshe ” të botuar nga Jeronim De Radës më 1866, dhe Anton Nikë Berisha, në përgjigje të kërkesës së tij, i pati dërguar studimin “Mbi rapsoditë arbëreshe të botuara më 1866”, që u botua si pasthënie e librit në 2016. Këtë studim e lexova me interesim të madh dhe shfrytëzova takimin poetik për njohjen me Antonin.

Disa njerëz hyjnë në jetën tënde me muzikën e fjalës së tyre, jo aq për nga melodiciteti i tingullit se sa nga qartësia dhe lehtësia e shprehjes së tyre edhe në tema “të vështira” për të panjohurat e djeshme, muzikalitet që e përjetuam gjatë ligjëratës së tij në “Akademinë poetike” që organizoi ato ditë shoqata gjatë Manifestimit poetik të Triremës Joniane[1].

Qysh në takimin e parë pashë se ai ishte një njeri plot besim në vete për atë që thoshte dhe besimin se dëgjuesi i mirëkuptonte dhe i mirëprite mendimet e tij të shprehura në një ligjëratë të rrjedhshme; afrohej në bisedë me fjalë të ngrohta e dashamirësi, thua se vazhdonte një bisedë të lënë përgjysmë, ku binte në sy zotërimi i një pasurie të madhe dijesh, teorike, kulturore e historike, përdorimi i të cilave si ilustrim apo argumentim, nuk i lypte nevoja të shfletonte shënimet.

Nuk qe nevoja që t’ia përsërisja dy herë kërkesën time për botimet e tij letrare apo studimore, pos që e veçova interesimin tim për artin gojor dhe rrugëtimin e tij gjer te arti i kultivuar (i shkruar). Nuk shkuan as pesë ditë pas largimit të tij nga Saranda kur më dërgoi me email pikërisht materialin që i kishte nisur Agim Matos, por më të zgjeruar. Ndërkohë unë kisha nisur të punoja për punimin tim “Mbi tezën homerike” me nëntitullin: “Pas leximit të studimit të Anton Nikë Berishës “Mbi rapsoditë e botuara nga De Rada më 1866” të cilën e publikova në nëntor të vitit 2015.

Në mars të 2016 – shit publikova shkrimin “Pergamena e artë”. Një ide e lindur pas leximit të studimit të tij “Këngë që përligjin pasurinë shpirtërore të shqiptarit e të botës së tij. Mbi këngët kreshnike shqiptare”, mbi materialin që Antoni ma kishte dërguar me email (dhe që m’i dërgoi më vonë në formë librash) për të vazhduar edhe më pas atë miqësi dhe shkëmbim materialesh dhe punimesh gjer sa u realizua dhe ky libër.

Të kuptohemi, studimet dhe veprat letrare të Anton Nikë Berishës janë krijime që të hapin horizonte të gjera shikimi dhe frymëmarrje, por ajo që është më e rëndësishme është fakti se ato të frymëzojnë për të shkruar mbi temat e trajtuara prej tij, sigurisht për të shkuar më tej, apo për t’i pasqyruar në këndvështrime të tjera idetë e hedhura prej tij si dhe idetë që të lindin si filiza të rinj mendimi gjatë leximit. Kur lexoj një autor, unë lexoj për veten time dhe gjatë leximit është normale që ta çoj më tej mendimin mbi atë që lexoj, njësoj si pema që, ndërsa lulëzon për frutat e stinës, njëherazi lëshon dhe lastarë të rinj.

Kjo është më se e natyrshme, dashuria ndaj fjalës poetike është më e madhe se dashuria ndaj poetit, madje shpesh herë emri i një poeti na kujtohet për shkak të vargjeve të tij dhe jo e kundërta. Pra, veprat letrare dhe studimore të Anton Nikë Berishës i ndriçojnë një varg veçantish, “mistere” dhe të “fshehta” të gjuhësisë dhe të artit të fjalë shqip nëpër labirintet e shekujve, duke na ftuar që ta ndjekim jo atë, por dritën që reflektojnë këto veçanti, “mistere” dhe të “fshehta”.

Kur shkruaj mbi këto libra apo studime, nisur nga parimi se: trëndafili do të ketë aromën e tij, sido që ta përshkruaj unë, ndaj shkruaj e flas për tundimin shpirtëror që shkakton te unë aroma e tij.

Po t’i shikosh shkrimet e mia për studimet dhe veprat letrare të Anton Nikë Berishës (por edhe të tjerëve) janë jashtë natyrës së shkrimeve kritike apo analizuese. Kur shkruaj, nuk synoj të kritikoj, por të bukurën që kam gjetur gjatë leximit, ta ndriçoj e ta shpirtëroj.

Më duhet të them se librat studimorë dhe letrarë të Anton Nikë Berishës përligjin aftësi, dije të thellë dhe vlera të mëdha, prandaj, siç thuhet, duhen të lexohen disa herë[2] për t’i bërë pjesë të dijes dhe të pasurisë sate shpirtërore dhe estetike.

Sarandë, më 15 gusht 2022


[1] Në këtë aktivitet Anton Nikë Berisha u vlerësua me “Pendën e argjendtë” për ligjëratën e mbajtur dhe poezinë me të cilën u përfaqësua, ndërsa një vit më vonë Shoqata jonë e nderoi me “Kurorën e artë” me gjethe dafine për arritjet në krijimtarinë e tij letrare dhe studimore.
[2] Parafrazim i fjalës së Abbasel-Akkad: “Lexoje një libër të mirë tri herë, sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë”.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.