BERNARDINO BIONDELLI PËR POEZINË GOJORE SHQIPE

0

Bernardino Biondelli për poezinë gojore shqipe

Anton Nikë Berisha

“Shqiptarët kanë një pasuri të madhe këngësh popullore origjinale…” (1846)
Bernardino Biondelli

Dëshmitë para vitit 1846

Dëshmitë e para të shkruara për ekzistimin e këngës te shqiptarët[1] (por dhe të llojeve të tjera të letërsisë gojore) janë të vonshme dhe të pakta në krahasim me lashtësinë e ekzistimit të saj, me cilësinë, me sasinë dhe me përmasën e krijimit dhe të gjallërimit që bëri kjo formë e veprimtarinë shpirtërore te ky popull i lashtë i Siujdhesës Ballkanike.

Dëshminë e parë të shkruar të ekzistimit të këngës te shqiptarët na e jep historiani venecian, Antoni Sabeliki (Sabellici) në udhëpërshkrimin e tij nëpër trevat shqiptare në vitin 1474 ( pak vjet mbas vdekjes së Skënderbeut). Ai vë në dukje (të dhënat e tij u botuan më 1487) se në shenjë të nderimit të kryetrimit shqiptar, Skënderbeut, grupe vajzash tuboheshin në sheshe dhe këndonin lavditë e trimit të vdekur, ashtu siç bënin edhe paraardhësit e tyre në gostitë e heronjve të mëdhenj. Pastaj vijnë të dhënat e Marin Barletit, Pjer Belonit (Pierre Belon), Demetrio Franko-s (Franco), Marin Bicit, Frang Bardhit, Evlija Çelebisë, E. Brown-it, La Gijëtier (La Guilletiere), P. Pietro Antonio di Venetia, etj.

Anton Nikë Berisha - 2022
Anton Nikë Berisha – 2022

E para këngë popullore e mbledhur e traditës arbëreshe, e njohur deri më tash, është ajo kushtuar Pal Golemit. Kënga është shënuar para vitit 1694 dhe është gjetur në fjalorthin në dorëshkrim Shqip-italisht të priftit Nilo Katalanos (ky vdes më 1694). Për këtë na bën të ditur Zef Krispi në veprën “Memoria sulla lingua albanese” (Kujtime për gjuhën shqipe) e vitit 1831 (f. 5.)

Dokumente të hershme e me rëndësi të veçantë të traditës arbëreshe janë Dorëshkrimi i Kieutit (1735 – 1750) i Nikollë Filjes nga Mexojuso, me 18 poezi gojore – këngë arbëreshe (472 vargje) si dhe përmbledhja me këngë (15 këngë) popullore nga Kalabria e Françesko Avatit para vitit 1756 (Avati vdes më 1756) për të cilin Dorëshkrim Dh. Kamarda e njohton De Radën më 1845, ndërsa atë e botojnë pjesërisht Kamarda dhe De Rada në përmbledhjet që u botuan në vitin 1866[2].

Sipas të dhënave që i njohim deri më sot, këngët e para arbëreshe i botoi zvicerani Sharl Didie (Charls Didier 1804-1864), i njohur në kohën e tij si publicist dhe poet, i cili dhe shkroi nën ndikimin e krijimtarisë letrare gojore. Në punimin e tij me titull Kujtime nga Kalabria – Shqiptarët në Itali (Souvenirs de Calabre, – les Albanais en Italie, 1830. Revue des Deux Mondes, Paris 1831) përveç të dhënave të tjera me interes për historinë, gjuhën dhe etnografinë shqiptare etj., boton edhe katër këngë ose fragmente këngësh nga trashëgimia letrare gojore e arbëreshëve të Kalabrisë.

Pos një kënge dasme, këngës për nënën që qan të birin e vetëm dhe baladës për nusen që i zuri vendin të shoqit në burg (shih, Dh. Shuteriqin, Disa të dhëna mbi folklorin arbëresh të Italisë në vitin 1830. Në: Kultura popullore nr. 1, 1980, f. 113 – 132) Didie boton edhe baladën e njohur “Konstantini i Vogëlith” (të gjitha në prozë në përkthim frëngjisht), që paraqet një variant interesante të kësaj kënge të njohur ndër arbëreshët e Italisë, por edhe kudo ndër shqiptarë.

Një botim pak më i vonshëm i këngëve popullore arbëreshe është ai i Feliqe Stafës (Felice Staffa, Canti albanesi), që pa dritën më 1845 në Napoli. Brenda faqeve 5-31 janë botuar 5 këngë (në njëmbëdhjetë rrokësh), ku siç konstaton Dh. Shuteriqi, “nuk na duket të jetë ruajtur besnikërisht fryma e origjinalit” (origjinali i këngëve arbëreshe që i përktheu F. Stafa duket të ketë humbur).

Më 1846 në Rivista Europea gjuhëtari i famshëm italian i shekullit të kaluar, Bernardino Biondelli, botoi punimin me titull Della letteratura popolare dell’ Epiro (Letërsia popullore e Epirit – lexo shqiptare), ku merr në shqyrtim çështje të rëndësishme nga fusha e gjuhësisë, e historisë dhe e poezisë gojore arbëreshe.

Brenda punimit Biondelli botoi edhe 16 (gjashtëmbëdhjetë) këngë popullore arbëreshe, që kapin 313 vargje, të cilat i përcolli edhe me disa vlerësime e mendime të rëndësishme për historinë e letërsisë gojore shqiptare. Këngët janë të përkthyera në italisht po pa të dhëna të nevojshme kur ose ku i mblodhi këngët, prej kujt ose kush mund t’ia kishte dhënë, siç veproi me këngën rituale “Vdekja dhe ngjallja e Lazrit”, për të cilën thotë se ia kishte kumtuar profesor Skiroi (shih, B. Biondelli, Studii linguistici, Milano 1856 ,f. 89).

Këtë punim të Biondellit e botoi në dy vazhdime të përkthyer në gjuhën gjermane “Magazin für die Literatur des Ausländes” Nr. 133 dhe 134 në Berlin me titullin Geschichte, Sprache und Poesie der Albaner[3] (Historia, gjuha dhe poezia e shqiptarëve). Punimi në gjermanisht, siç bën të ditur edhe Redaksia, botohet me shkurtime (botohen vetëm nëntë këngë nga 16 që kishte botuar Biondelli në Rivista Europea.). Nuk do mend se botimi i këtij punimi të gjuhëtarit të famshëm italian në dy gjuhë – italisht dhe gjermanisht në vitin 1846 – ndikoi për prezentimin dhe njohjen e poezisë gojore arbëreshe në disa qarqe evropiane.

Megjithatë, duhet të përmend se për arsye që këngët nuk u botuan edhe në origjinal – në gjuhën arbëreshe – dhe se punimi nuk u botua në ndonjë revistë më me renome, nuk u shfrytëzua nga studiuesit e mëvonshëm të letërsisë gojore shqiptare (në qenësi ai mbeti anonim)[4] edhe pse gjuhëtari italian ishte ndër të parët që shtronte çështje të rëndësishme e komplekse të lashtësisë, të origjinalitetit, të vlerës letrare e historike të këngëve, të traditës së këndimit, të këngëtarëve, të këndimit në dy gjuhë: shqip e greqisht, të ekzistimit të këngëtarëve bredhës (shëtitës) te arbëreshët etj.

Mendime të rëndësishme e me interes

Interesimi i B. Biondellit për letërsinë gojore shqiptare, përkatësisht për poezinë gojore arbëreshe, lidhet drejtpërdrejt me interesimin e tij për gjuhën. Ç’është e vërteta, ky studiues, si dhe gjuhëtarë të tjerë, duke u marrë me gjuhët e lashta të popujve të Evropës e veçmas të popujve të Siujdhesës Ballkanike, trajtoi dhe çështje të gjuhës shqipe. Për një punë të këtillë, si material konkret burimor për studimin e problemeve të gjuhës shqipe ai përdori pikërisht këngët popullore arbëreshe. Në to gjeti e nëpërmjet tekstit të tyre vështroi çështje që qartësonin probleme që kishin të bënin me lashtësinë dhe me tiparet e gjuhëve të lashta të Ballkanit, por edhe me sisteme e kategori të ndryshme të gjuhëve indoevropiane, të cilat në disa pikë, ishin ruajtur mjaft mirë në gjuhën shqipe.

Siç mund të vërehet edhe nga titulli i punimit të përkthyer në gjuhën gjermane Geschichte, Sprache und Poesie der Albaner, botuar në nëntor të vitit 1846, (këtë botim e shfrytëzova për punimin time, prandaj dhe të gjitha citatet i përktheva nga gjermanishtja) Biondelli trajtoi tri çështje të rëndësishme: historinë, gjuhën dhe poezinë e shqiptarëve.

Duke folur për gjuhën shqipe autori vë në dukje se në kohët e lashta kjo ishte e përhapur në një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore dhe hyn në grupin ose është e ngjashme me gjuhët e lashta të Ilirisë, Thrakisë, Dakisë, Thesalisë etj.; del nga rrënja e përbashkët me greqishten dhe latinishten. Në këtë rrjedhë ai jep të dhëna për shtrirjen gjeografike të shqiptarëve në një hapësirë të gjerë të Siujdhesës Ballkanike dhe shpreh mendimin se ata ishin me prejardhje nga pellazgët e vjetër (tezë e mbrojtur nga disa intelektualë arbëreshë).

Mungesën e shkrimit të gjuhës shqipe dhe të një kulture të pasur të shkruar Biondelli e arsyeton me faktin se nga luftërat e pandërprera dhe të shtërnguar të kthejnë në male të ashpra, shqiptarët nuk mund të bënin lirisht hapa kah qtetërimi, prandaj është e kuptueshme që vetëm një numër i paktë i tyre, të cilët kishin mbetur në atdhe, mund ta shkruanin gjuhën e nënës. Nisur nga ky fakt ai pohon se shqiptarëve u mungon një letërsi e pasur e shkruar (ai përmend Pjetër Budin e ndonjë tjetër), por jo dhe letërsia gojore, e cila është mjaft e pasur dhe tek arbëreshët bën jetë mjaft të gjallë.

Rreth kësaj dukurie në punimin e botuar në Magazin… thuhet: “Shqiptarëve nuk u shkon çdo letërsi, mbi të gjitha ata kanë një pasuri të madhe këngësh popullore origjinale, prej të cilave deri më tash janë të njohura vetëm disa fragmente…” Duke i vështruar këngët në përgjithësi theksohet ndër të tjera “Në këto këngë mbretëron një patos luftarak, ngazëllimi për pavarësinë dhe për hakmarrjen dhe shpresa për një të ardhshme më të mirë”.

Biondelli trajton dhe ngjasimet e afritë e këtyre këngëve me këngët popullore greke. Ai përmend se shumë nga këto këngë janë të afërta me ato greke, gjë që bie në sy kur këto krahasohen me këngët greke të përfshira në përmbledhjen e pasur të Faurielit. Shkaku i këtij fenomeni – thuhet më tej – nuk është vështirë të shpjegohet. Pikërisht një pjesë e këngëve greke janë me origjinë shqiptare, ndërsa një pjesë janë të përbashkëta për shqiptarët dhe për grekët; ato u përkthyen prej kësaj gjuhe në tjetrën ose pse shqiptarët e kthyer të Jugut bashkë me kaçakët grekë i kënduan në të dyja gjuhët ose ndonjëherë vetëm në greqishtet. Këto këngë të përcjella prej gojës në gojë kryesisht kanë një melodi të njëtrajtshme e monotone dhe shpesh në ditët e caktuara, gjatë kremteve, dasmave ose varrimit, përcillen me instrumente të thjeshta.

Biondelli kishte hetuar me të drejtë rëndësinë e poezisë gojore – këngëve popullore dhe ndikimin e tyre të madh në botëkuptimin dhe jetën e shqiptarëve. Ai thekson se në një masë të caktuar këto këngë përbëjnë boshtin e mësimit, që nënat ua japin fëmijëve të tyre, me çka ato ua ngulisin atyre emrat e të parëve trima, të cilët me gjakun e vet kishin mbrojtur pavarësinë e atdheut.

Një pjesë të punimit Biondelli ia kushton tematikës e motiveve të lashta të këtyre krijimeve, që arbëreshët i kishin marrë me vete para më së katër shekujsh, të cilat ende po bënin jetë gjallërike ndër arbëreshët. Po ashtu veçon këngët që i përkisnin të kaluarës së afërt dhe ato të kohës: “Ato pjesërisht u përkasin (lexo: i kanë rrënjët) shekujve të hershëm, pjesërisht të tashmes dhe të kaluarës së afërt. Të parat mbështeten në zakone kombëtare ose i nderojnë veprimet e trimave të vjetër, të fundit numërojnë ose vajtojnë fatet e brezave të rinj. Të dyja kanë vulën e njëjtë të prejardhjes, kanë të njëjtin ngjyrim, përshkohen me të njëjtat ndjenja. Ndër më të vjetrat janë ato të robërve të zënë në luftë, që sipas besimit të popullit, zbresin deri në kohët e Pyrros dhe shqiptarët e sotëm i nderojnë me bestytni duke i kënduar para çdo ndërmarrjeje luftarake”.

Shqiptarët kanë këngëtarët e tyre bredhës

Brenda këngëve të vjetra Biondelli fut dhe ato që bëjnë fjalë për luftërat e Skënderbeut kundër pushtimit osman, të cilat, siç vë në dukje ai, tashmë i përkasin thuajse harresës, sepse vetëm pak pleq i kanë ruajtur në kujtesë disa fragmente. Nga ato pak këngë të plota që lidhen me këtë periudhë, është ajo që bën fjalë për ngjarjen nga jeta e vëllait të Skënderbeut, Konstantinit, të cilit i kanoset rreziku (nga se ishte i zënë në luftë për mbrojtjen e atdheut) për t’ia marrë gruan, zonjën e tij.

Kënga që boton gjuhëtari italian është një variant që ndryshon në shumë pikë nga ato të mëhershmet (nga varianti i Dorëshkrimit të Kieutit dhe nga të mëvonshmet, nga variantet që botuan De Rada, Kamarda, A, Skura e ndonjë tjetër). Variantit të Biondellit i mungon shkaku i largimit nga familja e nga zonja e tij. Pra këngës i mungon fillimi, që në variantet e tjera i paraprin dhe e qartëson ngjarjen dhe rrjedhën e saj. Për të mos i parafrazuar disa nga ndryshimet e këtij variant, po japim pjesë të saj të përkthyera nga teksti në gjermanisht.

Konstantini u përgjegj:
– Unë jam që psherëtiva.
Sot na është ditë e shtunë,
kurse nesër është e diel;
nesër mua më martohet
njajo zonjë e zemrës sime.
– Këta nëntë çelsa merri
edhe shko deri në stallë
se aty i ke nënt’ kuaj
zgjedhe cilin të pëlqen:
n’daç të bardhin, n’daç t’përhimtin,
në daç allçin, n’daç dorinë,
në daç vraçin, n’daç kullashin,
n’daç të shpejtin si skifter.
Konstantini zgjodhi t’fundit,
mori t’shpejtin dhe u nis –
n’vrap e l’shoi vetetinë.

Konstantini nuk do ta takojë, gjatë kthimit për në shtëpi, në rrugë, babanë siç ngjan zakonisht në shumicën e varianteve, por motrën dhe nënën. Dhe sa merr kumtin për shkakun që kishin dalë të mbyten në humnerë (pra pse martohej zonja e tij) i bën me dije se ai ishte vetë, për të pasuar menjëherë kërkesa e prerë: Pra shpejto, mori i pafat, /n’se me kohë don t’arrish. Me këto tipare ky variant merr përmasë të theksuar të realitetit, gjë që bie në sy edhe në fund të këngës: Konstantini nuk u lutet të pranishmëve dhe mtonjësit, por është këmbëngulës dhe i drejtpërdrejtë në kërkesën e tij: Veçse mua m’përket zonja! Edhe çështja e mtonjësit ndryshon në këtë variant. Atë, pas kërkesës dhe dëshmisë së Konstantinit, e braktisin të pranishmit dhe Ç’prej aherë e talli fshati.

Krijime shumë të lashta Biondelli i çmon dhe këngët rituale: të festave të motmotit ato fetare dhe të dasmës. Ai thekson se për nder të ringjalljes së Shën Lazrit, arbëreshët e katundeve dhe të qyteteve të Kalabrisë dhe të Sicilisë, shkojnë, gjatë natës, prej dere në derë në grupe duke kënduar. Edhe këngët e dasmës, të cilat janë të lidhura me rite, doke e zakone shekullore, i merr si shumë të lashta, edhe pse ndonjë i bën jehonë kohës së Skënderbeut kundër pushtimit otoman.

Në vijim të punimit të tij gjuhëtari italian vështron këngët arbëreshe me tematikë historike, të cilat siç thekson ai, trajtojnë ndërmarrje luftarake, veprime e të bëma të mëdha të trimave si dhe ngjarje nga historia e atdheut. Nëpërmjet tyre nguliten në shpirtin e të rinjve virtyte të ndryshme sidomos dashuria ndaj lirisë dhe atdheut. Në këtë kontekst ai përmend këngët që i kushtohen Skënderbeut, Pal Golemit e trimave të tjerë. Në veçanti ai flet dhe për kontributin e madh të femrës shqiptare, që s’ka të bëjë vetëm me punët e shtëpisë dhe të bujqësisë, por edhe me ndërmarrje më të vështira e më të rëndësishme për ruajtjen e dinjitetit dhe të lirisë.

Femrat shqiptare, pohon Biondelli, në të gjitha kohët kanë dëshmuar një karakter të fortë, kanë marrë pjesë në ngjarje të ndryshme për të mirën e atdheut. Ato i kanë nxitur e inkurajuar edhe të afërmit për ndërmarrje të këtilla, por shpesh kanë sakrifikuar edhe vetë jetën për liri. Autori përmend rastin kur 60 gra shqiptare nga Zolonja, për të mos rënë në duart e pushtuesve otomanë, hidhen me gjithë fëmijë në humnerë. Për t’i konkretizuar mendimet e veta Biondelli sjell disa këngë me tematikë të këtillë.

Në punim vështrohet edhe problemi i krijuesve të këngëve, i këngëtarëve, që është bërë objekt trajtimi i shumë studiuesve të letërsisë gojore. Biondelli thekson se emrat e krijuesve të këtyre këngëve janë natyrisht të panjohur. Bariu, kaçaku, cubat e detit krijojnë, ashtu siç ua kushtëzon rasti; kënga do të këndohet, ndërsa poeti (krijuesi) do të harrohet. Shqiptarët kishin po ashtu këngëtarët e tyre bredhës, zakonisht të verbër e pleq, të cilët shkonin prej katundi në katund, nëpër kështjella popullore, nëpër sheshe publike etj.

Biondelli e përmbyll punimin e vet me mendimin se poezia gojore shqiptare meriton të vështrohet nga fakti se në mënyrë të drejtpërdrejtë ajo është shprehje e botëkuptimit të një populli natyror, por edhe burim i rëndësishëm për historinë dhe për studimin e gjuhës.

Rëndësia dhe vlera e këngëve të botuara

Edhe pse Biondelli këngët arbëreshe i botoi vetëm të përkthyera në gjuhën italiane (e jo edhe në gjuhën burimore arbëreshe) duke pasur parasysh datën kur u botuan, ato kanë rëndësi të madhe për historinë e letërsisë gojore shqiptare. Them kështu për arsye se këngët e botuara si sasi janë më shumë se të gjitha botimet së bashku deri në vitin 1846 që u bënë nga trashëgimia letrare gojore arbëreshe, të cilat na janë të njohura deri më sot. Pos kësaj ato dëshmojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë për disa nga llojet e rëndësishme të poezisë gojore arbëreshe që ishin trashëguar e bartur me shekuj tek arbëreshët e Italisë, por edhe në trojet e mëparshme të tyre si dhe te arbënorëve – shqiptarët në përgjithësi.

Kështu, pos këngëve të dasmës që dëshmohen edhe në dorëshkrimet e shekullit XVIII-të, e sidomos në botimet e mëvonshme bërë nga De Rada, Kamarda etj., Biondelli boton disa balada, këngë lirike dhe këngë me tematikë historike, këngë rituale etj. Disa prej tyre, si variante, na janë të njohura edhe nga dorëshkrimet e mëhershme, shumë sosh i ndeshim edhe në botimet e mëvonshme arbëreshe të përkthyera edhe në italisht, ndërsa ndonjëra është pak ose aspak e njohur. Një krahasim më i përafërt i këngëve që botoi ky gjuhëtar italian (që nuk është qëllimi i këtij shkrimi), do të qite në shesh shumë gjëra interesante në fushën e studimit të variantitetit në diakroni dhe në sinkroni, jo vetëm brenda traditës shqiptare, por edhe më gjerë.

Dy këngët e botuara nga Biondelli më 1846 Konstantini i Vogëlith (në punimin e Biondellit të vitit 1856 emri i kryeprotagonistit të basadës shkruhet Kostantin, ndërsa në përkthimin gjermanisht të punimit Konstantin) dhe Vdekja e Pal Golemit, të cilat po i botojmë për herën e parë në gjuhën shqipe të përkthyera nga gjermanishtja (duke përcjellë ribotimin në italisht të Biondellit nga viti 1856), janë mjaft të njohura si tematikë. Megjithatë kënga kushtuar Konstantinit ndryshon nga shumë këngë të dorëshkrimeve të mëhershme ose nga botimet e mëvonshme.

Ajo më së shumti i afrohet variantit që e shënoi Sharl Didie më 1830 dhe e botoi më 1831 në gjuhën frënfe (përkthimin e saj e bëri Dh. Shuteriqi shih “Kultura popullore” nr. 1/1980, f. 122 – 124). Duke e krahasuar me dorëshkrimet e mëhershme dhe me këngë që u botuan më vonë mund të them se variantit të Biondellit (sikur edhe të atij të Sh. Didiesë) i mungon hyrja, shkaku i largimit të Konstantinit nga shtëpia. Kjo gjë dhe shkakton mëdyshjen mos në këtë variant bëhet fjalë vetëm për të fejuarën e Konstantinit e jo për Konstantinin që ishte martuar edhe kishte ndejtur vetëm tri net me gruan.

Duke pasur parasysh shumë përbërës qenësorë të ekzistimit të këngës në variante të ndryshme të evoluimit dhe të ndryshimit të saj në kohë dhe në hapësirë si dhe të pranisë së madhe të traditës në ekzistimin e secilës këngë mund të pandeh se Biondelli, sikurse edhe Didie, e kishte shënuar këngën prej ndonjë subjekti që e kishte harruar fillimin e baladës së njohur. Edhe tri pikat që janë mes rreshtit të dytë në tekstin italisht dhe në atë gjermanisht në një mënyrë ose në një tjetër flasin në të mirë të këtij fakti.

Tekefundit, krijimi gojor pa shkakun e largimit nuk do të mund të përjetonte atë përhapje që e ka përjetuar kjo baladë me shkakun e largimit të Konstantinit nga shtëpia dhe të premtimit të nuses së tij se do ta presë për nëntë vjet e për nëntë ditë etj. Pa dashur të bëj krahasime të tjera po theksoj vetëm faktin se varianti i Biondellit cilësohet me një përmasë më të theksuar të realitetit përkatësisht të ngjarjes reale që vjen e shprehet sidomos në fund të baladës.

Edhe kënga Vdekja e Pal Golemit është një variant mjaft i plotë i këngës tashmë të njohur kushtuar këtij luftëtari e trimi arbëresh. Ajo përkon në shumë pikë me variantet e njohura deri më sot dhe si e tillë e pasuron fondin e variantitetit të saj brenda traditës arbëreshe.

Në fund po theksoj nevojën e përkthimit në shqip të të gjitha këngëve që botoi Biondelli më 1846 sepse ato janë ndër botimet e hershme e të rëndësishme të poezisë gojore arbëreshe dhe si të tilla do ta pasuronin fondin e saj dhe do të mundësojnë një studim më të pasur krahasues[5].

KONSTANTINI I VOGËLITH

Konstantini i Vogëlith
mu tri dit’ para martesës…
Ëndërroi ai një ëndërr
ëndërr t’keqe, të trishtuar.
I tronditur psherëtiu.
Psherëtimën fort të thellë
e dëgjoi Zoti i Madh.
Ai dha urdhër, ranë daullet
e na i mblodhi gjith’ sherb’torët.
Zuri dhe kështu u foli:
“Pa më thoni, kush prej jush
sonte thellë psherëtiu?”
Konstantini u përgjegj:
“Unë jam që psherëtiva.
Sot na është ditë e shtunë,
kurse nesër është e diel;
nesër mua më martohet
njajo vashë e zemrës sime”.
“Këta nëntë çelsa merri
edhe shko deri në stallë
se aty i ke nënt’kuaj
zgjedhe cilin të pëlqen:
n’daç të bardhin, n’daç t’përhimtin,
në daç allçin n’daç dorinë,
në daç vraçin, n’daç kullashin,
n’daç të shpejtin si skifter”.
Konstantini zgjodhi t’fundit,
mori t’shpejtin dhe u nis –
n’vrap e l’shoi vetëtimë.
N’rrugë motrën ai e ndeshi,
motrën t’quajtur Florencë.
“Ku po shkon, ti, vashë e re?”
“Po shkoj t’bie në humnerë,
sepse nesër është e diel
e kunatë ime martohet,
nusja e v’llait, Konstantinit –“
“Un’ jam vetë Konstantini”.
“Pra shpejto, mor i pafat,
n’se me kohë don t’arrish!”
Rrugës ndeshi edhe nënën.
“Ku je nisur, grua e mirë?”
“Po shkoj t’bie në humnerë,
sepse nesër është e diel
dhe martohet reja ime,
zonjë e djalit, Konstantinit”.
“Un’ jam vetë Konstantini”.
“Pra shpejto, mor i pafat,
n’se me kohë don t’arrish!”
Konstantini l’shohet vrap
dhe nuk ndalet der’ te shpia
der’ te shpia e zonjës vet.
Në katund, në mes të sheshit,
ku banorët ishin mbledhë,
Konstantini vuri velin
dhe atyre k’shtu u foli:
“O bujarë, askujt tjetër,
zonja ime s’i takon.
ja, shikoni, si dëshmi,
kët’ kurorë unë e solla.
Veçse mua m’përket zonja!”
Të hutuar, pastaj mtonjsin
të pranishmit e braktisën.
Ç’prej aherë e talli fshati.
Konstantini niset n’kishë
tok me vash’n e zemrës tij.

VDEKJA E PAL GOLEMIT

N’këtë natë n’orën dy
u dëgjua një rënkim.
S’ish rënkin, po Pal Golemi.
Pal Golemi i plagosur,
po u truhej shok’ve t’vet:
“O ju shokë e ju vëllezër,
o ju truhem fort e fort:
të ma hapni mua varrin
aq të gjerë sa të gjatë
dhe te kryet e varrit tim
ju ta lini një dritare
të ma lidhni mburzarinë.
Dhe të këmbë e varrit tim
arm’t e mia të m’i varni.
E pastaj një letër shkruani
e m’i thoni nënës sime
të ma qepë k’mishën mua
sall me fije t’flokve t’mi;
që këmishën t’ma qëndisë
veç me gjak të faqev’ t’saj;
që këmishën le t’ma lajë
veç me lot të syve t’saj;
që këmishën le t’ma terë
veç me zjarr të zemrës saj.
Dhe këmishën t’ma dërgojë
veç me duf t’psher’timës saj.
Pastaj shkruani t’buk’rës sime
që shaminë t’ma qëndisë
veç me gjak të faqev’ t’saj.
Nëse ende s’ësht’ martuar
ju t’i thoni të martohet,
por t’përpiqet hera-herë
t’mbaj’ vështrimin te ky shesh
që t’sodisë shok’t e mi
dhe t’lëshojë psherëtimë,
psherëtimë dhe rënkim
rrasë e varrit të kumbojë.

Përktheu nga gjermanishtja[6]
ANTON BERISHA


[1] Për këtë çështje më gjerësisht kam bërë fjalë në punimin Rreth disa të dhënave të hershme të ekzistimit të këngës te shqiptarët. Në: Mbi letërsinë gojore shqipe, Rilindja, Prishtinë 1987, f. 14 – 27.

[2] Shih më gjerësisht për Rapsoditë e De Radës në veprën time Mbi letërsinë gojore shqipe, f. 51 – 87 dhe në Përkime poetike, Rilindja, Prishtinë 1978, f. 65 – 82.

[3] Magazin…, pun. cit. botuar në f. 531 -532 dhe 536 – 537.

[4] Për botimin e parë (1846) të punimit të B. Biondellit “Della literatura popolare dell’ Epiro” botuar në “Rivista Europea” përkatësisht në “Magazin…” na bën me dije Gustav Meyer-i në Etymologisches Worterbuch der albanischen Sprache (Strasburg 1891). Nuk më ka rënë të lexoj te ndonjë autor tjetër që është marrë me çështje të letërsisë gojore shqipe që ta ketë përmendur këtë botim të punimit të Biondellit.

[5] Për mundësin krahasimi po botojmë dy këngë të botuara nga Biondelli më 1846 të përkthyera nga gjermanishtja. Të gjitha citatet nga gjermanishtja të shfrytëzuara në këtë punim dhe në tri punimet e tjera janë përkthime të mia.

[6] Përkthimi është bërë nga “Magazin für die Literatur des Ausländes”. Redigirt von J. Lehmann. Neuundzwanzigster Band. Berlin 1846, Nr. 133 dhe 134, f. 532 dhe f. 536-537. E krahasova edhe B. Biondelli. DELLA LITTERATURA POPOLARE DELL’ EPIRO. Në Studii “Linguistici di B. Biondelli”, Milano 1856, f. 86-87 dhe f. 92-93.

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.