BËJE NJË HAP TJETËR, O NDËRGJEGJE KOMBËTARE?

0
Safet Sadiku

Ese politike (shkëputur nga „Diplomacia e shterruar”):

A) Letër e hapur drejtuar ndërgjegjes kombëtare, jo partisë dhe as partive politike 

Gjatë muajit qershor, unë me tre votues dhe përkrahës të hershëm të Vetëvendosjes, u takuam disa herë në tri vende të ndryshme, por me një temë të përbashkët në mendje: moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe kriza politike e krijuar nga partia që dikur e besuam si shpresë për ndryshim. Tre votues të VV-së, dhe unë në tre takime buzë liqeneve, dëshmuan për një vendim të vetëm: „Shteti është para partisë dhe pushtetit“.

Pse po flas sot me ju, o liderë të politikës?
a) Sepse sot Bashkimi Evropian i afron Kosovës rreth afro një miliard euro për investime, ndërsa Kosova nuk ka as qeveri funksionale që ti pranojë ato. Kjo më detyroi të flas.
b) Nuk po flas për të bërë zhurmë, ndonëse ne si grup që votuam për VV-në, kur është fjala për termin „mërgata“ kemi krijuar përshtypjen me disa shembuj, se edhe sjellja e ministrave të Albin Kurtit, pothuaj nuk ndryshoi asgjë nga ajo e qeverive të dikurshme, që sot janë në opozitë.

Nga Safet SADIKU

Takimi i parë ndodhi në liqenin e Cyrihut, jo shumë larg një zyre të VV-së, që kishte mbledhur mijëra vota. Ishte një bisedë e qetë, por e mbushur me shqetësim dhe pyetje të parehatshme: si mund të vazhdojë një klasë politike, qoftë një qeveri të predikojë “shtetndërtim”, kur në të njëjtën kohë e mbajnë peng vetë institucionin më të lartë, që përfaqëson qytetarët? Takimi i dytë ndodhi në liqenin e Shkodrës, gjatë kthimit në atdhe. E kuptuam se kjo krizë nuk është thjesht taktike, por është simptomë e një mentaliteti të rrezikshëm, ku „pushteti është më i rëndësishëm se funksionaliteti i shtetit. Të gjithë u pajtuam me këtë logjikë të papritur, por faktike. Takimi i tretë ndodhi në liqenin e Vërmicës në Morinë, buzë kufirit, dhe aty u shfaq vendimi ynë përfundimtar: nëse partia që kemi përkrahur refuzon të sillet si joshtetformuese, atëherë ne kemi të drejtë, dhe detyrim moral, ta kritikojmë hapur.

Dy prej nesh janë ende aktivë në strukturat lokale të VV-së, tha njëri nga kolegët, por me ndjesinë gjithnjë e më të fortë se këto struktura nuk dëgjohen më, pra nuk kanë më zë. Kemi menduar seriozisht për dorëheqje, vazhdoi tjetri, jo nga inati, por nga bindja, se nuk mund të jesh pjesë e një organizimi që ngurtësohet përreth një grupi pushtetarësh, që e shohin shtetin si instrument lojaliteti, jo si detyrim ndaj qytetarit. Në fund të gjithë ramë dakord për një mesazh që nuk është thjesht kritik, por parimor: Shtetësia e Kosovës ka më shumë rëndësi se sa pushteti i kujtdo qoftë.” Ky nuk është sulm politik.

Nuk është thirrje për të votuar ndryshe. Është thirrje për reflektim të brendshëm, për ta kuptuar se kauzat nuk mbrohen duke bllokuar institucione, dhe se lufta për drejtësi nuk fitohet me arrogancë, por me maturi dhe përgjegjësi. Nëse Vetëvendosja nuk i dëgjon më as votuesit e vet më të përkushtuar, atëherë rruga që po ndjek është larg nga ajo që ka premtuar më 14 shkurt 2021. Unë e ripërsërita disa herë mendimin, zgjedhjet po vijnë prapë oj VV…! Në fund ne pas gjithë atyre bisedave vendosëm të shkruajmë secili në mënyrën e vet nga një letër publike! U pajtuam që mos të përdorim terme dhe shprehje ofenduese, sepse bëhmi edhe ne si këta të politikës. Bile u tha se temin „tradhtar“, duhet ta nxjerrim jashtë fjalorit tonë, dhe të apelojmë edhe te mediat tjera që mundësisht të mos ta përdorin edhe më tutje këtë shprehje vend e pa vend!  

1) Letra ime e parë:

(Me këtë rast unë si i pa parti politike, vendosa që t’i drejtohem ndërgjegjës kombëtare)

Me këtë letër të hapur nuk po i drejtohem një partie, as të gjtiha partive politike, as një institucioni, as një qeverie apo një emri të përkohshëm që rri ulur në karrigen e pushtetit, sepse asnjëra nga këto nuk përfaqëson më atë që duhej të ishte, si fryma e vërtetë e këtij vendi… Por, unë sot po i drejtohem  ndërgjegjes kombëtare, e cila është e lodhur, e fyer, e heshtur, por ende e gjallë, sepse kur gjithçka tjetër është blerë, është përdorur apo është heshtur, ti je e vetmja që ende mund të ngrihesh dhe të thuash “mjaft”! Dhe po të shkruaj në emër të atyre që nuk kanë mikrofon, që nuk kanë mbështetje, që nuk kanë pushtet, por kanë zemër; në emër të atyre që punojnë ndershëm dhe jetojnë në varfëri, në normalitetin e përditshëm të tyre, ndërsa të paaftët e paturpshëm u mësojnë moralin nga studio politike e ekrane që janë shndërruar në pasqyra të një hipokrizie që nuk turpërohet më.

Po të shkruaj sepse jemi lodhur duke jetuar në një vend ku e vërteta është luks, drejtësia është spektakël, ligji është selektiv dhe politika është një teatër ku nuk ndryshojnë as aktorët, as skenari, por vetëm emri i partisë që bën shfaqjen. Po të shkruaj ty, „ndërgjegje e heshtur e kombit, sepse nuk dua të bëhem pjesë e radhës së atyre që thonë: “është kështu dhe nuk ndryshon”, sepse kjo është gjuha e dorëzimit, e mposhtjes së shpirtit, e prishjes së kontratës morale që e mban një popull të bashkuar përtej ideologjive dhe bindjeve të përkohshme. Një popull që nuk u mposht asnjëhërë nga asnjë barbari historike, por mbijetoi duke sjellur  pas vete të ruajtura të gjitha vlerat dhe virtytet deri në këtë shkullin e teknologjisë, në shekullin XXI.

Ju pyes ku është zëri yt, ndërgjegje? Ku ishe kur u shit toka jonë për pesë firma dhe një konferencë shtypi? Ku ishe kur njerëzit u ndanë në “tanët” dhe “të tyre”, kur drejtësia u kthye në mjet hakmarrjeje politike dhe jo shërbim të barabartë ndaj të gjithë qytetarëve?
Ku ishe kur rinia u largua, jo për të parë botën, por për të shpëtuar nga e keqja që po bëhej normalitet? Nuk dua të dëgjoj më për atdheun, si gjëja flamur që valon vetëm në ditë feste, por si plagë që nuk dhemb më, sepse është bërë pjesë e zakonshme e trupit…

Nuk dua më të dëgjoj as për politika të reja që vijnë nga fytyra të vjetra, për projekte që mbulojnë skandale, për rrugë që duken të ndërtuara mirë, por që çojnë në askund, në asgjë me perspektivë!… Nëse ekziston ende një ndërgjegje kombëtare, ajo duhet të zgjohet tani, jo nesër, jo kur të jetë tepër vonë, sepse për çdo ditë vonesë është një fëmijë më pak që beson në këtë tokë, një nënë më shumë që qan largimin e të birit, një varr më tepër në dhe të huaj ku nuk u kthye më askush për të vendosur një lule.

Ndërgjegje, nuk kam më kohë të flas me parti. Kam folur, e kemi folur, na kanë dëgjuar, por nuk na kanë kuptuar. Sepse pushteti nuk dëgjon zëra që nuk i japin vota, sepse interesat nuk kanë zemër, sepse makineria e propagandës nuk njeh lotë, dhimbje, as dinjitet. Ti je e fundit që mund të flasësh, dhe nëse edhe ti hesht, atëherë nuk na ka mbetur më asgjë përveçse të jetojmë në një vend që na përket vetëm në letër, por që në realitet është zaptuar nga një kastë që e trajton popullin si numër dhe shtetin si plaçkë. Mos hesht. Sepse, kur hesht ndërgjegja, nuk mbetet më asnjë shpresë që nuk është iluzion.

Kur hesht ndërgjegja, historia nis të përsëritet, dhe vuajtja kthehet në rregull. Me respektin e fundit që më ka mbetur jo për partinë, por për këtë vend, një qytetar që nuk ka asgjë për të fituar, por ka gjithçka për të mbrojtur. Për t’i mbrojtuar ato që quhen vlera jetësore, për ta mbrojtur ekzistencën!

2) Letra e anëtarit të parë të VV-së

B) Nëse Amerika të thotë “jo”, çdo “po” tjetër është e kotë!

E para: Nëse administrata e Presidentit Trump nuk e pranon Albin Kurtin për Kryeministër të Kosovës, (po ashtu edhe të gjithë liderët e tjerë të opozitës) ai dhe ata le ta harrojë atë karrige, sepse edhe nëse i fiton( dhe i fitojnë) zgjedhjet 10 herë, ai (ose ata) nuk do të ulet më në të. Në politikën ndërkombëtare, legjitimiteti nuk është vetëm votë popullore, por është edhe besim i ndërsjellë. Është edhe ulësja që të lirohet në tryezën e aleatëve. Albin Kurti, me gjithë fuqinë popullore që po bartë mbi supe, ndonëse shpesh me krekosje të tepruara, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në epokën Trump, do të mbetet një figurë e izoluar në një sistem të hapur politik.

Ai mund të bërtasë fort në Prishtinë, por do të heshtet në Washington. Kjo logjikë vlenë edhe për të gjithë liderët e opozitës. Shumë shtete e kuptuan gjuhën e Trump-it, që nuk ishte retorikë, por udhëzim politik. Gjermania, për shembull, me gjithë strukturën e saj të forte shtetërore, u orientua kah ndryshimi. Fitorja e z. Merz  nuk ishte vetëm një zgjedhje e brendshme, por ishte përgjigje ndaj erës që vinte nga SHBA-të, për t’u rreshtuar me frymën globale të udhëheqjes, në frymën Trump.

E dyta: edhe Albin Kurti (ashtu si literát e opozitës) është politikan i fundit, (dhe uroj të jetë ky poletikani i fundit), i tranzicionit në politikën e shqiptarëve që botërisht po tregon se më i rëndësishëm për të është pushteti sesa shteti. Ky është një dënim moral, jo thjesht një kritikë politike. Në çdo dalje publike, në çdo qëndrim gjatë komunikimeve të tij ndaj ndërkombëtarëve, Kurti ka rrëshqitur nga rruga e bashkëpunimit te rruga e përplasjes. „A thua kush i jep të drejtën një udhëheqësi që për hir të karrierës së tij, të flijojë partneritetin më të shenjtë që një shtet i vogël si Kosova, që e ka pasur dhe ende e ka me aleancën tonë, me SHBA-të?“ Ai ka mundur që reagimet dhe mos pajtimet t’i shpërfaq me një ton më normal, pa pasur nevojë që komunikimi të vlerësohet „rrëshqitje“.

Të urojmë që ai të jetë i fundit që e mban gjallë këtë mentalitet të vjetër tranzicioni, ku pushteti ndërtohet mbi retorikë, jo mbi rezultate. Ku patriotizmi bëhet kostum i përkohshëm për të maskuar dështimin, dhe Serbia përdoret si sfond i shpikur për lavdi personale. Ka qenë më shumë se simbolike mënyra dhe „forma se si Kurti u afrua në mënyrë të heshtur me diplomacinë serbe. Siç e thonë të vjetrit: “Jo çdo përballje është betejë.” Ndërkohë, që kontributi i ndërkombëtarëve, (sidomos i Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së), për rrjedhat në Veiun e Kosovës, ende po mbesin si nën hije).

b) Të lutemi që nga tani e tutje, e ardhmja e Kosovës të ndërtohet përmes SHBA-së, jo përmes Serbisë. Le të jetë ky një amanet i pashkruar, një mur i padepërtueshëm që ndan rrugën që shpie në integrim, për dallim nga rruga që të kthen prapa në errësirën ballkanike. Historia na ka treguar, se çdo projekt politik që ka anashkaluar Amerikën, ka përfunduar në dështim. Nuk është çështje besnikërie verbale, është çështje sigurie kombëtare. Kosova ka një shans të artë: të largohet një herë e mirë nga politikbërja e izoluar, nga liderë që e mendojnë shtetin si trampolinë personale, dhe të kthehet kah aleanca që e ka ndihmuar ta lindë, ta ruajë dhe ta njohë. Le të jetë SHBA udhërrëfyesi.

Jo për hatër, por për interes. Jo për nostalgji, por për mbijetesë. Sepse kur Amerika të thotë “jo”, nuk është vetëm një refuzim, por është fundi i rrugës politike për çdo lider që nuk di ta lexojë këtë „jo”. Albin Kurti, ashtu si liderët e tjerë të opozitës, kanë ende kohë ta mësojnë këtë leksion. Por, ora politike nuk pret shumë.

3) Letra e anëtarit të dytë të VV-së;

C) Publik i dashur a e kujtoni përplasjen e Albinit me Vjosa Osmanin? Po flas për një ndarje të hapur z. Albin që ndodhi nga nëntori i vitit 2024, kur në vend që të ruaje e kultivoje aleancën me personin që të ndihmoi të ngjiteshe në majë, zgjodhe rrugën e përbuzjes së heshtur dhe shpërfilljes gati të qëllimshme? Ndonëse, partia jote, „de fakto“, e ngulfati politikisht Listën GUXO të Vjosa Osmanit, duke e zhveshur nga çdo pavarësi e ndikim, ti nuk u ndale aty, por vazhdove ta injorosh dhe ta trajtosh si të tepërt, madje edhe me tonin e një përbuzjeje publike, duke u sjellë me ish-bashkëmbështetësen si me një „kalama politik“, para syve të opinionit, „me arrogancën e atij që e ndjen veten të pathyeshëm“.

Dhe kur ajo, me të drejtën e saj morale dhe politike, kërkoi një vend që i takonte, (që pas jush, tani të ishte Kryeministrja që do ta meritonte) ti nuk zgjodhe bashkëpunimin, por kalkulimin; nuk zgjodhe respektin, por llogarinë e brendshme për kontroll dhe lojalitet, sepse nuk të përshtatej në skemën tënde, „ku çdo zë duhet të përkulet e të heshtë“. A e matë koston e asaj deklarate dhe sjelljeje publike? Sepse nëse ke harruar, po të rikujtoj unë: vetëm me atë lëvizje, vetëm me atë përplasje, ke humbur thuajse 15-20% të votave, sepse njerëzit kuptuan se lufta jote nuk ishte më për parime, por për pozita; jo më për drejtësi, por për dominim; jo më për të përfaqësuar popullin, por për ta kontrolluar atë. Këtë e konfirmoi vetë znj. Vjosa Osmani, me qartësinë dhe përmbajtjen që ti nuk e përfille.

Dhe ky egoizëm politik, kjo mungesë vetëreflektimi dhe përulësie përballë aleatëve që dikur të dhanë besim dhe përkrahje, ishte një nga arsyet pse nuk munde ta përsërisje fitoren madhështore të 14 shkurtit 2021 në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. (Sigurisht ka pasur edhe arsye të tjera, dhe një ndër to është se sistemi i drjetësisë ka pësuar zero reforma!) Vallë mos tashmë jeni duke ecur edhe ju mbi të njëjtën rrugë që dikur e kritikoje: rruga e mbylljes, e shpërfilljes, e sundimit përmes besnikërisë së verbër e jo përmes meritës e bashkëpunimit.

Shiko, Albin. Shiko realitetin. Reflekto! Sepse historia nuk pret, ajo po na regjistron të gjithëve. Dhe po e regjistron edhe këtë: rënien tënde të ngadaltë, por të parashikueshme.

ç) Sikur nesër të mbaheshin zgjedhjet në Kosovë, Vjosa Osmani do ta mundte Albin Kurtin?

Nëse zgjedhjet në Kosovë do të mbaheshin nesër, një skenar interesant dhe politikisht i ngarkuar do të merrte formë në arenën publike. Me gjithë dominimin aktual të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, është e arsyeshme të argumentohet se Vjosa Osmani, aktualisht Presidente e Republikës së Kosovës, mund të them se do të kishte potencial real për të fituar më së shumti vota dhe për t’u bërë Kryeministre e vendit. Ajo është vlerësuar me shumë cilësi pozitive…

1) Ka imazh balancuar dhe politikë matur ndaj ndërkombëtarëve; Një nga arsyet kryesore që e forcojnë këtë supozim është mënyra se si Vjosa Osmani është pozicionuar në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ndryshe nga Albin Kurti, i cili shpesh ka ndjekur një linjë më të ashpër dhe kritike ndaj ndërkombëtarëve, Osmani ka arritur të mbajë një qëndrim më diplomatik dhe bashkëpunues. Kjo i ka rritur kredibilitetin në qarqet ndërkombëtare, duke e paraqitur si një udhëheqëse që respekton partneritetet strategjike pa rënë në nënshtrim të verbër.

Pikërisht në kohë krizash diplomatike, si tensionet në veri, procesi i dialogut me Serbinë apo zbatimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, Vjosa Osmsni po ngrit reputacionin si një figurë që projekton maturi, pragmatizëm dhe aftësi për ndërtim besimi, gjë që është shumë e çmuar për votuesit që duan stabilitet dhe integrim në BE.

2) Figura e Presidentes që ruan integritetin institucional: Ndryshe nga Albin Kurti, i cili për shumë votues është bërë figurë polarizuese, Osmani ka ruajtur imazhin e saj si një udhëheqëse mbi palët, edhe pse e mbështetur fillimisht nga Vetëvendosje. Përkrahja e saj për sundimin e ligjit, për mbrojtjen e interesit të qytetarëve dhe për avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës ka qenë e qëndrueshme. Më e rëndësishmja është, se ajo si personalitete unifikuese është perceptuar si më pak populiste dhe më shumë si institucionale.

3) Zhvillimet e brendshme në Vetëvendosje dhe rënia e durimit publik: Përkundër fitores së thellë të Vetëvendosjes në zgjedhjet e fundit, (9 shkurt 2025) shenjat e pakënaqësisë me qeverisjen e Kurtit janë shtuar, sidomos gjatë mandatit të tij katërvjeçar. Mungesa e reformave konkrete, ngecjet në zhvillimin ekonomik, përplasjet me partnerët ndërkombëtarë dhe retorika e vazhdueshme e konfrontimit kanë filluar të lodhin një pjesë të elektoratit të tij, të cilët e votuan si shpresën e fundit që Kosova të bëjë kthesa historike! Në këtë kontekst, një figurë si Vjosa Osmani, që ka ruajtur njëfarë distance nga politikat e përditshme të Qeverisë, do të shihej si alternativë brenda “kampit të ndryshimit”, por me më shumë maturi dhe aftësi për bashkëpunim. (Kjo logjikë e rritë bindjen kur VV, nuk po tregohet fare tolerante për ndonjë emër tjetër, përveç të Albulena Haxhiut, e propozuar për Kryetare të Kuvendit të Kosovës!, pavarësisht se është në të drejtën e saj…)

4) Mbështetja publike dhe perceptimi gjinor: Nuk mund të injorohet as fakti se Vjosa Osmani përfaqëson një model të ri politik për Kosovën, një grua në një pozitë të lartë, e arsimuar në SHBA, dhe e artikuluar dhe konsistente. Në një shoqëri që po ndryshon ngadalë në raport me rolin e gruas në politikë, ky është një aset i rëndësishëm që rezonon me gjeneratën e re dhe me ata që duan ndryshim të stilit të udhëheqjes.

5) Kushtet hipotetike dhe realiteti elektoral: Sigurisht, ky propozim mbetet i rezervuar. Vjosa Osmani aktualisht nuk ka një subjekt të sajin politik aktiv në garë, ndërsa Kurti mban kontroll të fortë mbi strukturën dhe terrenin politik përmes Vetëvendosjes. Megjithatë, nëse ajo do të kandidonte me një listë të re apo do të udhëhiqte një koalicion të moderuar, gjasat për sukses do të ishin të konsiderueshme, sidomos nëse elektorati do të kërkonte një alternativë më të butë, por po aq reformiste. Sikur nesër të mbaheshin zgjedhjet në Kosovë, dhe Vjosa Osmani të kandidonte për postin e Kryeministres, ajo do të kishte gjasa reale për të fituar shumicën e votave, ndoshta edhe për ta mundur Albin Kurtin.

Kjo do të ndodhte jo për shkak të një dallimi të madh ideologjik, por për shkak të dallimeve në stilin e udhëheqjes, pozicionimin ndërkombëtar dhe perceptimin publik. Në një klimë politike të ngarkuar me tensione dhe pritshmëri të larta, votuesit gjithnjë e më shumë kërkojnë lidership që sjell stabilitet, besueshmëri dhe bashkëpunim me vlera, që Vjosa Osmani duket se i mishëron sot më shumë se kurrë, ose ka qenë lojtare shumë më e mirë. Albin Kurti, si Kryeministër i Kosovës, ka qenë shpesh në qendër të vëmendjes për stilin e tij të ashpër, qasjen gjëja nacionaliste dhe shpesh në moskoordinimin me partnerët ndërkombëtarë.

4) Letra e anëtarit të tretë të VV-së

Po paraqesim disa pika t
ë rëndësishme që përfaqësojnë anët pozitive të Albin Kurtit si Kryeministër, si kundërpërgjigje ndaj kritikave dhe perceptimeve negative të qeverisjes së tij, por edhe të gjendjes së tanishme:

1) Qeverisje e pastër dhe luftë e paepur kundër korrupsionit

Nën drejtimin e Albin Kurtit, Kosova ka pasur një nga qeveritë më të pakorruptuara në historinë e saj moderne. Raportet ndërkombëtare (përfshirë Transparency International) kanë vënë në dukje një rënie të dukshme të korrupsionit në nivel qendror, dhe një përmirësim të transparencës në financa publike. Ai nuk është akuzuar për afera korruptive personale dhe nuk është lidhur me asnjë klan ekonomik apo të interesave të ngushta, çka e bën atë një figurë politike të rrallë në rajon.

A) Përceptimet negative:
1) Më poshtë janë disa nga gabimet dhe përplasjet më të komentuara:
a) Përplasjet e vazhdueshme me SHBA-të, veçanërisht me Sekretarin Antony Blinken.
b) Refuzimi për të zbatuar marrëveshjet e dakorduara në dialogun Kosovë–Serbi, sidomos rreth Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka sjellë reagime të ashpra nga SHBA.
c) Sekretari Blinken publikisht shprehu zhgënjimin ndaj qeverisë Kurti në disa raste, përfshirë çështjen e tensioneve në veri të Kosovës (2023), ku veprimet e njëanshme të Policisë së Kosovës (në vend të bashkërendimit me KFOR-in dhe ndërkombëtarët) u cilësuan si destabilizuese.
ç) Ndëshkimi i Kosovës nga SHBA: Pas ngjarjeve në veri, SHBA suspendoi pjesëmarrjen e Kosovës në ushtrime ushtarake ndërkombëtare dhe vonoi mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, një lëvizje e rrallë kundrejt një aleati.

2) Tensionimi i marrëdhënieve me BE-në, veçanërisht në kontekstin e dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, ka pasur momente tensioni në komunikim ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe përfaqësuesve evropianë, përfshirë emisarin Miroslav Lajčák dhe përfaqësuesin e lartë Josep Borrell. Disa deklarata publike dhe mospërputhje në interpretimin e dakordimeve në Bruksel kanë krijuar vështirësi në koordinim dhe kanë sfiduar procesin e ndërmjetësimit. Kjo ka rezultuar në kritika nga BE për mungesë të fleksibilitetit dhe nevojën për më shumë qasje konstruktive në dialog.

a) Ai refuzoi të firmosë marrëveshjen e Ohrit (mars 2023), duke pranuar vetëm verbalizimin e saj. Kjo shkaktoi irritim në BE dhe vlerësime negative për seriozitetin e tij si palë negociuese.
b) Josep Borrell e ka akuzuar Kurtin për mungesë vullneti për kompromis, ndërsa BE e ka penalizuar Kosovën për moszbatimin e marrëveshjes duke pezulluar fonde dhe aktivitete të caktuara.

Tani po numërojnë edhe anët pozitive të Albin Kurtit, pikë për pikë, si përgjigje ndaj kritikave për incidentin në veri, retorikën ndaj ndërkombëtarëve dhe qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

  1. B) Përceptimet pozitive:
    1) Rritja ekonomike dhe reforma në administratë: Qeveria Kurti ka arritur të rrisë të hyrat në buxhet në mënyrë të qëndrueshme, duke luftuar ekonominë informale dhe përmirësuar performancën e Doganës dhe Tatimeve. Janë ndërmarrë hapa për digjitalizimin e shërbimeve publike, si dhe për thjeshtimin e procedurave për bizneset, duke synuar një klimë më të mirë ekonomike për investitorë Në vitet 2022–2024, Kosova ka pasur një nivel të lartë të rritjes ekonomike në rajon, pavarësisht krizave ndërkombëtare.
    2) Menaxhimi i suksesshëm i krizave dhe ballafaqimi me Serbinë: Edhe pse kritikohet për “përplasjet” me ndërkombëtarët, shumë qytetarë e shohin këtë si shenjë dinjiteti dhe integriteti, jo si papjekuri diplomatike. Kurti ka refuzuar të pranojë marrëveshje të dëmshme për Kosovën, duke kërkuar reciprocitet të plotë në dialog me Serbinë, gjë që asnjë udhëheqës para tij nuk ka pasur guxim ta artikulojë me qartësi. Mosnënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit, edhe pse i kushtoi politikisht, u pa si qëndrim parimor ndaj integritetit të shtetit dhe funksionalitetit të tij kushtetues.
    3) Politikë e jashtme e pavarur dhe dinjitoze: Kurti ka synuar një politike të jashtme që nuk është vetëm nënshtruese ndaj kërkesave të momentit të ndërkombëtarëve, por e orientuar drejt interesave afatgjata strategjike të Kosovës. Ai ka mbrojtur sovranitetin dhe rendin kushtetues në veri të vendit, edhe përballë presioneve, duke mos lejuar që të shndërrohet ai rajon në një “zonë të nënkontrolluar”, siç kishte ndodhur për vite me radhë.
    4) Mbështetje e fuqishme popullore dhe besueshmëri: Përkundër trysnive të jashtme dhe sfidave të brendshme, Albin Kurti ka ruajtur një bazë të gjerë elektorale që ende e sheh si figurë të pastër, të pakompromis dhe të sinqertë.
    5) Arsimi dhe politikat sociale: Qeveria Kurti ka rritur pagat për arsimtarët, ka nisur politika sociale më gjithëpërfshirëse si subvencionet për fëmijët dhe studentët, si dhe ndihma për familjet me të ardhura të ulëta. Fondi për studentët ekselentë dhe grantet për vajzat në STEM janë shembuj të qasjes për zhvillim të barabartë dhe të qëndrueshëm. Shkëputja nga klientelizmi dhe kompromiset e pista, ka qenë një arritje tjetër gjatë këtij mandati. Albin Kurti ka refuzuar të bëjë pazare politike me individë të dyshimtë dhe nuk ka bërë kompromis me të kaluarën kriminale të ndonjë subjekti vetëm për të mbajtur pushtetin. Kjo është një ndryshim rrënjësor nga qeverisjet e mëparshme, ku aleancat politike shpesh mbaheshin me këmbim të favoreve dhe heshtjes ndaj korrupsionit.
    Forcimin e institucioneve të sigurisë dhe partneritetin me NATO-n z. Kurti nuk e anashkaloi asnjëherë. Pavarësisht tensioneve të përkohshme, Albin Kurti ka mbajtur bashkëpunim aktiv me KFOR-in, ka forcuar rolet e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, dhe ka thelluar përpjekjet për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe sigurisë në mënyrë që Kosova të mos mbetet peng i status quo-së. Kjo po bëhet me qëllimin afatgjatë të anëtarësimit të plotë në NATO.

    C) Përceptimet neutrale:
    1) Incidenti në veri, zgjedhjet komunale dhe imponimi i kryetarëve shqiptarë në zona serbe
    a) Në vitin 2023, Kurti këmbënguli të vendosë kryetarë shqiptarë në katër komuna me shumicë serbe, pavarësisht bojkotit të votimeve nga serbët lokalë (pjesëmarrje më pak se 4%). Ky veprim u cilësua si provokues nga SHBA, BE dhe NATO.
    b) Kjo çoi në përleshje fizike me KFOR-in, ku u lënduan dhjetëra ushtarë të NATO-s. SHBA kërkoi që Kurti të tërhiqej menjëherë, por ai refuzoi për javë të tëra, duke përkeqësuar raportet diplomatike.
    2) Retorika nacionaliste dhe sfiduese ndaj partnerëve ndërkombëtarë:
    a) Në disa raste, Kurti është shprehur me nota dyshuese ndaj qëllimeve të ndërkombëtarëve, duke i cilësuar si “të padrejtë” apo “të njëanshëm” ndaj Kosovës, sidomos kur kërkohej fleksibilitet nga ai për të çuar përpara dialogun.
    b) Kjo retorikë ka ngjallur shqetësim në qarqet diplomatike perëndimore, duke e vendosur Kurtin si një udhëheqës të paparashikueshëm.
    3) Taktika e “viktimizimit” në vend të bashkëpunimit: Kurti shpesh ka luajtur rolin e “viktimës së padrejtësisë ndërkombëtare”, duke fajësuar BE-në dhe SHBA-në se “janë më të butë me Serbinë” sesa me Kosovën. Kjo është parë si një përpjekje për të fituar kapital politik të brendshëm, por që ka dëmtuar besimin e partnerëve. Gabimet e Albin Kurtit me personalitete dhe institucione ndërkombëtare, me aleatët ndërkombëtarë nuk janë vetëm çështje të diplomacisë, por mosmarrëveshje strategjike, që e kanë vendosur Kosovën në një pozitë më të izoluar, më të ndëshkuar dhe më të dyshuar për stabilitet afatgjatë. Këto gabime përfshijnë specifika që kanë kosto të larta, si: a) Humbje fondesh dhe mbështetjeje ndërkombëtare; b) Pengesa në procesin e integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO; c) Përkeqësim të reputacionit ndërkombëtar të Kosovës si partnere e besueshme.

  2. D) Përceptimet shumë pozitive:
    1) Mbrojtja e rendit kushtetues dhe funksionalitetit institucional në
    Në prill 2023, edhe pse zgjedhjet komunale në katër komunat me shumicë serbe u bojkotuan nga komuniteti serb (me pjesëmarrje nën 4%), Albin Kurti respektoi ligjin dhe kushtetutën e Kosovës duke e zbatuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për çertifikimin dhe instalimin e kryetarëve të rinj, të dalë nga një proces formalisht i rregullt. Ky veprim nuk ishte “provokim”, por një mbrojtje e parimeve demokratike dhe shtetërore, sepse:
  3. a) Bojkoti ishte i organizuar nga Beogradi, jo i natyrshëm;
    b) Zgjedhjet u mbajtën në bazë të ligjit dhe nën mbikëqyrje institucionale;
    c) Tërheqja do të krijonte precedent të rrezikshëm që serbët lokalë të kenë të drejtë vetoje për funksionimin e shtetit të Kosovës, përmes bojkotit. Në këtë rast, Kurti mori kosto ndërkombëtare për të mbrojtur sovranitetin real të shtetit, çka shumë udhëheqës përpara tij nuk patën guxim ta bëjnë.
    2) Qëndrim parimor për barazi në trajtimin ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë.
    Retorika e Kurtit që cilësohet si “nacionaliste” apo “sfiduese” nuk është antiperëndimore, por është një reagim ndaj standardeve të dyfishta që shpesh Perëndimi i ka përdorur në dialogun Kosovë–Serbi. Ai ka theksuar me të drejtë:
    a) Se Serbia nuk ka zbatuar më shumë se 20 marrëveshje të nënshkruara ndër vite;
    b) Se agresioni diplomatik, ekonomik e ndonjëherë edhe paramilitar i Serbisë është shpërblyer me tolerim ndërkombëtar;
    c) Se kërkesa ndaj Kosovës për “kompromis të njëanshëm” e minon parimin e barazisë në negociata.
    Kjo retorikë nuk është viktimizim, por një qëndrim kritik e realist ndaj padrejtësive të vazhdueshme, të cilat shumica e qytetarëve të Kosovës i përjetojnë në jetën e tyre të përditshme.
    3) Albin Kurti ka përmbysur logjikën e vjetër të politikës së Kosovës, që shpesh ka funksionuar me mentalitetin po të heshtim, se do t’na japin diçka”. Ai ka vendosur një model të ri politik, ku Kosova:
    a) Nuk dorëzon pozita shtetërore vetëm për t’u dukur bashkëpunuese;
    b) Kërkon reciprocitet të plotë dhe të drejtat që u kërkohen për serbët në Kosovë të aplikohen edhe për shqiptarët në Serbi;
    c) Refuzon të nënshkruajë marrëveshje që krijojnë struktura të dyta të pushtetit (si Asociacioni me kompetenca ekzekutive).

    Ky model është i vështirë për t’u përtypur në qarqe diplomatike të mësuara me “po”-në e lehtë, por është i drejtë dhe është afatgjatë për stabilitetin e Kosovës. Ndërkombëtarët mund ta konsiderojnë Kurtin “të paparashikueshëm” sepse ai nuk i përshtatet pritshmërive të tyre të zakonshme, ku liderët rajonalë lëvizin me fleksibilitet të shpejtë për interesa personale ose për mbijetesë politike. Por në fakt, ai është shumë i parashikueshëm për qytetarët e tij: ka folur njësoj në opozitë dhe në pushtet; ka qëndrime të qëndrueshme për dialogun, për rendin, për shtetin; dhe nuk ndërton “flirte diplomatike” për simpati personale, por mbështet një platformë të qartë dhe të hapur për Kosovën.

  4. Partneriteti me NATO-n mbetet strategjik, pavarësisht tensioneve momentale. Kurti ka mbajtur një bashkëpunim korrekt me KFOR-in dhe NATO-n, pavarësisht episodeve të tensionuara në veri. Forcat e sigurisë së Kosovës janë koordinuar në shumë raste me KFOR-in, dhe Kurti ka deklaruar vazhdimisht që Kosova e sheh NATO-n si garantin e paqes dhe sigurisë afatgjatë. Incidenti i majit 2023 me lëndimin e ushtarëve të KFOR-it ishte i dënueshëm, por konteksti nuk ishte një sulm i drejtpërdrejtë i Policisë së Kosovës ndaj aleatëve, por një përplasje shumëpalëshe e tensionuar që vinte pas një fushate të gjatë destabilizuese nga strukturat ilegale serbe. Kurti nuk ka refuzuar bashkëpunimin me ndërkombëtarët, por ka kërkuar një marrëdhënie me dinjitet të ndërsjellë, ku Kosova nuk shihet si “palë më e dobët”, por si partner i barabartë.

    Ai ka deklaruar vazhdimisht se është pro-evropian dhe pro-NATO, por nuk është pro-përulje, sidomos kur bëhet fjalë për çështje të brendshme sovrane. Kur kritikohet për përplasjet me SHBA dhe BE, duhet theksuar se Albin Kurti nuk ka qenë anti-perëndimor, por pro-Kosovë, me një qasje më të pjekur dhe më të barabartë, duke refuzuar kompromiset që i lënë plagë të thella shtetformimit të Kosovës. Ai ka përballuar kosto politike për të mbrojtur rendin kushtetues, integritetin territorial, dhe sovranitetin institucional, edhe kur të tjerët kërkonin “qetësi diplomatike” në kurriz të parimeve.

    5) Letra ime e dytë

(Në fund ashtu siç ishim marrë vesh një porosi përmbyllëse duhet ta bënim, dhe ne i lexuam të gjitha letrat tona. Por, pasi që situata me Albulenën u zgjat aq shumë, besimi i të gjithë neve ka shkuar në pikën zero, prandaj të tre anëtarët e VV-së e pranuan letrën time si mendim i pavarur dhe i pa imponuar nga askush, por edhe e pëlqyen).

Bëje një hap tjetër, o ndërgjegjja kombëtare!

Shpirtëngushtësia për pushtet, për kontroll absolut, për emra dhe poste, ka rënë pothuaj në banalitetin e shëmtuar që ka sot skena politike e shqiptarëve në Republikën e Kosovës, dhe jo se nuk kemi parë banalitet deri tani; por kur pas 42 seancave nuk zgjidhet ende Kryetari i Kuvendit të Kosovës, jo për shkak të ndonjë bllokade nga jashtë, por për shkak të një kapriçio të brendshme, atëherë keni kaluar çdo kufi të arsyes dhe të respektit ndaj qytetarëve që ju besuan, përfirë edhe mua…

O ndërgjegjja kombëtare, përse nuk e tërheq Albulenën? Apo ndoshta mendon se posti është më i rëndësishëm se institucioni? Apo se egoja është më e vlefshme se stabiliteti i vendit? Apo ju si VV dhe si lider keni marrë përsipër t’ua kthesh opozitës elektoratin që dikur, me të drejtë, ta besoi ty? Sepse po kështu ua more, me të njëjtën formulë: ata të bllokonin, ti flisje, ata heshtnin, ti dilje, ata talleshin me popullin, ti u besoje popullit, dhe ai popull që të duartrokiste në sheshe e në rrjete sociale, të votoi me shifrat më historike më 14 shkurt 2021. Po pse ku mbeti ai Madhështori i kësaj fitoreje historike?, ku mbetën premtimet për reforma? Dhe tani, në një vend që ka nevojë për stabilitet, për normalitet institucional, për frymë bashkëpunimi, ti je bërë peng i një emri të vetëm, i një vendimi që çdo ditë e më shumë po i kushton demokracisë, kuvendit dhe vetë popullit. A ka mbetur më gjë nga ai ideali fillestar? Apo është zëvendësuar me epshin e pushtetit?

Krejt në fund, kam vetëm një lutje: Bëje një hap tjetër, o ndërgjegjja kombëtare! Jo sepse nuk je më i zoti, por sepse nuk je më i domosdoshëm, kur shteti nuk po na funksionon!… Jo sepse të urrejnë, por sepse shumica nuk të kupton më. Jo sepse ke humbur zgjedhjet, por sepse ke humbur sensin e ndryshimit që e premtoi ardhja jote. Shko, bëje një hap tjetër para se të rrëzojë historia „atë që dikur e ngriti me duart e veta. Sepse nuk është turp të ikësh me një hap prapa kur s’je më zgjidhje! Turp është të qëndrosh dhe ta mbash peng një vend që meriton më shumë se kaq. Kjo nuk do të thotë që ata të opozitës të vijnë prapë në pushtet, nëse ju shkoni, në kompromis, për hirë të funksionimit të shtetit… Ata që elektorati me votë i ka dërguar në opozitë, herën tjetër do t’i ndëshkojë edhe më shumë, do t’i lë jashtë Kuvendit të Kosovës… Në proces, për çdo ditë po mbyllen të gjitha perdet e teatrit politik!

Prandaj, mos u bëni edhe ju i njëjti teatër politik, me aktorë të ndërruar, por me të njëjtin skenar. Dikur, ata të opozitës së sotme, pra ish-pushtetarët që e mbajtën shtetin peng për vite të tëra, e përdorën luftën si mburojë për çdo dështim dhe çdo plaçkitje që ia bënë Kosovës së pasluftës. Në emër të UÇK-së, në emër të sakrificës dhe të çlirimit, ata ndërtuan një sistem klientelist, ku meritokracia u zëvendësua me lidhje, e drejtësia me heshtje. Por historia na mëson një të vërtetë themelore: ata që vërtet luftojnë dhe çlirojnë një vend, nuk e plaçkisin pas luftës.

Ky fakt nuk është opinion, por është vërtetësi dhe konkluzion i historisë botërore. Në çdo cep të globit, kombet që kanë dalë nga luftërat e drejtësisë janë ndërtuar mbi dinjitet, jo mbi përfitim. Fatkeqësisht, sot po shohim të njëjtin model me ngjyra të tjera. Partia që erdhi në pushtet si “ndryshimi”, i premtimit për drejtësi, po shfaq simptomat e para të kapjes së pushtetit në emër të “çlirimit të veriut”. Me retorikën e triumfit në veri të vendit, me pretendimin se ka “pastruar enklavat serbe”, Vetëvendosje po legjitimon sjellje politike që nuk ndryshojnë shumë nga ato që dikur i kritikonte me zë të lartë.

Në këtë logjikë, „Albulena Haxhiu po mbahet peng“, jo për shkak të mungesës së përkrahjes politike, por sepse në prapaskenë po luhet një lojë force dhe kontrolli. E vërteta është se refuzimi për të votuar Kryetaren e Kuvendit dhe moskonstituimi i institucioneve kushtetuese, nuk është një mosmarrëveshje e zakonshme politike, por është një bllokim i funksionalitetit të shtetit.

Pasojat nuk janë vetëm simbolike. Ato janë konkrete dhe të matshme: Kosova ka humbur disa herë ndihma financiare nga Bashkimi Evropian, për shkak të këtij modeli, „ngërçi institucional“ të qëllimshëm, përfshirë edhe qëndrimet ekstreme të opozitës. Paratë që do të shkonin për projekte zhvillimi, për infrastrukturë, për mbështetje sociale, të tëra janë pezulluar. Dhe e gjitha kjo për shumë faktorë, përfshirë edhe shprehjet; inate personale, për lojalitete brenda partisë dhe gjithë klasës politike, për strategji pushteti që nuk kanë të bëjnë me interesin qytetar. Paralizimi i shtetit ka një kosto, dhe kjo kosto po rritet çdo ditë.

Jo vetëm në euro, por në besueshmëri ndërkombëtare, në integritet institucional dhe në shpresë qytetare. Dhe kjo nuk mund të justifikohet as me luftën, as me veriun, as me të kaluarën. Sepse qeverisja është për sot dhe për nesër. E nëse shteti na shkon „për lesh“ me vazhdim të bllokadës dhe anarshisë, ku do të mbetët klasa politike? Ku do të mbetët Albulena? Bëje një hap tjetër, o ndërgjegjja kombëtare!

Politikani duhet të ketë maturi të zgjuar dhe durim të duhur.”

„Maturi e zgjuar“ është aftësia për të mos reaguar me nxitim, por edhe për të mos heshtur nga frika. Do të thotë të dallosh kur është koha për të folur, kur është koha për të pritur, dhe kur është koha për të vepruar. Kjo maturi nuk është thjesht vetëpërmbajtje, por një mençuri që buron nga ndjenja e përgjegjësisë dhe ndershmërisë ndaj popullit.
„Durim i duhur“  nuk është qëndrimi pasiv apo vonesa e pafrytshme.

Është durimi që qëndron si shtyllë për të mos u dorëzuar përballë presionit, por edhe për të mos marrë vendime impulsive që i kushtojnë vendit. Politikani me durim të duhur di të mos e shesë të ardhmen për një përfitim të shpejtë, qoftë ai që quhet pushtet me çdo kusht. Lexuesit le ta vlerësojnë më mirë se sa ne, se a është „pengmbajtja e Albulena Haxhiut“ përfitim i shpejtë dhe me çdo kusht i liderëve politikë, apo është mbrojtje se ende asnjërin nga këta nuk po i pranon si të besueshëm Shtëpia e Bardhë dhe po ju duhet kohë për t’u përshtatur, dhe për t’u bërë balancimet dhe memorizimet në rrugën me gjemba dhe me shumë kthesa… Ndonëse edhe këta të kompit të opozitës, kur është në pyetje Albulena, flasin me përkushtim, por në të njëjtën kohë po tregojnë, se edhe ata kanë nga një Teutë e Shotë të tyre!

Thashethemet e publikut në rritje… Ata po pyesin: pse kështu z. Kurti, pse kështu ju liderë të partive politike dhe pse kështu ju deputetë të Kuvendit të Kosovës?

1) Sepse në zgjidhje na premtuat ndryshim, por sollët bllokim. Partie që garuan në zgjedhje si shpresë për shtetin, sot po na e mbajnë peng shtetin.
2) Sepse refuzoni të bashkëpunoni, edhe kur shteti është në krizë, në vend që të ndërtoni konsensus, ju të gjithë ndërtuat mur ndarës. Po refuzoni çdo propozim të njëri-tjetrit, edhe kur çështja është për funksionimin e shtetit.
3) Sepse po dëshmoni arrogancën më të madhe, pasi ju po shpërfillni edhe mbështetësit tuaj. Pra as mbështetësit e Vetëvendosjes nuk votuan për këtë sjellje, por as të partive të tjera politike. Kandidatët që ishin në garë për Kryeministër po harrojnë se njerëzit votuan për një lider që dëgjon, jo që sundon.
4) Sepse liderët politikë që nuk po sillet si pushtetarë të gjithë qytetarëve, gjatë pushtetit që ia dha populli, ata të tërë po e përdorin për kalkulime personale… Këta liderë që nuk i njohin as aleatët e vet politikë, nuk mund të udhëheqin një shtet të tërë.
5) Mospërfillja dhe moskoordinimi i brendshëm i subjektive politike, ka resultar në mospërfillje edhe ndaj SHBA-së dhe BE-së, që i kushtoi Kosovës me mungesë fondesh, mungesë mbështetje dhe reputacion.

Pse po flas sot me ty, o ndërgjegjja kombëtare?
Sepse sot Bashkimi Evropian i afron Kosovës rreth një miliard euro për investime, ndërsa vendi nuk ka qeveri funksionale që t’i presë, t’i negociojë apo t’i menaxhojë ato. Dhe kjo nuk është më thjesht krizë politike, është dëm kombëtar.

Nuk po flas për të bërë zhurmë, ndonëse ne si grup që votuam për VV-në, kur është fjala për termin „mërgata“ kemi krijuar përshtypjen me disa shembuj, se edhe sjellja e ministrave në qeverinë e fundit nuk ndryshoi asgjë nga ajo e qeverive të dikurshme, që sot janë në opozitë. Ndaj sot, nuk heshta. Sepse nuk kemi më luksin të heshtim, kur mundësitë historike na kalojnë para syve, ndërsa shteti është i paralizuar dhe pushteti është në gjumë.

Sepse njerëzit po kuptojnë se partitë politike që garuan më 9 shkurt 2025 nuk po kanë interes të qeverisin për shtet, por ato po zvarriten për të marrë sa më shumë pushtet… Edhe votuesit e vitit 2021 po e shohin se ndryshimi nuk erdhi dhe po po largohen… Prandaj, edhe VV nuk po humb vota, jo nga fati, por nga mungesa e veprave, që i patë premtuar. Kjo u konfirmua me zvogëlim të votave më 9 shkurt 2025.

Po flas dhe po flasim me ty sot, o Albin, sepse ai që të do, të kritikon. Ata që të dojnë të kritikojnë! Sepse kritika nuk është urrejtje, por përpjekje për t’u zgjuar nga vetëkënaqësia. Sepse edhe ju si pushtetarë të VV-së, si shumë pushtetarë para juve, gjatë mandatit katërvjeçar, na keni mbjellur përsëri në vende kyçe të shtetit farën e ish – UDB-ashve, atyre që dikur e kishin shkelur dhe votuar për rrëzim Kushtetutën e vitit 1974, (më 23 mars 1989) dhe e kishin dorëzuar Kosovën përballë projektit të Millosheviqit

Po, merreni të tërë së bashku pushtetin dhe vazhdoni, nëse dëshironi, por duhet ta kuptni një gjë të pandryshueshme, (se ne elektorati ashtu siç ju kemi thënë opozitës së sotshme pushtetarë të dikurshëm, po ju themi edhe juve, pavarësisht a do të jeni vetëm apo me tëra subjektet bashkë): Kosova nuk kthehet më mbrapa. Sepse gjaku i dëshmorëve e ka vulosur përjetësisht legjitimitetin e këtij shteti. Ndërsa qeveritë, cilado qofshin ato, janë të përkohshme. Ato vetëm sa shënojnë veten në dy faqet e historisë; në faqen e bardhë të dinjitetit, ose në faqen e zezë të dështimit. Zgjedhja mbetet në duart tuaja, por edhe gjykimi po afrohet. Dhe as unë nuk e di, as ne nuk e dimë, se në cilën faqe të historisë do të regjistrohet kjo neglizhencë për Adem Jasharin, figurën më të shenjtë të rezistencës sonë, ashtu si edhe për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Sepse edhe në qeverisjen tuaj katërvjeçare si VV, ashtu si në ato të mëparshme, në Prishtinë, Adem Jashari ende nuk ka një bust zyrtar që e nderon përjetësisht veprën dhe sakrificën e tij. Dhe kjo nuk është rastësi. Kjo është vazhdimësi e një frike të trashëguar nga ata që dje heshtën për t’ia bërë qejfin Serbisë dhe sot po e justifikojnë të gjithë të njëjtën heshtje me llogari dhe për llogari politike. Dhe kjo heshtje është më e rëndë se çdo fjalë.

(Edhe kjo pjesë, ese politike;  do t’i bashkangjitet romanit në dorëshkrim “Diplomacia e shterruar“).

K O M E N T E

Ju lutem, shkruaJ komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaJ emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.